Rreth thirrjes “Rrëmbeni armët”, kundër Ema Andreas!

0
992

Nga Mero Baze, TemA, 25 prill 2016.

Ema mos e merr seriozisht! E marr me mend se si ndihet një femër kur i thotë burri i Arminës ‘kurvë’, apo më keq akoma, kur i thotë shoku i Rafit, dragaxhie, por duhet ta injorosh këtë anë. Duhet ta injorosh, pasi nuk e kanë me ty. Në traditën e tyre, berishët kanë instiktet e zagarit, që bëhen disa qenë bashkë, për t’iu turrur dikujt që gjejnë vetëm. Dhe ti je përzgjedhur vetëm për këtë shkak.

Duke qenë se deri dje ke qenë e adhuruara e tyre, se sulmoje Edi Ramën, dhe Jozefina të ripostonte statuset kundër tij, sot të gjejnë të vetëm dhe të pambrojtur, as socialiste e as demokrate, dhe të sulmojnë.

Nuk është se janë vërtet të mërzitur me ty, mos i merr seriozisht. U duhet të mbajnë gjallë burrërinë e humbur të Berishës, pas thirrjes për armë edhe disa ditë sa të rikthehet në Kuvend.

Është tërësisht dramatike për ta, që thirrjes së tij për të rrëmbyer armët, jo vetëm që nuk iu përgjigj asnjë shqiptar, por e përbuzën të gjithë. Vetë njerëzit brenda Partisë Demokratike shtrënguan buzët dhe kafshuan gjuhën për të mos e fyer. Ai e kuptoi këtë dhe ka 5 ditë që bën sikur e ka kauzë reale dhe se nuk do të tërhiqet nga kjo edhe në ditët që vijnë.

Mos u shqetëso kur ta dëgjosh sërisht sonte në darkë, nesër në drekë, nesër në darkë, në statuse në Facebook, apo konferenca shtypi, duke bërë sikur e ka ide të stuktruar këtë rrëmbimin e armëve. Nuk e pranon dot që është konsideruar i vdekur nga shqiptarët dhe nuk e ka marrë askush seriozisht.

Ti e gëzove realisht se e more seriozisht, duke i thënë fashist.

Ti e bëre të ndjehet i gjallë. Ndaj tani e gjithë thirrja e Sali Berishës për rrëmbim armësh dhe kryengritje kundër qeverisë, ka degraduar në rrëmbim armësh kundër teje!

Liderit të dëshpëruar të Partisë Demokratike, nuk ju përgjigj askush, për rrëmbim armësh, përveç djalit të tij dhe të punësuarve të djalit nëpër portale, të cilët me sa duket, po përpiqen të shpjegojnë dështimin e thirjes së Berishës, me ty! Në një farë mënyre, u ke shpëtuar nderin. I ke përfillur!

Sot Partia Demokratike vendosi të bashkojë fatin e jetës parlamentare me fatin e Berishës dhe nuk do të shkojë në Kuvend. Këto ditë që ai mungon në Kuvend, do të jetë një fushatë e tij pro armatosjes së njerëzve. Dhe për këtë do t’i duhesh shumë. Do t’i duhesh, të reagosh, t’ia kthesh mbrapsht djalit të tij fyerjet, dhe të stërmundohesh e t’i shpejgosh, se ti e ke në parim dhe nuk e ke personale.

Mos thuaj asgjë nëse do ta çmendësh atë njeri. Lere të flasë këtë javë për armatosje, dhe “futje në vrimë të miut” të kundërshtarëve të tij.

Nuk e ka të lehtë! Fiton dhjetë ditë kohë më shumë nga shtyrja e reformës në drejtësi. Shpëton dhjetë ditë kohë nga dita kur do ti thotë “Jo” reformës dhe mund të hyjë në pistën e politikanëve të padëshiruar në kancelaritë perëndimore, që po investohen për reformën. Duke u marrë me ty, ai fiton dhjetë ditë kohë sa t’i kthehet djali dhe nusja nga plazhet luksoze të Malibu-së, dhe të jetë i sigurt, që i ka të gjithë rrotull. Fiton dhjetë ditë kohë, ta artikulojë dhe riartikulojë armatosjen, natyrisht të modifikuar tashmë si nismë ligjore, për të treguar se ka një ide të tij për këtë çështje.

Legjitimimi i marrëzive të tij, është ajo për të cilën ai harxhon më shumë energji. Për këtë arsye i duhet një armike si ty Ema.

I duhen dhjetë ditë kohë berishëve këtë javë, për të vazhduar dialogun me vetveten, dhe për të dalë nga spiralje e thirrjes për armatosje, përmes një debati ku duket sikur nuk janë tërhequr. Kjo është dhe arsyeja përse ata duan deomos dikë, me të cilën të debatojnë, që të duket sikur i kanë rrëmbyer armët, biles kanë edhe armiq në transhenë përballë tyre.

Por mos u fut në atë llogore. Nuk ka gjë më me humor në këtë qytet, se kjo situatë që po kalojmë, kur një dinosaur i politikës bënë thirrje për rrëmbim armësh dhe deklarata e një aktoreje e destablizon, duke detyruar të armatosë të gjithë Familjen dhe të punësuarit e saj, që të drejtojnë armët mbi atë. Le pastaj kur shqiptarët dëgjojnë që djali i tij fyen një femër, duke i thënë krv…. Kjo i çarmatos të gjithë! Rreth thirrjes “Rrëmbeni armët”, kundër Ema Andreas!