Nga Revista Drini – 7 Prill 2019
Shkrue nga : Çun Lajçi
Shkrim me shkas
Po shkruej pa protokol e pa ndonji kronologji të ngjarjes, sepse vet data asht historike e s’ka nevojë.
Janë 108 vjet histori të nji plaku e të nji Malsie, që e çkrepen pushkën e parë n’Deçiç
dhe i thanë troç Dervish Pashës n’Shkodër
– se Malësia e Malësorët s’do t’i thonë kurrë ma tunjatjeta Stambollit!
Rrëfimi im s’do t’flasë për Dedë Gjon Lulin, sepse ai mbeti kala e papushtueme n’Deçiç, e unë jam i vogël, por për nji Komunitet shqiptarësh të pamposhtun këtu n’Michigan.
Për malësorët e Malcisë, që kanë mbetë të lidhun si kokrrat n’shegë edhe n’Detroit.
Për nji kishë, siç asht kjo e Shen Palit, që pret me sofra t’shtrueme artistë, poet, piktorë e pushtetarë.
Dua me ju tregua për Nik Gjonaj e Zef Lulgjuraj – dy organizatorë t’festave tona kombëtare, që banë çmos dhe e sollën Kryeministrin e Kosovës z. Ramush Haradinaj, n’mesin e tyne, gadi njisoj si ata tjerët dy dekada e gjysëm para t’shejtin Ibrahim.
Po ju tregoj pra për 700 malsorë e malsorë, që e banë 108 vjetorin e Malësë Madhe, të jetë madhështor, kur n’mesin e tyne u fut z. Ramush Haradinaj.
Por duhet t’më besoni se edhe nji fjalim ma t’thellë e ma përmbajtësor, hala ndëgjue s’e kisha nga ndonji pushtetar, si ky i Ramushit mbramë n’Kishën e Shen Palit n’Detroit.
Aty ishte edhe ambasadorja Vlora Çitaku, edhe dy-tre këshilltarët e Kryeministrit.
Aty ishte edhe Artisti që po iu shkruen, i cili kishte ardhë pa protokol dhe tinzisht nga jashtë e thirri:
– Hapi dyert Dom Fred Kalaj
Çele zemrën Malsi e Madhe
Ti që m’je babë e nanë
Se t’ka ardhë trimi të dera
Shtroja sofrën me pakë bukë
Nji tas ujë nji fije kryp…
Për të dalë të…
Pse hesht Gjeneral, pse hesht…
e për t’vazhdua me 7 Krajlat e Fishtës e Ded Gjon Lulin e për ta mbyllë me Gjeto Kol Ucin e Vuksan Lekajve t’Hotit, i cili m’tha n’Tuz, (kur mora pjesë n’fushatën zgjedhore:)
– Shko n’Detroit Rugovë se atje m’ka shkua krejt Malësia, e thueju uleni kryet e punoni e pijeni djersën tuej, e thminë m’i rritni shqip!
Nuk po ju tregoj se çfarë ndjenjë e mirë ishte ta shikosh z. Ramush tue shkue të secila sofër e tue u marrë ngrykë me secilin malësor.
S’po ju tregoj se sa dashuni e madhe vllaznore ishte e këtyne shqiptarve për nji Kryeministër, por po them:
– Pse komunitetet tjera anë e kand Amerikës, s’janë kështu të lidhun me njeni tjetrin e të djegun për trojet shqiptare si Malësorët e Malsisë Madhe.
Ku janë Plavë – Gucia e Njujorkut e miralanat e Rugovës?
Ku janë Struganët e Çikagos e Dibranët e Njuxhersit?
Ku janë sa e sa komunitete e sa e sa xhamia, që s’e marrin shembull punën madhore, që e ban kisha e Shen Palit për atdhe?!
Unë sot po nisem për Kosovë tejetë krenarë me këtë komunitet, me kët vizitë të Kryeministrit, z. Ramush Haradinaj, që ishte vërtetë festë historike n’der Malsorë!
Thashë, e po them:
– Kështu ruhet rraja e fara jasht atdheut, kur i zoti i shpisë i viziton e s’i harron e ulet bashkë me ta n’sofër dhe ua përkujton se Atdheu kurrë s’ka me i harrua.
Faleminderit Nik Gjonaj e Zef Lulgjuraj e Ju malsorë, që s’me harruet kurrë e ti z. Kryeministër Ramush Haradinaj, që i viziton komunitetet shqiptare jashtë atdheut.
ÇL
Detroit 7.4.2019