RRUGËT E NDËRDIJES, PËRPLASJA E RALITETIT DHE KONTRADIKTAT E TË VËRTETËS (II)

0
919


Brahim AVDYLI: [ Vijon nga pjesa e parë ]

(Pjesa e II-të)

Studim për librin me tregime të shkurtëra “Heroi i rrugës” të Prend Buzhalës. Botoi SHB «ROZAFA», Prishtinë 2017.

Nuk do mend se Prend Buzhalës, si një autor i njohur i poezive, kritikave letrare, eseve, studimeve letrare e monografike, vështimeve të ndryshme, të prozës e romanit, të publcistikës historike e kulturore, dhe disa librave të tjerë, të përgaditura për shtyp apo i botimit të tyre me bashkautorë, është e vështirë që t`ia lexosh të gjitha këto vepra dhe t`ia gjesh thelbin e shkrimeve të tij. Janë mjaft vepra të cilat i kam lexuar nga i njëjti autor, por po i rrekem një analize të thuktë e të gjithmbarshme të tregimeve të shkurtëra, të veprës së cekur më lart, e në radhë të parë po mendojmë, pse e ka titulluar kësisoj veprën e tij?

Mendoj se personazhet, të cilët nuk ceken me emër e mbiemër të tyre, por na dalin prej faqeve të librit me tregime, të cilës pak kush ia ka bërë një analizë të mirëfilltë të domethënieve të saj në mesin e dhjetra veprave letrare, kritike e të përgjithshme, etj., e kanë një rol të veçantë. Në këtë rrugë të gjerë e me pikëpyetje të mëdha, si kjo që e shtruam, edhe të titullit; me realitete të tjera, të cilat janë të shtruara mu siç e duan këto tregime simbolike; qoftë edhe me vdekje të rastësishme; me vdekje apo vrasje të qëllimtë, ose i nxjerrur nëpër rrugë, përjashta të gjitha kthinave ku gjëllin jeta- në i thënshin jetë kësaj jetese; apo i përfundimit të jetës pa i gëzuar të mirat e saj, qoftë edhe të ndjenjës së sinqertë të dashurisë, në një rrugë që do ta mbajë emrin e tij, që të parakalojnë andej të dashuruarit e rinj- është vetë jeta reale, e trishtë, normale, që mund të quhet jetë. Ajo fillon nga paskajori, vazhdon në pjesën e dytë pa skaj, e deri te pjesët e imta, në një pjesor të përgjithshëm, i cili identifikohet me të përgjithshmen.

Libri i dhënë dhuratë nga Prend Ndue Buzhala

Në tregimet “Varka mes dy valësh”; “Lëvozhga e Janusit”, në të cilën përzihet realiteti me ëndërren; “Traktat mbi dritën”, “Duke ikur nga kujtesa”, “Një zë tjetër”, “Plagët e fshehta të natës”, në të cilin personazhi i shëron plagët e fshehta të natës, pa u dhënë emër; “Historia e një besimi”, ku personazhi e sheh në këmbë “fotografinë e Diktatorit” deri sa vdiq, sepse autori të tillët ende i gjen të gjallë në realitetin e hidhur të kësaj bote, për të cilët thotë se e kanë kot të nderojnë vdekjet, pra aspak nuk pajtohet me të tillët; “Kjo heshtje që na shqetëson së tepërmi”; “Fluturimi mbi një turmë të çrregullt”, ku personazhi shprehet se “zbritëm në bregun tjetër të lumit”; “Në tërthore”, në të cilën vie fjala e urtë e popullit: “hekuri rrihet sa âsht në zjarm”; “Çka duket pas një bisede për gjëra të parëndësishme”, pasi një plak ia refuzoi një libër që po ia dhuronte personazhi, e që është shkrimtar. Në vend të përvojës së 20 vjetëve të qëndrimit së bashku me ironinë e tij të padijshme ia jepte të kundërtën e ndryshimit.

Atij iu shpreh se “Libri nuk të bën të ditur e as nuk të ndryshon, po qe se ti bën vetë përpjekje për ta ndryshuar vetveten dhe botën”, që është një konkluzë mjaft e hidhur; “Njerëzit prej fibrave të dritës”, ku vetë i mësojnë leksionet e errësirës, se si duhet shijuar një bisedë në terr, edhe pse nuk ka dritë, pra nuk do ta shohë realitetin me sy e kërkon të ikë nga ky realitet me sytë mbyllur, ku për ironi terr e dritë bëhen njëlloj; “Fletorja e sekuencave kohore”; “Një ditë e përsosur dëshprimi”; “Shikimi me një sy”; ku Liraku e mbyllte njërin sy kur fliste me të tjerët. Ai e sheh “Përmasën e Katërt të gjërave”, sepse shikonte “me Syrin e Dashurisë”, e “Dashuria është mbrojtja e jonë” konkludon ai, respektivisht autori. Kështu ai i vë të gjithë pas luftës në sprovë: “a e duan botën e re, apo jo”. Nuk është fjala për dashurinë në kuptimin e gjinisë, por Dashurinë e Hyjit për krijimin e botës; etj. pra nuk do të futemi më tepër. Mjafton të themi se tregimi i këtushëm shpeshherë është i shkurtër dhe “tregimi i shkurtër është një lloj proze që kallzon një ngjarje me dinamikë të madhe.“1

Leximi i këtyre tregimeve me pak detaje të shtron “një pamje të një ngjarje kur marrin pjesë pak karaktere, në një moment të caktuar e në një vend gjithashtu të panjohur më herët“… „Nëse këto elemente janë të pakta, nuk do të thotë që bota artistike e një tregimi është e vogël dhe e parëndësishme, (por, po e forcojmë ne) përkundrazi.“2 Tregimet e prozës së vogël të Prend Buzhalës janë mjaft dinamike dhe majft të koncentruar në vete, dhe vetëm në ato detaje që do të njohë patjetër lexuesi.

Në këtë cikël është tregimi “Drita që rrezaton në zemër”, ku do të ndalemi më tepër. Është fjala për konkursin e pazakonshëm, se cili e kishte zemrën më të mirë, mirëpo dhjetë të parat ishin për të menduar, lutur e shikuar me zemër, apo kishte edhe për të grabitur zemrën, e njëri e kishte zemrën e sinqertë; kishin konkurruar plotë djem e vajza. Në pjesën e dytë, një Njeri i Moshuar, një personazh tjetër i këtij tregimi, kishte hapur një ekspozitë të tij të zemrës, që përshkruante periudha jete se si kishte jetuar pa zemër, sepse zemra e tij ishte thyer disa herë në dashuri dhe ishte copëtuar, prej të cilës kishte “dhuruar shumë dashuri e sakrificë”, dhe kjo ishte drita që shkëlqente në zemra dhe e takonte secilën zemër. Prandaj konkursi dështoi në pjesën e tretë. Zemra që rrezatonte dashuri në të gjitha zemrat, ndërsa vetë qe vrarë nga dashuria për të tjerë, që ishte kulmi i zemrave; kulmi i sakrificës; kulmi i të qenurit NJERI.

Prend Ndue Buzhala në qytet, portret

Zemra është çelësi dhe dryni i qenies njerëzore. Kur rrah zemra, njeriu jeton. Te ky personazh zemra rrahte dhe shkëlqente në të gjitha zemrat për rreth. E kur zemra pushon së rrahuri me ndjenjën e lartë të përjetimeve, e cila quhet magma-dashuri, dashuri e përkujdesjes, dashuri e njeriut që vrapon pas njerëzve që vuajnë, rropaten, përpëliten, etj., dhe jeta e tij përfundon. Për dritën e zemrës merrej edhe Zoti i madh me dashurinë e vet magma, apo Atuni, Zeusi, Thoti, siç e kam thënë edhe në poezi3, dhe peshën e zemrës e ngreh toka. Kjo është pasuria më e madhe e njeriut.

Tregimi tjetër që do të ndërlidhemi, është “Fijet e padukshme të dheut Amë”. Këtu na lidhen edhe fijet e padushme të Atdheut, me dritën e Zemrës, sepse pa Zemër nuk ia di peshën dhe rolit të patjetësueshëm Atdheut. Në këtë tregim Kuvendari i Moçëm Ilir, apo Plaku i Urtë i Kanunit të Lekës, si e thoshte Prend Buzhala “në rolin e Pleqnarit”, i cili paraqet një personazh mjaft të rëndësishëm, po i ndante “aventurat dramatike të iniciacionit”, ku përplasej edhe njëherë me shoqen e tij, Boborima, e cila ia përlciste “një gazi histerik”, sepse ishte personazhe negative dhe e kundërshtonte se “po fliste me vete”, derisa po fliste “me Plakun”, “duke shetitur nëpër kohë dhe hapërsira”, nëpër mileniume, për ta parë peshën e dheut, e dheut Amë, Atdheut, e cila po e ngërthente Urtinë më të madhe të kohërave.

Dheu ku lind, jeton e vdes, është origjinë e burim i të gjitha përplasjeve njerëzore, i fanitjeve, luftës së pashpallur e të pafund, deri sa je gjallë. Ajo është burimi i vetëm i gjithëçkafes, është burim i të gjitha sprovave. Njeriu jeton nëpër këto sprova. Ai lind në një dhé, në një dhé Amë, në një Atdhe. Me te ka kuptim jeta, pa te nuk ka kuptim. Prej aty, prej andej, për atë, për ty dhe të tjerët, krijohen pa skaj përpëlitjet tua të një pjesori e rrathët e ndritshëm, rrathët e visioneve tua, terratinat e dritës. TERRA do të thotë sipas latinishtes e italishtes TOKA. Pra, prej ATIT e trashëgojmë tokën, që është DHEU dhe quhet ATDHEU, të cilin duhet t`ia lëmë trashëgim bijve tanë, nipave e mbesave tona, pa probleme, edhe Boborimës, si simbol i të dobtës që të ndjekë kudo, dhe të pengon gjatë peshimit të kohëve dhe hapësirave.

Dheu i babës e babagjyshit, nuk mund të shitet kudo e në të gjitha anët, qoftë edhe prej maskarenjëve. Kur dheu shitet legalisht prej maskarenjve, kjo kërkon kryengritjen e të pakënaqurve, luftën e atyre që janë në një at-dhé, që nuk ka dhé për t`ua falur të tjerëve, edhe në qoftëse të mashtrojnë të tjerët, pra është ski-p-at-ar (nuk ka dhé-sepse është ar-që na e la ati), është SHQIPTAR, dhe ka një ATDHÉ e që lidhet me SHQIPEN. Aty lind, aty qeveriset, si shqipja, që nuk e harron folenë. Kështu është e lidhur terësisht “Nga paskajori te pjesori”, ku janë vizionet, drita e terratinat e dritës, pra “rrathët e ndritshëm”.

Prend Ndue Buzhala i dalur në Krujë

Drita është te “Zanafilla 1.2” dhe ajo është kufiri që e ndan të kaluarën prej të jetuarës së sotme; një hiçgjë të mbushur plot e përplot me errësirë, me të liga, e Dritën e shenjtë të ditës së Jetës, ku është Pjesori. Këtu fillon jeta e përkohshme, e sfidave të përditshme, në të vetmin AT-DHÉ, që ke fat apo pafatsi, prej ATIT kur i është dhënë atij SHPIRTI I SHENJTË, pra është TRITNIA, në kuptim tjetër.

Me shpirt jeton e përpëlitesh, nuk mundet as medicina më e zhvilluar që ta fusë. Me shpirt nuk guxon të përfshijë djalli pa e bërë veten për djallin, dhe djallin e bën për veten me gënjeshtra të qëllimta. Gënjeshtrat i ka politika, si opcione të vetat. Fjala politikë vjen prej bashkimit të fjalëve: Poli=shumë (rrugë) dhe Atika= insekt shumë helmues. Me djallin del prej dorës së Zotit të Madh. Andej vjen tradhëtia, që është e mbushur prej gënjeshtarëve; shpifzave, mashtruesve; hajanve, të shiturve, vrasëve e tradhëtarëve. “Anija pa timon” vie pastaj dhe këtu e ka vendin. Lufta jetësore e humb kuptimin e saj nga lakmia dhe djalli. Në këtë tregim të mësipërm pesëdhjetë vetë janë në përleshje me njëri tjetrin për një bukuroshe dhe anija nuk kishte fare timonier, pra do të përplasej dikund, pa cak të caktuar. Këtu është lakmia për shfrim.

Në tregimin që do të përqëndrohem më tepër, është “Butoni i kuq i dhëndërit rus”, sepse të tregon më drejtë tragjiken e politikës së re kosovare e shqiptare. Pas tij vjen tregimi “Një përrallë për biografinë etnike të politikanëve të vdekur”.

Ne do të përqëdrohemi për “butonin e kuq…” dhe për “…politikanët e vdekur”. Në tregimin “Butoni i kuq i dhëndërrit rus” të kujton tragjikën në politikën e re shqiptare e kosovare kur krijohet siç thotë autori, dhëndri në politikë dhe gruaja me origjinë ruse, e cila sjell dhuratë për burrin e saj nga zyra sekrete për ndërhyrjen planetare, apo me fjalorin tim “Euro-Atlantike”. Edhe pse autori përmes personazhit thotë se nuk është e vërtetë, apo ajo ka ndodhur në “zgjedhjet 2057” “made in Kosova”, ky tregim është shumë i qëlluar për të përpunuar “një strategji shkencore” të gjithë të pakënaqurve në prehrin ruso-serb dhe detyra po i pëlqente sidomos këtij dhëndri rus, madje iu kujtuan edhe përfitimet e reja në politikën e tij, nëpër shtete të rajonit kuakazian.

Tashmë “marimanga po ushqehej me mishin e tyre” thotë autori, i cili ishte mish i gjallë i shqiptarëve të Kosovës dhe mjafton ta shpalojmë alegorinë rrëqethëse të këtij tregimi, e cila sikur aludon në zgjedhjet më të dobëta të vitit 2017. Është vit i Zotit 2017, por ne shkojmë praptazi, kundër kahjes sonë, diametralisht me zhvillimet politike, pra në thellësi. E kapim pikën më të ulët të gradacionit politik.

Tradhëtari “e kalb shpirtin e një kombi”, thotë Ciceroni, në një thënie të Florim Kuçit, në Facebook. Ai “minom shtyllat e qytetit dhe e infekton trupin politik”, në mënyrë që puna e tij të rezulton në dëmin e tërë kombit shqiptar.4

Pllaka e Ciceronit dhe fjalët e cekura – e përpunuar nga Florim Kuçi

Në këtë kuptim vjen edhe një përrallë moderne në “biografinë etnike të politikanëve të vdekur”, e cila rrëfen alegorisht për pesë politikanët e zgjedhur të kohës së socializmit e më parë, që kishin “luftuar për Kosovën”, por që e spërkatnin me gjak të shqiptarit apo që i dërgonte “nëpër burgje” për shkak të pështymës së vet, apo politikanit të katërt që i kishte “hedhur në zjarr ata që e meritojnë parajsën” për “zhvillimin e Kosovës”, ndërsa të pestit, po “i pëlqenin ndërtimet e shtëpive për veten”. Sado që na kujtojhet kjo kohë, sepse nuk është e largët dhe e kemi njohur këtë periudhë, ”përfundon përralla me hepiend”, në përfundimin e tyre të tmerrshën, siç ia kanë shtuar tmerret Kosovës.

Mbetet edhe rrëfimi i Antropologut të huaj, që rrëfen në tërë botën për polemin më të çuditshëm, i cili kishte të bënte me Kosovën dhe shqiptarët, ku zbulohej “raca mbrenda racës”, në të cilën “nuk mund të jetonin pa heronj e pa tradhëtarë. Edhe këtu u përzihen heronj e tradhëtarë: tradhëtarët u bënë heronj e heronjtë tradhëtarë”, dhe në vend se të marrin emërtimin e vërtetë, e marrin të armikut. Kjo është çudia e shekullit bastard dhe e një vendi të çudishëm. A mund të quheshin heronjtë “tradhëtarë” dhe të dënoheshin para nesh? Tregimi i shkurtër i ka tri pjesë në katër faqe, mjaft thuktë e të drejtëpërdrejta, në cilat spikatet personazhi Arkelogu i huaj.

Këtu përfundon pjesa e dytë “Nga paskajori te pjesori” dhe fillon pjesa e tretë “Fëmijët e Shën Anës”. Tregimi i parë i kësaj pjese e mban të njëjtin titull. Është mjaft i shkurtër për një dhembje të madhe në sytë e vajzës shqiptare, e cila po quhej Ana. Ajo e kujtonte diçka në dhé të vet. Nuk i kujtohej se ku e kishte lexuar për Kishën e Shën Anës, e cila na del se ishte tashmë e braktisur dhe po e shikonte në TV një lajm se si po vallëzonte “në Sheshin Ana” të një vallëtari simbolik, pas një sulmi terrorist, në të cilën shihej pikërisht edhe një vajzë shqiptare, “në shenjë përkujtimi e solidarizimi me viktimat”, ku ishin vrarë kryesisht fëmijët e të rinjët. Në vizionin e saj doli pamja e djaloshit “nga Lindja”, që buzëqeshte, por i mbante bombat në sqetull. Shaminë e la peng dhe mikja e Gjuhës së Huaj, e Gjuhës Mikpritëse apo e Gjuhës së Strehimit ishte vrarë. Ndërsa po i shprepte një lot, Ana e jonë e ndezi një qiri dhe shkoi në vetmi për në Kishën e Braktisur, që ishte Kisha e Shën Anës.

Prend Ndue Buzhala nëpër shkëmbinj

Natyrisht, kjo gjë ishte sikur të gjitha pabarazitë tona, sikur të gjitha kundërshtitë. E keqja vinte nga Lindja dhe kryqëzohej nëpër Evropë. Nuk duhet më konkretisht të thuhet kuptimi i shkurtër i pakuptimësisë sonë, si kohë e pështjelluar, mu në skajet e logjikës. Nuk e kuptojnë fare çka është Lindja e Perëndimi, derisa me buzëqeshje parasyve vrapon djali nga Lindja me bomba për sulmin terrorist, në Sheshin Ana, ku vriten kryesisht fëmijët e të rinjët. Lufta terroriste është kriminalitet i ultë. Tek vritet Gjuha e Huaj, Gjuha Mikpritëse, apo Gjuha e Strehimit tonë, mbijeton e liga, e keqja, të dobëtit, ata që nuk e duan “gjuhën e huaj”, “gjuhën mikpritëse” pra vetë “gjuhën e strehimit” tonë. Ky është një realitet i hidhur i jetës sonë që nuk do koment.

Sekretet e kësaj zgjëndrre apo të dukur sikur një ëndërr e praptë e demoniane po e linin tërësisht njeriun tonë (“Njeriu që e braktisën ëndërra dhe zhgjëdërra”), dhe fillonte një “pentagram” për “një rrëfim të gjatë”, në sferën e ekomomisë së pas luftës (tregimi tjetër “Rrëfimi krejt i rëndomtë i një punëtori në skuadrat e veçanta”), në të cilën kishte marrë pjesë protagonisti i tregimit, që është një punëtor i fabrikës së para luftës, një pjesëmarrës i demostatave para luftës, të cilit i kishte dalur ndihmë një infermiere, e ai ishte luftëtari që ishte plagosur në kufi, duke sjellur armë. Ky është një personazh aktiv i shtresave të vetëdijëshme të masave tona, nga shtresat e punëtorisë, mjaft i përgaditur, që di të vlerësojë edhe të sotmen, qoftë edhe të hidhur, por nuk është i vetmi pozitiv në këtë vepër. Sytë i mbante te fabrika ku kishte punuar para luftës, e cila, pas luftës na “ishte shndërruar në gërmadhë”, sepse të gjitha hekurishtat ishin shitur “në Mal të Zi, Serbi e Turqi”. Është një tregim i veçantë, të cilin do ta analizojmë, “për një rrëfim të gjatë”, me 6 pjesë të shkurtëra.

Personazhi kryesor, në vetën e parë rrëfen për “punëtorin” dhe “skuadrat e fshehta”, i cili, para luftës ka qenë pronar i fabrikës ku punonte ai. Kurdoherë vepronte me “skuadra të fshehta” nga Serbia. Pas luftës, ishte “ndër kryesorët në partinë që udhëheq Republikën”. Edhe sot punomte me “Skuadra të Fshehta”, të cilat i mbledhnin një nga një makinat e fabrikës dhe i shisnin me kilogram, madje edhe disa të hekurudhës.

Kjo dramë e bëri që të katandisej prej luftëtarit të djeshëm në një të dëshpruar të sotëm. Ai ishte i martuar me Dorinën, e cila ia shëroi plagët e kufirit dhe i bëri me te dy vajza e një djalë, të cilët mezi qenë rritur, herë me punë në ndërtimtari e herë pa punë, pasi nuk dëshironte të merrej me punë të pista. E si të bënte tani një familje të lumtur, kur po e brente pikëllimi i madh, sikur tërë shtresën e tij?! Ky dëshprim, po i zinte pjesën dërmuese të punëtorisë, disa më shumë e disa më pak.

Prend Ndue Buzhala duke shikuar lidhjet

Lumturia ka rrjedhur pra te armiqtë e kombit shqiptar, prej shtresave të ulta të popullit e deri tek shtresa gjysmë e mesme, që qenë të plandosur para lufte e pas lufte. Luftën e sollën rrotull, e edhe eknominë. Pa ekonomi të shëndoshë nuk ka shtet të shëndoshë. Shoqëria jonë po zverdhej nga kjo farë zhdërvjellje e qëllimtë e UDB-istëve të djeshëm dhe bijve të tyre sot, sa që nuk dihej mirëfilli as për tri kategoritë, të cilat merrnin pjesë në ahengun e festës së rëndësishme (shiko tregimin “Veturat e policisë shkëlqenin si për festë” ), pra mashtruesit; prostitutat dhe një turmë e të rinjve, të cilët ishin dehur dhe ia mësynin veturave, pa e ditur mirë qëllimin e tyre.

Në këtë spektër, ndër të tjera, na vinë tregimet “Shpejtësia e plumbit ose dashuria ndaj fluturës”, “Jehona e dyerve”, “Si iu dhurua delja më e mirë një populli qen”, “Njerëzit me pamje të papërcaktuar”, “Pasqyra që mungon” etj. kur po shpalosej e vërteta me gjuhën e simboleve, metaforave apo shprehjeve metaforike. Në strukturat alegorike të prozës së shkurtër; ka mjaft dhembje apo ironi; kur edhe lufta çlirimtare po zhvendosej dhe pasqyra vërtet po mungonte.

Çka të themi më tepër! Në një libër tregimesh të shkurta e me një gjuhë të thuktë, çka mund të kuptohet.

Por, në tregimin për thertoren e dyqanin e luleve, “Gjaku i dashurisë deri te dyqani i luleve”, që ishte lart nga thertorja, vajza që punonte aty duhej ta siguronte bukën dhe pagën për të gjithë familjen. Familja ishte e varfër, si shumë të tjera. Autori, në pjesën më të madhe, u dedikohet shtresave të varfëra, të shkatërruara e të deklasuara pas luftës. Prej kësaj shtrese tipizohet kjo vajze të mirë, e cila këndonte nën zë, në vend se të ngushtohej, si e re ajo ishte vitale dhe optimiste.

Të gjithë njerëzit i kemi afër vajin e këngën, si binjak të pandashëm, por vajza këndonte nën zë dhe me një muzikë të lehtë. Me këtë hutohej një thertor, i preu padash pak gishtat e tij. Gjaku i dashurisë mbërrin në dyqanin e luleve, lart, te kjo vajzë, “me lule dhe mish”, siç thoshte autori. Na përzihen dashuria me “pikat e gjakut” në këtë tregim. Mbi sakrificën dhe gjakun e tjetrit ngritet jeta e përbashkët e një çifti, të vajzës së bukur e të varfër dhe thertorit të bagëtisë. “Kontraversa” nuk do shpjegim tjetër. Lulet dhe kënga e saj, bukuria dhe lulet e nxjerrin në korridore të jetës ate që therr pa shpirt bagëtinë.

Kështu, edhe njerëzit i “kishin humbur kokat dhe endeshin pa mend”, se “kur mungonte gjymtyra kryesore, nuk ka se si të ishte ndryshe” ( “Njerëzit pa kokë” ). Kujtesa njerëzore këtu nuk ishte në rregull. Mendja, e cila është në kokë, të pështjellur me kafkë, është dora e Zotit dhe vetëdja jonë e njerëzores. Ndonëse vetëdija është një përqindje e vogël e trurit, sepse nuk e kemi “protokollin e dytë e të tretë”, apo do të ishim në ndonjë planetë tjetër e më të aftë, dora e Zotit e lëshonte njerëzimin. Ata ishte “pa kokë”. Kjo do të thotë se koha e shkatërrimit nuk është larg. Këtu mungonte njerëzorja, njeriu kishte dalur nga vetja. Atyre, vetëm emri u kishte mbetur si njerëz…

Nuk po futemi në tregimet e tjera të këtij cikli, siç janë: “Zhurma e një heshtjeje”, “Një zë tjetër”, “Kur të therin imagjinata dhe reuma”, “Mimikria e një dite të vështirë” etj. por, po futemi në tregimin e fundit të kësaj vepre, sepse e mbyll këtë përmbledhje tregimesh, “Plimi i zogjëve po bënte glasa mbi kokat e njerëzve”.

Gjëja më e shenjtë e njerëzimit që i dallon nga një komb tjetër, e të cilin e vendosin në ballë, përkundër gjuhës e gjakut, që janë kryesore, është flamuri. Në këtë tregim flamurin po e përlyenin një plim i zogjve. Sikur e kanë lënë jashtë kujtesës së tyre dhe jashta vëmendjes shqiptarët. Kjo është kontradikta e tretë e veprës, ishte “një kontadiktë midis dy lumtrive”, siç thotë autori.

Shtrohet pyetja: a ka kontradikta (të tjera në këtë vepër tematika e kontradiktës si paradoks shoqëror, jetësor e njerëzor) dhe cilat do të ishin këto “dy lumturi” ? Liria dhe Atdheu do të qenë vërtet këto dy lumturi, sikur do ta kishim të realizuar këtë ëndërr të madhe të mijëra brezave, që janë sakrifikuar për te.

Kontradiktat e shpalojnë të vërtetën. Pjesët e saj do te mblidheshin copë copë. Ajo është edhe kur nuk mund të thuhej.
Vepra “Heroi i rrugës” ka mjaft strukturime tematike të kontradiktës së subversionit të së vërtetës, pra të së vërtetës mbi të vërtetën, të vërtetës së zhveshur lakuriq. Por ato mblidhen nga të gjitha skajet në tri shtylla kryesore, të cilat na i quan autori se janë “dy lumturi” e njëra është kontradiktë e vërtetë.

Platoni thotë se “nuk fitohet asgjë duke u zemëruar”, dhe se ajo që mund të vinte “sa më shpejt të ishte e mundur, pengohet nga dhembja”.5

E vërteta është e dhimbshme në këtë vepër. Poetikja dhe artistikja e këtij libri të shkurtër të prozave që e kemi analizuar në përgjithësi, e mbajnë të vërtetën e vet dhe mjaft të dhimshme. Pas disa leximeve na del shumë e rëndësishme.

Atë që ne e dëshirojmë më tepër se asgjë tjetër në botë, e për të cilën vdesin edhe nëpër rrugë për t’u bërë “hero i rrugëve”, për t`ua lënë shembull të veçantë si duhet të vdiset për këtë dhé, e për t`ua lënë edhe të dashuruarve për të parakaluar nëpër atë rrugë, me fjongo të zezë, si shenjë të përkujtimit të dëshmorëve sikur “njerëz të së njëjtes familje”, sepse nuk kanë as terren për të gëzuar dashurinë, ËSHTË LIRIA!

Luftuam në të kaluarën, luftuam edhe së fundi. Nuk është plotësisht e arsyeshme që të bastardhoset liria, sepse ajo do të bëhet anti-liri, sikurse në të ashtuquajturin “socializëm” , që pretendonte “lirinë sociale”, e jo lirinë kombëtare.

Në të vërtetë rrotullimin e klasave me aq viktima, siç e kishte bërë vetë socializmi me Krajlin e tyre, duke i kthyer prapë bijtë e tyre në pushtet, po duket se e bëjnë sot këta “luftëtarë”, të cilët “e trashëguan” luftën, mirëpo kjo nuk është liria e vërtetë. Një armik më të madh “e fituam”, se atë që e përzumë, por mos të harrojmë se ruso-serbo-grekët i kemi brenda, me armë në dorë, që mezi presin të na shfarosin. Ata i ndihmon nga pak edhe Europa, së bashku me tradhëtarët shqipfolës e “Euro-Atlantik”. Kriza e tanishme politike për masat e varfëra shqiptare është më e vështirë se lufta…

Në fund, po i mbledhim personazhet e këtij libri që e patëm në shqyrtim, pos atyre që i kemi shqyrtuar, e këto janë: personazhi, si bartës i një çështjeje të pasoçme; personazhi obsevator i ndryshimeve negative apo pozitive; personazhi autor dhe shkrimtar- në vetën e parë; personazhi shoqërues; Plaku dhe Boborima; Heroi apo Luftëtari; Vajza e panjohur; Këshilltari Shpirtëror; Bashkëluftëtari apo Bashkëluftëtarët; I plagosuri; Kirurgu i huaj; Liraku; Ai-zbuluesi; Rrëfimtari i pazakontë; Spiuni i regjur; Askushi që bëhet me xharpër në xhep Dikushi; Autori i panjohur; Zyrtari për Regjistrimin e Objekteve Shtëpiake; Miku Poet; Fëmija 7-vjeçar; Ana; Mikja e Gjuhës së Huaj; Rrëfimtari-Krijues, poterxhi e shamatar; Goni; Mumia; Vajza infermiere që quhej Dorina; Antropologu i çuditshëm; Gruaja; Mira; Populli Qen; Njeriu pa fytyrë; Njeriu i Domosdoshëm, i cili tërhiqet nga gjithçka; Thertori i bagëtisë; Lexuesi i portaleve; Njerëzit pa kokë; Masa apo Turma, si paskajor dhe pjesëmarrës pasiv e reflektiv ku përplasen të gjitha lojërat “me hile”; etj. Këta janë disa pjesëmarrës të realitetit subjektiv dhe artistik të kësaj vepre. Do të mund të thuheshin edhe shumë fjalë të tjera, mirëpo do të mjaftohemi me kaq.

Shpresojmë se Prend Buzhala do të shkruajë vepra të tjera, edhe më të mira. Ne, i mirëpresim këto vepra, si trashëgimi të fjalës së shkruar artistike.

Shënime:
1. Zejnullah Rrahmani, „Teorija e letërsisë“, Botim i dytë i plotësuar, Faik Konica, Prishtinë 2008, faqe 407.
2. Po aty, e njëjta faqe.
3. Brahim Avdyli, „Qielli i paprekur“, Brezi `81, Prishtinë 2012, faqet 10-13.
4. Florim Kuçi, në profilin e vet të Facebook-ut dhe unë. Mjafton të shikoni këtë thënie të Ciceronit.
5. Platoni, „Republika“, Phoenix, Tiranë 1999, faqe 398-399.