RREGULLAT E SHKRIMIT TË TEKSTIT

0
3114
Zymer Mehani - Fadil H. Curri

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Siç dihet, çdo njeri është në gjendje ta rrëfejë një ngjarje para të tjerëve, t’u përcjellë një informatë. Mirëpo, disa këtë punë e bëjnë më bukur, më shkathët e disa më dobët. Dikush mund ta ketë përjetuar një ngjarje dhe kjo t’i ketë bërë përshtypje të madhe, por ai mund të mos jetë në gjendje ta shprehë këtë përjetim as me një përqindje të vogël. Dikush tjetër, me mjeshtërinë dhe aftësinë e vet, arrin që edhe ngjarjet e rëndomta t’i përjetojë e t’i shprehë estetikisht, kështu që rrëfimi i tij bëhet më interesant. Atëherë themi se njeriu i tillë është artist i fjalës.

Rregullat e shkrimit të një teksti ose të një diskutimi me gojë janë:
1. Para se të fillojmë të flasim ose të shkruajmë, duhet të bëjmë një plan se çfarë duam të themi ose të shkruajmë.
2. Të jemi të vëmendshëm dhe me kujdesin më të madh të shfrytëzojmë gjithë imagjinatën dhe aftësitë tona krijuese.
3. Mendimet duhet t’i shprehim në mënyrë të qartë dhe të drejtë.
Të jemi real dhe bindës në atë që e shprehim. Të mos përdorim fjalë fyese. Të flasim qetë e me zë të ulët, jo shumë shpejt as shumë ngadalë.
4. Fjalitë duhet t’i ndërtojmë sipas aftësive tona. Të respektojmë rregullat e drejtshqiptimit dhe të drejtshkrimit, të zgjedhim fjalët dhe të krijojmë fjali sipas natyrës së shqipes.
5. Shkrimi të jetë i lexueshëm dhe i bukur. Tekstin e shkruar ta rilexojmë disa herë dhe ta përmirësojmë.
6. Të lexojmë sa më shumë dhe të ndjekim modelet e mira të të folurit e të të shkruarit. Kështu kanë vepruar edhe shkrimtarët e mëdhenj.

Por, për të treguar një lajm, ose për të shkruar një tekst joletrar mbështetemi në pesë rregulla. Pra, duhet t’u përgjigjemi pesë pyetjeve themelore: kush, çka, ku, kur, si (pse). Përgjigjet e këtyre pyetjeve e kompletojnë rrëfimin tonë. P.sh.:

Njoftimi:
Panairi i librit do të hapet më 17 qershor në Prishtinë për të ekspozuar para lexuesve krijimtarinë letrare dhe shkencore i ndarë sipas 5 pikave do të sistemohej në këtë mënyrë:
Kush? – Panairi i librit
Çka? – do të hapet
Kur? – më 17 qershor
Ku? – në Prishtinë
Pse? – për të ekspozuar para lexuesve krijimtarinë letrare dhe shkencore.