RUKIE SARAÇINI, E PËRKUSHTUAR E ME PASION, PËR POEZINË DHE ARTIN…

0
698

Kapakët e librit të ri me poezi, nga Rukie Saraçini (Savona-Itali)…

(Shënime për librin e ri poetik, “Zgjedhja ime…”)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Rukie Saraçini-Savona (Itali)

Për herë të parë, njohjen me krijimtarinë poetike dhe artistike, të bashkëkrahinases sime, Rukie Saraçini, e kam bërë përmes Internetit. Ishte pikërisht mikja tjeter poete, Albana Ponari (Milano), e cila më informoi për punën e palodhur e psionin e saj.

Me mallin e pashuar për vendlidjen e Atdheun, atje në emigracion në Itali, Rukia nisi t’i përkushtohej edhe poezive e punimeve artistike, të cilat i publikonte në Fb etj. Përmes tyre gjente qetësi shpirtërore dhe sikur e ndjente Atdheun më afër.

Kaloi ca kohë dhe ja, në pranverën e këtij viti, Rukia erdhi për pushime në Shqipëri. U njohëm nga afër dhe më tregoi se donte të përmbushte një dëshirë të kahershme të saj, pra të botonte një vëllim me poezitë më të zgjedhura. Ajo kërkoi që t’i lexoja dhe të shprehesha diçka rreth tyre. Kështu, tashmë, ai dorëshkrim i poezive të saj po shkon-libër, në duart e kësaj poeteje e të njerëzve të saj, por dhe të një rrethi më të gjerë lexuesish.

1.
Rukie Saraçini ka lindur në qytezën e minierës së kromit, në Kam të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Aty e kaloi dhe fëmijërinë, Pasi kreu shkollën 9-vjeçare , e vazhdoi dhe e mbaroi Gjimnazin “Asim Vokshi”, në qytetin “Bajram Curri”.
Në vitet pasardhëse jetoi me familjen e saj në vendlindje. Në vitin 1999, për një jetë më të mirë, emigruan në qytetin Savona të Italisë, ku jetojnë edhe sot.

Qysh në vitet e hershme të shkollimit, i pëlqenin letërsia dhe arti, e ndikuar nga këngët popullore të vendlidjes, leximi i librave dhe bukuritë natyrore të krahinës, me Valbonën ujekaltër e Shkëlzein e lartë, me bjeshkët mbuluaar me borë të përhershme dhe, në përgjithësi, me Alpet tona krenare e hijerënda. Poezitë e para i ruante me kujdes në një fletore dhe ua lexonte shoqeve më të ngushta, të cilat e përgëzonin me dashamirësi. Por ndodhi që shumica e poezive të atyre viteve i humbën, gjatë udhëtimeve për në Itali?!

Ndërsa edhe kur u largua nga Shqipëria, Rukia nisi të shkruante poezi, bile dhe në gjuhën italiane. Kështu, së pari, më 2013 publikoi shtatë poezi, në Shtëpinë Botuese “Pagine”. Por, sigurisht, pasion e dëshirë e përhershme e saj vazhdon të mbetet poezia në gjuhën tonë të bukur amtare. Ajo ka krijuar shumë të tilla dhe me tematikë të larmishme, si: atdhetare, shoqërore, për bukurit e natyrës amtare etj. Por, nganjëherë, ka provuar dhe gjininë e tregimit të shkurtër.

Ja, tani ajo po boton vëllimin e parë me poezi. Mendova që prej tij të shkëpusim pak strofa dhe po ua paraqesim, më poshtë, lexuesve tanë.
Megjithëse ka vite, që Rukia është larguar nga vendlindja e saj e dashur, me mendje e zemër është kurdoherë atje:

Kur rrinim të qetë
nën hijen e pishës shekullore.
dhe, nën këmbët tona,
uji i kthjellet i Valbones gurgullonte,
dëgjonim zërin e ëmbël
të zogjëve, që shkonin e vinin…
Dhe, me këta tinguj të bukur,
sinjalin tonë filluam ta thurnim…
(Nga poezia “Mesazhi”)

Po bukuritë e Malësisë së Gjakovës (Tropoja) janë përherë të pranishme në kujtesën e kësaj poeteje edhe pse jeton në qytet e vend të zhvilluar perëndimor, siç është Italia fqinje:

Atje, ku ajri është i pastë… cingrimë;
atje, ku flladi i mëngjesit kundërmon,
aromë të fortë,pishe nga bjeshka;
aty, ky bilbili këngës ia merr herët në agim;
aty, ku zogjtë e bjeshkës nuk ta kursejnë shoqërinë;
aty, ku çdo gjë me ëmbëlsi të përshëndet
edhe majat e lart, me kreshta gjeër te rete…
…………………………
Aty, ku dëgjohet tingulli i lehtë e melodioz
i lahutës së Malësisë;
at, ku buçet tupani e tingull’ i ëmbël i çiftelisë;.
atje, ku legjendat përcjellin ndër breza,
trimërinë,urtësine e bujarinë;
atje, ku rudinat,mrizat,hijet e shkelqimi i diellit,
ruajtën me fanatizëm bukurinë e shtojzavalleve;
atje, ku Shqiponjat fluturojne krenare-
Aty je ti,,,,
Malësia im!…
(Nga poezia “Malësia ime”)

Mallin e pashuar për fëmijënrinë, prindërit e njerëzit saj të dashur, Rukia e shprehë bukur në poezi të tilla, si: “Pranverë në vendlindje”, “Sy e zemër nëne”, “Gjyshja ime”, “Shkolla ime”, “Pika e shiut”….Por ajo e ngre me forcë zërin e saj poetik, kundër atyre, që synojnë të prishin bukuritë e magjinë e Alpeve tona, siç është dhe krijimi-protestë: “Lëngon Valbona!…”
Ndërsa, duke evokuar kohën e kaluar, ajo shkruan me mallëngjim:

Po lëngojnë trarët e kullës së vjetër,
në qoshe një sunduk e në mur varë një lahutë.
Oxhaku i nxirë e bërë sterrë,
aty ku patriotët mblidheshin përherë…
(Nga: “Kull’ e vjetër”)

Me mall të pashuar u kthehet kujtimeve për vendlindjen edhe në disa poezi tjera, si: “E rritur mes dy dashurishë” ose në poezinë:

Në mes të lëndinës, atje në Saraçin,
nën hijen e kajsisë është trualli i gjyshit tim.
Shtrirë degët kajsia ndër vite i ka,
si mburojë e asaj cope toke,
që në vetëvete, një histori të dhimbshme mba…
(Poezia “Truall’ i gjyshit”)

Me dhimbje e mall të madh, thurë vargje shpirti për mërgimin:

Më mungon çdo gjë e vendit tim,
jetoj larg shumë larg, këtu në mërgim!?…
( “Mërgimi” )

Ndërsa në një poezi tjetër shpërthen:

Kur shoh ngjyrat e ylberit,
zemra më gufon.
Kur dëgjoj zërin e bilbilit,
mendja larg më shkon…
Ndiesi të ëmbël provoj në shpirt,
kur shof SHQIPEN time,
sa hap sytë.
( “Shqipe…” )

Gjithashtu edhe në krijime të tjera poetike, si: “Bija ime”, Mërgimi”, “Dashuria” etj., autorja shafqet para lexuesit me ndjeshmëri të lartë e frymëzim poetik, që e bën lexuesin për vete.Me frymëzim të veçantë ajo ka shkruar një poezi për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Me plot mallëngjim risjell në kujtese sa e sa figura të ndritura të këngëtarëve shqiptarë, nga Veriu e deri në Jug dhe i drejton vetes pyetjen:

Ish magji apo vegim?
Isha e dehur a isha në udhëtim?
Në çast dot s’e shpjegoja.
Ndërsa tani them, se ish një mrekulli,
kur dehesh me tinguj të muzikës,
në mes të legjendave të mëmës:
Shqipëri…

Po, ndër frymëzimet e saj, do të veçoja edhe një krijim të gjatë të kësaj poeteje, shkruar (shqip e italisht) në Savona, në gusht 2009. Poetja sikur udhëton e sheh tërë botën, me të mirat e të këqijat e saj. Ndërsa, në fund të atij udhëtimi imagjinar, e shprehë me forcë,dufin e vetë, ndaj padrejtësive, që kudo ka parë nëpër rruzullin tokësor:

Tunda kokën e hutuar,
udhëtimi im këtu kish’ mbaruar…
Por shumë gjëra më mësoi:
Jetojmë nën një qiell,
na ngrohë të gjithëve një diell
e për të gjithë sundon një Zot-
e prapë shumë padrejtësi
ka mbi këtë tokë!?
(Nga poezia “Udhëtim imagjinar”)

2.
Rukie Saraçini e ka shfaqur pasionin e talentin e saj edhe me punime të ndryshme artistike, si: piktura, punime në drurë të vegjël e me guacka ose qëndisje të ndryshme. Të gjitha pikturave, ua ka punuar vetë kornizat, në përshtatje me përmbajtjen e tyre. Si rrjedhojë e kësaj, me punimet më të zgjdhura hapi një ekspozitë në qytetin, ku banon, po në vitin 2013, e cila u shikua me interes nga shumë vizitorë.

Pasionet e veta, si në krijimtarinë letrare e artistike, Rukia përpiqet t’ia edukojë edhe vajzës, Ernestinës, e cila vazhdon shkollën e lartë, për shkencat politike. Ajo mori çmimin e parë një konkurs letrar, në Liguria dhe meritoi çmimin “Unicef”, kur ishte 13-vjeçare. Ndërsa në moshën 17-vjeçare botoi një roman, në gjuhën italiane, kapakët e të cilit i bëri Rukia. Ernestina dëshiron që, ketë roman, ta përkthejë e ta botojë edhe në gjuhën shqipe. Tani kjo po shkruan romanin e dytë.

Që të krijohet një ide më e saktë për punimet e bukura artistike të Rukies, disa nga të cilat ajo i ekspozoi në qytetin Savona, përkrah Flamurit tonë Kombëtar, në kapakun e fundit po bashkëngjesim një fotografi.

…Në mbyllje të këtyrë pak radhëve, më pëlqen t’i përsëris fjalët e një poezie optimiste për jetën, nga Rukie Saraçini:

E dua jetën
dhe do t’i m’poshti surprizat e fatit!
E dua jetën,
nuk e njoh trishtimin
dhe, në skutat më të errëta,
lumturinë do ta kërkoj!

E përshëndesim dhe e urojmë, përzemërsisht, poeten dhe artisten Rukie Saraçini, për botimin e librit të parë, mbushur plot frymëzim e, në përgjithësi, në udhën e bukur të krijimtarisë!

(Shënim: Ky libër, i cili u vu në qarkullim nga SHB “Edlora”, me administratore Edlira Kamen, gjendet në Bibliotekën tonë Kombëtare dhe në “Librarinë Kulturë-Art-Sport”, para fillimit të Bulevardit të Ri të kryeqytetit).

Tiranë, 17 qershor 2018