RRUGA «SKËNDER LIBOHOVA» – poezi nga Faslli Haliti

0
506
Faslli Haliti

F A S L L I . H A L I T I

RRUGA «SKËNDER LIBOHOVA»

Sikur të jepej flamur pastërtie për rrugë,
Siç jepet për shtëpitë,
Rruga «Skënder Libohova»
Do ta merrte patjetër
Flamurin e bardhë
Të pastërtisë.

Atë e pastron, pastruese Vija.
Vija,
Rrugët i pastron mirë përgjithësisht,
Por
Rrugën
«Skënder Libohova»
Ajo e mban me hatër ( si t’thuash).
Për rrugën «Skënder Libohova»
Ajo kujdeset veçanërisht.

Ajo luajti me Skënderin në pluhur këtu.
Ajo ngjiti trakte me shokun në muzg.
Shau kësaj rruge italianët, gjermanët,
Përcolli kësaj rruge shokun partizan
E priti kësaj rruge të vinte komisari
Po komisari s’erdhi.
Nisi kësaj rruge

Lirinë
Çlirimin
Dhe mbeti vetë në mal
Që liria, Çlirimi të vinin të gjallë.
I pastron mirë rrugët Vija kryesisht,
Por

Rrugën «Skënder Libohova»
Ajo e mban si dhomën e pritjes,
Për të ajo
Kujdeset veçanërisht.

1972, «Drita»

EDHE UNË E NDIHMOVA LUFTËN

Kur bëhej lufta,
Unë isha i vogël fare
Dhe lufta prej meje
Nuk priste ndonjë gjë të madhe
Megjithatë,
Edhe unë
Diçka luftës i dhashë:
Vdekje fashizmit, shokë!
Vdekje fashizmit, shoqe!
Cilitdo,
Kudo i thashë.

Dhe para të gjithëve:
Fashistë,
Ballistë,
Gjermanë
Këndova këngën,
S’e pushova këngën:
O i vogël, o partizan…


Në rresht partizanësh, jam dhe unë, partizani i vogël