“RRNO VETËM PËR ME TREGUE”

0
667
At Zef Pllumi - Rrno vetëm për me tregue

IDRIZ ZEQIRAJ

Është titulli i librit voluminoz memorial i priftit qndresëtar At Zef Pllumi, bashkëvuajtës i autorit të këtij shkrimi, në burgjet e filosllavit Enver Hoxha. Dhe, këtë titull na e solli në mendje fjala e deputetit Fetah Rudi, në seacën maskaradë të Parlamentit të Kosovës, më 25 maj 2020, bashkëpunëtor i Presidentit Rugova, i cili i mbijetoi atentatit të falangave të kuqe të PAN-it, por, që, mjerisht, mbeti përjetësisht, në karrocën invalidore. Heroi i gjallë, Fetah Rudi, të cilin atentatorët e tij e luftojnë edhe sot, duke e refuzuar emërimin e tij nënkryetar të komunës të Malishevës, të ofruar nga LDK-ja, kur ishin në koalicion me “Nisma”!

“Më datën 15 dhjetor 2000, në orën 14.35 minuta, kur po ktheheshim nga Prishtina, pas takimit me (President) Rugovën, në vendin e quajtur “Ura e Bytyçëve”, në fshatin Arllat, vetura me të cilën po udhëtonim, u sulmua nga një breshëri plumbash. Ekspertiza ka konstatuar se me të njëjtën armë, është ekzekutuar edhe këshilltari i Presidentit Rugova, Xhemajl Mustafa. Dhe, heshtja e organeve të drejtësisë vazhdon…!!

E mbaj mend që nuk e kam ndjerë dhimbjen në ato momente. Por, e di që kjo dhimbje do të më shoqëronte gjatë gjithë jetës time. Ata persona (atentatorët, porositësit e krimit), sot mund të jenë edhe në këtë sallë. (Dhe, vërtet, disa syrësh, ishin në sallën e Parlamentit, ngaqë viktima Rudi i ka denoncuar, me kohë, me emër e mbiemër, porositësit dhe atentatorët).

Historia ime është historia e Kolonel Ahmet Krasniqit (dhe përmend edhe një duzinë viktimash) dhe shumë e shumë të tjerë, që u vranë tinzisht. Historia ime është historia e plagosjes të Sabri Hamitit, Agim Veliut, Ejup Visokës, Sejdi Kocës e Gani Gecit.

Historia ime është historia e të gjithë aktivistëve të LDK-së, që u vranë apo u targëtuan për t`u vrarë. Është histori e tmerreve dhe e presioneve, që qindra persona përjetuan, për faktin e vetëm se ishin të angazhuar në LDK-e dhe përkrah Rugovës.

Pavarësisht zhvillimeve të mëtejshme, unë kurrë nuk do ta tradhtoj votën e LDK-së, për të cilën kam mbetur edhe në gjendjen që jam sot”, – rrëfeu ndër të tjera, thjeshtë e bindshëm, deputeti, në karrocën invalidore, Fetah Rudi.

Është shumë domëthënëse fjalia e deputet Rudit: “Pavarësisht zhvillimeve të mëtejshme…”, i vetëdijshëm se vota e tij po i risjellë në pushtet persekutorët e tij dhe jetëmarrësit e shumë qindra veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve luftëbërës të Ibrahim Rugovës. Është përdhosje e gjakut dhe provokim mizor, për mijëra familje të ngushta dhe të gjëra, që lidhën me viktimat e bandës PAN, tashmë, në pritje për ta pranuar dhuratën e klanorëve të LDK-së, pushtetin e pa merituar!

Është e dhimbshme, madje, edhe kriminale, të provokosh njeriun e sakrificës, mikun e mirë të Presidentit Rugova, heroin e gjallë, Fetah Rudin, që “rrnon vetëm për me tregue”, për krimet e PAN-it dje. Dhe, sot, klani brenda Kryesisë të LDK-së, duke shpërfillur deputetët e saj, Këshillin e Përgjithshëm, anëtarësinë e LDK-së, rrënon një koalicion të shpresës dhe të shpëtimit, siç e ka vlerësuar shumica absolute e popullit shqiptar, madje të kudondodhur, për ta risjellë në pushtet bandën PAN-iste, me të cilën, krerët klanorë i lidhin interesat vetëjake dhe aferat konspirative e korruptive. Të zgjedhësh PAN-in, me bagazhin e krimeve numerike, në raport me Vetëvendosjen rishtare në politikë dhe pa ngarkesat e të parit, padyshim, është një hall i madh i krerëve klanorë, uzurpatorë të LDK-së rugoviane.

Veprimtari i hershëm i LDK-së, Fetah Rudi, ka treguar: “…Pas daljes nga gjendja komo, pas pak orëve, degjova motrat medicinale, duke folur se “i sollën kufomat e atyre treve, që plagosën deputetin e LDK-së”. Pra, atentatorët e mi u vranë nga shefat e tyre, për të humbur gjurmët e porosisë së krimit. Më vonë, atentatorët e mi u përjetësuan në lapidare, në një kompleks memorial, buzë rrugës rajonale në Shtimje! Ata, familjet e tyre, sot, gëzojnë edhe favoret materiale e nderuese shtetërore! “Ja, deri ku arrin guximi i shefave PAN-istë në krime!

Heroi Rudi u duartrokit fort, por, veshët e prokurorëve, të drejtësisë janë të dyllosur, qëllimshëm, dhe nuk duan të dëgjojnë. Ata janë emëruar nga shefat e PAN-it dhe janë porositur ta mbrojnë krimin dhe kriminelët.