Rrugëtimi i suksesshëm i një akademiku dhe ikja e parakohshme e tij!

0
1742
Agim Sula - ushtarak
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Dhe vjen një ditë e trishtë! E kur kjo ditë është e parakohshme, dhimbja është edhe më e madhe. Kështu iku më 24 janar 2021 ushtaraku i karrierës, që nuk deshi kurrë karierën, Koloneli, Profesori i Associua, Doktor, Agim Qamil Sula. Njerëz të tillë si Agimi, me virtute të larta në shoqëri, me nivel të admirueshëm intelektual dhe bagazh të pa krahasueshëm njohurish lënë pas vetëm vepra të mira dhe shkojnë në kufijtë e pavdekësisë. I tillë, i këtyre përmasave, qe dhe Gimi. Ai si një akademik në fushën ushtarake, ka lënë gjurmë, vepra dhe mbresa si askush tjetër. Njerëz të tillë si Gimi nuk vdesin, ai mbetet siç ishte një ushtarak tepër i përgatitur, një pedagog model, një intelektual i një niveli të lartë, një patriot dhe atdhetar i flaktë, një familjar i shembullor, një njeri me vlera të humane që i vuri në funksion të vartësve dhe komunitetit… I lehtë qoftë dheu amë për Të!

E mërkurë 17 shkurt 2021. Ditë e madhe historike, Kosova feston 13 vjetorin e Pavarësisë, këtë arritje të madhe historike! Ndërsa më 14 shkurt 2021 Kosova u “çlirua” nga esadisto – rrahmanistët. Iku “Isë”plaku, mbeti Boletini i Pavarësisë! Situata post zgjedhore do jetë e vështirë, por optimiste. Shpresë për këtë janë liderët e rinj Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. Vjosa edhe Albin! Mos e tradhëtoni popullin, mos rendni pas pasurisë, vihuni pas shtetësisë, mos bini në kurthin e Serbisë, mos u firikësoni, thoni po rilindjes dhe shqiptarisë! Kjo është sfida juaj, nuk keni alternativë tjetër.

Garanci për ju dhe shtetin e Kosovës është krijuesi i saj, Amerika. Presidenti Biden do të bëj më të mirën për Kosovën!

Kishim lënë me profesorin Medi Hoxha të takonim dhe pimë një kafe me vëllain e të ndjerit, Ilmiun. Mehdiu dhe Hyseni ma rekomanduan këtë! Takohemi në ora 10 të bar kafe “Perhati” dhe zhvillojmë një bisedë të ngrohtë rreth dy orëshe…

Agim Qamil Sula lindi në Selitë të Malit më 3 korrik të vitit 1962. Lindi në një familje të thjeshtë, me emër në krahinë, shumë mikpritëse dhe me tradita atdhetare. Gjyshi i tij Islami ishte shumë i përparuar, ka pritur e ka përcjell shumë njerëz në hanin e tij dhe familje në Krroqe, dhe kishte një mënyrë jetese të mirë për kohën. Për këtë problem nipi i tij, Ilmiu kujton: “Gjyshi qe shumë mikpritës. Tradita vazhdoi me babain tonë Qamilin, dhe shpresojmë e mundohemi ta mbajmë dhe ne sot. Hani i Islam Sulës qe aktiviteti i parë tregtar në krahinë. Në hanin tonë të ngritur në nyjen që lidh Tiranën me Matin dhe Dibrën bujtën shumë njerëz, shumë rrugëtar. Gjyshi dhe babai i prisnin dhe i përcjellnin, rrugtarët dhe ato ishin të sigurtë si në shtëpinë e tyre. Ata nuk kërkonin para, dhe njerzit jepnin sipas dëshirës e mundësive të tyre. Në disa raste kanë shpëtuar edhe jetë njerëzish nga uria apo dhe sëmundje të çastit. Krenohemi dhe ne sot për këtë. Babai e ruajti traditën, qe i zgjuar, familiar i rregullt, na iponohej dhe ne me shembullin e tij.

Ai ka kryer detyra drejtuese në Fshat dhe Lokalitet. Gjyshi im ka marrë pjesë edhe në ndërtimin e hidroçentraleve të Ulzës, Shkopetit dhe Lanabregasit”. Ky qe ambienti ku u lind, rrit dhe mori formimin e parë dhe Agimi. Shkollën fillore e kreu në Qafmollë me mësues Shaban Gjylën, ndërsa 8 vjeçaren në Moisit. Në të dy ciklet pati rezultate të shkëlqyera dhe mori fletë nderi. Për këtë Ilmiu citon: “Agimi ka lindur me “libër në dorë”, miku më i mirë për të qe libri. Kur babai na jepte para, ne të tjerët i prishnim ndërsa Agimi i blente vetëm libra te Sabihaja (Dajti). I tillë qe Gimi, ai qe krenaria jonë, por na iku papritur në moshë të re, duke na lënë dhimbje të madhe…

Shkollën e mesme Agimi e filloi në vitin 1977 dhe e përfundoi në 1981në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë me rezultate të shkëlqyera. Këto qenë vitet më të bukura të jetës së tij ku filloi të marrë dije e përgatitet si ushtarak me atë staf pedagogësh e ushtarakës të pa përsëritshëm…Për këtë Ilmiu shton: “Vëllai im Gimi kishte shumë dëshirë dhe pasion mësuesinë, admironte letërsinë, lexonte Kadarenë, Agollin dhe shumë shkrimtar të huaj si Dostojevskin etj.

Pëlqente shumë edhe historinë. Në njërën nga këto degë donte të vazhdonte studimet e larta. Meqenëse kishim dhe motrën në mjekësi, nuk mundi të shkonte atje, dhe shkoi në shkollën e “begsave”. Ai doli shumë mirë këtu, shkëlqeu në mësime, qe i pari në të gjithë treguesit dhe foto e tij gjendej në këndet e shkollës si nxënës shembullor”. Që këtu Agimi qe antar i Rrethit Rrethit Shkencor të Shkollës dhe Sekretar i Komitetit të Rinisë. Filloi të shkruaj dhe botoi shkrime në organe shtypi.

Vazhdoi studimet e larta në vitin 1982 në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë në degën Këmbësori dhe i përfundoi ato me rezultate të shkëlqyera në vitin 1985. Këtu titullohet oficer, nga këtu fillon karriera e tij e shkëlqyer ushtarake, fitoi gjithçka me punë e përkushtim maksimal, dhe asnjëherë nuk qe karrierist. Foto e tij asjëherë nuk u hoq nga muret e Shkollës së Bashkuar. Njerëz të tillë si Ai, i bëjnë nder vendlindjes, institucioneve të shtetit vendit… Krenohet familja me të, krenohet krahina për birin e saj… Krenohen dhe institucionet ku ai shërbeu mbi 35 vjet me radhë, krenohen shokët që e njohën e punuan me të, krenohen studentën për pedagogun dhe akademikun shembullor, krenohet e gjithë shoqëria…

Agimi shërbeu me devotshmëri në radhët e Forcave të Armatosura për 35 vjet dhe pati një karrierë të shkëlqyer në ushtri. Në asnjë moment nuk u shkëput nga arsimimi ushtarak nga “mësuesia” që ai e admironte dikur, por tani në ushtri. Detyrat që kreu qenë:
Shef Edukimi Batalioni; Instruktor i Lëndëve Juridike; Komandant Kompanie; Shef Sociologjie; Shef Organizimi; Pedagog i të Drejtës Ushrarake dhe i të Drejtës Ndërkombëtare; Shef i Sektorit të Rekrutimit -Mobilizimit në Ushtri; Pedagog për Shkencat Sociale; Pedagog për Fushën Juridike dhe Këshilltar Ligjor; Këshilltar Juridik dhe pedagog i jashtëm për të Drejtën e Konfliktit të Armatosur në Akademi; Komandant dhe Rektor i Akademisë së F.A., Shef i Departamentit të Lidershipit; Dekan i Fakultetit të Sigurisë së Mbrojtjes në Akademi.

Ai ka pasur një karrierë brilante dhe çdo detyrë që mori e kreu ashtu siç e dinte ai, me përkushtim dhe devotshmëri. Ky qe modeli; ky qe profesori që dha dije e nuk u lodh kurrë me studentët; ky qe akademiku; ky qe specialisti i një niveli të lartë; ky qe njeriu human; ky qe mbështetësi dhe zëri i studentëve, ky qe shembëlltyra e rregullit, disiplinës, ligjit; ky qe dhe do të mbetet modeli i vlerës, që i kundërvihej antivlerës; ky qe ushtaraku me dije të larta në profesion; ky ka një emër; Agim Sula. Ky qe modeli që duhet ndjekur dhe shembull për të gjithë!

Gjatë karrierës ushtarake në vite ai ka kryer arsimim plotësues akademik civil si:
•Në vitin shkollor 1990-91 ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, dega Drejtësi, në Universitetin e Tiranës.
•Në vitin 2006 ka fituar gradën shkencore “Doktor në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes”.
•Në vitin 2013 ka fituar titullin akademik “Profesor i Asociuar .
Si oficer në vite ka kryer një sërë programesh arsimimi dhe kualifikimi në fushën ushtarake si:
•Kursin e Orientimit të Oficerëve të Shtabit, në Kolegjin Ushtarak të Hollandës në Hagë.
•Studime në Akademinë e Mbrojtjes Tiranë.(Studime të thelluara pasuniversitare).
•Kursin Didaktik në Akademinë e Mbrojtjes.
•Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Tiranë.
Ka kryer gjithashtu edhe disa Kurse si:
• Për menaxhimin e krizave në Shkollën e Natos, në Gjermani viti 2000.
• Mbi Ligjin e Luftës, në Ankara, Turqi viti 2002 dhe 2007.
• Kurse të tjera mbi aspektet ligjore dhe fushën e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare në SHBA, periudha kohore të ndryshme.

Agimi kishte një formim të gjerë dhe kudo që punoi rrezatonte kulturë dhe mirësi. Ai ishte një studiues i lindur dhe zotëronte dhe dy gjuhë të huaja, anglisht dhe rusisht, në të folur dhe të shkruar.

Karriera e gjatë dhe e suksesshme e profesor Agimit në ushtri nisi me detyrat më të thjeshta, si Komandant Toge dhe arriti në nivelet më të larta të Dekanit dhe Rektorit në Ushtri. Arritjet janë falë punës së tij, talentit, ndershmërisë, përkushtimit dhe motivimit për ti shërbyer besnikërisht Atdheut! Ndjenjat e larta morale qenë bashkëudhëtare të përhershme të rrugëtimit të suksesshëm, dhe aspak karrierist, të tij! Ai ka dhënë një kontribut të madh në studimet shkencore, programet dhe doktrinën ushtarake, dhe ka disa botime shkencore që mbajnë emrin e tij.

Po kështu ai ka udhëhequr, drejtuar dhe vlerësuar shumë tema Diplome dhe Doktoratura. Serioz në çdo hap, por mjaft social e njerëzor… Këto cilësi e ngritën në nivelin e Tij, pa këto virtute shkenca në këtë fushë do ishte e cunguar! Virtutet janë parësore për njeriun, pastaj shkenca, posti, detyra!

E pata të vështirë shkrimin nga njohja e pakët që kisha për të, por Ilmiu vëllai i tij, dhe Mehdiu si studiues e shok i Gimit, me materialin e siguruar dhe bisedën e bërë më sqaruan shumëçka.

Duke folur për punën e vëllait në ushtri Ilmiu krahas atyre që u thanë më lart shton: “Gimi qe tip studiuesi. Ai nuk pranoi poste të larta në ushtri, i ka refuzuar disa herë. Ai qe gjithmonë në oponencë me padrejtësitë. Ai qe “mik” i studentëve dhe përkrahës i tyre. Ai nuk ngelte njeri në klasë, autoritetin ja dha puna. Në një rast, në morinë e tyre, vjen i mërzitur në shtëpi. Çfar ke i them, Unë? Asgjë, thotë probleme të vogla pune. Më vjen një student në zyrë dhe po qante se kishte marrë katër. Ik, i them studentit, mos qaj nuk do ngelësh. Në çast mblodha pedagogët dhe u thashë, studenti po veshi rrobat, pajimet dhe armën ushtarake, e ka marrë pesën, ndaj mos ngelni studentë, po pati mbi 50 përqind ngelsa në provim do ikni vetë, nga puna.

Notat e tjera jepen sipas përgatitjes, nivelit, – ju them. Kjo më bëri pak nervoz, dola jasht natyrës sime por u pas u mirëkuptova me kolegët”. Po kështu duke kujtuar vitin e mbrapshtë ’97 dhe Shkollën Skënderbej Ilmiu thotë: “Gimi e përjetoi shumë keq shkatërrimin e Shkollës Skënderbej, shkatërrimin e Ushtrisë në vitin e mbrapshtë 1997. Në Zall-Herr bashkë me disa kolegë dhe ushtarët u armatosën nuk lejuan që të shkatërrohej Reparti i Ushtarak. Ka ndenjur një muaj pa ardhur fare në shtëpi. Kur erdhi qe shumë krenar për mbrojtjen e repartit. Agimi qe ushtarak me rregulla të ngurta. Deviza e tij qe “Ushtari nuk duhet të qëlloi mbi popullin, por ta mbrojë me çdo çmim atë”- përfundon Ilmiu”. Agimi si tip studioz dhe ambicioz ishte i zënë shumë me punë, por asnjëherë nuk e harroi vendlindjen e tij Selitën.

Madje Ai qe shumë krenar për Të. Duke e kujtuar atë, Kryetari i Shoqatës Selita, Mehdi Hoxha thotë: “Kam pasur njohje të hershme dhe lidhje me Gimin. Ai në çdo vend ku shkoi dhe punoi la gjurmë dhe përshtypjet më të mira. Qe njeri me shumë horizont dhe i dhënë pas shkencës ushtarake. Bisedonte shumë për letërsisë dhe shkrimtarët dhe artistët. Në shumë veprimtari të shoqatës duke qenë i zënë, mi binte të falat, përgëzimet për punët e bëra dhe ndonjë sygjerim, me babain e tij, Qamilin. Ai më ka dhënë kurojo, më ka ndihmuar me ekspertizën e tij edhe nër Librin për Selitën që është në proçes botimi. Sa i urtë, i qetë, i matur, gojëëmbël e komunikues, ai qe dhe shumë korrekt dhe i prerë në qëndrimet e tij.

Mendova që librin në fjalë ta redaktonte Gimi. E para se kisha besim të plotë te ai dhe e dyta se ai e njihte mirë historinë e saj. E marr në telefon në shtator dhe i them do të vë në dispozicion librin e fotokopjuar dhe dëshiroi t’ma redaktosh ti. Po më thotë me të parën, jam në dijeni të librit, do ta redaktoj unë pa asnjë pagesë, vendlindja është e shtrejtë dhe kemi detyrime ndaj saj. Kam besim se ke shkruar gjëra me vlerë pasi je i fushës dhe e bën me pasion. E mori materialin, e ke punë të kryer më tha, dhe sa më shpejt do ta përfundoj. Nuk kam asnjë dyshim i them ti je njeri i punës dhe letrave. Ndahemi për tu takuar përsëri… Më vjen një mesazh: “Mehdi jam me kovid, jam në spital në luftë me jetën”. Mehdi do më falësh… Shih shëndetin i them, se kjo punë rregullohet. Luftoi me sëmundjen 55 dit, por nuk ja doli. I pa harruar do jetë kujtimi i tij” – përfundon Mehdiu.

Profesor Agimi qe edhe një prind, bashkëshort dhe familiar shembullor. Ai u martua me Liri Dishën që vinte nga një fis me tradita nga Selita. Liria ka mbaruar studimet e larta në inxhinieri, ka punuar me dinjitet, ka qenë pjesë e sukseseve të bashkëshortit duke qenë krah tij. Ato kanë dy fëmijë të mrekullueshëm. Denin vashdon studimet në vitin e tretë për Inxhinieri ndërtimi në U.T. dhe është student ekselent. Dioni po përfundon gjimnazim me nota shumë të mira. Ai qe shembulli i prindit model!

Agimi qe një patriot i flakë. Ai ka ndihmuar dhe në luftën e Kosovës, mbante lidhje me djalin e Adem Jasharit dhe patriot të tjerë. Disa herë ka vizituar Kosovën.

Unë ndjehem shumë krenar për këtë shkrim që i kushtohet njërit prej bijve më të mirë të Krahinës sonë, akademikut dhe profesorit Agim Sula! Ai do mbetet në memorjen e brezave si njeri model, si specialist i zoti dhe drejtues dinjitoz që parësore kishte shembullin personal. Profesor Gimi qe vlerë, e vlerat nuk shuhen kurrë!

IBRAHIM KABILI
Tiranë më 18.02.2021