Rrezikoni nga sëmundjet e zemrës, ja çfarë duhet të bëni!

0
584

Dita, 29 shtator 2018

Ushqehuni shëndetshëm, jini sa më aktiv, si dhe hiqni dorë nga duhani, janë tre këshillat e lëshuara nga ekspertët e shëndetit publik kundrejt rrezikut, që po shfaqet me shtimin e sëmundjeve të zemrës në popullatën e vendit tonë.

Të dhënat e raportuara tregojnë se sëmundjet kardiovaskulare gjatë viteve të fundit po gjejnë përhapje alarmuese edhe në radhët e moshave të reja, si dhe fëmijëve.

Përkundrejt shifrave në rritje të numrit të pacientëve që manifestojnë çdo vit ndërlikime kardiovaskulare, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, sot në “Ditën Botërore të Zemrës”, apelojnë për më shumë kujdes në ndjekjen e një stili të shëndetshëm jetese, si ndërhyrja më e mirë që mund të bëhet për të mbajtur sa më larg sëmundjet kardiovaskulare.

Shifrat në rritje

“Sëmundjet kardiovaskulare janë sot shkaktari numër 1 i vdekjeve në mbarë botën. Çdo vit, 17.5 milionë njerëz vdesin parakohe, si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë sëmundjen e zemrës dhe goditjen në kokë. Në vitin 2030 pritet që numri i tyre të rritet në 23 milionë.

Por, kjo situatë mund të ndryshojë, pasi thjesht duke bërë disa ndryshime të vogla në jetën tonë, ne mund të jetojmë më gjatë, më mirë dhe me zemër më të shëndetshme.

Bëhet fjalë t’i bëni vetes një premtim për të gatuar dhe për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme, për të bërë më shumë ushtrime dhe aktivitet fizik, për të inkurajuar fëmijët që të jenë më aktivë, për t’i thënë jo duhanit”, vënë në dukje specialistët e ISHP-së. Sipas tyre, parë në këtë këndvështrim, shumica e sëmundjeve kardiovaskulare janë shkaktuar nga faktorë të rrezikut që mund të kontrollohen, trajtohen, ose të modifikohen.

Organizata Botërore e Shëndetit përllogarit se të marra së bashku, uljet modeste të tensionit të gjakut, obezitetit, të kolesterolit dhe përdorimit të duhanit në të gjithë popullsinë, mund të përgjysmojnë incidencën e sëmundjeve kardiovaskulare.

Mund të rrezikojnë edhe fëmijët

Fëmijët janë gjithashtu shumë të prekshëm nga sëmundjet e zemrës. Rreziku për këto sëmundje mund të fillojë para lindjes, që gjatë zhvillimit të fetusit, dhe rritet më tej gjatë fëmijërisë me ekspozimin ndaj dietave jo të shëndetshme, mungesës së aktivitetit fizik dhe pirjes së duhanit.

Sëmundjet kardiovaskulare, si të gjitha sëmundjet kronike fillojnë që në barkun e nënës dhe shtohen me moshën. Është provuar se pesha e ulët në lindje është e lidhur me një risk të shtuar për hipertension, sëmundje zemre, cerebrovaskulare dhe diabet në jetën adulte.

Ndaj duhet të tregohet kujdes që në këtë fazë.

Kujdesi për ushqimin

Përzgjedhja e kujdesshme e ushqimeve që konsumojmë gjatë ditës, si dhe sasia e duhur e lëngjeve janë ndër aleatët më të mirë për të mbajtur larg sëmundjet e zemrës.

Për këtë rekomandohet që të mos pini pije me sheqer dhe lëngje frutash, si dhe të zgjidhni ujin, ose lëngje frutash të freskëta në vend të tyre.

“Përpiquni të konsumoni 5 porcione me fruta dhe zarzavate në ditë, ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata, zëvendësoni ëmbëlsirat dhe produktet e përpunuara me sheqer me fruta të freskëta, si një alternativë të shëndetshme, konsumoni alkool sipas rekomandimeve, përpiquni të kufizoni ushqimet e përpunuara dhe të paketuara, të cilat shpesh përmbajnë sasi të lartë kripe, sheqeri dhe yndyre, si dhe përgatisni vetë ushqim të shëndetshëm për në shkollë apo në punë”, vënë në dukje specialistët e ISHP-së.

Trajtoni në kohë diabetin dhe tensionin e lartë

Sipas tyre duhet të dini se niveli i lartë i glukozës në gjak (sheqerit në gjak) mund të jetë tregues për diabet. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktarët e numrit më të madh të vdekjeve tek të sëmurët me diabet. Prandaj, nëse diabeti nuk diagnostikohet apo nuk trajtohet, ai mund t’ju vendosë në një rrezik të lartë për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.

Ndaj duhet që t’i premtoni vetes që të jeni më shumë aktivë. Në këtë drejtim duhet të synoni që të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar 5 herë në javë, ose 75 minuta aktivitet fizik me intensitet të lartë të shpërndarë gjatë ditëve të javës. Një tjetër faktor risku për sëmundje të zemrës është edhe presioni i lartë i gjakut. Sëmundje të cilën shumë njerëz nuk e dinë që e kanë.

Po ashtu edhe niveli i lartë i kolesterolit në gjak është i lidhur me rreth 4 milionë vdekje në vit. Prandaj vizitohuni te mjeku juaj dhe kontrolloni nivelin e kolesterolit në gjak, peshën trupore, si dhe indeksin e masës trupore (IMT). Kështu mjeku mund t’ju këshillojë për rrezikun tuaj për sëmundje të zemrës, në mënyrë që ju të bëni një plan për të përmirësuar shëndetin tuaj.

Për të mbajtur nën kontroll këta faktorë rreziku këshillohet që të jeni sa më shumë aktivë.

“Të gjitha janë të rëndësishme ecja, loja, punët e shtëpisë, kërcimi. Çdo ditë jini sa më aktivë, ngjisni shkallët dhe mos merrni ashensorin, ecni dhe përdorni biçikletën në vend që të merrni makinën. Ju mund të jeni më të motivuar nëse kryeni ushtrime me shokët apo familjarët”, sqaron më tej ISHP.

Kujdes me duhanin!

Hiqni dorë nga duhani. Sipas ekspertëve të shëndetit publik ky është një ndër veprimet më të mira që mund të bëni për të përmirësuar shëndetin e zemrës suaj.

Duhet të dini që brenda 2 viteve që ju keni lënë duhanin, rreziku për sëmundjen koronare të zemrës ulet ndjeshëm.

“Brenda 15 viteve të lënies së duhanit, rreziku për sëmundje të zemrës bëhet sa ai i një individi që nuk ka pirë kurrë duhan. Ekspozimi ndaj tymit të duhanit është gjithashtu një shkaktar për sëmundjet e zemrës tek individët joduhanpirës. Pra, duke lënë duhanin apo duke mos e filluar fare atë, ju do të përmirësoni jo vetëm shëndetin tuaj por edhe shëndetin e njerëzve që ju rrethojnë. Nëse keni probleme për lënien e duhanit, kërkoni këshilla profesionale apo shërbime për ndërprerjen e pirjes së duhanit”, theksojnë ekspertët e ISHP-së.

Ja çfarë mund të bëni për të mbrojtur zemrën tuaj!

Mos pini pije me sheqer dhe lëngje frutash; zgjidhni ujin ose lëngje frutash të freskëta.
Përpiquni të konsumoni 5 porcione me fruta dhe zarzavate në ditë; ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata.
Zëvendësoni ëmbëlsirat dhe produktet e përpunuara me sheqer me fruta të freskëta, si një alternativë të shëndetshme.
Konsumoni alkool sipas rekomandimeve.
Përpiquni të kufizoni ushqimet e përpunuara dhe të paketuara, të cilat shpesh përmbajnë sasi të lartë kripe, sheqeri dhe yndyre.
Përgatisni vetë ushqim të shëndetshëm për në shkollë apo në punë.
Synoni të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar 5 herë në javë, ose 75 minuta aktivitet fizik me intensitet të lartë të shpërndarë gjatë ditëve të javës.
Të gjitha janë të rëndësishme ecja, loja, punët e shtëpisë, kërcimi, ngjisni shkallët dhe mos merrni ashensorin, ecni dhe përdorni biçikletën në vend që të merrni makinën.
Lini duhanin. Brenda 2 viteve që ju keni lënë duhanin, rreziku për sëmundjen koronare të zemrës ulet ndjeshëm, etj .Faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës
Ka shumë faktorë rreziku të lidhur me sëmundjet e zemrës. Një pjesë e tyre janë të kontrollueshëm. Në faktorët e modifikueshëm bëjnë pjesë mungesa e aktivitetit fizik, dieta jo e shëndetshme, presioni i lartë i gjakut, duhani, kolesteroli i lartë, mbipesha dhe obeziteti. Ndërsa faktorët që nuk i kemi në dorë për t’ kontrolluar janë: historia familjare, diabeti, mosha, gjinia, si dhe gjendja social ekonomike.

Rreziku nga niveli i lartë i sheqerit në gjak

Niveli i lartë i glukozës në gjak (sheqerit në gjak) mund të jetë tregues për diabet. Ndërsa sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktarët e numrit më të madh të vdekjeve tek të sëmurët me diabet. Prandaj, nëse diabeti nuk diagnostikohet apo nuk trajtohet në kohë, ai mund t’ju vendosë në një rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundje të zemrës, si dhe të rrezikoni nga goditje në tru.

Ndikimi i presionit të lartë të gjakut

Një tjetër faktor që ndikon në shtimin e rrezikut për të zhvilluar sëmundje të zemrës janë edhe vlerat e larta të presionit të gjakut. Bluzat e bardha thonë se presioni i lartë i gjakut vlerësohet ndryshe edhe si “vrasës i heshtur”. Kjo pasi zakonisht sëmundja nuk ka shenja paralajmëruese, apo simptoma specifike, dhe shumë njerëz nuk e dinë, apo nuk e kuptojnë që kanë presion të lartë të gjakut.

Vlerat e pakontrolluara të kolesterolit

Sipas ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetit, niveli i kolesterolit në gjak është i lidhur me rreth 4 milionë vdekje në vit. Prandaj duhet të vizitoheni te mjeku juaj dhe të kontrolloni nivelin e kolesterolit, peshën trupore, si dhe indeksin e masës trupore (IMT). Mjeku mund t’ju këshillojë për rrezikun për sëmundje të zemrës në këtë rast, si dhe masat parandaluese që duhen marrë.