Gëzim Alpion, 13 nëntor 2016
Në emër të Grupit të Lobimit
Ata inxhinierë dhe shoqata që acarohen me përpjekjet tona vullnetare, bëjnë mirë të acarohen me qeverinë që nuk po mban premtimet për ndërtimin e Rrugës me standarde bashkëkohore.
Më datë 28 tetor 2016, nga një lajm i revistës ‘Monitor’ [1], dhe më pas nga disa media të tjera (‘Tema’, ‘Shekulli’, etj.,) mësuam lajmin se kompania kineze China State Construction Company është tërhequr nga financimi dhe ndërtimi i Rrugës së Arbrit.
Sipas ‘Monitor’, kjo ka ndodhur para gjashtë muajsh. Burimet tona pranë qeverisë na kanë pohuar shumë kohë më parë se negociatat me kompaninë kineze kanë dështuar, por qeveria, në vend që ta bënte publike lajmin dhe të rriste përpjekjet në drejtime të tjera për të gjetur financime, e mbajti të fshehtë për shkak të fushatës elektorale të parakohshme në Dibër. Madje, Ministri i Jashtëm, lëshonte në gusht të këtij viti deklarata se “për Rrugën e Arbrit bisedimet janë në fazën finale me autoritetet kineze dhe do të arrijmë një marrëveshje të pranueshme dhe të zbatueshme nga palët”. [2]
Ndërkohë, mësojmë se një kompani shqiptare ka paraqitur një ofertë dhe një grup i Ministrisë së Transporteve po e shqyrton atë dhe së shpejti do të marrë një vendim. Sipas burimeve të ‘Monitor’, kjo kompani do të “jetë fituesja e ndërtimit të Rrugës së Arbrit”.
Ashtu si deri më sot, ne nuk kemi asnjë interes të mbështesim ose të kundërshtojmë firmat apo kompanitë që do të ndërtojnë rrugën, por kemi të drejtën tonë që t’i kërkojmë qeverisë të jetë transparentë në këtë drejtim.
Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të shqetësuar në drejtim të standardeve të ndërtimit të rrugës, pasi këto standarde ose do ta bëjnë rrugën një aks të rëndësishëm që lidh Tiranën me Dibrën dhe Shkupin ose kjo vepër do të mbetet thjesht një aks lokal që nuk do të luajë asnjëherë rolin e pritshëm në ekonominë kombëtare.
I bëjmë thirrje qeverisë që përpara se të vendosë për vazhdimësinë e këtij projekti, duhet të tregojë të gjithë arsyet se përse negociatat me kompaninë kineze dështuan, kush negocioi dhe dështoi në emër të qeverisë, si dhe çfarë roli luajtën ekspertët në këtë proces. Kjo është e domosdoshme në mënyrë që të mos përsëriten të njëjtat gabime në të ardhmen. Pa këtë informacion ne kemi arsyje të mendojmë se përfaqësuesit e qeverisë në këtë proces nuk kanë vepruar në interes të kësaj çështje.
Me këtë rast, po njoftojmë nënshkruesit e peticionit në letër dhe online, në lidhje me disa sulme në adresë të Grupit të Lobimit nga njëri prej projektuesit e Rrugës, Inxhinier Faruk Kaba [3] dhe kryesia e shoqatës ‘Bashkësia Dibrane’ në Tiranë, drejtuar nga z. Bujar Kapexhiu. [4]
Kaba na emërton si ‘një farë grupimi të ashtuquajtur lobistë të Rrugës së Arbrit, zhurmëtarë të pabesë, të paemancipuar, cinikë provincialë’, që gjasme propozimin e tij për ‘version pa tunel’ ia kemi faturuar si ide të qeverisë, apo se ne e paskemi sulmuar Kabën sipas ‘një plani të mirëstudiuar’. Sipas tij, ne ‘meritojmë një dackë shembullore’.
Më datë 21 tetor kryesia e shoqatës ‘Bashkësia Dibrane’ dhe një grupim pranë saj i quajtur ‘Këshilli i të Urtëve’, lëshojnë një deklaratë të botuar në gazetën ‘Tribuna’ ku, ndër të tjera, thonë se ne ‘të vetëquajtur lobistë’ gjoja paskemi përdorur ‘sharje’ dhe ‘fyerje’, se ne qenkemi ‘sherrxhinj dhe fjalë shumë’, që lëshuakemi ‘shpifje që provokojmë’ dhe që përpiqemi ta ‘intrigojmë këtë organizëm në afera, interesa dhe intriga’, gjë që e detyrojnë këtë organizëm të distancohet katërcipërisht nga ne.
Si shkrimi-sulm i Kabës, ashtu edhe deklarata e pakuptimtë e ‘Bashkësisë Dibrane’, janë krejt të paqarta dhe përmbajtja e tyre është plotësisht e papranueshme për ne. Ato janë të mbushura më shpifje dhe të pavërteta kundër lobistëve. Ndoshta ky është i vetmi rast që një shoqatë dibrane angazhohet të sulmojë shoqërinë civile, krejt të lirë në këtë çështje dhe me angazhim tërësisht vullnetar.
Ne, asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk kemi sulmuar asnjë individ dhe shoqatë. Kush e ka sabotuar rrugën, kush ka bashkëpunuar me qeveritë në dëm të rrugës, kush ka ndryshuar projekte në interes të kryeministrit a ministrit të radhës në dëm të rrugës, shumë më mirë se ne e dinë ata që bëjnë ato shkrime dhe lëshojë këto deklarata.
Ne i themi Kabës që në vend që të shkruaj kundër shoqërisë civile, bën mirë t’a mprehë lapsin dhe të projektojë rrugën sipas standardeve botërore dhe t’i argumentojë qeverisë dhe institucioneve vendimmarrëse se rruga duhet projektuar me dy tunele, si ai i Kalimashit dhe Elbasanit.
Ne kemi informacion se për Rrugën e Arbrit nuk ka një projekt të plotë, dhe për këtë Kaba duhet të acarohet.
Pavarësisht këtyre deklaratave të dënueshme, ne do të vazhdojmë punën tonë për ta bindur qeverinë që të marrë vendimet e duhura për Rrugën e Arbrit. Gjatë tre viteve ka pasur përpjekje nga organizata ose individë të lidhura me qeverinë që t’ia heqin zërin lobimit tonë. Deklarata anonime e mësipërme me akuza për ‘sherrxhinj’ duket se ka të njëjtin qëllim. Megjithatë, edhe kjo deklaratë nuk do të na pengojë në përpjekjet tona të lira për të kërkuar një të drejtë që komunitetit dibran i takon.
Ata që kanë firmosur peticionin dhe mijëra të tjerë që na ndjekin në rrjetet sociale e dinë shumë mirë se ne nuk jemi anonimë, sepse që nga marsi i vitit 2013 kemi qenë këmbëngulës dhe parimor në lidhje me çështjen, dhe se për këtë as kemi kërkuar protagonizëm, siç na akuzon Kaba dhe ‘pleqtë’ anonim të ‘Bashkësisë Dibrane’, dhe as nuk i kemi shërbyer asnjë force politike, qoftë edhe në qeveri.
Ne kemi organizuar takime publike në Peshkopi, Dibër të Madhe dhe Tiranë, ku pjesëmarrës kanë qenë edhe deputetë të majtë dhe të djathtë, si dhe përfaqësues nga të gjitha shoqatat dibrane, përfshirë edhe ‘Bashkësinë Dibrane’.
Ne kemi lobuar dhe do të lobojmë pa asnjë anim politik apo përfitim financiar. Po qe se qëndrimi ynë parimor nuk i vjen për shtat ndonjë organizate apo individi, kjo është çështje e tyre.
Gjatë këtyre viteve ne kemi pasur mbështetjen e qindra qytetarëve, kryesisht të rinj dhe intelektualë, të cilët kanë pranuar vullnetarisht të punojnë për shtimin e nënshkrimeve në letër dhe online, kanë mirëmbajtur dhe administruar faqen publike të peticionit në Facebook, si dhe kanë përdorur takimet publike në forcat ku janë anëtarë, organizatat e tjera politike apo organizatat të tjera joqeveritare, në mënyrë që të rrisin më shumë angazhimin e qeverisë në këtë proces.
Duke komentuar për sulmet e Kabës dhe të disa personave të papërgjegjshëm që abuzojnë ne emër të ‘Bashkësisë Dibrane’, një shoqatë për të cilin ne kemi respekt të veçantë, një intelektual dibran me të drejtë u shpreh: ‘Të duash Dibrën, duhet të pranosh çdo kërkesë llogarie dhe nxitje që përshpejton Rrugën, dhe jo të kërkosh t’u mbyllësh gojën [lobistëve], sepse gjoja ‘nuk janë përfaqësues zyrtarë të Dibrës’’.
Ritheksojmë edhe njëherë se në asnjë deklaratë Grupi i Lobimit nuk ka sulmuar asnjëherë ‘Bashkësinë Dibrane’ apo ndonje shoqatë tjetër dibrane, dhe asnjë inxhinier, kushdoqoftë ai, që është angazhuar në projektimin dhe ndërtimin e rrugës. Ne thjesht jemi kundër eliminimit të ndërtimit të tunelit në këtë fazë pasi, me këtë angazhim të qeverive shqiptare deri më tani, në qoftë se rruga ndërtohet pa tunel, ajo kurrë nuk ka për t’u ndërtuar.
Ne shkurt dhe qartë ritheksojmë se propozimi i Kabës për ‘ndërtimin paraprakisht të një bypass-i në vend të tunelit të Murrizit’ është i papranueshëm.
Ne i qëndrojmë bindjes se tentativa për eliminimin e tunelit përbën ‘grushtin’ e fundit për ndalimin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit sipas standardeve ndërkombëtare.
Ne i qëndrojmë deklaratave tona të mëparshme se ‘do ta mbështesim qeverinë që të vazhdojë përpjekjet për gjetjen e burimeve të financimit dhe kompanive ndërtuese serioze brenda e jashtë vendit, me qëllim që sa më parë të fillojnë punimet në rrugë’.
Ne vazhdojmë të shpresojmë se simbolika e marrjes seriozisht të kësaj çështje do të jenë fillimet e punimeve në Tunelin e Qafë Murrizës. Çdo nisje punimesh në vend tjetër para zgjedhjeve të ardhshme do të interpretohet me të drejtë si një manipulim elektoral.
Ne jemi të vendosur të vazhdojmë përpjekjet tona për të bashkëpunuar me qeverinë në këtë proces, me qëllimin e vetëm: ndërtimin sa më shpejt të Rrugës së Arbrit me cilësi dhe standarde bashkëkohore.
[1] http://www.monitor.al/rruga-e-arberit-shqiptaret-marrin-persiper-ndertimin-e-plote/
[2] http://albanian.cri.cn/1552/2016/08/26/28s154617.htm
[3] Shih shkrimin e plotë këtu: http://www.gazetatema.net/web/2016/10/11/debatimbi-bajpasin-e-tunelit-te-rruges-se-arbrit/
[4] Të plotë deklaratën e tyre e gjeni në këtë link: http://telegraf.al/politike/bashkesia-dibrane-nuk-ka-lobiste-te-shoqates-sone-per-rrugen-e-arbrit
Kjo deklaratë u botua fillimisht në Tiranë në nëntor 2016 në gazetën e pavaruar mujore ‘Rruga e Arbërit’.
_____________________________________________
Ju lutemi nëshkruani peticionin dhe inkurajoni sa më shumë njerëz të ndjekin shembullin tuaj: http://chn.ge/1NZeyGu