Ripublikim:
Jusuf Buxhovi, „JENIÇERI I FUNDIT“, roman, botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2013, faqe 288. ISBN 978-9951-06-460-6
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Romani “JENIÇERI I FUNDIT”, shënon një arritje specifike në letrat shqipe. Jusuf Buxhovi, është i shkolluar për letërsi dhe i specializuar në histori, prandaj këto dy afinitete krijuese janë pikërisht si dy komponente krijuese, të cilat i ka inkorporuar në romanin historik, ku rrëfimi letrar është konceptuar mbi argumentin historik duke e sajuar komponentën e tretë, përkatësisht konceptin filozofik si synim përcaktues.
Romani „Jeniçeri i fundit“, është në vazhdën e temave historike, që merret me të shkuarën për ta emancipuar të tashmen, e cila sido që të jetë, qysh të nesërmen, bile në mëngjes, kalon në pronësi të historisë, prandaj kufiri në mes historiografisë dhe letërsisë është i ngushtë, e që ngjason me një sintagmë rotative që haset në këtë libër: “Për fundin si fillim dhe fillimin si fund” (faqe 153), ku mund të interpretohet se aty ku nis një fillim ka edhe mbarim, sikurse ku është fundi i fillimit do të niste fillimi i një fundi tjetër, duke qitur në pah aspekte të mendimit filozofik, për “Dijet e Vjetra dhe Dijet e Reja”, “Gjaku i Dijës dhe Dija e Gjakut”, “Shteti i Dijes dhe Dija e Shtetit”, e veçmas bie në sy“të qenit (Unë) dhe të bërit (Mua)”, e deri tek “përfundimi në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë”.
Me këtë metodologji rrëfimi, dhe me përvojën e gjatë në shkrimin e romanit, Jusuf Buxhovi e mban pezull lexuesin, qoftë me strukturën e rrëfimit ku nxit kureshtjen për të ditur se,“shembja fillon aty ku përfundon ngritja, ndërsa ngritja fillon aty ku përfundon shembja…”, ose për të dalluar se “nuk ka asgjë të përhershme përveç ndryshimit, siç nuk ka asgjë të qëndrueshme përveç ndryshimit…”, etj., (faqe 8).
Roli i personazheve që trajtojnë ngjarje të caktuara, janë të kamufluara kryesisht me elemente teologjike që ngjall kureshtjen e lexuesit, për të mësuar për misticizmin si besim që e kanë aplikuar Rendi Bektashian, kuptohet edhe në hapësirën shqiptare.
Por, kthimi i Jeniçerit në moshë të thyer dhe risocializimi i tij, sado që trajtohet sipas faktit historik ndërlidhet edhe me aktualitetin, sidomos me fatin e „Jeniçerëve Modern“, të cilët nuk i kanë humbur shpresat, për një kthim në moshë të thyer. Kurse fati i atij kthimi, lidhet pikërisht me moshat e thyera, siç është rasti me „Jeniçerin“ që trajtohet në romanin e Jusuf Buxhovit. Prandaj nëse diku më lart e kemi thënë se e sotmja, (pra edhe ky çast), nesër kalon në pronësi të historisë, atëherë fati ynë, ka ngjashmëri të mëdha me fatin e personazhit kryesor që trajtohet në këtë roman, ashtu siç zhvillohen shumë ngjarje e bëma historike që përngjajnë me të tashmen që e njohim pak më mirë.
Si koncept, ngritja dhe rrënimi i Perandorive, kanë zhvillim identik, që përshkohen nga faktor kohor të zhvillimeve socioekonomike, por në aspektin strukturor e filozofik ngjasojnë. Në këtë plan romani i „Jeniçeri i fundit“ aq sa ka të bëjë me Perandorinë që përshkruhet, po aq ka të bëjë edhe me rrënimin e një Perandorie që përfundoi kohë më parë, ku si pjesë e procesit të shthurjes, degdisjes dhe shkatërrimit të saj, ishte edhe protagonisti i romanit, përkatësisht vet autori i librit.
Personazhet e romanit lidhen kryekëput me trevën e Gjakovës dhe janë trajtuar më shumë nga aspekti i lëvizjeve teologjike ku i kundron zhvillimet sipas Rendit Bektashian, ndoshta për vet inspirimin që krijon rituali fetar i këtij besimi, rendi i tij dhe shkallët e hierarkisë janë aspekte të thella filozofike, kurse në planin gjuhësor e bëjnë romanin tërheqës dhe të pranueshëm.
Ndoshta për shumë kë, pjesët filozofike dhe ato që kanë të bëjnë me aspektin ritual donë vëmendje të shtuar. Por, nëse e abstrahojmë këtë mendim, dhe i marrim ato personazhe si të rëndomta, pa e përfillur kuptimin filozofik, mitologjik dhe teologjik, përsëri ngjarjet do të kenë kuptim logjik, (jo ndoshta me një mendim shumë të thellë), por që kuptohet me lehtësi gjithsesi.
Prandaj, më duket sikur përdorimi i këtyre shprehjeve nga lëmi i mitologjisë dhe teologjisë, ka si qëllim për të emancipuar mendimin filozofik, të cilit i qaset nga aspekti historik, duke e shtjelluar mirë në planin gjuhësor, ku përveç elementeve historike, ka mjaftë mendime e meditime filozofike dhe trajtesa gjuhësore që do t’u hynin në shërbim historisë-filozofisë dhe letërsisë, ku ndërtohet një lloj trilogjie specifike. Ky fenomen i trilogjisë së mendimit është pjesë e punës së vazhdueshme që bënë ky autor i cili më shumë se kushdo tjetër e ka të ndërtuar konceptin e trilogjisë letrare, publicistike dhe historike.
Aspektet e theksuar më parë, janë pjesë e jetës dhe angazhimit intelektual të Jusuf Buxhovit, si letrar, si historian dhe si politikan, ndonëse që të tri elementet i kundron nga pozita e shkrimtarit, intelektualit dhe qytetarit në profesion të lirë.
Padyshim, romani „Jeniçeri i fundit“ jo që është ndër veprat më të kompletuara të autorit në këtë fushë, por mund të radhitet si njëra nga veprat më të realizuara në shkallë kombëtare të letërsisë shqipe. Romani në fjalë është një vepër që u hyn në shërbim të gjithëve që historinë e kanë synim dhe studim, pasi aty gërshetohen elemente të hershme të antikitetit historik që vjen deri në kohën e Rilindjes, përkatësisht në kohën e “Zgjimit Kombëtar”, e ndërlidhur edhe me faktorët kohorë deri në ditët tona. Këto elemente ngjallin inspirim tek lexuesi për të kuptuar më mirë bektashizmin si religjion, kurse ngjarja zhvillohet në një hapësirë të lokalizuar gjeografike me 1500 – 2000 m2, e cila shtrihet përreth Pashtrikut, Dushkajës, Përdrinit, në Papaj, në Qafë Prushi e në Rekë të Keqe. Por trajtimi është i shkëputur krejtësisht nga religjioni si predikim.
Pra, inspirimi dhe motivimi në këtë vepër janë bazë për ta bërë ngjarjen më mistike, për ta zhvilluar imagjinatën e lexuesit dhe për ta bërë rrëfimin shumë më interesant. Ndërsa, fundi tragjik i një rendi shoqëror, i një Perandorie të caktuar, siç ishte ai i Jeniçerëve lidhet ngushtë me rolin e besimit bektashian në shoqëritë njerëzore. Këto zhvillime, kanë ngjashmëri me fundin tragjik të Perandorisë Komuniste, e cila po ashtu kishte ngritur në kult besimin dhe inspirimin në fenë e tyre, ndërsa gjatë procesit të shkatërrimit, edhe ky sistem përjetoi trauma identike me ato që ndeshen në këtë roman si fakt historik që lidhte me një epokë.
Përvoja jetësore që ka pasur autori, (sidomos me rënien e Perandorisë Komuniste), ia ka lehtësuar punën metodologjike, për ta interpretuar shthurjen e një sistemi a formacioni të caktuar në mënyrë sa më tragjike, ku përmes imagjinatës i ka ndërlidhur mirë faktet historike dhe ato letrare, me besimin si inspirim, i cili në atë kohë ishte aplikuar si rend shoqëror i përparuar i Perandorisë Otomane. Autori mjaftë mirë i ndërlidh dhe i ndërthur faktet me raportet e shqiptarëve me perëndimin. Duke i parë ato zhvillime në aspektin kulturor, strategjik dhe historik, duke qitur në pah përpjekjet e vazhdueshme të Jusuf Buxhovit, për ti lidhur shqiptarët me rrënjët e këtij qytetërimi.
Romani „Jeniçeri i fundit“, sidomos me angazhimin e Sheh Banit, kur do të kërkojë “veprim të shpejtë për ta mbikëqyrur gjendjen, ose nënshtrim të shpejtë për ta shpëtuar gjendjen…”, (faqe 146), pasi në ato “vise kishin filluar të futeshin fanatikë që vinin nga Kaukazi”,(f. 146), sepse “Sheh Nuri dhe të tjerët, hafije të pushtetit qysh moti ishin futur në radhët tona”, (faqe160), do ta detyrojnë Sheh Banin të ndërrojë strategji, kur “Tha se do të luftohet, por pa hyrë në luftë…”, (f. 146). Në këtë rast autori e ka ndërlidhur filozofinë e ngjarjes, me aktualitetin e para do kohësh. Natyrisht, duke mësuar nga e kaluara, duhet të ndërtohet e tashmja, me sa më pak gabime e hipoteka, të cilat janë bërë platformë e të gjitha angazhimeve të Jusuf Buxhovit, në planin letrar, publicistik, historik dhe kulturor.
S’ka dyshi romani „Jeniçeri i fundit“, në pamjen e parë lidhet me konfliktet e një kohe të shkuar, por mesazhi i tij, zëshëm flet për nevojën e krijimit të identitetit të ri, identitet ky që ka rrënjën historike si një dokument i mirë dhe mjaftë origjinal ku “sfidat e mëdha kërkojnë besim të patundur…”, (faqe 69), ndërsa zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se “fitimtar nuk merren ata që nuk ia dalin ta ndryshojnë atë, por ata që nuk bëhen pjesë e saj…”, (faqe 37), ose “u morëm vesh mos me lejue që krahu i luftës të fitonte në kandar, meqë kjo do të na përballte me shkatërrim të plotë…”, (faqe 139), refrene këto mjaftë të njohura në skenën politike të viteve të ’90-ta kur “Thirrja për durim e besim do të merret tradhti, ndërsa kryeneçësia heroizëm!”, (faqe 141), të cilat si nocione shtjellohen më mirë tek një pasus tjetër kur thotë se “Rendi i Ri Ushtarak” duhej të përvetësohej pa marrë parasysh se ata kishin bërë krime dhe masakra në Kryeshehër, (faqen 155), pasi kishte shenja të mosdurimit të atyre që mendonin “se gjaku ndalet me gjak”, (faqe 76), në kohën kur “Lufta për pushtet lejon çdo mjet… Atë e kanë përdorur edhe profetët”, (faqe 160).
Disa aspekte që janë nocione dhe përkufizime të caktuara, e ku e lidhin një lloj qarku interesant, kanë të bëjnë me norma e shprehje, me elemente të ritualitetit në aspektin liturgjik, mitologjik dhe filozofik siç janë: “Ama e Ati”, „Gur- Guri, Guri i Nanës dhe Guri i Dheut“, pastaj trajtimi dendur nga aspekti mitologjik i „Gjarprit të Shtëpisë dhe Gjarprit të Pemësdhe Gjarprit të Pemës“, aspekte filozofike rreth “Mençurisë”, “Me qenë shërbëtor”, “Pozita e shërbëtorit nga frika”, “ç’gjë është e mirë?”, “ç’gjë është e keqe”, “dyfytyrshave të djeshëm dhe të tanishëm”, “Dijet e Vjetra dhe Dijet e Reja”, “Dija e Gjakut dhe Gjaku i Dijes”, aspekte liturgjike si “Dita e katërdhjetë”, “Sëmundja e Territ”, “Stina e therave”, “Shpërthimi i Kuq dhe Udhëtimi i Dritës së Kuqe”, disa nocione administrative – juridike:“Rendi i Ri e Rendi i Vjetër”, “Këshilli i Urdhrit Vendor”, “Qendra e Urdhrit”, ose elemente të mitologjisë që lidhen me “Kështjella e Hijes”, “Guri i Kaltërt”, si dhe disa nocione karakteristike të të folmës popullore për “allamani – gjermanët, ingilizi- anglezët, vendet e frangut –francezët etj.” ose për “latinët – të krishterët” e për “moskovitët – rusët”, “Arnavudllëk – Dardano –Iliria”, e kështu me radhë.
Në roman janë ndërtuar edhe disa monumente të kultit e traditës siç janë: “Kështjella e Damastionit – Artana e sotmeArtana e sotme”, ku do të ndeshim personazhe mitologjike Monun, Glauk, Audata etj. Ndërsa tek “Kështjella – Justiniana Prima”, kemi fenomenin e mbrojtjes me ligj – përkatësisht “dekretin perandorak” të vlerave që sot shkelen shumë, pra është fjala për tri lule: “Dardania cacalian – që ripërtërinë kujtesën dhe ndihmon shpirtinqë ripërtërinë kujtesën dhe ndihmon shpirtin”, “Iliria – Aloitis – nga kërcelli i saj del një lëng i cili bënë që shpirti të mos plogështohetnga kërcelli i saj del një lëng i cili bënë që shpirti të mos plogështohet”, dhe lulen “Absentium rusticum – që është njëfarë pelini që idhtëson dhe nxjerr helm shëruesqë është njëfarë pelini që idhtëson dhe nxjerr helm shërues”, (faqe 212 – 213).
Rrëfime të tjera:“Kështjella e Drilonit”, “Kështjella e pasqyrave”, “Kështjella e territ”, “Kështjella e rrethit”, “Kështjella e hijes”, ose rrëfimi “Kryqi i thyem, Shqiponja me kthetra, rikthimi i Sheh Banit dhe Kështjella e hijes”, kompletojnë kulturën e shkrimit, rrëfimit dhe interpretimit, kurse “Kthimi i Baba Qazimit si vrasës dhe shpëtimtar dhe përfundimi në lëkurën e Gjarprit të Shtëpisë”, e përmbyll siparin e këtij qarku të rrëfimit, duke e lënë pezull se përsëritja e historisë mund të jetë tragjike dhe e dhembshme, pasi në këto rrethana janë krijuar “mundësitë e futjes në radhët tona të moskovitëve me anën e disa klerikëve të dyshimtë, që vinin nga popuj të Kaukazit dhe të Krimesë (tatarë, çerkezë, kozakë, ullukë e të tjerë, të cilët kishin lidhje të mira me ta edhe para se të pushtoheshin prej tyre në luftërat e fundit me ne”, (faqe134), gjë që porositet se “duhet e pas frikë nga gjendjet kur ujku e dhia bëhen bashkë”, (faqe 135).
Këto aspekte tematike, i kalojnë kornizat dhe kopertinat e një romani, siç është ky që po e trajtojmë, që flitet kryesisht për kohët e shkuara, por lexuesi do të beson se Jusuf Buxhovi, është njohës i mirë i historisë, që nga antikiteti, me pellazgët, ndërsa në roman e hasim edhe toponimin “Pellazgjia”, pastaj për “Perandorinë Dardane”, e shumë e shumë ngjarje e bëma të tjera, të cilat në mënyrë artistike janë parë nga prizmi i Rendit Bektashian. Gjithsesi, këto qasje në këtë roman janë trajtuar mirë, qoftë në kontekstin kohor apo historik.
Jusuf Buxhovi, është njëri nga historianët më të zëshm të kohës sonë, i cili me guxim intelektual shkroi për Kosovën “Historinë I-VIII“ dhe këtë “Libër për vetveten” (faqe 7), siç është romani në fjalë „Jeniçerin e fundit“!
Zürich, 4 dhjetor 2013.