Botohet në gjuhën arabe romani i Ibrahim Kadriut “Përtej binarëve” – Romanin e botoi Faik Konica, Prishtinë 2015[1]
Me këtë rast po botojmë punimin e Muhamed Mufakut për romanin dhe një mendim të Anton Nikë Berishës për krijimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut.
Muhamed Mufaku
Në fillim të muajit tetor romancieri i njohur kosovar Ibrahim Kadriu e botoi romanin e tij më të ri ”Përtej binarëve”, që ishte edhe në stendën e Panairit të Librit në Tiranë , i cili konsiderohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në botën shqiptare, pasi që aty marrin pjesë shumë botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, të cilët edhe konkurrojnë për shpërblime që shpërndahen gjatë këtij manifestimi. Pasi jep një biografi të shkurtër të Ibrahim Kadriut dhe një pasqyrë për opusin e gjerë të krijimtarisë së tij, autori i vështrimit, Mufaku, rikujton edhe rrethanat në të cilat u ndodh vendi i autorit, Kosova, në periudhën pastitoiste dhe nën pushtimin e egër të Millosheviqit si dhe për periudhën pas çlirimit e pavarësisë së vendit. Në vazhdim ai shkruan:
Sa i përket romanit më të ri me titull “Përtej binarëve” mund të themi se ai është ndryshe nga të parët. Është roman që imponon realitetin e ri të krijuar jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin pas ndryshimeve të njëpasnjëshme me rënien e regjimeve komuniste dhe paraqitjen e euforisë nacionaliste deri në eufori të re fetare, me shfaqjen e militantëve ekstremistë islamikë të përkrahur nga jashtë, të cilët kishin “rrëmbyer” islamin tradicional, që e dallonte Ballkanin qe disa shekuj,
Romani merret me radikalizmin islamik me thirrje për “xhihad” dhe të rekrutojë të rinjtë për xhihad në shtetet e Leventit dhe të Irakut. Romani fillon me takimin e Emines me avokatin e saj, fqinj, që i rrëfen për rastet e reja të cilat nuk kishin ndodhur më parë në rrethin e tyre, duke treguar për një klient të akuzuar për vrasjen e babait të saj, i cili e kishte abuzuar seksualisht atë dhe motrën e saj; një rrëfim i rastit të incestit.
Pas këtij rrëfimi Emineja ndjen nevojën për t’u rehatuar; shkon për ta vizituar shoqen e saj Dafinën, e martuar me Agronin. Por edhe aty ndeshet me pakënaqësi, pasi ai nuk e lë vajzën e re të vazhdojë studimet universitare, duke insistuar që të mbetet në shtëpi dhe të mbulohet. Nga këtu fillon edhe vija dramatike e romanit për të shprehur atë se çfarë zhvillohet me shpejtësi në shoqërinë e re kosovare.
Traditat shqiptare, e cila është e bazuar në frymën e tolerancës dhe të mos ndarjes gjinore, është cilësuar madje edhe me martesa mes myslimanëve dhe krishterëve, tani po ndeshet me zëra të reja që apelojnë për “Islamin e vërtetë”, për mbulesën, mos përzierjen gjinore, thirrje për xhihad e deri te shkuarja për të luftuar në “tokat e xhihadit”, ne Siri dhe Irak. Kështu, ky ndryshim aq i furishëm u reflektua në dy dekadat e fundit, e në mënyra të veçantë pas luftimeve që po ndodhin në Siri . Në thelbin e romanit është protagonistja Dija, një emër domethënës që në gjuhën shqipe nënkupton antitezën e injorancës, e cila fillon kundërshtimin e babait për mbulesën duke e pyetur atë “ Si do të dukeshin veshjet shqiptare në tokat arabe, dhe a do të ishin pranuar ato për veshje?” .
Megjithatë, më tej thellohet edhe më shumë rezistenca e Dijes, pasi që babai në mënyrë kategorike ishte për mos shkuarjen në universitet, dhe për pranimin e fejesës me të zgjedhurin nga i ati i saj. Në të njëjtën kohë Dija njoftohet me Jonin, djaloshin e lagjes së saj, i cili ishte në përfundim të diplomimit për të shkuar në Vjenë në studime pasuniversitare. Gjatë kësaj kohe kishte lindur dashuria mes tyre. Takimi i parë mes tyre ishte në kafenenë, me befasinë e prezencës së babait të saj, i cili iu vërsul Jonit duke përfunduar me të shtëna armësh, dhe që të dy përfundojnë në spital. Me këto zhvillime ngjarjet në roman fillojnë të shpejtohen, deri te hapja e temës kryesore: thirrja e re për xhihad dhe rekrutimi i të rinjve për të shkuar në Siri dhe për të luftuar atje.
Me arritjen e policëve për ta kontrolluar shtëpinë e babait të Dijes, hasën në gjësende të dyshimta, si pasaporta shqiptarë, turke, armë irakiane, lista të personave të rekrutuar, etj. Kjo lë të kuptohet se babai i Dijes nuk ishte vetëm një librashitës në kioskën pranë xhamisë. Kjo dëshmohet pastaj në rrëfimin e tij në spital, kur i vjen bashkëshortja për vizitë, kështu që del hapur se ai kaherë ishte “udhëzuar” për angazhime të tilla dhe ishte anëtar i një grupit islamik për ta zbatuar ligjin Islam, të cilin e udhëhiqte një djalosh i një biznesmeni arab, të cilit i kishte premtuar se do ta martonte me vajzën e tij. Me këtë premtim paraqitet tani i riu Gasan Arabi (dhëndri), i cili e konsideronte Dijen si bashkëshorte të tij, pasi që i kishte premtuar babai i saj.
Me këtë romani merr një kahe me aksione, si në filma, pasi që ai e rrëmben Dijen dhe e nxjerr me dhunë për ta fshehur në periferi të qytetit, për ta bindur atë për fatin e “shkruar”, por ajo në momentin e fundit ik dhe nxiton ta takojë të dashurin në shtëpinë e tij, para se të vazhdonte shkuarjen në Vjenë… Përmes këtyre kapitujve romani përfshin skenat e nxitjes së të rinjve për në “xhihad”, duke zgjedhur rrugën ilegale përmes Shqipërisë, pastaj nga atje nëpër Turqi e deri te “shteti Islamik” në Siri, ku gjejnë një realitet krejtësisht të paparashikuar.
Prandaj, romani në disa kapituj paraqet traumat dhe vështirësitë e tyre deri te sakrifikimi për të shpëtuar nga toka e xhihadit, dhe për t’u kthyer në atdhe. Duket e qartë se romani është shkruar në dy vitet e fundit, pasi në Kosovë shtypi kishte plot lajme për grupe të reja xhihadiste në Kosovë, që arritën sukses me rekrutimin e dhjetëra të rinjve dhe të rejave për të shkuar në Siri në emër të “xhihadit” dhe rënien e shumë prej tyre në beteja, apo nën breshërinë e bombardimeve. Në bazë të kësaj kuptohet vlera e këtij romani, kur Kosova tani renditet në vendin e katërt në Evropë për sa i përket numrit të luftëtarëve të cilët janë në Siri.
Në roman bëhet fjalë për “islamin e ri”, i cili bie ndesh me islamin tradicional që njihet shekuj me radhë dhe duket “Përtej binarëve” të shumicës dërmuese të Kosovës. Mu për këtë ky romani i ri i Ibrahim Kadriut vlen të përkthehet në gjuhën arabe, pasi që ofron përvojën e pasur krijuese të tij në romane dhe, në anën tjetër, zbulon preokupimet e një shoqërie evropiane me shumicë myslimane dhe me ekstremizmin fetar, i cili e çon atë në të panjohurën.
ANTON NIKË BERISHA PËR VEPRIMTARINË LETRARE TË IBRAHIM KADRIUT:
Ibrahim Kadriu është i pranishëm në jetën tonë letrare e kulturore nga viti 1969, kur e botoi përmbledhjen e parë me poezi për të rritur “Netët e Karadakut[2]”. Nga ajo kohë e deri me sot, për një gjysmë qindvjetshi, ai u shqua si poet e prozator për fëmijë, poet e prozator për të rritur, autor i disa radio dramave (disa dhe të ekranizuara), pastaj i veprave të tjera monografike për figura të shquara të botës sonë si, fjala vjen, për Idriz Seferin, Agim Ramadanin, Ramiz Cërnicën, i veprave të karakterit humoristik, vëllimet me biseda me shkrimtarë e intelektualë të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, me titullin simbolik “Buzëqeshje miqsh” (gjithsej katër) si dhe me punën e gjatë si redaktor në faqet e kulturës së gazetave Rilindja, Bujku dhe Zëri.
Kur vështrohet në tërësinë e vet krijimtaria letrare e Ibrahim Kadriut nga viti 1969, dëshmohet një vijimësi e bashkëjetimit të autorit me letërsinë, qoftë kur krijoi veprat për fëmijë, qoftë për të rritur. Pra, krijimi i letërsisë përligj njëjtësimin e tij me veprat letrare si tekste shprehëse poetike, përmes të cilave jo vetëm shprehu botën dhe shpirtin e vet, po edhe krijoi një botë me vete, që u bë pjesë e jetës së tij, po, përmes leximit, edhe pjesë e tjetrit, e marrësit.
Ibrahim Kadriu nuk krijoi struktura të ndërliqshme poetike shprehëse, siç ngjet, fjala vjen, me disa poezi të Martin Camajt, të Azem Shkrelit ose të Frederik Rreshpjes (shih vëllimin “Era përkund pikëllimin e luleve[3]”) ose me tregimet e Anton Pashkut, të romanit “Oh” ose të dramave të tij, që për të komunikuar kërkojnë përkushtim e dije shumë më të madhe për artin e fjalës dhe veçantitë e tij nga lexuesi, po asnjëherë nuk e harroi një fakt të rëndësishëm: nevojën e komunikimit sa më gjallërik të krijesës së tij letrare me marrësin, me lexuesin e saj dhe ndikimin në të. Kadriu i jep përparësi rrëfimit të natyrshëm e të rëndomtë, që me lehtësi dhe natyrshëm pëlqehet dhe përfillet nga lexuesi dhe ndikon më drejtpërdrejtë në të. Nëse një vepër letrare nuk bën ndikimin e saj në marrësin, atëherë vlera e saj mbetet e kufizuar dhe, të themi, e vdekur.
R E F E R E N C A:
[1] Vështrimi u botua në shtojcën mujore për libra, që e nxjerr gazeta prestigjioze “Al-Arabi al-xhadid” me seli në Londër.
[2] Ibrahim Kadriu, Netët e Karadakut. Poezi. “Rilindja”, Prishtinë 1969.
[3] Frederik Rreshpja, Era përkund pikëllimin e luleve. Poezi. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, “Beqir Musliu”, Gjilan 2018.