Nga Ilir Seci, 27.al – 18 shkurt 2020
Lexova nji shkrim me titull “Projekti i Albin Kurtit për rrugën Gjakovë-Shkodër, një mundesi reale zhvillimi”, ku i mëshohej idesë se nji lidhje mes dy qyteteve aq të randësishme të Shqipnisë veriore, kishte me pasë nji impakt të jashtëzakonshëm në rigjallnimin e jetës ekonomike në krejt pellgun e dy Drinave dhe ma tutje të Drinit të Bashkuem.
Autorëve të shkrimit kisha me ua ba nji sugjerim, nuk asht nevoja me ba tanë rrugën Gjakovë-Shkodër, por duhet thanë Gjakovë-Mjedë, sepse nga Mjeda deri në Shkodër, rruga asht, në Mjedë asht rruga dhe besa asht edhe hekurudha. Nji lidhje me autostradë ose me hekurudhë nga Gjakova në Mjedë kishte me krye pune per Veriun e Shqipnisë e Kosovën… Pikërisht, në Mjedë, sepse aty asht edhe treni edhe rruga që shkon në Shkodër.
Opinioni shqiptar pak ose aspak di për këtë mundësi, dhe e para gja që opinioni nuk di asht distanca mes Gjakovës dhe Mjedës…
Po e bajmë nji llogari këtu: Rruga Mjedë-Koman asht e gjatë 36 kilometra, nga Komani në Fierzë nuk ka rrugë, sot për sot përshkohet me anije dhe unë kam pyetë drejtuesit e atyne anijeve e më kanë thanë se nga përllogaritjet e tyne i bie: “Nga Komani në Fierzë ne e bajmë për 2.2 orë edhe lundrojmë me 12 milje në orë, që i takon 24.24 milje”.
Në kilometra kjo i bie 40 kilometra. Ndërsa nga Fierza për në Gjakovë asht rruga dhe asht e gjatë 54 kilometra…
Fiks 130 kilometra gjithsej… rruga Mjedë-Gjakovë.
Nga këto 130 kilometra vetëm 40 janë që duhen hapeë rrugë e re përgjatë bregut të Liqenit te Komanit, sepse pjesa tjetër asht rrugë ekzistuese që mund zgjanohet e riparohet.
Dhe kjo rrugë kishte me qenë arterie për trupin e kombit, me e rigjallnue nji pjesë te randësishme të kombit nëpërmjet lidhjes së Gjakovës me Mjedën, e nga aty me Shkodrën dhe daljen në portin e Shëngjinit, i cili nuk përdoret fare sot.
Se çfarë impakti kishte me pasë hapja i nji arterie të tillë mjafton me iu referue historisë tonë… në shekujt 17-të dhe 18-të, tregtia e Shkodrës me Pejën e Gjakovën bahej me karvane mushkash. Nga fluksi i madh tregtar mes Shkodrës me Pejën, (dhe Gjakovën), në mes të udhës së karvaneve të asaj kohe lulëzuen dy qytete, Plava dhe Gucia, qytete që shërbenin si stacione pushimi për njerëzit që transportonin me mushka.
Si shkruejnë udhëtaret e kohës këto dy qytete ishin plot me hane (hotele). Dhe në kulmin e tyne këto qytete bashkë kanë pasë mbi 50 mijë banorë. Asokohe udhëtohej nëpër territoret shqiptare, të cilat ende nuk i kishte aneksue Mali i Zi…
Sot, nuk asht ma nevoja me i ra aq gjatë. Me mjetet e sotme mund hapet magjistralja e Drinit… Rruga që andrroi Presidenti i ndjerë Rugova, por që vdekja e parakohshme nuk e la ta jetësonte.
A e di opinioni shqiptar se gjatë pushtimit austro-hungarez të Luftës së Parë Botnore, në vitin 1915 inxhinierët austriakë kanë ba matje anës së Lumit Drin dhe kanë pasë planifikue ndërtimin e hekurudhës përgjatë rrjedhës së Drinit? Dhe kanë pasë ba nji projekt, i cili ekziston dhe ka qenë edhe në arkivën e ministrisë së transporteve në Tiranë…
Transporti hekurudhor asht ma efikasi, ma fitimprurësi dhe transporti ma i lirë i mundshëm. Dhe nevojitet vetëm nga Gjakova në Mjedë… nga Mjeda, mbasandej shkohet në Han të Hotit e nga Hani i Hotit lidhja hekurudhore asht e mundshme deri në Malesitë e Skocisë apo edhe në skajin ma verior të Norvegjisë gati në rrethin arktik. Kryq e tërthuer Europës domethanë… Lania mbas dore e këtij transporti asht ba me qëllim të mirëllogaritun, sepse duke neglizhue hekurudhën që lidh Shkodrën me Europën, neglizhohet lidhja e Shqipnisë me Europën.
Rezultati praktik asht se dy portat qe bajnë furnizimin e Shqipnisë me mallna vazhdojnë me mbetë Kakavija me Kapshticën; të dyja qe na bajnë me qenë të mvarun prej Greqisë. Ky neglizhim, në fakt nuk asht paaftësi qeverisëse, asht ma shumë… asht projekt antishqiptar që mbyll portat e Europës e hap ato të Greqisë që edhe pse asht në BE, ende ka në fuqi ligjin e luftës me Republikën e Shqipnisë… Jo rastësisht sa herë vidhen shinat e hekurudhës mes Shkodrës dhe Hanit te Hotit, “me u shitë për hekur” – si thuhet, kur në fakt asht thjesht sabotim ekonomik… si e si me u dhanë mbrapsht ekonomikisht shqiptarëve.
… Sikur të jetesohej ky projekt, kjo rrugë ose hekurudhë kishte me e ba realitet bashkimin kombëtar, sepse vetëm me transport bahet e prekshme andrra shekullore. Dihet nga historia se Gjermaninë e ka unifikue pikërisht ndërtimi i hekurudhave. Prusianët, kur udhëtuen me trena në kohë të shkurtër mes distancave të mëdha, u bindën se Gjermania ishte ma e madhe se Prusia.
Le të shpresojmë se ajo ditë ka me ardhë edhe për ne…
Perveç tana përfitimeve te sipërpërmenduna, nëse nji ditë ka me u ba kjo udhë automobilistike ose hekurudhë, ka me dalë udha ma piktoreske në krejt Ballkanin e ndoshta nji nga ma piktoresket në Europë…
Le të shpresojmë, mbasi me shpresue s’mund na ndal kush…