RRETH ROMANIT “LIGATNA” TË MUSA RAMADANIT

0
575
Musa Ramadani

Në vend të In memoriam

(Gjakimi për gjakmarrje – asgjësim i vetvetes)

Anton Nikë Berisha

Romani voluminoz i Musa Ramadanit Ligatina është dëshmi e prirjes dhe e suksesit të autorit për kultivimin e këtij zhanri letrar, por edhe e zhvillimit të prozës sonë në përgjithësi. Në të autori trajton një varg dukurish, të para e të shqiptuara nga disa aspekte, që nënkupton faktin se vepra nuk është realizuar mbi bazën e konceptit të romanit tradicional, ku zakonisht trajtohet një ide-temë parësore, të cilën, në disa rrafshe e mënyra, e plotësojnë elementet e tjera përbërëse të krijimit letrar artistik. Brenda një vargu çështjesh që kanë të bëjnë me dilemat e njerëzve, me pësimin, me shqetësimin, me frikën, me isharetet e këqija, sikur do të thotë autori, një ndjenjë pasigurie që del prej legjendës, përkatësisht prej mitit të ujit të Banjës etj., trajtohet fenomeni i gjakmarrjes në tëhuejsimin e individit, mëdyshjet dhe lufta e tij me vetveten, asgjësimi i tij i plotë. Çështja nuk është shqyrtuar si fenomen i përgjithshëm shoqëror, por si përjetim dhe manifestim i individit.

Raporti: dukuria – individi

Dukurinë e gjakmarrjes autori e trajton brenda botës së individit, në rastin konkret nëpërmjet kryepersonazhit Abaz Gurit, i cili kishte mërguar në Turqi, por kthehet në vendlindje, në Gjilan, për të marrë gjakun e babait. Kthimin e tij e shkakton zëri i vijueshëm, kryeneç, i gjakut dhe i gjakmarrjes që kishte ngadhënjyer në qenien e tij dhe, thënë metaforikisht, e çonte gjithandej. Vendimi i tij që të kthehet në të parë duket i çuditshëm, sepse në vendlindje ai nuk njeh askënd, as vetë gjakësin, sikur që atë nuk e njeh asnjëri. Gjakimi i tij për t’u hakmarrë, për ta vrarë gjakësin e babait, kishte filluar, sikur u tha, shumë më herët, por kthimi në vendlindje i jep atij një përmasë më të gjerë, gjakimi bëhet më gjallërik, më i jetësishëm. Të jetuarit midis njerëzve të vendlindjes së vet, ku mund të ishte edhe dorasi i babait, e thellon A. Gurin në domosdonë e vrasjes, e gjakmarrjes, por po me aq intensitet dhe forcë ndikon në asgjësimin e vetvetes. Në këtë rrafsh zëri i vrasjes bëhet më i zëshëm, më këmbëngulës se zëri i  ndërgjegjes. Secili njeri, secila situatë në Hanin e Usta Hasanit, gjatë lëvizjeve të tij Han-qytet, shkakton forcimin e ndjenjës për hakmarrje, ndjenjë e cila shkallë – shkallë e pushton të tërin. Në këtë pushtim shkojnë e lindin dilema të jashtëzakonshme; përsiatje të pafund; dialogë të menduar me njerëz e më së shumti me vetveten. Tek e fundit, me kënd kishte të bisedonte ai kur nuk njihte njeri dhe nuk komunikonte me askënd. Ai e ndien thellësisht peshën e gjakmarrjes dhe më së shumti komunikon me vetveten dhe kjo bëhet përbërësi kryesor i ekzistencës së tij në një frymëmarrje të ankthit e të frikës për gjakmarrje, por edhe të domosdosë që ta kryejë atë, qoftë edhe duke e pësuar, duke u asgjësuar edhe vetë, çka edhe ndodh në fund.

Abaz Guri është krejtësisht me veten, me vetminë e tij, të cilën ia trazojnë dhe ia thellojnë njerëzit, ngjarjet, veprimet e të tjerëve. Edhe pjesët e trupit të njerëzve, si fjala vjen duart, hunda etj., e kredhin në shkatërrimin e ngadalshëm, që përherë merr intensitet të ri. Abaz Guri është njeri pasiv sa i përket veprimit me të tjerët e ndaj tyre, por është shumë aktiv në aktivizimin e vegimeve për gjakmarrjen, e shumëfishimit të ankthit e të asgjësimit vetjak.

Degëzimi i rrëfimit

Shpalimin e botës komplekse të Abaz Gurit, luftën e tij para së gjithash me vetveten, e kushtëzojnë, sikur u tha, ngjarjet dhe dukuritë që e cilësojnë jetën e qytetit të Gjilanit, përkatësisht e njerëzve të kësaj treve. Kjo shprehet nëpërmjet shenjave të këqija, shqetësimeve të ndryshme, një ankthi ndaj insekteve e legjendës së ujit të Banjës, përkatësisht mitit që ishte krijuar për të (si rrezik dhe kanosje e ekzistencës) e sidomos ligatinës që është aq ngushtë e lidhur me njerëzit dhe kushtëzon fatin e tyre (vijimisht ata shpërngulën etj.).

Për t’i shqiptuar dukuritë e këtillë, jetën në sinkroninë e saj (herë-herë nëpërmjet rrëfimeve e përsiatjeve edhe në diakroni) Musa Ramadani ka përdorur një sistem të caktuar të rrëfimit, të strategjisë rrëfimore.

Objekti i vështruar në roman realizohet nëpërmjet disa shtresave të rrëfimit. Para së gjithash dallohet shtresa që rrëfehet në veten e parë nga Abaz Guri, që u prin gjashtë pjesëve të romanit. Kjo shtresë shërben si hyrje për të depërtuar më përafër në shqetësimet shpirtërore të vetë krye protagonistit, por edhe për t’i qartësuar, fiksuar e thelluar dhe çështje të tjera që degëzohen në roman. Autori e përqendron vëmendjen në këto faza të gjakimit të Abaz Gurit për gjakmarrje, kur pyet: A do ta takoj?, Ku do ta takoj?, Si do ta takoj?, Pse do ta takoj?, Nëse (fare s’e takoj?, Çka, kënd, cilin ta takoj?

Mirëpo, objekti i romanit realizohet po aq nëpërmjet kaptinave A, B, C, Ç, D, DH, E, vazhdon me gjashtë shenja të këqija, pjesëve të ndara më yllëz si dhe me pjesë të tjera të cilat Abazi i kishte dëgjuar apo i dëgjon rastësisht.

Nga kjo që theksova del se rrëfimi është realizuar në disa aspekte e rrafshe, është degëzuar në disa drejtime dhe është realizuar në formën e mozaikut që në qenësinë e vet synon tërësinë. Kjo nënkupton faktin se vepra është ndërtuar mbi konceptin e romanit modern.

Ndërtimi i detajit dhe i situatës

Vështrimin e fenomenit të gjakmarrjes brenda botës individuale Musa Ramadani nuk e ka bërë rastësisht. Duke e vrojtuar këtë te individi, ai ka synuar të shqiptojë problemin në një rrafsh mbi (jashtë) individual. Po kështu ka vepruar edhe me shqiptimin e dukurive të tjera. Detajet, rastet, situatat bëhen objekt i rrëfimit të tij. Me një stil të formuar, me shumë elemente origjinale, ky autor dëshmon se është mjeshtër i krijimit, i përshkrimit të situatave e sidomos i krijimit të detajit. Dhe – nuk është i pavend mendimi se Musa Ramadani duke u nisur nga detaji, nga situata, shqipton të përgjithshmen. Në të vërtetë, prej të veçantës synon përgjithësimin. Idenë e rrëfyer nuk ia imponon lexuesit, por ajo del dhe nënkuptohet nga vetë përshkrimi i situatës, nga krijimi dhe theksimi i gjithë kompleksitetit të detajit. Një qasje dhe vrojtim i këtillë ka bërë që çështjet të mos trajtohen në vijën e përgjithshme, por të nënkuptohen. Këtu, mendoj, qëndron një pjesë e origjinalitetit të këtij romani.

Pasuria leksikore

Për t’i ndërtuar situatat, tablotë, detajet, për t’i përshkruar ato autori përdorur një gjuhë mjaft të pasur, që i ka mundësuar që situatat, tablotë, detajet të dalin më të plota, më funksionale: shumësia kuptimore që del nga struktura tekstore të jetë më unike dhe me intensitet më të madh ndikues. Gjuha e pasur ka mundësuar që të depërtohet thellë në botën e shqetësuar e komplekse të Abaz Gurit, të shpalohen edhe dyshimet më intime të pezullimit, lëkundjeve shpirtërore të këtij protagonisti, i cili duke gjakuar të hakmerret, ta marrë gjakun e babait në qenësi e asgjëson veten, hakmerret ndaj vetvetes. Gjuha e tillë i ka mundësuar autorit edhe t’i tipizojë situatat, detajet, çastet dhe episodet e ndryshme që lidhen me reaksionet dhe shqetësimet që shkaktohen në shpirtin e Abaz Gurit, qoftë kur është krejtësisht i vetmuar, qoftë kur kalon (prapë i vetmuar) pranë njerëzve dhe çdo lëvizje, vështrim, pjesë e trupit etj., ia shumëfishon shqetësimet dhe e kredh në dilema të pafundta, në një botë të parrugëdalje.

Në këtë roman autori përdor një mori fjalësh që përdoren rrallë ose nuk përdoren fare në prozën tonë, gjë që është dëshmi e përimtimit të leksikut dhe e përkushtimit krijues të tij. Krahas kësaj Ramadani përdor dhe një frazeologji të pasur të gjuhës së folur, gjë që, bashkë me leksikun, veprës i jep një vlerë të veçantë.

Përkundër cilësive që i përmendem deri më tash romani Ligatina mund t’i bëhen disa vërejtje. Para së gjithash duhet theksuar se autori shpesh e ngarkon fjalinë; në qenësinë e vet kuptimore dhe funksionale (në strukturën tekstore) ajo përligj përherë ndjeshmërinë poetike, e cila do të shkaktonte një kontekst më të pasur poetik. Fjalia sikur synon të shqiptojë mendimin krejtësisht. Herë-herë sikur teprohet në theksimin e situatave e detajeve, që nuk paraqesin diçka të qenësishme, nuk kanë ndonjë funksion të veçantë, qoftë brenda shpalimit të dilemave shpirtërore të Abaz Gurit, qoftë të shqiptimit të totalitetit të jetës që synohet të jepet në këtë roman përmes pjesëve që mbarojnë me një P. S.,  ku thuhet se “Këtë bisedë A. Guri e kishte dëgjuar…” edhe pse ajo nuk është bisedë, pra nuk është krejt dialog, por është diçka më shumë se dialogu nuk më duken të qëlluara dhe funksionale. Po ashtu, ndërprerja e shpeshtë e rrëfimit për të kaluar në një rrëfim tjetër dëshmon atë që u tha. Edhe ndonjë çështje konceptuale të vë në dyshim: Abaz Guri, do të pohojë se vrasësin e vet do ta ketë parë te shumë vetë: te njëri sytë, te tjetri veshët, te tjetri hundën… te i dhjeti ndoshta gojën, sikur të gjithë janë vrasës (!). Ndoshta kjo duhet të lidhet me ankthin, asgjësimin shpirtëror të krye personazhit të kësaj vepre.

Duke e parë romanin Ligatina si tërësi pohojmë se ai është dëshmi e aftësisë dhe e përkushtimit krijues të Musa Ramadanit.