AV. XHABIR ZEJNUNI
Në videon e parë, që shpërndau Zonja Elisa Spiropali në përkrahje të vajzës së mitur të përdhunuar nga një kope djemsh, ajo nxori në mbështetje të kësaj vajzës të mitur nenin 21 të Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur, duke thënë se “E drejta e të miturit për jetën private, respektohet plotësisht në çdo fazë të drejtësisë penale për të mitur, duke bërë kujdes që të shmanget dëmtimi i tij”.
Në pamje të parë, duket se deklarata e Spiropalit, është shumë garantiste ndaj fenomentit të përdhunimit dhe vajzës së mitur konkretisht.
Por, realiteti është ndryshe.
Mjafton të merren në konsideratë Kushtetuta dhe Kodi i Drejtësisë Penale për të mitur (Ligji Nr. 37, datë 30.03.2017), duke pasur parasysh edhe vizitën e mëvonshme që Spiropali bëri në shtëpinë e familjes së vajzës së mitur. Të shoqëruar edhe me videon përkatëse!
Kushtetuta në nenin 35, par. 1, disponon se “Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij” dhe vazhdon me par. 2 se “Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj”.
Par. 1, në rastin konkret është shumë garantist, në lidhje me (mos)publikimin e të dhënave të ndjeshme private të çdo personi, duke evituar kështu çdo presion të mundshëm për publikimin e tyre. Tek par. 2, duke qenë se falë videos, publiku u njoh me familjen e vajzës dhe si rrjedhojë ju lehtësua edhe identifikimi i saj, krijohen probleme shumë serioze. Pasi askush nuk e din nëse “bërja publike e të dhënave rreth personit”, që në rastin konkret është vajza e mitur, u “bë me pëlqimin e saj”.
Madje as edhe prindërit nuk kanë tagër të bëjnë publikime të tilla (edhe pse në pamje të parë indirekte!), pa marrë më parë pëlqimin e vajzës, në dakordësi me psikologun dhe avokatin e specializuar që e asistojnë atë. Aq më shumë pasi ngjarja e hidhur edhe pse i është shkaktuar një personi privat, ka pasqyrim dhe rrjedhoja serioze edhe në fushën publike.
Kodi i Drejtësisë Penale për të mitur, sipas nenit 1, ka për qëllim “Të garantojë një kuadër ligjor mbi drejtësinë penale për të mitur që është në përputhje me Kushtetutën, Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB) për të Drejtat e Fëmijëve dhe standardet e normat e tjeran dërkombëtare që kanë për qëllim mbrojtjen e të miturit dhe mbrojtjen efektive të interesit më të lartë të të miturit”, etj.
Por, ky Kod për veçantësinë dhe delikatesën e objekteve dhe subjekteve që trajton, ka vështirësi të mëdha aplikimi, duke qenë se në radhë të parë mungojnë specialistët që trajtojnë problemet kaq delikate të të miturve.
Sidoqoftë, ky Kod i jep shumë garanci të miturve, pavarësisht rrethanave në të cilat ata mund të ndodhen: si persona që kryejnë vepra penale, apo edhe si persona që i pësojnë këto vepra penale.
Por, viktima e mitur, mund të gjendet edhe në situatën e riviktimizimit, pasi neni 3, me titull “Përkufizime”, në par. 20, disponon se “Riviktimizim” është “shkaktimi i dëmit të miturit viktimë e veprës penale, si pasojë e një vepre penale të re që ka lidhje me të parën”. Në rastin në fjalë, vajzës së mitur përveç dëmit të parë, ju shkaktua edhe një dëm tjetër, i cili erdhi “si pasojë e një vepre penale të re që ka lidhje me të parën”. Pasi vetë identifikimi që ju bë asaj me anë të videos së familjes së saj, e riviktimizoi atë.
Neni 21 me titull “Mbrojtja e jetës private të të miturit”, parashikon në par 2 se “Nuk publikohet asnjë informacion që mund të çojë në identifikimin e të miturit në konflikt me ligjin, të të miturit viktimë ose dëshmitar i një vepre penale”. Në fakt, publikimi i videos së familjes së vajzës së mitur, ishte një “informacion”, i cili i shërbeu publikut “në identifikimin e të miturës viktimë”. Pasi deri në momentin e daljes së videos, identifikimi nga publiku i vajzës së mitur nuk ishte konkretizuar akoma. Të paktën de jure!
Ndërsa par. 4, parashikon se “Ndalohet identifikimi ose publikimi në çfarëdo lloj forme i të dhënave personale të të miturit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale”. Në këtë rast, në dhunim të par. 4, identifikimi i vajzës së mitur, u bë në mënyrë indirekte dhe pa dëshirën e saj. Dhe kaq, ishte mjaft!
Par. 7, parashikon se “Shkelja e pikes 4, të këtij neni, përbën vepër penale, sipas parashikimeve të Kodit Penal”. Askush nuk mund (apo duhet) të jetë në rastin konkret kundër zbatimit të par. 7.
Neni 33 me titull “Parime të përgjithshme”, tek par. 1, parashikon se “Organet kompetente, në çështjet me të mitur viktima dhe/ose dëshmitarë, bëjnë kujdes të veçantë, me qëllim që: ç) bërja publike e informacionit lidhur me identitetin e të miturit dëshmitar ose viktimë bëhet vetëm me leje të gjykatës”.
Nëse Spiropali ka marrë përsipër falë Ministrisë që ajo drejton kompetencën (edhe pse nuk i takon!) për të “bërë publike informacionet lidhur me identitetin e të miturës viktimë”, duhet të supozohet që kjo “bërje publike” të jetë “bërë VETËM me leje të gjykatës”. Justifikimi i Spiropalit se kjo video u bë me leje të familjes nuk ka vlerë juridike, duke qenë se faktin e marrjes leje nga familja, nuk e parashikon Kodi në fjalë.
Atëherë shtrohen disa pyetje.
I mori LEJE Spiropali gjykatës për të bërë publike informacionet në lidhje më identitetin e të miturës viktimë?
Leja që ajo i ka marrë familjes së vajzës së mitur, ka qenë vetëm verbale, apo edhe me firmë të prindërve dhe në prani të kujt tjetër?
Duke parë se ka shkelje të dukshme dhe të rënda të Kushtetutës dhe të Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur, a do aktivizohet Prokuroria në këtë rast për të vënë drejtësinë në vend?
Pasi aktivizimi i Prokurorisë, do i priste rrugën precedentëve të ndryshme që mund të ndodhin më vonë në forma dhe mënyra të ndryshme(…)!