ROMANCIERI KRISTAQ TURTULLI, ERDHI NGA KANADAJA…

0
1013

Nga: Luan Çipi

E pritëm në një takim kortezie, mikun tonë të mirë Kristaq Turtulli, në një lokal veror, në qendër të Tiranës. Biseduam me të gjatë, me mall e dashuri dhe, në shenjë miqësie, këmbyem librat, pasurinë tonë më të shtrenjtë. Ishim bashkë me shkrimtarët e publicistët: Murat Gecaj, Përparim Hysi dhe Ilinden Spasse.

1.
Romancieri, tregimtari dhe poeti korçar, Kristaq Turtulli, ka kryer Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi. Ai erdhi, këto ditë, nga Kanadaja, ku banon prej 17 vitesh, kur sapo i mbushi 63 vjet. Ai, do të rrijë vetëm pak ditë në Atdhe…

Kam kënaqësi të shkruaj diçka për të… Kristaq Turtulli ka nisur të shkruaj herët, në vitet tetëdhjetë, kur edhe ka marrë disa vlerësime nga personalitetet letrare të kohës. Por, vitet e fundit, ka arritur kulme krijimtarie, me 30 librat e tij, ku përfshihen disa romane rresht, mandej një pjesë prej tyre edhe të përkthyera në anglisht. Mund të përmendim romanet: “Hani me dy porta”, “Në trenin e linjës 16”, “Hija e Ariut”, “Ç’është jeta e një njeriu”, “Vetmia e Zërave”, “Syri i Ritës”, “Puthje e pamundur”, “Misteret e Parisit Shqiptar”, “Tulipanët e Koresë”; novelat: “Zhgënjimi”, “Pianisti“, “Dëgjo, floriri im”, “Kujdes Vajzë”, “Fans” etj.

Kanë shkruar disa analistë e kritikë dhe e kanë vlerësuar shumë autorin, duke çmuar realizmin e tij kritik edukues, me fakte nga jeta. Po kështu, e kanë cilësuar mjeshtër, për gjuhën e tij të gjallë e pikante dhe leksikun e pasur, të zgjedhur dhe të derdhur bukur, shpesh, në dialogun e tij karakteristik realist. Shkrimtarë e autoritete me mjaftë kompetencë, si: Mary-Anne Marmorak, Fatmir Terziu, Magdi Iskander, Carthy Raimond, Janaq Pani, etj. e kanë çmuar dhe përfshirë Kristaq Turtullin, ndër shkrimtaret bashkëkohorë më të spikatur të gjuhës shqipe.

Do të citoja shkrimtarin e talentuar vlonjat, Faruk Myrtaj, që ka dhënë një karakterizim të përgjithshëm, duke ju referuar një romani, kur ka thënë: ”Romani “Dëgjo, floriri im”, i K.Turtullit, nuk të lë ta heqësh nga dora. Faqe dhe kapituj brilantë. Narracioni është i njomur me musht poetik dhe rrjedh si hoje mjalti, prozë ireale dhe reale e ëndërrt, por e vërtetë. Himn për njeriun. Autori, me këtë roman, sjell një kontribut të vyer në letërsinë tonë të postdiktaturës”. Gjithashtu, shkrimtari tjetër i shquar, Petraq Zoto, ka thënë se: “Romani “Dëgjo, floriri im” është simfoni dashurie, serenata e serenatave, të shumënjohura korçare”.

2.
Me këtë rast, nuk mund të rrija pa përmendur një fakt të rëndësishëm, që ka lidhje me të shkuarën dhe me të ardhmen e shkrimtarit tonë të dashur. Nga shumëkush, në Shqipëri, janë të njohur pararendësit familjarë korçarë të Kristaq Turtulli, ndërmjet tyre Mihal Turtulli e Thoma Turtulli, për atdhetari të shquar dhe humanizëm të theksuar. Dihet, gjithashtu, që familja Turtulli e Korçës, me origjinë Vithkuqare, ka qenë, në Shqipëri, nga më të pasurat dhe pjesëtarë të saj, nga më të shkolluarit. Kjo mbivendosje legjitime social-ekonomike, intelektuale e atdhetare, më nxiti ta pyes mikun tonë, Kristaq Turtulli:

– E kuptoj që emigrimi, si për këdo, nuk ka për qëllim largimin përfundimtar nga Atdheu, aq më pak për ju, ish të kamur e të ditur! Kur mendoni se do ktheheni? (më shkonte mendja edhe te tre fëmijët e mi emigrantë në Amerikë, Kanada e Holandë…)

– Jo,-u përgjigj prerazi, shkrimtari i shquar korçar, – as që do të kthehem ndonjëherë, përfundimisht! Jam i zhgënjyer nga bashkatdhetarët pushtetarë, që nuk na krijuan mundësi për kthimin e pronave të grabitura. Edhe të dy djemtë e mi, kanë gjetur veten në Kanada, që është vendi i punës, i lirisë, i demokracisë dhe horizonteve të hapura, për këdo! Po unë, edhe si shkrimtar, vegjetoj midis dy brigjeve. Sidoqoftë edhe atje në Kanada, në mendje, unë rroj me mbresat, kujtimet dhe pjesën më të mirë të vendit tim dhe nuk e ndërroj me askën,d dashurinë për vendlindjen dhe respektin për njerëzit e saj të mirë, miqtë dhe shokët e mi të paharruar!

…Ndahemi nga miku ynë i mirë, Kristaq Turtulli, i cili mezi pret të rikthehet, shpejt, te familja e tij e shtrenjtë, për të punuar, jetuar dhe krijuar në Kanada, duke i uruar me zemër, shkrimtarit të dashur: Krijimtari të pashterrshme dhe cilësore, për të mirën e lexuesve të pasionuar shqiptarë, që edhe ai i ka kurdoherë me vete dhe që presin nga autori i tyre i pëlqyer, vepra të reja letrare edhe më të bukura: romane tërheqës intrigues fantastikë, tregime reale edukative e atdhetare dhe poezi shprehëse e nxitëse e shpresëdhënëse.

Tiranë, 15 maja 2017