Rrëfimi për Venera Ademin, pianisten që Shefqet Krasniqi e bindi të shkojë në Siri

0
2458

Foto: Ilustrim Mentor Gjergjaj

AUTORI: MENTOR GJERGJAJ, GAZETAEXPRESS11 Janar 2018

Venera Ademi e donte shumë pianon dhe muzikën. Qysh në fëmijëri, ajo ishte shpërblyer me tri çmime për talentin e saj. Por, çdo gjë për të ndryshoi kur ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme. Takoi imamin Shefqet Krasniqi dhe me rregull dëgjoi ligjëratat dhe mësimet e tij. Përveçse braktisi ëndrrën e saj për muzikë, Venera la edhe gjithçka tjetër në Kosovë, për të marrë rrugën për Siri. Atje ajo është martuar dhe ka krijuar familje.

Shqyrtimi gjyqësor ndaj imamit të Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqi, pritet të nisë brenda pak javëve. Gjykata Themelore e Prishtinës, ditë më parë, ka aprovuar aktakuzën për terrorizëm dhe shmangie tatimi të imamit kontrovers, duke refuzuar kërkesën e mbrojtjes për kundërshtimin e akuzave ndaj Krasniqit, e bërë në shqyrtimin fillestar të 14 dhjetorit 2016.

Në aktakuzën për “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste” dhe “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, imami 52-vjeçar nga Prishtina ngarkohet edhe për “shpëlarjen e trurit” të një të reje nga kryeqyteti, e cila përfundoi në ISIS.

E, denoncimin ndaj Shefqet Krasniqit e bëri pikërisht nëna e saj.

Venera Ademi kishte mbërritur në Siri, kur përmes një mesazhi elektronik e kishte njoftuar nënën e saj Nasere Ademin për rrugën që kishte marrë. Kjo e fundit, menjëherë kishte shkuar në Polici për të rrëfyer gjithçka që di rreth vajzës së saj dhe raportit të saj me imamin Shefqet Krasniqi.

Këto bëhen të ditura në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e ngritur më 27 shkurt 2017, ndaj imamit të Xhamisë së Madhe të kryeqytetit “Mehmet Fatih”, shkruan Gazeta Express.

Nasere Ademi, në denoncimin e saj në Polici, më 20 korrik 2016, sipas aktakuzës, ka deklaruar se vajza e saj Venera ka qenë e shkëlqyer, e sjellshme dhe e talentuar për muzikë. Ajo ka treguar se e reja, sa ishte në shkollë fillore, kishte fituar tri çmime në fushën e muzikës, derisa ka vijuar edhe shkollën për piano. Mirëpo, sipas Ademit, Venera në vitin e dytë të shkollës së mesme filloi të ndryshojë sjelljen.

Naserja ka treguar se vajza e saj, bashkë më shokët e klasës, kishin filluar që në mënyrë të organizuar të falnin xhumanë në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, imam i së cilës ishte Shefqet Krasniqi.

Në denoncimin e saj, Nasere Ademi kishte potencuar se nga ajo kohë Venera kishte filluar të tregojë suksese të dobëta në mësime dhe mungesa në orët shkollore, ndërsa përkushtimi i madh ndaj fesë e kishte bërë atë të mbante edhe mbulesë për kokën.

Fakt i cili nuk ishte pritur mirë nga familja”, thekson aktakuza.

Në dokumentin 24-faqesh në vazhdim tregohet se Venera Ademi, e cila ndodhet në Siri, përveçse ishte dëgjuese e rregullt e ligjëratave të Shefqet Krasniqit, kishte dëgjuar edhe derset e imamit mitrovicas Enes Rama, që në shtator të 2014-ës qe arrestuar bashkë me Krasniqin.

Dëshira e Venerës ishte që ligjëratat e Enis Ramës dhe Shefqet Krasniqit t’i dëgjojnë edhe anëtarët tjerë të familjes, si dhe shpeshherë ajo i kishte thënë dëshmitares – nënës – se edhe ajo duhet të shkojë me të në xhami”, shkruan në aktakuzë, duke iu referuar njërës nga deklaratat e Nasere Ademit për vajzën e saj.

Ajo është viktimë e këtij ndikimi, dhe ky ndikim ka gjetur shtrirje tek gjeneratat e reja, duke prekur emocionet e tyre”, u ka thënë hetuesve nëna e vajzës nga Prishtina, që përfundoi në luftën e shtetit islamik në Siri.

Sipas Nasere Ademit, Venera disa ligjërata të Krasniqit kishte filluar t’i dëgjojë edhe përmes laptopit, në prani të familjarëve tjerë, por pasi ata e kishin penguar ta bëjë një gjë të tillë, ajo kishte vazhduar t’i dëgjojë e vetme, me kufje në vesh.

Mospajtimet në mes dëshmitares dhe vajzës së saj për mënyrën se si praktikonte fenë kishte bërë që Venera të mbyllej në vetvete dhe të dëgjonte ligjërata e vetme, e mbyllur në shtëpi, madje dëshmitarja tregon se vajza e saj nuk kishte dalë për dy muaj nga shtëpia, duke konsumuar kohën me literaturë fetare, ndërsa këshillat e saj si nënë për këtë qasje të saj nuk ishin marrë parasysh asnjëherë”, thuhet në akuzën për terrorizëm të Prokurorisë Speciale ndaj Shefqet Krasniqit.

Dëshmitarja, në prokurori ka treguar se herë pas here komunikon përmes internetit me vajzën e saj Venerën, e cila ndodhet në Siri, shkruan Gazeta Express. Madje, pohon t’i ketë thënë se është martuar dhe ka krijuar familje.

Ajo atje është martuar dhe ka krijuar familje. Nuk pranon assesi të kthehet, duke arsyetuar se ndihet mirë atje, se nuk ka shkuar që të kthehet nga atje dhe se ai vend në Siri i përket “atyre”, ata duhet të rrinë aty”, citohet të ketë deklaruar nëna e Venerës.

Rasti i Venera Ademit nuk është i vetmi për të cilin imami i njohur akuzohet se e shtyu në terrorizëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e ngritur ndaj Shefqet Krasniqit, në shkurt të vitit që shkoi, pretendon se hoxha kontrovers gjatë vitit 2013 dhe 2014, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, me anë të të cilave ka shtyrë të tjerët t’u bashkohen organizatave terroriste në zonat e konfliktit në Azi, e që më pas kanë kryer akte terroriste.

I njëjti duke shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta para publikut me anë të ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit si TV dhe radio, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të Ajeteve Kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame […] ka ndikuar tek të tjerët që të marrin rrugën dhe t’u bashkohen organizatave terroriste ISIS dhe Al Nusra, të cilat luftojnë kundër pushtetit Sirian dhe për krijimin e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, siç është rasti i Venera Ademit, Ilir Mustafes apo rasti i Blerim Hetës – e nga veprimet e këtij të fundit përmes një akti terrorist vetëvrasës, më datë 25.03.2014 ishin vrarë 52 persona në Irak”, thuhet në piken e parë të aktakuzës ndaj Shefqet Krasniqit, i akuzuar për “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

I njëjti akuzohet se gjatë së njëjtës periudhë kohore, gjatë të njëjtave ligjërime të tij, ka kryer edhe veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, ndërmjet komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë.

Gazeta Express më 27 dhjetor 2017 pat sjellë historinë e Blerim Hetës, kosovarit që vrau mbi 50 persona, më 25 mars 2014, në një sulmin vetëvrasës në Bagdad të Irakut. Edhe familja e tij e akuzon Shefqet Krasniqi se e ka nxitur djalin e tyre t’i bashkohet ISIS-it, e më pas të kryente sulm kamikaz.

Nuk e pranoj sepse nuk kam ba kurgjo”, i kishte thënë Krasniqi trupit gjykues, në seancën e shqyrtimit fillestar.

Në pikën e tretë të aktakuzës, imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës akuzohet edhe për “Shmangie nga tatimi”, pasi i njëjti dyshohet se nuk ka paguar mbi 20 mijë euro obligime tatimore për biznesin e tij privat “N.T. Portat”. M.Gj. /GazetaExpress/