RRËFIME QË NA KUJTOJNË NJË PJESË TË HISTORISË SONË

0
655

Milazim F. Kadriu

Shaip Zenë Grajçevci “Liri pa kurorë” (Rrëfim nga jeta nëpër kohë), botues KL”Zahir Pajaziti” – Podujevë, 2018

Në librin “Liri pa kurorë” (Rrëfim nga jeta nëpër kohë), autori Shaip Zenë Grajçevci në rrëfimet e tij na sjell një kronikë historike me disa dëshmi për kohën e kaluar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri në Luftën e lavdishme të UÇK-së. Autori përmes këtyre rrëfimeve, që janë të përjetuara nga vetë ai, flet vetëm për ato raste, në të cilat ai ka marrë pjesë, pra është vetë protagonisti kryesor i rrëfimeve të tij.

Ndonëse nuk zgjerohet që të flasë për ato ngjarje që kanë ndodhur në Kosovë në atë kohë, ai rrëfen vetëm për ato momente, në të cilat ka qenë prezent, pa u zgjeruar më shumë, Gjithsesi këto rrëfime kanë rëndësinë e vet, sepse duke rrëfyer për aktivitetin dhe vuajtjet e tij gjatë gjithë kohës, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në përfundim të Luftës së fundit, deri në lirinë e shumëpritur të Kosovës, ku me mijëra shqiptarë të Kosovës kanë përafërsisht të njëjtën histori, nëpër të cilën kanë kaluar.

Të gjithë pushtuesit e trojeve shqiptare, historinë e shkruajtën sipas dëshirës së tyre, duke i shkelur shqiptarët. Madje Serbia pati plane edhe për shfarosjen e shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre nga trojet etnike. Mirëpo për këtë shumë atdhetarë u flijuan dhe nuk lejuan një gjë të tillë dhe asnjëherë nuk u pajtuan me asnjë okupator.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e Kosovës nuk i gëzuan të drejtat e premtuara para dhe gjatë luftës. Me instalimin e sistemit totalitar të asaj kohe, u hoq simboli i identitetit kombëtar – flamuri kombëtar, arsimi nuk gëzonte hapësirë si në meset tjera, si dhe shumë të drejta tjera kufizoheshin vetëm për shqiptarët. Madje popullit shqiptar i shtohej përditë e më shumë vuajtja dhe keqtrajtimi, me qëllim që ata të shpërnguleshin nga vendi i tyre, gjë që edhe ndodhi, ku shumë qytetarë nga mbarë Kosova u shpërngulën në shkretëtirat e Anadollit. Në atë kohë ishte i njohur edhe Aksioni Famëkeq i Armëve, në vitet ‘50, ku ushtrohej një dhunë e gjenocid i paparë mbi shqiptarët për t’i detyruar që t’i lëshonin trojet e tyre.

Shqiptarët gjatë periudhës 1948-1966 (që në popull njihet si koha e Rankoviçit), u përballën me një fushatë të egër shkombëtarizimi e shpërnguljeje masive nga trojet e tyre stërgjyshore. Krahu shovinist serb, i drejtuar nga Aleksandër Rankoviçi, atëbotë sekretar i Komitetit Qendror të LKJ, ministër i Punëve të Brendshme dhe nënkryetar i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, gjatë kësaj periudhe pushtetin e vet të dhunshëm mbi shqiptarët e ushtroi nën ombrellën e kryetarit Tito. Mirëpo, një ditë rinia shqiptare e Kosovës, në të gjitha meset e Kosovës i filloi përgatitjet për t’i kundërshtuar padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve, por edhe për ta ngritur kërkesën për formimin e Republikës së Kosovës, të barabartë me republikat e tjera, në të cilën edhe shqiptarët do t’i gëzonin të drejtat e tyre, sikur popujt e tjerë dhe kështu lindën edhe demonstratat e vitit 1968.

Autori rrëfimet e tij i nis me vuajtjet dhe keqtrajtimet, që i bëhen atij në kohën e ashtuquajtur Koha e Rankoviçit, për të vazhduar më pas me demonstratat e vitit 1968, demonstratat e vitit 1981, demonstratat dhe protestat gjithë popullore të viteve 1998-1999, Lufta e UÇK-së dhe deri në lirinë e Kosovës.

“Kontributi për komb e atdhe i Zenë Seferit”, është rrëfimi i parë, ku na bën me dije që Zenë Seferi ishte anëtar i Ballit Kombëtar, ku duke folur për këtë autori sjell edhe një deklaratë të një shoku të Zenës, i cili është ende në jetë, ku ai rrëfen kohën kur ata janë kthye në shtëpi pas ikjes së gjermanëve. Ai ndër tjerash thotë:

Po të mos ishte pjesë e jona Zenë Seferi, ne nuk do të dinim të vinim në shtëpi. Gjithë natën e lume e kaluam nëpër male dhe nëpër brigje e shkurre dhe të lagur nga shiu si të kishim dalë nga lumi. Veç shpirti ynë e di si kemi ardhur, mbërritur në shtëpi“.

Më pas, ai rrëfen për torturat që u bëhen në kohën e Pasluftës së Dytë Botërore, me Aksionin Famëkeq të Armëve, diku nga viti 1957, kur filluan maltretimet ndaj popullatës shqiptare, të cilat janë bërë me urdhër të Rankoviçit. Madje edhe autori, kur flet për këto, thotë se janë torturuar në zyrat e Rankoviçit. Ato ishin zyra të UDB-së së njohur, kur në nivel të ish-Jugosllavisë policinë e udhëhiqte Aleksandër Rankoviç, por që shërbëtorët e tij i zbatonin me përpikëri ato rregulla që vlenin vetëm për shqiptarët, e që për fat të keq, një numër i zbatuesve të tyre ishin shqiptarë.

Në atë kohë, në pyetje, apo në ato biseda dhe keqtrajtime merreshin shqiptarët në momente dhe kohë të ndjeshme, siç është edhe rasti i autorit, i cili është marrë në ditën kur do të martohej dhe ishte dilema se a do të lirohet, apo do të mbyllet dhe nusja a do të vjen në shtëpinë e tij, nëse dhëndri nuk është aty. Kjo nuk ndodhi, ngase ai u lëshua me kushtin që të lajmërohet të hënën, por ai u lajmërua të martën, kur edhe u keqtrajtua fizikisht.

Më pas vjen rrëfimi për kohën e demonstratave të 1968 dhe aktiviteti i tij në këto demonstrata. Demonstratat e vitit 1968 kishin rëndësi të madhe për popullin shqiptar, sepse ndikuan për ndërgjegjësimin e popullit shqiptar dhe që diplomacia evropiane e ndërkombëtare të kuptonte se populli shqiptar po shtypej nga Serbia. Pas demonstratave të vitit 1968, në Universitetin e Kosovës filloi të rritet numri i studentëve shqiptarë. U hapën shumë shkolla fillore dhe të mesme në të gjitha komunat e Kosovës, që ndikoi në emancipimin e femrës shqiptare.

Para demonstratave të vitit 1968, shkollat e larta dhe fakultetet në Prishtinë, më shumë kishin studentë serbë të ardhur nga Serbia Jugore se
shqiptarë nga Kosova.

Autori i këtij libri, ndonëse nuk flet gjatë për rolin dhe rëndësinë e demonstratave të vitit 1968, në rrëfimin e tij për këto demonstrata tregon për aktivitetin dhe pjesëmarrjen e tij në to, si dhe të shokëve e të afërmve të tij. Në këtë rrëfim autori përmend edhe aktivitetin e Ismail Dumoshit, që në atë kohë ishte profesor në shkollën e mesme të Kastriotit, ku ai përmend rastin, kur Ismaili merr pjesë në demonstratë dhe kthehet në shkollë të mbajë një orë të mësimit sa për t’u arsyetuar që ka qenë në punë e për t’i ikur syrit të UDB-së, që e ndiqte në çdo hap.

Demonstratat e vitit 1968 përbëjnë njërën prej përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës, për realizimin e të drejtave kombëtare, sikur edhe të popujve të tjerë, që jetonin në një shtet artificial të quajtur Jugosllavi. Atëbotë të drejtat e shqiptarëve jo vetëm që u nëpërkëmbën, por edhe u cunguan deri në shkallë të padurueshmërisë.

Më pas, autori në librin e tij rrëfen për pjesëmarrjen e tij në demonstratat e vitit 1981, por që kësaj radhe e gëzon fakti, që pos tij, në to merr pjesë edhe biri i tij, madje ai me flamur në dorë gjendet në ballë të demonstratës.
Siç dihet, gjatë periudhës së viteve 1981, numri i grupeve dhe organizatave ilegale që vepronin në Kosovë dhe në emigracion ishte mjaft i madh, si Lëvizja e Republikës Shqiptare në Jugosllavi, Fronti për Republikën e Kosovës, Fronti i Kuq Popullor, Lëvizja për Çlirim Kombëtar të Kosovës etj.

Demonstratat e Pranverës së Madhe të vitit 1981 hapën një epokë të re për popullin shqiptar. Në këtë kohë erdhi momenti që lëvizja ilegale të dilte hapur në skenën politike për t’i përkrahur kërkesat dhe vullnetin gjithë popullor dhe kjo nuk ishte aspak e lehtë dhe pa rreziqe. Ish-Jugosllavia, si një fuqi reale propagandistike, ushtarake e policore e kohës, kishte ndërmarrë një fushatë të egër antishqiptare për ta shtypur me dhunë, me zjarr e me hekur, me vrasje kur të mundet, ditën e natën, brenda apo jashtë Kosovës, zërin liridashës të popullit shqiptar që padrejtësisht ishte ndarë e copëtuar.

Viti 1981 është momenti final, kur populli shqiptar u bind se me serbët nuk mund të kishte marrëveshje dhe mirëkuptim. Me ta mund të zgjidheshin çështjet jetike e kombëtare vetëm me gjuhën e forcës. Periudha e vitit 1981 ngriti zërin e popullit shqiptar që jetonte në trevat e veta etnike në mbarë arenën ndërkombëtare dhe tërhoqi deri diku vëmendjen e Fuqive të Mëdha për padrejtësitë që i ndodhnin kombit shqiptar.

Më pas, autori rrëfen për demonstratat dhe protestat e vitit 1989 në mbështetje të minatorëve. Në këtë kohë edhe filloi okupimi klasik i Kosovës nga ana e Serbisë, kur më vonë (23 mars 1989) u suprimua Kushtetuta e Kosovës dhe u mbyllën shkollat dhe institucionet tjera në Kosovë dhe u përzunë thuajse të gjithë punëtorët shqiptarë nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Ai rrëfen për pjesëmarrjen e tij në demonstratën në përkrahje të UÇK-së, me ç’rast është rrahur brutalisht nga policët serbë dhe më pas është goditur nga një veturë, e cila ia ka thyer të dyja këmbët, pasojat e së cilës i vuan edhe sot.
Interesante janë edhe rrëfimet e autorit për kohën e luftës së fundit, për dëbimin nga trojet stërgjyshore dhe kthimin pas përfundimit të luftës sërish në vendlindje, ku çdo gjë ishte bërë shkrumb e hi, por ishte kryesorja që okupatori ishte dëbuar dhe tash Kosova gëzonte lirinë e shumëpritur.

Duke rrëfyer për kohën e UÇK-së, autori ndjente keqardhje që nuk kishte mundësi të ndihmonte atë, duke u radhitur në radhët e saj, ngase lëngonte nga plagët e marra në demonstratën e vitit 1998, në Prishtinë. Mirëpo shpreh kënaqësinë që biri i tij, Avniu kishte vendosur që të rreshtohej në radhët e UÇK-së, por përmend edhe peripecitë që pati deri në sigurimin e një arme për Avniun, që të radhitej në radhët e UÇK-së, pasi në atë kohë ndihej mungesë e armëve dhe atë duhej siguruar vetë për të qenë pjesëtar i UÇK-së.

Mjaft prekës është rrëfimi, kur autori bashkë me familjen detyrohen të lëshojnë vatrat e tyre dhe kur ata i fusin në autobus dhe nuk dinin se për ku i kanë nisë dhe ku do të përfundojnë. Mirëpo për fatin e tyre nuk pësuan, por u drejtuan nga kufiri shqiptaro-shqiptar dhe kaluan në Shqipëri, ngase serbët kështu i kishin planet për zbrazjen e Kosovës, një pjesë duke i dëbuar jashtë vendit, një pjesë duke i vrarë dhe e donin Kosovën pa shqiptarë, por që nuk ia arritën, falë luftës së lavdishme të UÇK-së dhe ndihmës së forcave të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA.

Në fund autori rrëfen edhe për kthimin pas luftës në Kosovë, e cila tashmë ishte e lirë dhe okupatori kishte shkuar në theqafje.
Në libër është edhe një album i pasur me foto të ndryshme familjare.

Autori ka bërë një punë të mirë, që së paku mund të jetë nxitje edhe për të tjerët për të shkruar, sepse rrëfime të tilla mund të rrëfejnë me mijëra qytetarë të Kosovës, nga të gjitha anët, ngase ngjashëm janë zhvilluar ngjarjet për kohën, kur rrëfen autori i këtij libri.