Romani “Dështimi në jetë” është vetë kërkimi dhe ruajtja e identitetit kombëtar

0
1146

Mr. Fatmir Halimi

Elhame Dervisholli – Gjyrevci tashmë një krijuese e njohur në letërsinë tonë, krijimtarinë e saj letrare e filloi me disa përmbledhje poetike, por fuqishëm këtyre viteve të fundit debutoi me romanet e saj si “Kokomilo” dhe “Luisi”, kurse tash Gjyrevci para lexuesve të gjerë të letërsisë sonë vjen me romani tjetër Dështimi në jetë. Çdo studiues kur bën analizë të veprës letrare gati çdo herë do të ndalet te titulli i veprës. Titulli i një romani apo edhe i çfarëdo vepre tjetër poetike, në shumicën e rasteve është çelës i interpretimit të saj, me ç’ rast në masë të madhe e lehtëson punën e diskursit kritik, por në disa raste edhe e vështirëson.

Në rastin tonë titulli Dështimi në jetë e lehtëson interpretimin, sepse që në titull krijojmë një përfytyrim se edhe pse është çdo gjë në rregull dhe shkon bukur, ka diçka që e dërgon rrjedhën e rrëfimit drejt dështimit dhe se gjatë gjithë leximit lexuesi mbetet me përqëndrim të vëmendjes së personazhit apo heroit kryesor kur do t’i ndodhë ajo situatë e dështimit. Romani Dështimi në jetë për temë dhe motiv ka kërkimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të familjeve tona të emigruara jashtë atdheut. Kurse konkretisht në roman trajtohet dhe zhvillohet jeta e një familje arbëreshe. Nga historia e dimë saktësisht se kur arbëreshët tanë u vendosën në tokat e Italisë, por këtu tash kemi një familje që ka bërë emigrim nga Italia për në Amerikën e Largët.

Pra ngjarja nuk zhvillohet as në atdheun tonë e as në Itali, por në Amerikë. Personazhet kryesorë janë Tereza, me burrin e saj Adrianin dhe me dy vajzat e tyre, Dora e Soni, të cilët edhe janë bartës të krejt ngjarjes që nga fillimi e deri në fund. Kjo familje jeton e lumtur, ku Tereza është një dizajnere e suksesshme, e cila falë punës së saj arrin që të shpallet edhe si kreatorja më e mirë e modës në Amerikë dhe në shumë vende të Evropër, kurse Adriani, një punëtor i zellshëm që udhëheq një firmë të suksesshme. Tereza një figurë letrare e veshur me të gjitha virtytet e një nëne shqiptare, vajzat e saj i edukon për mrekulli, që njëherit ato edhe i informon për prejardhjen e tyre arbëreshe dhe për simbolet kombëtare, sidomos për flamurin kuq e zi me shkabën dykrenore.

Pra, vajzat e saj, Dora dhe Soni rriten dhe shkollohen me kulturën amerikane, por të brumosura me traditat tona kombëtare përmes nënës së tyre. Dora pas shkollimit arrin të bëhet një aktore e suksesshme në Holivud, kurse Soni ende pa e përfunduar shkollën e mesme bie në dashuri me Filipin. Por, brenda një dite jeta e kësaj familje të lumtur merr kahe tjetër, pra drejt dështimit, kur Sonin e grabit një bandë amerikane, e cila jeton në rezervatet e pashkelura nga pushteti dhe populli i qytetëruar amerikan. Kjo është fabula e romanit Dështimi në jetë në vija të trasha, që unë do ta quaja shkëlqimi dhe dështimi i një jete të një familjeje arbëreshe në Amerikë.

Autorja rrëfimin e kësaj ngjarje, në disa raste e pazakontë, e ndërton njëtrajtshëm, pa thyerje të mëdha tekstore e kategori stilistike, por lexuesin din ta mbajë pezull deri në faqet e fundit. Këtë ajo e arrin përmes stilit të saj të veçantë letrar, përmes situatave në disa raste shumë emocionuese, të përcjella me shumë lot, vuajtje e dhembje, siç është rasti i Terezës nga momenti kur ajo merr lajmin për zhdukjen e vajzës së saj, Sonit, por edhe të situatave shumë të tmerrshme të mbështjella me dhembje e trishtim gati deri në çmenduri, kur Soni grabitet nga një bishë njerëzore që jeton në mes të maleve, siç është Vidi, i cili edhe e përdhunon dhe bëhet baba i fëmijëve që do t’i lind ajo.

Autorja të gjitha këto i arrin me një mjeshtëri të lartë artistike, estetike e lerare. Pra ky stil i të rrëfyerit, ose ky krijim i rrëfimit dëshmon se shkrimtarja Elhame Gjyrevci ka një vetëdije të lartë krijuese dhe letrare. Për fund dua të ceku se romani Dështimi në jetë na vjen si perlë në letërsinë tonë, i cili të lë pa frymëmarrje nga kureshtja se ç’do të ngjet në faqet pasuese të tij. Është roman, i cili vazhdimisht ngeh idenë e kërkimit dhe ruajtjes së identitetit tonë kombëtar.