Anton Nikë Berisha
Pjesë nga libri “Doracak për Nënën Tereze. Fjala hyjnore”. Argeta LMG, Tiranë – Prishtinë – Shkodër 2014.
Për ta njohur mirëfilli shpirtin dhe veprën e Nënës Tereze është e nevojshme të ndriçohet edhe dukuria e errësirës dhe e vuajtjes shpirtërore, që e cilësoi një pjesë të jetës së saj, siç ndodhi dhe shumë njerëz që u shpallën shenjtër në rrjedhën dymijë vjeçare të krishterimit. Nisur nga fakti se besimin në Hyjin e cilëson misteri, edhe çështja e errësirës dhe e vuajtjes shpirtërore e shenjtërve nuk mund të jetë tjetër pos një mister. Këtë dukuri Shën Gjoni i Kryqit e cilësoi “Natë të errët[1]”, që sipas J. M. Velasco-s, ngërthen në vete kuptime të shumta[2].
Në bazë të disa letrave të Nënës Tereze të lëna në dorëshkrim, që u bënë të njohura ose u botuan pas lumturimit të saj, të përfshirë sidomos në veprën: Nëna Tereze: Bëju drita ime. Shkrimet më intime të ‘Shenjtëreshës së Kalkutës[3] e atit Brian Kolodiejchuk, (postulator i procesit të lumturimit të Nënës Tereze, ajo e përjetoi errësirën dhe vuajtjen shpirtërore për gati dyzet vjet rresht, duke filluar nga viti 1937.
Nëna Tereze jetonte dhe vepronte vetëm për Hyjin dhe për përhapjen e dashurisë së Tij: “Për 55 vjet rresht ia doli të mos i prapësojë asgjë Krishtit, duke shfrytëzuar çdo situatë si një mundësi e dëshmisë së besnikërisë së saj për dashurinë që i kishte premtuar (Atij)[4]”.
Për t’u njësuar me dashurinë e Hyjit Nënës i ndihmoi sidomos lutja, që e pati pjesdë ta pandashme të jetës së saj[5], prandaj thoshte: “Sekreti im është lutja që shndërrohet në veprim. Ajo që bëjmë ne (motrat e Misionareve të Dashurisë – v. ime) është dashuria e Hyjit në veprim[6]”. Në të vërtetë, lutja e njësonte Nënën Tereze me Hyjin, e mbushte me dritën dhe me dashurinë e Tij dhe i shkaktonte gëzimin më të madh, duke i dhënë forcën për të vepruar dhe për t’u glijuar:
“Lutëm për arsye se asgjë nuk mund të më mbushë me dhembje dhe me vuajtje që të më bëjë të harroj harenë e Krishtit të ngjallur[7]”. Së këndejmi, besimi dhe dashuria e Hyjit ia nxiten dhe ia rriten dashurinë për njerëzit, siç thuhet në Plasmin 40: “Shpresova në Zotin me shpresën më të madhe / dhe ai m’u afrua dhe e dëgjoi lutjen time”.
Në një letër dërguar jezuitit Franjo Jambrekoviq, ish famullitar i saj në Kishën katolike të Shkupit, Gonxhja pohon se do të jetë e Zotit për amshim[8] dhe “Mos mendo se jeta ime shpirtërore është e mbuluar me trëndafila. Kjo është një lule që e gjej rrallë në rrugëtimin tim. Përkundrazi, shpesh më shoqëron errësira[9]”.
Vuajtja e Nënës Tereze nuk është e natyrës fizike, e vështirësive të jetës së përditshme të saj, po shpirtërore, që shprehet me errësirë, me dhembje dhe me ftohtësi në shpirt, gjë e cila kushtëzoi që në raste të ndryshme nuk e përjetoi dhe nuk e ndjeu, as ngrohtësinë e lutjes, as praninë e Hyjit e të dashurisë së tij.
Më 3 shtator (1959) Nëna i shkruan dhe atit Picachy për errësirën dhe vuajtjen e saj shpirtërore:
“Ju më keni thënë t’ju shkruaj. Njëmend nuk ia dal të shpreh asgjë. Nuk e di pse më ndodh kjo. Dua të flas, po nuk i gjej fjalët të shpreh dhembjen time. Mos u mashtro nga unë, më lë vetëm. Zoti e do(n) nga unë këtë ‘vetmi’. Lutu për mua. Përkundër të gjithave, unë e dua Zotin[10] jo për atë që Ai më jep, po për atë që Ai merr (nga unë). Ai ka asgjësuar çdo gjë në mua[11]”.
Edhe kryeipeshkvit të Kalkutës, Périer, Nëna i shkruan: “U buzëqesh përherë të gjithëve… Ah, sikur ta dinit se çfarë zbrazëtire dhe palumturi fsheh buzëqeshja ime… O Hyj, nëse vuajtjet e mia e shuajnë etjen Tënde, ja ku jam e gatshme. Do t’i buzëqesh fytyrës sate të fshehur deri në fund të fundit të jetës sime[12]”.
Në një letër tjetër (dt. 15 janar 1963), Nëna përsëri i shkruan atit Neuner: “Zoti është duke e bërë lojën e tij, unë i jap atë që Ai do. Duket se Ai nuk do që unë të kem ngushëllimin njerëzor, që del nga ajo që i flas. Jam e lumtur për çdo gjë që e bën Atë më të lumtur. Pranoj çdo gjë që Ai më thotë[13]”.
Pak ditë më vonë (më 23 tetor 1961) Nëna i bën të ditur atit Neuner se kishte filluar të mësohej me errësirën dhe me vuajtjen për arsye se ato ishin dhunti e vetë Hyjit, prandaj nuk ishte e vetmuar:
“Jo, atë, nuk jam vetëm: e kam errësirën e Tij, e kam dhembjen e Tij, e kam këtë dëshirë tmerrësisht të zjarrtë për Të, ta dua, ndërsa unë (për Të) nuk jam e dashur. E di se me Krishtin jam e njësuar pandashëm, për arsye se, sipas vullnetit tim, mendja ime është e pikëzuar (fiksuar) vetëm për Të e në Të[14]”.
Dy vjet më vonë (para 8 janarit të 1965-shit) Nëna i shkruan përsëri atit Neuner, duke i përmend përsëri errësirën, vuajtjet, vetminë e jashtëzakonshme dhe dhimbjen që përjetonte për shkak se e ndiente mungesën e Zotit. Kjo gjendje paraqite një ferr të vërtetë për të. Megjithatë, kishte një ngushëllim të madh: gjithë ajo ishte vepër e Krishtit dhe ajo e pranonte si të tillë:
“Për sa më përket mua, çka mund t’ju them? S’kam asgjë, meqenëse nuk e kam Atë, që zemra ime dhe shpirti im digjen ta kenë. Vetmia është shumë e madhe. Qoftë brenda, qoftë jashtë, nuk e gjej asnjërin që t’i drejtohem. Më ka hequr (Zoti) jo vetëm ndihmën shpirtërore, po edhe atë njerëzore. Nuk mund të flas më askënd, e nëse flas, asgjë nuk hyn në shpirtin tim. Dëshiroja shumë të flisja me ju në Bombay, megjithëse as që jam përpjekur që të takohemi. Në qoftë se ekziston ferri, duhet të jetë ky. Sa e dhimbshme është të jetosh pa Zot. Pa lutje, pa besim, pa dashuri. E vetmja gjë që ende mbetet është bindja që vepra është e Tij, që motrat dhe vëllezërit janë të Tij[15]”.
Në një takim në Romë (më 15 tetor 1976) Nëna ia beson atit Le Joly atë që i ndodhte në shpirt: “Janë disa çaste kur ndihem si guaskë e zbrazët, e zhveshur (e privuar) nga çdo përbërës brenda meje[16]”.
Më 17 shkurt 1978 Nëna i shkruan atit Van der Peet se edhe me errësirë dhe vuajtje ishte e Krishtit, madje ishte e gatshme të pranojë që Krishti ta bëjë copa – copa dhe përsëri, edhe si e tillë, do të jetë e Tij: “Jam duke u kthyer në Kalkutë për ushtrime shpirtërore prej tetë ditësh, që fillojnë më 19 në mbrëmje, kështu do të kem mundësi që disa ditë t’i kaloj vetëm me Krishtin, pra ta ndaj gëzimin me Të. Jam në dispozicionin e tij. Mund të bëjë me mua atë që dëshiron, pa më pyetur fare. Dëshiroj të jem vetëm vogëlushja e tij nëse ai dëshiron, ndryshe do të jem e lumtur (që unë) të jem asgjë e Ai (të jetë) gjithçka[17]”, ndërsa më 22 shtator 1979: “Për sa i përket heshtjes dhe zbrazëtirës, ato janë aq të mëdha sa unë shikoj dhe nuk shoh, dëgjoj e nuk ndjej. Gjuha lëviz, po nuk flet. Jam e pafuqishme ose rrezikshme. Dëshiroj të lutesh për mua derisa Ai t’i ketë duart e lira, e nëse Ai vendos të më bëjë copë e grimcë, çdo pjesë, edhe pse e vogël, do të jem vetëm e Tij[18]”.
Në një letër të vitit 1985, dërguar jezuitit, Albert Huart-it, Nëna shkruan një gjë të qenësishme: çdo gjë që bën për të tjerët i shkakton kënaqësi dhe përshkohet nga drita e Hyjit, ndërsa në brendinë e shpirtit të saj vazhdon errësira: “Atë, e marr me mend se kur e hap gojën t’u flas motrave dhe njerëzve për Zotin dhe për veprën e tij, kjo u sjell atyre dritë, hare e guxim. Mirëpo, unë nuk ndjej asgjë. Brenda është krejtësisht errët dhe ndjej se jam e shkëputur krejtësisht nga Zoti[19]”.
Çështja kryesore që ia shkaktoi errësirën dhe vuajtjen shpirtërore Nënës Tereze lidhet me dyshimin se Hyji e kishte harruar për arsye se nuk e ndiente ngrohtësinë dhe dashurinë e Tij si më parë. Ky dyshim mbështetet në përshtypjen se ndoshta nuk bënte mjaftueshëm për Hyjin, se, ndoshta, nuk vepronte sipas dashurisë dhe dritës së tij, ashtu siç donte Ai.
Meqenëse Nëna Tereze qysh në moshën e re kishte vendosur t’i dhurojë Hyjit krijues gjithçka të qenies dhe të dashurisë së saj, prite që Ai t’i afrohej gjithnjë e më shumë dhe, në çdo veprim, ta ndiente vijimisht ngrohtësinë dhe praninë e Tij. Në vend që ta përjetonte këtë, siç e përjetonte më parë, Nëna ndihet e vetmuar, e braktisur dhe dyshimi ia brente zemrën dhe mendjen.
Sipas Shën Gjonit të Kryqit në Besëlidhjen e vjetër janë një varg shembujsh të errësirës dhe të vuajtjes shpirtërore, si mund të dëshmohet me Jereminë, Jobin, Davidin etj.[20]. Pa qëllim që të zgjatem rreth kësaj, po sjell vetëm një shembull nga Psalmi 13 (12), ku pandërmjetësisht bëhet fjalë për errësirën dhe vuajtjen.
Deri kur, o Zot, ti do të më harrosh?
Deri kur fytyrën nga unë do ta fshehësh?
Deri kur dhembjen në shpirt do ta mbaj:
Me zemër të thyer do të jem ditë e natë?[21]
Duke folur për “natën e errët të zjarrit të dashurisë” Shën Gjon Kryqtari thekson se errësira është proces i pastrimit dhe i njëjtësimit me Hyjin:
“Shpirti që përjeton këtë gjendje të pastrimit është i vetëdijshëm se e do Zotin. Është i gatshëm të japë jetën edhe njëmijë herë për të; megjithatë, jo vetëm nuk gjen në këtë një ngushëllim (prehje), po ngarkohet me një peshë edhe më të madhe. Ai (personi) e do shumë Zotin pa u marrë me asgjë tjetër pos me të, po ndjen aq shumë mjerim sa nuk mund të besojë se Zoti e do për arsye se s’ka motiv as nuk do të ketë që ta bëjë (ta dojë)…[22]”.
Kjo gjendje, që në qenësi shërben për “njësimin hyjnor[23]”, ndodh për arsye se shpirti pastrohet duke u “përshkuar nga drita hyjnore”[24], që “nuk i ndodh asnjërit në mënyrë të njëjtë[25]”. Pra, errësira, sipas Shën Gjonit të Kryqit, ndodh për ta ndriçuar dhe për ta ushqyer shpirtin me dritë hyjnore:
“…kjo natë, nëse prodhon errësirë në shpirt, kjo ngjet vetëm për të ndriçuar atë (shpirtin); nëse e përulëson dhe e privon nga çdo e mirë, e bën vetëm për ta ngritur; nëse e zhvesh nga çdo pasuri dhe marrëdhënie (ndërlidhje) njerëzore, e bën vetëm për ta përgatitur hyjnisht që t’i përjetojë dhe t’i shijojë gjërat mbinatyrore dhe natyrore në lirinë e përsosur të shpirtit[26]”.
Mendoj se gjendja e tillë e shpirtit ngjet, para së gjithash, për shkak të ballafaqimit të dy botëve: asaj konkrete dhe asaj hyjnore[27]. Në të vërtetë, në “natën e errët” (sipas Shën Gjonit të Kryqit) shpirti lirohet nga ndjenjësimi i zakonshëm dhe normal dhe “mbushet” me cilësi që deri në atë çast kanë qenë të panjohura, të huaja për të. Duke u gjetur në gjendje të tillë të këmbimit, ndërrimit – dhunti e hirit të Hyjit – shpirti vihet në dyshim të madh për shkak të frikës se e ka humbur Hyjin, ngrohtësinë dhe dashurinë e tij. Nëna Tereze (më 1962) pyete: “Pse Ai (Krishti) m’i jep të gjitha, pos vetvetes[28]”?
Gjendja e këtillë shpirtërore, natyrisht, u ndodh njerëzve që i përkushtohen me gjithë shpirt dashurisë së Hyjit, që lutjen e kanë pjesë të qenësishme të jetës e të veprimit dhe që synojnë që dashurinë hyjnore ta bartin e ta mbjellin në shpirtrat e njerëzve. Në të vërtetë, personat që lidhen ngushtë me Hyjin dhe me dashurinë e tij nuk e përjetojnë këtë ndërrim shpirtëror dhe pikërisht ky ndërrim, shkakton dyshimin, që kur të analizohet në thellësi, del i zakonshëm.
Dukurinë e errësirës dhe vuajtjes shpirtërore e përjëtoi dhe Shën Augusitini. Edhe pse ishte bindur se “E vetmja gjë, për të cilën unë nuk dyshoj në vetëdijen time, Jezu Krisht, është që të dua ty. Fjala jote më ka prekur në shpirt dhe unë të kam dashur. Por edhe qielli dhe toka, si dhe gjithçka që ato përmbajnë më thonë të të dua, dhe nuk pushojnë së thëni çdo njeriu një gjë të tillë, që të mos ketë shfajësim për asnjë njeri[29]” theksonte se përkundër shtypjes që i bënte errësira dhe vuajtja e kishte ruajtur të gjallë dashurinë për Hyjin dhe dritën e tij: “O e vërtetë, dritë e shpirtit tim, ti mos lejo që të më flasë errësira ime! Si uji kam kulluar deri këtu poshtë dhe errësira më mbulon. Por edhe nga këtu, edhe nga këtu unë të kam dashur. Unë bridhja sa andej – këndej dhe u kujtova për ty. Dëgjova zërin tënd prapa kurrizit tim që më thërriste nga pas: mezi e dëgjova në zhurmën e madhe të diskutimeve pafund. Ja ku më ke tani duke u kthyer i përvëluar e i etur drejt burimit tënd. Askush të mos më zërë rrugën, unë dua të pi e të jetoj. Nuk dua të jem më unë jeta ime: kam jetuar keq me jetën time dhe për veten time kam qenë i vdekur; te ti rijetoj[30]”!
Kjo përligjet dhe nga Tereza e Krishtit fëmijë, e dashuruar në Zotin, e cila në ditarin e saj (lexo: në letrën shkruar eprores së saj) [31], shkruan midis të tjerash:
“Nënë e dashur, mbase ke fituar përshtypjen se po e teproj me dëshminë time. Në të vërtetë, të gjykosh për ndjenjat e mia në bazë të poezive të shkurtra që i përftova gjatë këtij viti, do t’ju duket një shpirt plot e përlot ngushëllim, për të cilin veli i besimit është të thuash i shqyer…, mirëpo, nuk është më për mua një vel, po një mur që mbërrin deri në qiell dhe e pengon pamjen e kupës së qiellit me yje… Kur e vë në peshojë lumturinë e Qiellit, pronë e përhershme e Zotit, nuk provoj asnjë kënaqësi, për arsye se thjeshtë llogaris atë që duhet ta besoj. Është e vërtetë, herë mbas here një rreze e vogël e diellit e ndriçon errësirën time, atëherë, për një çast, pushon prova, po në vijim, kujtimi për atë rreze, në vend që të më shkaktojë gëzim, e bën errësirën time edhe më të madhe[32]”.
Edhe ati Pio, që u shpall më vonë shenjt, e përjetoi dukurinë e errësirës dhe vuajtjes shpirtërore, që u shpreh përmes pesë plagëve në dy duart, në dy këmbët dhe në gjoks. Në tekstin e lutjeve dhe të letrave të lëna në dorëshkrim[33], që u botuan mbas ndërrimit të jetës së tij, theksohet errësira shpirtërore dhe dyshimi se mos Hyji e kishte braktisur dhe, si rrjedhojë e kësaj, vuante përtej masës. Përkimet e mendimeve të tij të thëna në tekstet e lutjeve dhe të letrave të lëna në dorëshkrim me mendimet e Nënës Tereze të shfaqura në letrat që u botuan në vëllimin e përmendur të atit Brian, janë të shumta e të mëdha, ndonjëherë thuajse të njëjta[34]?”
Edhe në letrat dërguar drejtuesve shpirtërorë ati Pio vë në dukje vuajtjen shpirtërore (dhe fizike nga plagët). Kështu në letrën e 5 shtatorit të vitit 1918, nisur atit Benedetto, thotë: “Ndihem i mbuluar nga një oqean i zjarrtë[35]”, ndërsa një muaj e gjysmë më vonë i bën të ditur për gjendjen tepër të rëndë shpirtërore dhe për mënyrën sesi kishte ndodhur me pesë plagët që i ishin shfaqur pa pritur e pakujtuar: “Çka t’ju them rreth asaj që më pyetni si ka ndodhur kryqëzimi im? Zoti im, çfarë rrëmuje dhe çfarë përulje (poshtërimi) provoj për atë që Ti ke treguar në këtë krijesë tënde meskine[36]”.
Po përmend të dhënën se edhe Biri i njeriut, Jezu Krishti, aq sa shenjëzon shpëtimtarin për njeriun, aq edhe vuajtësin (Mk 10, 45). Pra, Krishti është Zoti që vuan (Is 53), Zoti i vuajtjes, flijuesi i vërtetë[37]. Krishti, bir i njeriut, lindi e jetoi në vuajtje, si njerëzit e tjerë[38], pikërisht ashtu siç theksonte Goethe (mbështetur tek Plotini): “Syri s’do të duhet ë shihte nëse s’do të kishte në vete natyrën e diellit” ose siç vë në dukje papa Benedeti XVI: “Çdo proces i njohjes në një farë mënyre përmban përherë një proces të asimilimit, një lloj njëjtësimi (unifikimi) midis atij që e njeh (një diçka) dhe asaj që njihet, gjë që ndryshon sipas nivelit ontologjik të subjektit që njeh dhe të objektit që njihet[39]”.
Nëna Tereze ishte e vetëdijshme për errësirën dhe për vuajtjen shpirtërore që e përcollen (duke filluar nga viti 1937), mirëpo, po ashtu ishte e vetëdijshme për besimin e thellë e të palëkundur për Hyjin, për dashurinë e Tij dhe për përmasën hyjnore që Hyji ia kishte dhuruar. Ajo e ndiente këtë cilësi në shpirtin e saj dhe në dashurinë që kishte për njerëzit[40], sidomos për të varfrit nga më të varfrit; e vërente në çdo veprim që bënte, në të gjitha mbërritjet, që për të, të gjitha, pa përjashtim, ishin vepër e dashurisë së Hyjit, përmbushur prej saj dhe prej motrave të saj. Pra, siç thekson me të drejtë ati Brian: “Vetëdija për provaninë hyjnore mjaft e qartë në veprim dhe në jetën shpirtërore të Nënës Tereze ishte një mbështetje e madhe në çastet më të vështira të saj[41]”.
Përcaktimi i Nënës se do të jetë për gjithë jetën e Tij, pa kushte dhe pa kërkuar asnjë shpërblim për veten e saj, “t’i dhurojë Hyjit gjithçka që Ai do t’i kërkonte[42]”, ajo u njësua me dashurinë dhe me dritën e Hyjit dhe ajo dritë i priu në jetë e në çdo veprim. Kjo miqësi “e bazuar në besimin dhe në dashurinë e madhe për Krishtin[43]”, dëshmohet kur ajo ia rrëfen mëkatet Birit të Hyjit dhe Ai ia fshin ato, siç del në një letër të saj, nisur atit Van der Peet, pas ushtrimeve shpirtërore pesëditore dhe pas rrëfimit:
“[…] ia kam thënë të gjitha mëkatet e mia, e Krishti m’i ka marrë të gjitha mëkatet. Mbas rrëfimit e kam ndjerë zemrën time duke kënduar. Faleminderit Jezus, që m’i mori mëkatet e mia. Thjesht, Ai i fshiri ato[44]”.
Vuajtjen dhe errësirën shpirtërore Nëna Tereze i përballoi me dashurinë hyjnore dhe me gëzim, për arsye se siç i shkruante kryeipeshkvit të Kalkutës, Périer: “Dua të jem apostole e haresë[45]” dhe “Lutuni (i shkruan atit Van Exemit) që unë të kem dritë të shoh dhe (të kem) forcë të lirohem nga çdo gjurmë e ‘Un-it’ tim në (çdo) veprim. Duhet të zhdukem krejtësisht nëse dua që Zoti t’i ketë të gjitha[46]”.
S’ka dyshim se errësira e Nënës Tereze është rrjedhojë e veprimit të Hyjit në shpirtin e saj dhe e shndërrimit të saj, siç thoshin motrat, në “urë midis njerëzve dhe Zotit, t’u sjellë atyre mëshirën e Zotit dhe t’i drejtojë tek Zoti[47]”. Nëna i përjetoi dhe i kuptoi vuajtjen dhe errësirën, siç thuhet në Psalmin 139: “As errësira për ty e errët s’do të jetë”. Ajo ishte e bindur në faktin se “Nëse një herë e kemi Zotin brenda nesh (i thotë gazetarit Desmond Doig, redaktor i “Calcutta Statesman” – v. ime), do ta kemi për gjithë jetën… Mirëpo, jam e bindur se është Ai, nuk jam unë. Është puna e tij, jo e imja. Pa të nuk mund të bëj asgjë. Edhe Zoti nuk mund të bëjë asgjë për atë që është plot me vetveten. Është e nevojshme të mos kesh brenda asgjë, për të lërë (mundësinë) që ai të bëjë atë që dëshiron. Është gjëja më e bukur që i përket Zotit, dije: është i gjithëpushtetshëm, megjithatë nuk e detyron askënd me forcë[48]”.
Ky qëndrim i saj përligjet edhe nga një letër dërguar atit Neuner, ku dalin në dritë dy gjëra të qenësishme: Nëna Tereze është e vetëdijshme se errësira shpirtërore është vepër e Zotit dhe se ajo është e lumtur që s’ka asgjë; se është një hiç dhe Hyji është gjithçka:
“[…] i kemi marrë trembëdhjetë postulate të reja janarin e kaluar dhe tashmë të gjitha të mbushura me gëzim që të vuajnë për të varfrit e Zotit. Do ta kemi një grup të mirë në muajin maj që do t’i pëlqejë Zotit. E unë vetëm vështroj dhe mrekullohem. Asgjë nuk më hyn brenda. Gjatë këtyre ditëve kam kuptuar një gjë. Fakti se Zoti dëshiron që unë të jem pa gëzimin e thesareve të jetës shpirtërore, jam duke dhënë gjithçka nga zemra dhe shpirti për t’u ndihmuar motrave të mia që të jenë në lartësinë e detyrës. I shoh të rriten në shenjtëri prej ditës në ditë, të rriten në dashurinë e Zotit, e kjo më bën të lumtur. Për sa më përket mua, unë kam vetëm gëzimin që s’kam asgjë, as dhe realitetin e pranisë së Hyjit. Asnjë lutje, asnjë dashuri, asnjë besim. Asgjë tjetër pos dhembjes së vijueshme të dëshirës së zjarrtë për Hyjin[49]”.
Nëna ishte njeri – vdekatare, prandaj si besimtare me përshpirtshmëri të jashtëzakonshme, kishte nevojë ta ndiente gjithnjë ngrohtësinë dhe praninë e Hyjit, dashurinë, dritën, ndihmën dhe përkrahjen e Tij. Shën Pali thotë: “Vetë nuk mundem asgjë, mirëpo mundem gjithçka me Atë që më përkrah[50]”. Me përmasën hyjnore të dhuruar nga Hyji, Nëna nuk e ndiente ngrohtësinë dhe përkrahjen në shpirtin e saj si më parë për arsye se atë e kishte brenda qenies së vet; edhe ajo vetë ishte bërë dritë e Hyjit, vepronte e drejtuar dhe e mbështetur nga ajo dritë[51]. Pra, duke i dhënë Hyji cilësitë hyjnore një krijese të vet, një njeriu, siç ndodhi me Nënën Tereze, ai person nuk mund t’i kishte njëjtë të gjitha ndijimet e të ndjehej shpirtërisht si më parë. Mendoj se këtu qëndron një nga çështjet kryesore që shkaktoi dyshimin, lëkundjen, frikën te Nëna se Hyji e kishte braktisur. Në Ungjillin e Gjonit (3, 6) thuhet: “Çka lind prej mishit, mish është, çka lind prej shpirtit, shpirt është”. Nëna Tereze jetoi dhe veproi me këto dy cilësi.
Errësira – vuajtja shpirtërore e Nënës, pra, nuk ishte dëshmi e shuarjes ose e mosbesimit të saj në Hyjin, përkundrazi ishte dëshmi e dashurisë, e besimit dhe e njësimit më të madh me Të. Kjo dëshmohet nga fjalët e saj: “Vetëm në dëgjimin e Hyjit, që na flet nga thellësia jonë dhe në lutje, e gjejmë vullnetin dhe vendosjen (përcaktimin) që të dalim nga tundimet e mëdyshjeve tona”[52] dhe “Heshtja na jep një vizion të ri të gjërave. Kemi nevojë për këtë heshtje për të mbërritur te shpirtrat. E qenësishme nuk është ajo që ne themi, po ajo që na thotë Zoti e që ai u thotë të tjerëve nëpërmjet nesh. Krishti na pret përherë në heshtje. Na dëgjon në heshtje: në heshtje u flet shpirtrave tanë. Në heshtje mund të dëgjohet zëri i tij. Heshtja e brendshme është shumë e vështirë, por duhet t’i shtojmë përpjekjet që të lutemi. Në këtë heshtje zbulojmë një energji të re dhe një bashkim të ri. Bashkimin e mendimeve tona me të Tijat, bashkimin e lutjeve tona me të Tijat, bashkimin e veprimeve tona me të Tijat, të jetës sonë me të Tijën[53]”.
Duket e pabesueshme, po pikërisht dyshimi dhe frika se mos e ka braktisur Hyji, e bën besimin e Nënës Tereze më thellësor e më të patundur. Fjalët e Nënës që lutja i dukej e ftohtë, se Zoti nuk e donte më, lidhet me faktin se, siç u tha më lart, në qenien e saj bashkëjetonin dhe ndërplotësosheshin cilësi të dy botëve: asaj konkrete (tokësore) dhe asaj hyjnore, duke përqafuar të njëjtin fat të Krishtit[54]”: “Nëna Tereze e dinte se errësira e saj ishte çmimi që duhej ta paguante për të ndezur ‘zjarrin e dashurisë’[55]”.
Duhet theksuar se Hyji nuk i jep një krijese përmasën hyjnore për lumturinë vetjake (të vetë krijesës, të shenjtit), por për të tjerët, për të bartur dashurinë hyjnore tek të tjerët dhe për t’i bartur të tjerët tek Ai. Këtu qëndron një nga qenësitë kryesore të besimit, të veprimit, të errësirës dhe të vuajtjes shpirtërore të Nënës Tereze: vegla e Hyjit (në këtë rast Nëna Tereze si vegël e Krishtit) shndërrohet në hir të Hyjit dhe nuk e ndien kënaqësinë vetjake të njeriut të zakonshëm, por jeton dhe vuan për të tjerët, për t’u ofruar të tjerëve kënaqësi. Shenjtërit s’kanë kënaqësi vetjake për arsye se kënaqësia e të tjerëve bëhet dhe është kënaqësia e tyre. Pra, Hyji nuk i ndrit njerëzit me dritë për shkak të atyre vetë, por për ta kumtuar e për ta përhapur dashurinë hyjnore midis njerëzve, pa marrë parasysh racën, fisin, ngjyrën, që t’i bëjë ata me veti të hyjnueshme.
Krijesat njerëzore me cilësi të tilla, përkatësisht shenjtërit, u japin shembullin njerëzve për t’u dashur mes tyre me dashurinë e Hyjit.
Shenjtërim a nuk domethënë dhe harrimi i vetvetes, braktisja e vetvetes për t’u ofruar të tjerëve dashurinë vetjake dhe dashurinë e Hyjit; për t’u flijuar në veprimin konkret në mënyrë që të tjerët ta ndjejnë e ta përjetojnë dashurinë dhe ngrohtësinë hyjnore, në mënyrë që t’u mundësohet njerëzve ta përjetojnë jetën në qenësinë e saj dhe t’i përballojnë vështirësitë sa më lehtë, të sigurojnë jetën e qetë e të përjetshme të shpirtit, siç veproi Nëna Tereze nga viti 1929? Pra, shenjtërit kanë si detyrë kryesore ta bëjnë dashurinë dashuri; t’u ofrojnë njerëzve dritën hyjnore dhe t’u hapin shtigjet e mirësisë e të përvuajtërisë në jetën konkrete, jo të jetojnë për kënaqësinë e tyre (vetjake).
Pikërisht errësira dhe vuajtja shpirtërore e nxiten dhe e frymëzuan Nënën Tereze të flijohet për të tjerët, të bëhet burim drite e frymëzimi për ta[56]. Në letrën dërguar Van Exemit, ajo shkroi: “Dua të jem një e shenjtë (shenjtëreshë) sipas Zemrës së Tij të mëshirshme e të përvuajtur, për këtë arsye do të përpiqem të bëj atë që është më e mira brenda këtyre dy virtyteve të Jezusit[57]”, ndërsa atit Picachy: “Dua të bëhem një e shenjtë sipas Zemrës së Jezusit: e mëshirshme dhe e përvuajtur. Kjo është e vetmja gjë që, njëmend, në këtë çast është e rëndësishme për mua[58]”.
Nëna Tereze thoshte se gëzimi i saj ta dashuronte Krishtin rridhte nga gëzimi të merrte pjesë në vuajtjet e tij. Kjo pjesëmarrje në vuajtje përmbushej duke marrë pjesë në vuajtjet e njerëzve, sidomos në vuajtjet e të varfërve nga më të varfrit, tek të cilët e shihte Krishtin e kryqëzuar:
“Ju lutem – i shkruan Nëna Tereze kryeipeshkvit të Kalkutës, Périer, – kërkoni nga Maria të ma japë zemrën e Saj në mënyrë që unë të mundem më me lehtësi ta përmbush dëshirën e Tij (të Krishtit) në mua. Dua t’i buzëqesh edhe Jezusit dhe kështu t’ia fsheh edhe Atij, nëse do të ishte e mundur, dhembjen dhe errësirën e shpirtit tim[59]”.
Nëna do të pranonte të përjetonte e të vuante gjithçka të mundshme, vetëm e vetëm që t’i sillte kënaqësi Krishtit në zemër: “Këmbëngulte në faktin – shkruan ati Brian – që e paguan barra qiranë, të ‘duroj çdo vuajtje të mundshme qoftë edhe vetëm për një shpirt’ dhe ‘të ofroj gjithçka vetëm për atë shpirt, pse ai shpirt do të sillte gëzim të madh në zemrën e Jezusit’[60]”.
Meqenëse i vuante vuajtjet e Krishtit në shpirtin e saj dhe këto vuajtje i “shëronte” me veprimin dhe me flijimin për të varfrit, për të braktisurit, për të gërbulurit, Nëna Tereze mësohet me errësirën dhe vuajtjen shpirtërore dhe fillon t’i dojë (me i dashtë), me çka përligjet një shkallë e lartë e vetëdijes dhe e flijimit të saj përballë Hyjit dhe njeriut, përballë botës konkrete dhe botës hyjnore.
Është rasti i rrallë në historinë e krishterimit që një vdekatar (e) i përfill dhe i do errësirën dhe vuajtjet shpirtërore për një kohë aq të gjatë. Pse ndodhi kështu me Nënën Tereze nuk është vështirë të sqarohet: Ajo i ishte përbetuar Zotit se do të përfillte e do të pranonte çdo kërkesë dhe vepër të tij. Në çastin kur bindet se errësira dhe vuajtja ishin vepër e Krishtit Zot, fillon t’i dojë dhe t’i çmojë. Këtë e thotë qartas në një letër dërguar atit Neuner në prill të vitit 1961:
“Për herë të parë në këto njëmbëdhjetë vite ia kam dalë ta dua errësirën për arsye se (meqenëse) tash besoj se ajo është një pjesë, një pjesë krejt e vogël e errësirës dhe e vuajtjes së Krishtit në Tokë. Ai më ka mësuar ta pranoj si ‘pjesë shpirtërore të veprës së Tij’. Njëmend sot kam ndjerë një gëzim të thellë që Krishti nuk do ta përjetojë më agoninë e Tij, dëshiron ta përmbushë (realizojë) nëpërmjet meje[61]”. Kjo është dëshmi dhe formë e martirizimit, dëshmi nëpërmjet vutjeve e në vuajtje[62].
Se gjithë ajo që ndodhte në shpirtin e Nënës Tereze ishte vepër e Hyjit, dëshmohet dhe nga ky vlerësim i atit Brian:
“Pa errësirën e saj të brendshme, pa e njohur dëshirën e tillë të dashurisë dhe dhimbjen që nuk është e dashur (nga Zoti) dhe pa identifikimin e jashtëzakonshëm me të varfrit, Nëna Tereze nuk do ta kishte fituar besimin dhe zemrat e tyre me atë thellësi[63]” dhe “Vuajtja e Nënës Tereze kishte mbërritur në fazën më intime: të marrëdhënies me Zotin. Dhe në gjakimin (zellin) e saj për shpëtimin e të tjerëve, e përqafoi në masën e plotë këtë vuajtje në mënyrë që, të varfrit që i donte, mund ta provonin në mënyrën e plotë dashurinë e Zotit. Si rrjedhojë e kësaj, errësira e saj u bë bekimi i saj më i madh: ‘sekreti i saj më i thellë’ në realitet ishte dhuntia e saj më e madhe[64]”.
Me përvojën dhe me veprimin e vet Nëna Tereze e pasuroi dhe i dha një përmasë sa të thellë, aq të ndërliqshme konceptit të errësirës dhe vuajtjeve shpirtërore.
Çështja e besimit të Nënës Tereze në Hyjin dhe në dashurinë e tij dhe puna e saj që këtë dashuri ta përhapë tek njerëzit në mënyrë që ata ta duan njëri tjetrin siç i do Hyji krijesat e veta, duke mos kursyer asgjë të qenies së vet, nuk mund të ketë asnjëherë fund për arsye se sa herë që
gërmohet nëpër tekstet e lutjeve të saj, të letrave e të mendimeve të thëna në raste të ndryshme, do të zbulohen gjëra të veçanta e të qenësishme, që lidhen me botën konkrete të njeriut dhe me botën hyjnore, të cilat për Nënën ishin të pandara.
[1] Giovanni della Croce, Notte oscura. Introduzione e note Federico Ruiz. Traduzione dal testo originale Silvano Giordano. Edizione OSD, Roma Morena, 2007.
[2] Giovanni della Croce, Notte oscura, vep. e përmendur, f. 12.
[3] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”. A cura di Brian Kolodiejchuk. Rizzoli, Milano 2008.
[4] Vlerësim i atit Brian Kolodiejchuk. Shih Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 335.
[5] Jezuiti belg, Pierre Fannon, që i kishte udhëhequr ushtrimet shpirtërore në Darjeeling nga mesi i vitit 1946, siç Dëshmon Van Exemi, “kishte mbetur i impresionuar nga intensiteti i lutjes së Nënës Tereze”. Shih Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi. 3° Edizione, Paoline Editoriale Libri, Milano 2003, f.22.
[6] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm., f. 124.
[7] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 330.
[8] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 31.
[9] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 31.
[10] Trajtë e përdorur me qëllim.
[11] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 200.
[12] Nga letra e Nënës Tereze dërguar kryeipeshkvit të Kalkutës, Ferdinand Périer, cit. sipas Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm., f. 28.
[13] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 245.
[14] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 230.
[15] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 255.
[16] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm., f. 37.
[17] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 289.
[18] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 293.
[19] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 310.
[20] Rreth kësaj dukurie Shën Gjoni i Kryqit e shkroi veprën me titull “Nata e errët”. Shih më gjerësisht Giovanni della Croce, Notte oscura, vep. e përm., f. 138 – 139.
[21] Psalmet. Bashkësia e popullit të Zotit. Sipas përkthimit të Kristoforidhit, përshati në gjuhën e sotme Vehap Shita, Prishtinë 1978.
[22] San Giovanni della Croce, Opere (a cura di P. Ferdinando di S. Maria, OCD, Roma 2001, f. 352. Shih dhe Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm., f. 29.
[23] Giovanni della Croce, Notte oscura, vep. e përm., f. 107.
[24] Giovanni della Croce, Notte oscura, vep. e përm., f. 128.
[25] Giovanni della Croce, Notte oscura, vep. e përm., f. 109.
[26] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm., 36.
[27] Giovanni della Croce, Notte oscura, vep. e përm., f. 131.
[28] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm. f. 33.
[29] Shën Augustini, Rrëfimet. Gjurmët e shpëtimit në dramën e jetës. Përktheu Çlirim Mukli. Plejad, Tiranë 2006, f. 239 – 240.
[30] Shën Augustini, Rrëfimet, vep. e përmendur, f. 327.
[31] Santa Teresa di Gesù Bambino. Storia di un’anima, vep. e përm., Shalom, 2000.
[32] Santa Teresa di Gesù Bambino. Storia di un’anima, vep. e përm., f. 354 – 355.
[33] Shih Padre Pio, Le mie preghiere. Paoline. Milano 2002 dhe San Giovanni della Croce, Opere (a cura di P. Ferdinando di S. Maria, OCD, Roma 2001.
[34] Ati Pio shkruan: “Zoti im, kam humbur / dhe të kam humbur / a thua do të rigjej? / Ndoshta të kam humbur / për gjithmonë? / Më ke dënuar / të jetoj për amshim larg fytyrës sate”. Padre Pio, Le mie preghiere, vep. e përm., f. 41.
“Ndjehem se po vdes, Zoti im! / e ju e shihni sesi shuhet kjo krijesë e dobët / që e tëra shkrihet për ju / ndërsa ju rrini indiferent / të ju thërras tiran, i ashpër? / Ahme! Ç’jam duke thënë!… / Më fal, o Zot, dashuria ime! / Jam jashtë vetvetes / dhe nuk di se çfarë them. / Ju më keni bërë, / të padurim, / ju më keni pushtuar, / ju m’i keni djegur të gjitha të brendshmet (rropullitë) / ju më keni futur në brendinë time / një lumë të zjarrtë”. Padre Pio, Le mie preghiere, vep. e përm., f. 42;
Mendime të ngjashme ati Pio ka shprehur dhe në tekstet e lutjeve të tjera; shih faqet: 15, 21-26, 29, 36, 39,41–42, 48–52, 77-78, 85-86, 89, 96, 99, 104.
[35] Saverio Gaeta, Andrea Tornelli, Padre Pio. L’ultimo sospetto. La verità sul frate delle stimmate”. Piemme, Casale Monferrato, 2008, f. 18. Shih në vazhdim deri në faqen 19.
[36] Saverio Gaeta, Andrea Tornelli, Padre Pio. L’ultimo sospetto. La verità sul frate delle stimmate”. Piemme, Casale Monferrato, 2008, f. 19.
[37] Shih Jozeph Ratzinger Benedetto XVI, Gesù di Nazaret. Edizione italiana a cura di Ingrid Stampa e Elio Guerriero. Rizzoli 2007, f. 381 – 390.
[38] Po sjell dy raste, që lidhen me Krishtin njeri.
I pari ka të bëj me dhembjen shpirtërore të Krishtit, kur mbërrin me nxënësit e vet në kopshtin e Gjetsemanit. Nërsa u thotë atyre të luten:
“Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej. E u tha:
‘Shpirtin ma kaploj një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!’
Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë për dhé e lutej: ‘Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti’(…)
Prapë shkoi të dytën herë e u lut:
‘Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej teje, u bëftë vullnesa jote!” (Mt 26, 37 – 42).
Rasti i dytë lidhet me fjalët e Jezu Krishtit në kryq, kur i drejtohet Atit krijues: “Eli, Eli! Lema sabakthani? Hyji im, Hyji im! Pse hoqe dorë prej meje” (Mt 27, 28).
[39] Jozeph Ratzinger Benedetto XVI, Gesùdi Nazaret, vep. e përmendur, f. 389 – 390. Nëse këtë dukuri e vështrojmë në rrafshin e besimit në Hyjin dhe të njohjes së tij, atëherë më duket me vend mendimi i papës Benedetit XVI: “Njohja e vërtetë e Zotit nënkupton njëjtësimin me Zotin, përkatësisht njësimin ontologjik me Zotin”. J. Ratzinger Benedetto XVI, Gesùdi Nazaret, vep. e përm. f. 390 dhe “Mirësia mund të vijë vetëm nga Ai, i cili edhe vetë është mirësia, e mira”. Po aty, f. 56.
[40] Duke folur për qenësinë e veprimit të Nënës Tereze, Indira Gandi theksonte: “Shërbimi (të shërbyerit) ishte detyra e saj, feja e saj, shpëtimi i saj. Ta njohësh Nënën Tereze domethënë ta pranosh përvujtërinë absolute dhe forcën për të dashuruar” dhe “Ishte një grua e vogël, po në të asgjë nuk ishte e vogël”. Cituar sipas Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm., f. 101.
[41] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 260.
[42] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm., f. 20.
[43] Vaticano – Il postulatore della causa di beatificazione di Madre Teresa. Padre Brian parla all’agenzia Fides. Cituar sipas http: /www. Fides.org/it/news.
[44] Padre Klodie – Madre Teresa. CremonaOnLine – Il portale della Carità. Cit. sipas http:/www.crol.cremona.it.
[45] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm. f. 28.
[46] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 121.
[47] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 278.
[48] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm. f. 26.
[49] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 234.
[50] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep. e përm., f. 37.
[51] Kjo të përkujton Të Bukurën e Dheut, e cila kur e kërkoi djaloshin e fshehur në mollën që e kishte në grusht, nuk e shihte, prandaj e humb kushtin.
[52] Madre Teresa, La mia regola. Fabbri editori. Sulla collana I clasici dello spirito. R. C. S. Libri S.p.A., Milano 1997, f. 26.
[53] Cituar sipas, Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano, 2003, f. 91. Shih origjinalin: La alegría de darse a los demás, a cura di José Luis Gonzáles Balado, Madrid (E) 1981, f. 147. Italisht, La gioia di darsi agli altri, Mondadori, Milano 1994.
[54] Mendim i atit Brian, Shih Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 157.
[55] Mendim i atit Brian, Shih Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 254.
[56] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 311.
[57] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 178.
[58] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 193.
[59] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 178.
[60] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 180.
[61] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 221.
[62] Shih letrën e Nënës Terze dërguar atit Van Exemit e 28 tetorit 1947.
[63] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 40.
[64] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 140.
Erresira shpirterore eshte e njejte me boshllekun shpirteror.
Tek njerezit vihet re shpesh, por ne pergjithesi kompensohet duke pire raki, vere, dhe duke u zberthyer ne qejfe dhe ne a dhe immoralitet, apo ne vetevrasje
Nene Tereza kete boshllek shpirteror apo siç e quan ajo erresire shpirterore u mundua ta mbaje ashtu duke u munduar ta plotesoje me lutje dhe u perqendrua me vullnetin e saj tek Zoti, ne menyre qe te mos binte ne a dhe i moralitet apo vetevrasje, siç ndodh rendom tek njerezit e zakonshem…
Komentet janë mbyllur.