ROMANI “KAFENEJA EL-KARNEK” NEXHIB MAHFUZ ME VLERA TË LARTA

1
213
Nexhib Mahfuz - Rrëfim i një nate

Foto: Nexhib Mahfuz në Kajro, Maj 1991 (Xhon Mishel Torban) www.alaraby.co.uk

Shkruan: Muhamed Mufaku

Në fund të vitit 2020 u botua përkthimi në shqip i romanit “EL KARNEK” i nobelistit Nexhib Mahfuz. Përkthimin e bëri profesor Ejup Ramadani, botuar në Prishtinë nga shtëpia botuese “Lena”, me një titull që përkthyesi e pa më të përshtatshëm për gjuhën shqipe: “KAFENEJA EL KARNEK”. Këtë prurje mund ta konsiderojmë si vazhdimësi e një marrëdhënie të nobelistit Nexhib Mahfuz dhe letërsisë së tij me shtetet e ish Jugosllavisë që nga viti 1959 e deri me sot.

Në fakt, kjo marrëdhënie filloi kur bashkëpunimi mes dy shteteve, Jugosllavisë dhe Egjiptit, ishin shumë të mira. Këto marrëdhënie u forcuan edhe më shumë pas heqjes së dy monarkive, monarki të cilat ishin bashkëpunuese, për faktin se Kajro ishte selia e qeverisë mbretërore Jugosllave në mërgim gjatë viteve 1943 – 1944. Gjithashtu Presidenti i atëhershëm, Tito u largua nga kampi komunist i udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik dhe u afrua nga Afrika e Azia, duke kurorëzuar këtë afrim në Konferencën e Bandung në Indonezi me themelimin e një organizate ndërkombëtare të njohur si: “Shtetet e painkuadruara”.

Me interesimin e shtypit jugosllav për liderin Gemal Abdu Naser dhe politikat e tij në fillim të vitit 1954, natyrshëm edhe interesimi për letërsinë egjiptiane, filloi të rritet dhe në atë vit u botua romani i shkrimtarit të njohur, Teufik El Hakim, “Ditët e deputetit në fshat”, i përkthyer nga frëngjishtja dhe nënshkruar nga Vera Kohën.

Kështu, afrimi politik dhe kulturor midis Jugosllavisë dhe Egjiptit u përshpejtua pas vitit 1956 me botimin e literaturës dhe të përkthimeve që transmetojnë kulturën e njërit vend në tjetrin. Si domosdoshmëri e kohës u hapën rrugët për vizitat kulturore në nivelet më të larta, si vizita e Nexhib Mahfuz në Jugosllavi në vitin 1959 dhe vizita e Ivo Andriç (pas fitimit të çmimit Nobel) në Egjipt në vitin 1962.

Vizita e Nexhib Mahfuz në Jugosllavi, ndodhi në gusht 1959 si pjesë e një delegacioni kulturor të quajtur “Republika e Bashkuar Arabe”, në të cilën sekretari i Ministrisë së Kulturës Abdul Munim El Savi dhe Ibrahim Zaki Hurshid ishin pjesë e delegacionit egjiptian, kurse nga Siria pjesëmarrës ishte Sami El Durubi, i cili përktheu romanin e njohur të Ivo Andriç “Ura mbi lumin Dri”.

Kjo vizitë zgjati për dy javë (8-22 gusht). Mahfuz midis letrave të tij la ditarët e kësaj vizite në formën e emrave të vendeve që vizitoi, në mënyrë që t’i kujtonte dhe të shkruante për ato vizita më vonë, ndërsa Mahfuz, ia zbuloi disa detaje të kësaj vizite romancierit Jusuf El Qa’id, i cili më vonë botoi librin “Nexhib Mahfuz nëse do të fliste”, ku flet për këtë udhëtim.

Ky udhëtim ishte një nga tri udhëtimet e vetme të Mahfuz jashtë Egjiptit.

Ajo që bie në sy në ditarin e Mahfuz është se vizita e tij ishte e kufizuar në republikën e Serbisë, atë të Kroacisë dhe Sllovenisë. Disi u mbajt larg republikave ose rajoneve ku prania e një myslimane ishte ngazëlluese si Bosnja, Maqedonia apo Kosova, e që vizitës mund t’i kishin dhënë një përshtypje më ndryshe, sikur t’i vizitonte edhe këto vende.

Më e rëndësishmja është se si një vizitë e tillë dy-javore e një shkrimtari, siç ishte Mahfuz të mos ishte caktuar asnjë takim me shkrimtarët e mirënjohur të kohës si Ivo Andriq, Miroslav Kërlezha, Branko Shubiq e të tjerë! Në lidhje me Ivo Andriqin është interesant të theksohet se kur ai vizitoi Egjiptin në 1962, atij i ishte caktuar ta takonte vetëm Taha Husein dhe asnjë shkrimtar tjetër të njohur të kohës, përfshirë edhe Mahfuz. Kjo lë të kuptojmë se këto takime kanë pasur prapavijë politike.

Në fakt, Mahfuz ishte liberal që nuk përzihej aspak në politikat ditore, as nuk shfaqte interesim për to. Në shkrimet e tij nuk gjejmë asnjë shenjë politike apo interesim se çfarë ngjau në Egjipt, madje as pas vitit 1954, kur dëbohet Muhamed Nagib dhe likuidohen përfaqësuesit e opozitës që kërkonin një jetë demokratike. Karakteri i tij ishte i veçantë. Ai hezitonte edhe të udhëtonte. Madje gjatë jetës e tij nuk udhëtoi jashtë shtetit përveçse tri herë! Në Jugosllavi, në Jemen, me kërkesë të shtetit, dhe në Londër për mjekim. Madje nuk shkoi as në Stokholm për të marrë çmimin Nobel në vitin 1988, për këtë ai i kërkoi falje komunitetit të “Nobel-it”.

Pra, ai u befasua nga lajmi, kur mori vesh se ishte përfshirë në delegacionin kulturor për ta vizituar Jugosllavinë, për këtë takoi sekretarin e atëhershëm të Ministrisë së Kulturës Abdul Munim El Savi për të kërkuar mirëkuptimin e tyre që të mos jetë pjesë e delegacionit. Mirëpo, shpejt kuptoi se vendimi veçse ishte marrë nga instanca të larta shtetërore dhe nuk kishte tjetër rrugëdalje pos që të përgjigjej pozitivisht.

Me t’u kthyer nga udhëtimi, Mahfuz i shpalosi disa nga detajet e vizitës në bisedat e tij me romancierit Jusuf El Qa’id, i cili botoi më vonë librin “Nexhib Mahfuz nëse do fliste” në të cilin libër flet për këtë udhëtim.

Nder detajet që ai zbuloi është: Një nga orientalistët jugosllav që mbanë mend vetëm emrin e tij të parë Mehmet (e që në fakt është Mehmet Mujiq 1920 – 1984), orientalisti më i shquar në Bosnjë, e paska vizituar Mahfuzin në Kajro në vitin 1956, dhe i paska kërkuar leje për të përkthyer romanin e tij “Rrugicat e Midakut” në gjuhën serbokroate, iniciativë të cilën Mahfuz natyrisht e kishte mirëpritur.

Ndërsa Mahfuz po ecte me anëtarët e delegacionit në Beograd, drejt hotelit, krejt rastësisht, dëgjoi dikë që e thërriste me emrin e tij arab. Anëtarët e delegacionit u habitën që dikush e njihte atë në Jugosllavi, dhe ky nuk ishte askush tjetër përveç Mehmet Mujiq.

Pas përshëndetjes dhe një bisede të shkurtër, Sami El Durubi e pyeti Mujiqin: “A mund të na tregoni për një klub nate?”  Mujiq u befasua nga pyetja dhe tha: “Unë do të të tregoj, por nuk shkoj dot atje me ty, unë jam një njeri fetar.”

Kjo ngjarje mund të shpjegojë ngurrimin e Mujiq-it për të përkthyer romanin “Rrugicat e Midakut” dhe prirjen e tij për ta përkthyer romanin “Toka” të Abdu Rrahman El Sharkavi-t

Mujiq përfaqësonte gjeneratën e parë të orientalistëve që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në përkthimin e letërsisë arabe, ndërsa vala e dytë erdhi në vitet e gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta me autorët Hasan Kalshi, Sulejman Grozdaniq, Rada Bogoviq, Asad Durakoviq e të tjerë, të cilët përkthyen emra të shquar si: Taha Husein, Mahmud Tajmur, Jusuf Idris, Fuad El Takarli, Xhabra Ibrahim Xhabra, Tajib Salih, Mahmud Dervish e shumë të tjerë.

Në ato vite pata fatin të isha i pari që përktheva Nexhib Mahfuz në shqip, kur botova një kapitull të romanit të tij “Pasqyrat” në këndin kulturor të gazetës “Rilindja” më 12 qershor 1979.

Po përgatitesha të shkoja në Kajro me një bursë për një muaj dhe ishte në programin tim takimi me Mahfuz-in, dëshira ime ishte t’i dhuroja atij një kopje të gazetës në mënyrë që ta vazhdoja punën në përkthimin e romanit, por kjo nuk ndodhi për shkak të disa rrethanave të kohës.

Nexhib Mahfuz ishte i mirënjohur dhe i respektuar në mesin e orientalistëve në Beograd, Sarajevë e Prishtinë, ndërsa marrja e Çmimit Nobel në vitin 1988 kishte një rol kyç për botimet e krijimtarisë së tij letrare. Në vitin 1990 në Sarajevë iu botua romani “Mes dy pallateve”, me përkthim të Sulejman Grozdaniqit.

Mahfuz tanimë “u flet” banorëve të ish Jugosllavisë, pasi që kolegu i ndjerë Mehmet Kico (1949 – 2018) iu përkushtua përkthimit të veprave e tij në gjuhën boshnjake.

Gjatë viteve 2000-2018 Kico botoi romanet më të rëndësishme të Mahfuz, si: “Thashethemet mbi Nilin”, “Disa net të Një mijë e një netëve”, “Kajroja e Re”, “Hajduti dhe qentë”, “Miramari”, “Zotëriu i Respektuar”, “Pasqyrat”, etj., kështu Mahfuz bëhet një shkrimtar shumë i pranishëm, krahasuar me shkrimtarët e tjetër arabë e të pranishëm me veprat e tyre në ish republikat jugosllave.

Duke iu kthyer edhe një herë romanit të fundit “Fëmijët e lagjes sonë” të botuar në Prishtinë  dhe të përkthyer nga Ejup Ramadani në shqip, vlen të theksohet se ky përkthyes viteve të fundit i është përkushtuar përkthimit të letërsisë arabe. Kështu, në vitin 2016, përktheu romanit tjetër të Naxhib Mahfouz “Rrëfimi i një nate”, botim ky nga shtëpia botuese “Koha”.

Botim i fundit është edhe “Kafeneja El-Karnek”, botim i cili u vlerësua lart në mesin e kritikëve, si shkrimtari Ibrahim Kadriu dhe përkthyesi Selim Maloku (ish sekretar në ambasadën Jugosllave në Kajro). Kadriu vlerësoi aftësinë e Mahfuz për ta bërë kafenenë, pra vendin protagonist të romanit arab, si dhe tërë përqendrimi në dialog të jetë brenda kafenesë. Maluku po ashtu e vuri theksin edhe në disa karakteristika të romanit, siç është shpërfaqja e shoqërisë egjiptiane në një periudhë të rëndësishme tranzitore, diku pas ngjarjeve të vitit 1967, po edhe zbulimi i një përmbledhjeje të asaj që ndodhi në Egjipt në vitin 1952.

(Autori i punimit është shkrimtar dhe akademik kosovar-sirian.)

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar

1 KOMENT

  1. Koha Ditore ka nostalgji jugosllave, andaj boton kesi romane arabike te lidhura me antishqioptart Titi Naser Ivo Andriq… etj… ne kujtim te privilegjeve qe i posedonte kjo familje Otomanike…

    Shënim: Autori i librit është nobelist kosovaro-egjiptian… /AÇ

Komentet janë mbyllur.