Rreth librit voluminoz “Dibra, zemra e Kombit” të autorit Hysen Dervishi

0
397
Dibra - Zemra e kombit

Çast gjatë promovimit të librit “Dibra, zemra e Kombit” të autorit Hysen Dervishi në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë

Një shpalim historik, analitik dhe investigues i ngjarjeve dhe figurave më në zë të botës dibrane

Nga Dukagjin HATA

Me emrin e Hysen Dervishit lidhen studime dhe kërkime përkushtuese e shteruese në fushën e mendimit dibran e shqiptar, ide, qasje dhe refleksione që lidhen me figura emblematike të kujtesës dibrane e shqiptare, shqyrtime historiko-analitike dhe investigime, që në komplesk e krijojnë dhe dimensionojnë të plotë një vepër krijuese, që tenton të konfigurojë një areal të mbetur deri dje në hije të të vërtetave të thëna nën zë, por që tashmë përcillen nën një projeksion dhe optikë të re pasqyrimi.

Falë një pasioni dhe këmbëngulje unike, shoqëruar me njohje të thellë e të kompletuar të “lëndës së parë” që bën objekt kërkimi, Dervishi përcjell tek lexuesi modele studimore që janë gurë kilometrikë në memoristikën kolektive dibrane e më gjërë, rreth të cilës vërtitet pena e tij e hollë dhe e mprehtë.

Në arealin e emrave të autorëve dhe librave të tyre memoristikë, që përfshihen në zhanrin e letërisë dokumentare, qëndron denjësisht emri i Hysen Dervishit dhe libri i tij “Dibra zemra e Kombit”.

Është një libër i shkruar, nëse përdorim një njësi frazeologjike popullore, “me lëkurë”, me një gravitet emocional të veçantë, që do të thotë se autori e ka përjetuar realisht dhe emocionalisht çdo fjalë dhe frazë dhe pas një site të hollë të ngjarjeve dhe personaliteteve, që duket se parakalojnë në memorien e tij, depërton të palcën e të ndodhurave të botës dibrane dhe figurave më përfaqësuese të Dibrës në të gjitha kohërat.

Pas librit “Krenaria”, pritur ngrohtë nga lexuesi dhe qarqet letrare, autori vjen me këtë libër voluminoz, ku shpaloset madhërishëm historia dibrane, ndodhi të bujshme, kohë dhe epoka qëndrestare e të trazuara, madhështia e shpirtit kolektiv dibran, urtia, bujaria, mendjemprehtësia, modele fundamentale që shpalosen në luftë e në paqë, në të mirë e në të keq, arkitipi genetik i një treve me rrënjë të ngulitura fort në histori dhe në përditshmëri.

Shkrimtari Hysen Dervishi, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikologjisë dhe shpirtit dibran, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli me rrënjë të ngulura thellë në histori, i cili e shkroi sagën e fiseve krenare e të panështruara ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare.

Në këtë libër mjaft interesant, bota dibrane lëviz në tredimensionalitetin e kohës, në ato ura të kujtesës shqiptare, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për tek pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të njohur për qëndresën dhe mençurinë, për degët dhe rrënjët në gen sojnik e fisnik, për të djeshmen dhe të sotmen.

Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë dhe plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, portretizimi dhe analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i historianit përzihet me tharmin estetik të shkrimtarit, Hysen Dervishi na sjell në këtë libër një përcjellje dinjitoze të historisë dibrane, në pikat e saj më kulmore për fatet e veta dhe të shqiptarisë.

Udhëtimi i Hysen Dervishit në analet e botës dibrane është një udhëtim virtual, ku mplekset fakti dhe detaji historik me impersionin e autorit, gjeopolitika dibrane me atë kombëtare, narracioni zhbirues dhe zbulues përmes detajeve të gjetura me reflektimin shterues rreth të ndodhurave, fakteve historike dhe figurave me të cilat na i sjell të lidhura ata shkrimtari.

Me një stil, siç thamë të zhdërvjellët dhe kolorit të pasur gjuhësor, ku gërshetohet fakti dhe analiza, induksioni dhe deduksioni, përshkrimi dhe investigimi historik, portreti etj., autori trajton pamje të thyera të historisë dibrane, individë dhe kontribute, që tashmë e kanë kaluar provën e kohës dhe janë kthyer në etalone vlerash për dje, për sot dhe nesër.

Si një njohës virtuoz i psikolgjisë së thellësive dibrane, i historisë dibrane dhe individëve që me bëmat e tyre atdhetare kanë bërë epokë dhe janë identifikuar me pjesën më vezulluese dhe më të ndritshme të vlerave gjithëkohore të shqiptarisë, autori na jep një gamë të gjërë e të larmishme pamjesh dhe reflektimesh, ngjarjesh dhe personazhesh, që janë bërë njësh me kohën e tyre, si interpretë të së drejtës zakonore dhe shpirtit kolektiv të një treve të njohur për besë e mençuri, guxim e trimëri, e cila ka qenë në të gjitha kohët në ballë të aksionit kombëtar për liri dhe dinjitet shoqëror.

Që nga personazhet emblematikë të luftërave antiturke, antiserbe, gjer tek modelet e rezistencës antifashiste në valët e Luftës së Dytë Botërore, pa përjashtuar hapësirën mjaft të trazuar të gjysëmshekullit të kohës së socializmit, në këtë libër parakalojnë emra të shquar të historisë dibrane, ushtarakë, komandantë legjendarë, politikanë mendjehollë, prijës popullorë, gjeneralë, misionarë pajtimi, shkrimtarë, artistë, ministra, deputetë, mësues, agronomë, kooperativistë, profesionistë të fushave të ndryshme, që janë ngritur mbi sinoret e të zakonshmes, duke u bërë mëshirues të mendësisë më të përparuar dibrane e kombëtare, në një epokë dyzimesh dhe trazimesh të mëdha.

Që nga kryeikona e qëndresës dibrane, shqiptare dhe evropiane Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tek Qemal Ataturku, Ahmet Zogu, Iliaz Pashë Dibra, Elez Isufi, Dine Hoxha, Tafë Kaziu, Haki Stërmilli, Haxhi Lleshi, Ahmet Cami, tek akademikët, profesorët, gazetarët, artistët, njerëzit e shquar të shkencës dhe letrave, Prof. Dr. Luan Hajdaraga, Prof. Dr. Bujar Kapexhiu, Prof. Dr. Fehmi Abdiu, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Dr. Petrit bara, Prof. Dr. Qemal Disha, Naim Plaku, Arif Vladi, Lirie Rasha, Skënder Cala, Edmond Zhulali, Përparim Tomçini, etj,etj, përmes detajeve të holla dhe të gjetura jepet dimensioni atdhetar, kulturor, shpirtëror dhe artistik i këtyre figurave, që secili më vete dhe të gjithë së bashku përbëjnë majën e lartë të krenarisë dibrane dhe shqiptare.

Njohja e thellë e traditave dhe zakoneve dibrane, përvetësimi i filozofisë së odave dibrane, ku muhabeti bëhet me rrotulla dhe “prit e kthe”, e ka çuar autorin në kërkimin dhe modelimin e një gjuhe fine dhe të koncentruar bindshëm në stilema të forta përcjellëse dhe mesazhuese, duke bërë që në libër të mos mungojnë parabolat, aludimet, nëntekstet e holla të një gjuhe fine e të përpunuar me kujdes, që na paraqitet në trajtën e ajzbergut.

Duket se aparati metodologjik dhe shqyrtues i fakteve dhe të dhënave, të bazuara në burime gojore e arkivore, në këngët dhe trshëgiminë tjetër të vlerave të etnosit kolektiv, shoqëruar kjo me sharmin publicistik dhe letrar, që e karkterizon autorin në shkrimtarinë e tij, e bëjnë librin të lexueshëm me një frymë dhe me kërshërinë e ndezur për çdo ngjarje e figurë, që gjen pasqyrim në faqet e tij.

Libri “Dibra zemra e Kombit” i autorit Hysen Dervishi është një libër që mungonte në tavolinat e punës së studiuesve dibranë dhe më gjërë, një enciklopedi e figurave dhe ngjarjeve më në zë të botës dibrane, një shpalim historik, analitik, investigues, në një shtrirje të gjërë të kohë-hapësirës shqyrtuese, analitike, krahasuese e ballafaquese, të një qasjeje të re të mendimit historik, të çliruar nga diktatet politike dhe autoçensura, e cila pas çlirimit të letrave nga çensura e dikurshme, shfaqet tek mjaft shkrimtarë si një autosugjestion i ardhur nga ajo që Karl Gustav Jung e quante “nënëvetëdija e harruar”.

Ky libër lypset të jetë një libër tavoline për dibranët, sidomos për shkrimtarët, historianët dhe mendimtarët dibranë, të cilët do të gjejnë në faqet e tij të shkruara me vërtetësi, dashuri dhe emocion, të vërteta të njohura, pak të njoura ose të panjohura, që janë shkruar me zemër në dorë nga një shkrimtar me sqimë, një njohës shijehollë i historisë dhe mendësisë kolektive dibrane.