Rritet numri i viktimave në Kinë, virusi kinez mbërrin edhe në Europë

0
570
Virusi kinez

Opinion.al25/01/20

Autoritetet kineze deklaruan se 15 persona të tjerë kanë ndërruar jetë nga koronavirusi, i cili ka përhapur panik në Kinë dhe në shumë vende të tjera të botës. Tashmë numri i viktimave ka shkuar në 41, ndërsa zyrtarisht të prekur nga ky virus vdekjeprurës janë 1287 persona në Kinë.

Raste me këtë lloj koronavirusi u shënuan edhe jashtë Kinës, përfshirë: Shtetet e Bashkuara, Singaporin, Nepalin, Tajlandën, Korenë e Jugut etj.

Ndërkaq ai ka mbërritur zyrtarisht edhe në kontinentin evropian, pasi në Francë janë shënuar 3 persona të infektuar. Një rast ishte në Bordo ndërsa dy të tjerë në Paris. Po ashtu një i prekur është identifikuar edhe në Angli.

Dyshohet se virusi, që sulmon sistemin e frymëmarrjes ka nisur të shpërthejë mes njerëzve, që kanë punuar ose vizituar një treg ushqimor në periferi të qytetit Wuhan, në fund të muajit të kaluar.

Ekspertët nuk janë plotësisht të bindur për rrugën e transmetimit. Sipas tyre, virusi me gjasë përhapet nga kafshët te njerëzit, por nuk është përjashtuar as mundësia e transmetimit midis njerëzve. /Opinion.al


Nga simptomat tek transmetimi, çfarë duhet të dimë për virusin kinez

Opinion.al25/01/20

Një shpërthim epidemik ndërkombëtar i sëmundjeve të frymëmarrjes, i shkaktuar nga një koronavirus i ri, ka vrarë deri tani të paktën 41 njerëz, dhe ka prekur mbi një mijë të tjerë. Virusi u lokalizua fillimisht në qytetin e Wuhan në Kinë, saktësisht në një treg që shet shpendë të gjallë, prodhime deti dhe kafshë të egra.

Tashmë ai është përhapur në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, Singapor, Tajvan, Shtetet e Bashkuara, Francë, Angli. Ekspertët në vende të tjera si Meksika dhe Arabia Saudite, po vlerësojnë rastet e mundshme.

Çfarë është një koronavirus?

Koronavirusi quhet kështu për shkak të qimeve që dalin rreth e rrotull membranës së tyre. Ato mund të infektojnë si kafshët ashtu edhe njerëzit, dhe mund të shkaktojnë sëmundje të traktit respirator, duke filluar nga të ftohurit e zakonshëm, deri në kushte të rënda si Sindromi i Frymëmarrjes së Rënduar ose SARS, që preku mijëra njerëz në gjithë botën në vitin 2003, duke i marrë jetën gati 800 prej tyre.

Ku nisi shpërthimi i ri i koronavirusit?

Më 8 janar, “New York Times” raportoi se studiuesit kinezë kishin identifikuar një koronavirus të ri, si patogjenin e një sëmundjeje misterioze që kishte sëmurë 59 njerëz në Vuhan, një qytet me 11 milion banorë në Kinën Qendrore. Rastet lidheshin me punëtorët e një tregu ku shiten peshq, kafshë dhe zogj të gjallë. Më vonë, tregu u mbyll vonë dhe u dezinfektua.

Cili është burimi i shpërthimit?

Burimi kryesor më i mundshëm i shpërthimit të kësaj epidemie janë kafshët. Edhe pse nuk është ende e qartë se cila. Përhapjet e sëmundjeve të ngjashme në të shkuarën, përfshirë SARS-in, besohet se kanë ndodhur nga tregjet e kafshëve të gjalla. Një koronavirus tjetër, që shkakton Sindromën e Frymëmarrjes së Rënduar të Lindjes së Mesme ose MERS, transmetohet tek njerëzit nga devetë.

Edhe pse në fillim u mendua se pacientët e parë e kishin marrë sëmundjen në treg, autoritetet kineze thonë se sëmundja mund të transmetohet edhe nga një person tek tjetri. Një numër njerëzish në rritje, përfshirë stafin mjekësor që kujdeset për pacientët, janë infektuar. Kjo e bën më të vështirë kontrollin e këtij virusi.

Si transmetohet sëmundja?

Shkencëtarët nuk e dinë ende me saktësi se si përhapet ky virus. Por fakti që ai mund të transmetohet nga personi në person, e bën më të rrezikshëm sesa po të transmetohej vetëm nga kafshët tek njerëzit, thotë dr. Peter Rabinovic, drejtor i Qendrës për Përgatitjen ndaj Pandemive dhe Sigurinë Globale të Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit.

Ndërkohë dr. Xhuli Vaishampajan, kryetare e Komitetit të Shëndetit Publik në Shoqatën Amerikane të Sëmundjeve Infektive, thotë se ka shumë gjasa që ai të transmetohet nëpërmjet kollitjes dhe teshtitjes, ashtu siç ndodh me gripin dhe viruset e tjera që prekin rrugët e frymëmarrjes.

Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, analizoi 198 raste të konfirmuara në Vuhan. Studiuesit zbuluan se 22 për qind e tyre, kishin pasur një ekspozim të drejtpërdrejtë në tregun e mishit, dhe 32 për qind kishin pasur kontakte me njerëz që ishin sëmurë me ethe ose sëmundje të frymëmarrjes.

Por gati gjysma e tyre nuk kishin qenë as në treg, dhe as nuk kishin pasur kontakte me ndonjë të sëmurë.

Çfarë mjekimi është në dispozicion kundër këtij virusi?

Për momentin, ndaj koronavirusit të Vuhanit nuk përdoret asnjë medikament. Trajtimi kryesor është kujdesi mbështetës, përfshirë sigurimin që pacienti të thithë mjaftueshëm oksigjen, dhe përdorimin e një ventilatori për të shtyrë ajrin në mushkëri nëse është e nevojshme, thotë dr. Vaishampajan.

Pacientët duhet të pushojnë, dhe të pijnë sa më shumë lëngje, “ndërsa sistemi imunitar bën punën e tij dhe shëron veten” tha ajo. Asnjë ilaç nuk është rekomanduar për t’u përdorur kundër ndonjë koronavirusi, edhe pse një ilaç antiviral i quajtur remdesivir, ka dhënë efekte pozitive tek kafshët.

Cilat janë simptomat e infeksionit nga ky virus?

Simptomat kryesore të infektimit nga ku virus përfshijnë ethet, kollën e fortë, dhe vështirësitë në frymëmarrje. Sëmundja shkakton dëmtim të indeve në mushkëri dhe pneumoni. Rastet më të lehta mund të ngjajnë me gripin ose një ftohje të rëndë, duke e bërë të vështirë zbulimin e virusit. Periudha e inkubacionit, koha nga ekspozimi tek fillimi i simptomave, besohet të jetë rreth 2 javë.


“Situatë dramatike”, Apeli i ambasadorit shqiptar në Kinë për koronavirusin

Opinion.al25/01/20

Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, i ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë, që të anulojnë vizitat dhe kontaktet fizike më këtë vend, për shkak të përhapjes së rrezikshme të koronavirusit, që po merr jetë njerëzish.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ambasadori thekson që numri i vdekjeve nuk e shfaq mirë potencialin e rrezikut, që është pranuar edhe nga OBSH dhe që mund të agravojë në ditët në vijim.

Postimi i Belortajas:

“Te dashur miq e bashkëkombas kudo ku jeni. Siç e dini Kina po kalon nje situate dramatike. Coronavirusi jo vetëm po merr jetë njerëzish por për shkak të potencialit të një rreziku në permasa që mund të imagjinohen, po shtrëngon autoritetet të zbatojnë masa super të rrepta per frenimin e epidemisë, si mbyllje e transportit, superkontroll i lëvizjes se njerëzve, anulim i festimeve e grumbullimeve, si dhe disa shërbimeve publike në disa qytete, tashmë edhe përtej provincës Hubei dhe kryeqendrës Wuhan, ku virusi shpërtheu dhe beteja eshte perqendruar.

Nr. faktik i vdekjeve nuk e shfaq mirë potencialin e rrezikut që është pranuar edhe nga OBSh dhe qe potencialisht mund të agravojë ne ditet ne vijim. Aitoritetet dhe mjekësia ketu po punojne heroikisht. Kêshilloj fort që, derisa situata te merret plotësisht nen kontroll, udhëtimet dhe kontaktet fizike me Kinën t’i shtyni për më vonë! Ju lutem informohuni sa më mirë, e binduni vetë, para se ti hyni nje situate me shume rrezik nga virusi, por edhe të papritur per shkak te kontrolleve te pazakonshme.