RRËNUES TË MITIT APO RRËNUES TË KOMBIT?

0
676

Pyetje për një katolik dhe një ortodoks që Gjergj Kastriotin e quajnë mit komunist

Nga KOLEC TRABOINIhttp://traboini1.blogspot.al/

Debatet e mia për qëndrimin meskin ndaj Gjergj Kastriotit nuk i bëj vetëm me vëllezërit e mi shqiptarë myslimanë, por edhe me ata që janë katolikë apo edhe ato ortodoksë si Fatos Lubonja, por që ndajnë mes vetës të njëjtin qëndrim e mendim nihilist e mohues. Kur lexon shkrimet e mendimet e këtyre vetëshpallurve anti-kastriot, të duket sikur lavdia e historisë ua ha barkun. Ose nuk kanë tjetër me se merren dhe u gjet sebepi për të rrëzuar jetën e veprën e Gjergj Kastriotit nën pretekstin absurd të rrëzimit të Mitit, të vetmit figure kombëtare gjithë evropiane që kanë shqiptarët e pa të cilin del të jemi popull nomad ashtu siç duan të na quajnë armiqtë e djeshëm e të sotëm apo dhe të nesërm të Shqipërisë.

Ca e ndërtojnë imazhin e vet duke ndërtuar, po ja që paska edhe nga ata që duke mos pas prirje ndërtuese, mesa duket u lëshohen kazmës për të rrënuar bazamente monumentesh që njerëzit kanë ngritur në nderim të historisë por edhe të vetvetes.

Ky kor i përzishëm ndaj një monumenti në sheshe e në zemrat e shqiptarëve, edhe mua si shumë të tjerëve më irriton, ndaj gjej rast ti përgjigjem kësaj motre shqiptare katolike shkodrane J. L. që mjerisht ndan të njëjtin mendim degradues me rrënuesit e “miteve”. Do të flas hapur, se e vërteta mund të jetë e ashpër por kurrë nuk bën dëm.

Nuk bën të shkruhet apriori me një retorikë të zbërdhultë, si një mulli që bluan pa pasur një kokërr misër në mokërr. Gjergj Kastriotin moj zonje e nderuar shqiptare katolike shkodrane, ndaj të cilit anti-kastriotët shfryjnë si çyryk vapori me avull të shekullit të 19, nuk e krijoj retorika komuniste, siç ju e citoni duke ja faturuar lavdinë e Gjergj Kastriotit diktatorit Enver Hoxha. Kjo është si të flasësh përçart. Gjergj Kastriotin, ende pa lindur diktatori Enver Hoxha, madje 4 shekuj para se të lindte ai, e krijoj nevoja historike për tu mbrojtur e për të përballuar hordhitë barbare të lindjes që po i shkretonin tokat arbërore, burrat i vrisnin, gratë i bënin robinja, vajzat pasi i përdhunonin i fusnin në haremet e veta ose i shisnin, ndërsa djemtë kush qe mbi 14 u pritej koka dhe kush qe më i vogël dërgohej në kampe për tu bërë mish për top në ushtrinë turko-osmane.

A keni lexuar “Rrethimin e Shkodrës” të madhit Marin Barleti. 300 djemve të rinj luftëtarë të Drishtit që ju dorëzuan në besë ushtrisë turko osmane( besë karakteristike turko-osmane kjo), ju pre koka në një ditë përpara mureve të kështjellës së Rozafës. “300 djemve luftëtarë të Drishtit që dorëzuan në besë, ua prenë kokat një e nga një, për tmerr e turp të tyre” shkruan Barleti për pabesinë e pushtuesve. Po edhe kjo masakër gjaku është një mit. Po edhe në qoftë ashtu, është një mit me gjak shqiptari. A keni dëgjuar për jeniçerët. Nuk e di sa e si e lexoni historinë, por jemi të detyruar, pa bërë leksion të mërzitshëm, tu themi se heronjtë i krijon së pari koha në të cilën jetojnë e më pas vjen jehona.

Dhe pas bëmave të mëdha që stepën Evropën në rrezik prej hordhive turko-osmane, figura e Gjergj Kastriotit u krijua ndër bashkëkohësit e vet, por edhe në Evropë duke e konsideruar heroin më të lavdishëm të shekullit te XV. Dhe kishte emra të mëdhenj historik Arbëria në atë kohë; Lek e Nikoll Dukagjini, Lek Dushmani, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Teodor Muzaka, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani e të tjerë të cilët tashmë më të vërtetë të duken si mite e legjenda, por kanë qenë persona real dhe bëmat e tyre në histori janë të mëdha.

Gjergj Kastrioti si burri më i shquar në Arbëri dhe aq shumë mori emër sa edhe vetë sulltanët e kishin goditje psikologjike e ankth ekzistencën e rezistencën e tij. Ky nuk është mit. Ky është realiteti atij shekulli. Miti do të vinte më pas ashtu si trimave që pasi bëjnë trimëri u thurin këngë. Dhe këngëtarët popullorë padyshim janë në të drejtën e tyre të lavdërojnë bëmat e heronjve të popullit të vet. Ndër të gjitha kombet bëhet kështu e jo vetëm tek ne. Merr Simon Bolivarin në Amerikën Latine. Është krijuar edhe një shtet me emrin e tij. Bolivari është kthyer në një mit që askush nuk guxon ta nëpërkëmbin e çmitizojnë sepse e linçojnë publikisht. Ne as kemi qenë e as jemi në këtë gjendje. Përkundrazi kemi arritur deri në atë stad “përparimi” në degradimin të figurave që përbëjnë shenjën më të fortë të identitetit kombëtar sa e përdhosim të vetmen figurë kombëtare të njohur ndërkombëtarisht si shpëtuesi i Evropës. Dhe motivohemi sikur po e objektivizojmë historinë, siç bën mjerisht Fatos Lubonja, një analist për të cilin kam respekt, por që kalon në absurd në këtë rast se i duket se është specialist edhe për skënderbejadën, të cilën mendon se mund ta shkërmoqë si mit i vjetër e dalë kohe. Nuk guxon njeri ta pyes sepse të quan analfabet i historisë nga që nuk kemi tejqyrën e tij.

Por le të ndalojmë pak në këtë përqasje të mbrapsht ndaj fenomenit Gjergj Kastrioti. Të shohim se përse një realitet historik mori përmasat e legjendës. Dhe kur. Pas 5 shekuj që ishte harruar nga populli i mbetur i shtypur e në errësirën e mosdijen që mbolli dhunshëm pushtimi osman. E më tej nevoja për të krijuar një shtet të pavarur të shqiptarëve e bëri të natyrshme të gërmohet në histori dhe të rikrijohet figura e tij me aq fakte sa kishin. Por prapë si në rastin e parë në viti 1444 e deri në 1468 kur vdiq, ishte nevoja historike për atë, ndaj dhe u konsiderua si një mit ani pse ai ishte histori e vërtetë. Edhe intelektualët e shquar evropianë e pranuan rikrijimin e figurës historike dhe në saj të këtij “miti”, që i bezdis aq shumë nihilistët e historisë kohës së trishtuar të Oliver Jens Schmitt, një historian kafenesh, u arrit të bindeshin qarqet diplomatike evropiane që të kishte një shtet të shqiptarëve të Gjergj Kastriotit.

Është e sigurt se pa atë “mitin” e atij që sot po e konsiderojnë të papranueshëm dhe duan ta shprishin si plaka leshtë në gërhanë, nuk do të kishte sot një shtet shqiptar, as Kosovë nuk do të kishte dhe shqiptarët do të tjetërsoheshin me dhunë e vrasje siç bënë serbët dhe grekët në shekullin e XX. Me mit pa mit ai ishte një realitet historik, betejat i ka kryer, nuk i mohon dot as zvicerani Oliver Jens Schmitt, as orthodoksi Fatos Lubonja, as katolikja J. L., aq më tepër radikalët islamikë. Por gjithsesi rilindësit tanë dinin çfarë po bënin, nuk kishin këtë mendjen tonë “të ndritur” që dimë vetëm të rrëzojmë e jo të krijojmë. Rilindësit e thirrën nga mesjeta apo e rikrijuan nuk ka rëndësi, por qëllimi ishte për të zgjuar këtë popull që flinte nën injorancën osmane, pra e bënë veprën e figurën e Gjergj Kastriotit si një pishtar për të parë udhën e lirisë.

Pa ndriçimin e mendjes dhe krijimin e shpresës nuk mund të bëhej asgjë. Natyrisht se ka gloria, por prapë se prapë është glorifikim i ngjarjeve shkuara për nevoja historike të kohës. Siç më lart e përmendëm kështu kanë bërë të gjithë popujt, francezët, amerikanët, anglezët me dhjetëra figura të tilla në historitë e tyre. Ne kemi vetëm një e duam ta shkërmoqim në emër të ca egove apo të revansheve fetare të atyre që janë pre e fanatizmit e padijes. Të kesh një hero kombëtar nuk është dëshirë apo ego individuale, është aspiratë kolektive, është shprehje e dëshirës për një indentitet të fortë përfaqësues. Shumë qytetarë amerikanë as që dinë ku bie Shqipëria, pyesin ku bie, e u themi diku në mes të Greqisë dhe të Italisë, të cilat i njohin se grekët kanë madhështinë e lashtësisë, italianët shkëlqimin romak dhe Garibaldin por kanë edhe Verdin. Dhe ata, amerikanët pra, thonë ahaaa… sikur të thoshin nuk e dimë dhe kaq. Por, po tu përmëndësh e kujtosh se një nga poetët më të mëdhenj amerikanë, me shtatore në Washington DC dhe në Boston, Henry Wadsworth Longfellow, ka bërë një libër poemë për Skënderbeun ata ndjejnë afinitet dhe realizojnë njohjen.

Tani u dashka, sipas ca mendjeve shqiptare, të rrëmbejmë kazmën e ta shkërmoqim mitin se ky po na penguaka për të hyrë në suazën e perandorisë së re neo-osmane që po piketohet prej mendjeve të mykura në Ballkan.

Lavdia e Gjergj Kastriotit nuk ka si të jetë një mit i komunizmit të Enver Hoxhës, siç e cilëson zonja katolike shkodrane J. L., apo siç elaboron Fatos Lubonja me skepticizmin e tij karakteristik në intervista që hyjnë si pykë në mes të lajmeve në News 24 e ku pyetja ju bë për Gudarët e Krokutët e Akademisë së mykur të Shkencave, ku ai nuk gjen asnjë vërejtje e kalon tek miti i Gjergj Kastriotit që u dashka zhbërë. Apo ekzemplari tjetër Kreshnik Çollaku, eksponenti i seksioneve të partisë demokratike që komenton nëpër media sociale si të ishte një riosh fanatik fetar, apo duke shkuar me tej siç do ta paraqesë Gjergj Kastriotin banda e injorantëve të terrinës fetare neo-osmane në jazëk portalin “Impakt”.

Ju pëlqen apo jo këtyre apo atyre, me ose pa mit, i madhërishmi Gjergj Kastrioti, aty është, në histori, e do mbetet edhe kur tërë batalioni i kazmaxhinjëve apo mendje kandarëve e tërë handraku i këtij vendi do të shkojnë në amshim. Kot lodheni. Ai e ka fituar betejën mbi invadorët e Atdheut të tij, por do ta fitojë edhe betejën historike mbi të gjithë ata që hedhin baltë mbi gur mbi fytyrën e tij të ndritur në histori, gurë themel të kombit shqiptar. Të jeni të sigurtë që do ta fitojë edhe betejën me kazmaxhijtë.

Hani sa të doni fara kungulli kur nxirrni qentë në shëtitje. Ai atje është. Në kohë me diell e kohë me shi. Në ngrica e furtunë. Nuk pyet as për rrufe e bubullima. Kur të tjerët struken ai aty qëndron. Madhështor si ai. Dhe do të jetë në jetë të jetëve.

Pas pyetjes që i kam bërë hierarkisë (e jo individëve) të komunitetit mysliman lidhur me qëndrimin rreth Gjergj Kastriotit, shtroj pyetjen edhe përpara atyre që i përkasin religjioneve të tjera e që merren po aq ligsht me heroin kombëtar të shqiptarëve: Është koha të deklaroni, jeni rrënues të mitit apo rrënues të kombit?!

6 shtator 2017