Rrënjët e Gjakut, poezi ng Isuf Heba

0
702
Isuf Heba - Rrënjët e gjakut

ISUF HEBA

Ti e madhërove këtë vend…
E deshe si nëna djalin
E i këndove aq hijshëm,
Aq ëmbëlsisht
Sa kënga u bë strehë
E gjakut që s’piksej në shkëmb.

Rrënjët e gjakut

Poemë

I.
O At i shenjtë, i nderuar!
I nderuar se më nderove,
Kur plase siç plas gështenja
Në prushin e përflakur
E derdhe tërë dufin
E mbledhur ndër mote aty
Thellë zemrës strukur.
Në zemrën tënde bujare,
I ngarkuar si bjeshka,
Lënguar e zbehur
Nga plagët që kurrë s’u thanë,
As në gushtin me vapë,
As në dimrin acar.

II.
E zgjodhe vetë këtë vend trimash,
Si dallëndyshja zgjedh folenë,
Këtë vend të nëpërkëmbur, shastisur
Prej kujës se grave ligështuar,
Kërqethur prej këmishës së zezë,

Veç në ditën e dasmës ndërruar.
Mbi telin e lahutës tënde
Gjithë ëmbëlsitë e bjeshkës:
Fortësia e shkëmbit,
Fëshfërima e shkurres,
Bujaria e vendit,
Aroma e lules,
Hidhëtia e gjakut,
Vlaga e tokës,
Nderi i bajrakut –
Të gjitha, të gjitha i vure
Si në sqep të bilbilit
Dhe poemën e Shqipërisë e thure.

III.
Teli i lahutës tënde
S’kishte jo shtatë nota.
Por shtatëqind, që binin
Madhërishëm e me furi
Vërshonin skutë me skutë
Edhe aty ku gjëmimi i zi
Mblidhej ngeshëm, pa mëshirë
Lëpinte buzët e vdekjes.

Njerëzit e grigjës tënde
S’vriteshin siç vritet një luftëtar,
Ata priteshin e rripeshin,
E malet të përgjakura
Rënkonin e digjeshin,
Ashtu të gjalla me robin…
Atëherë ti shfryve tërë dufin
E në retinën e syrit tënd
Endej vetëm trishtimi.

IV.
Muza e përgjakur, si rrufeja
Tërë oshtimë vrapoi
E hyri në shpirtin e lënduar
Të një malësori krenar,
Vështrim prehur,
Si tehu i shpatës së moçme
Varur në murin e rreshkur të varfërisë
E krejt grigja jote u bë
Lajmëtare e dashurisë.
I ra derës ta dëgjojë,
I tha këngës të mos pushojë,
I tha zemrës të gufojë,
Të bahet zanë e të mos zanojë-
Mbështetur supin te shoqi-shojnë.

V.
O At, si dielli ndrite udhët,
E fjala jote u bë shpatë,
E rridhte me gurgullima shpatesh,
Thepisur gjer poshtë
Në palcën e hasmit.
Kallej gjëma,
Digjte e rëndonte
Nëpër supe si pasha e maleve,
E poshtë supit të sfilitur
Ofshama,
Hakërrim,
Revoltë
Dhe këngë majë krahu…
Ti e madhërove këtë vend,
Qysh me Gjergjin e parë…
E deshe si nëna djalin
E i këndove aq hijshëm,
Aq ëmbëlsisht
Sa kënga u bë strehë
E gjakut që s’piksej në shkëmb.
Të forta dhimbjet, të forta
E plaga s’ndihej ku dhembte.

VI.
Ti e ktheve lotin në vetëtimë,
U bëre dritë,
U bëre shpresë,
Ti e ktheve gjëmën në bubullimë,
Në zjarrin e luftës prive flamurin.
Ti ndër sofra u bëre i parë,
Bekove ujë,
Bekove bukë.
Në terrin e kobshëm
U bëre pishtar.

VII.
O, At i shenjtë,
Ti i këndove djalërisë,
Ashtu si sofrës i këndove
Uratën e bardhë.
Eh, ti i këndove pak më rëndë
trimërisë
dhe kurorës së saj,
lirisë.
Kaq hollë i paske ditur
hilet e mëdha
që na rrethonin vatrën
e që me inat na përcillnin
shpresën e varur tek prushi i saj.

Dhe veç ti e kuptove
strukur në katakombet
e Evropës plakë
lakmitë kriheshin
e lëpinin njëra-tjetrën.
Po fjalët si meteorë
nën këmbët e tua
fshikëllonin pa mëshirë,
e hatër-hatër.
pështjelloheshin në errësirë
Fjalë që vrisnin.
Fjalë që thernin.
Fjalë që buçisnin,
e ulërinin
si tramundana.
Ç’thuhej vallë?
Ç fjalë, ç’fjalë
Nuk ishin fjalë onomatopeike…
Po fjalë që kërcisnin
si gryka murtaje
kancelarive të Evropës
zhurmonin.
Fjalë që shqyenin
Fjalë që rrokulliseshin
E gurgullonin
Mbi qiellin e grigjës tënde

Dhe ti nuk heshte
Fole…
E fjala mbiu në sqep zgalemash
Cicëroi fjala
ëmbël, ëmbël ajo
hyri thellë në zemrat shqiptare.

VIII.
Dhe erdhi djalëria tek ti,
Siç vjen pranvera me ngrohtësinë,
Siç vjen vjeshta me stuhinë.
Shungulloi në vargun tënd ringjallja
Në lotin e lahutës,
Në shpirtin e lahutarit,
Në damarët e malit.
Një nga një
I lartësove trimat,
Që nga Oso Kuka
Tek më i thjeshti malësor,
Kur flakë digjej Vranina
Dhe Shkodra nën terrorin mizor.

IX.
Mbi rimën e vargut tënd
Veton trimëria djaloshare.
Sa bukur të zë vend fjala,
Pleksur me urtësinë shqiptare,
Mes vdekjes të krihesh
Me ballin e larë
Nga ndjenja krenare.
O At i shenjtë,
Ti s’i shpëtove tundimit,
As vdekjes,
Për të mbetur ithtar i mundimit
U shndërrove në mit,
Djegur me lot
Ditë për ditë e vit për vit.

X.
Humbe në valën e tërbimit ateist
Në prushin ku digjej,
Digjej dhe ndriste
Ngado shpirti yt.
Ngjatjetonte lahuta,
Ngrihej obelisk.
Dhe ne e kuptuam
Se ti ekzistoje,
Se ti ishe i pamort,
Gjersa rrënjët e fisit,
Rrënjët e gjakut
Bleronin serishmi,
Të pyllnajta për çdo mot.
Rrënjët e gjakut