Rinumërimi i votave, deformim i procesit zgjedhor!

0
341

Shkruan: Florim Zeqa, 19.10.2019

Edhe pse zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në mënyrë të shkëlqyeshme, të qetë dhe demokratike, pas prezentimit të rezultateve preliminare, filloi deformimi i këtij procesi nga KQZ-ja. Manipulimi i procesit zgjedhor nisi me rinumërimin e votave në 314 vendvotime, për të vazhduar me turnin e dytë të rinumërimit (përpunimit) të votave edhe në 530 vendvotime, që në total po i bie 844 vendvotime.

Manipulimet e këtij procesi zgjedhor janë produkt i vetë KQZ-së, përkatësisht i komisionerëve të përzgjedhur nga nga krerët subjekteve politike dhe nëntokave kriminale.
Rinumërimi i votave nuk e rritë as zvogëlon numrin e votave të përgjithshme në nivel vendi, por e ngrit apo zvogëlon numrin e votave nga një subjekt në tjetrin.

Për më keq se kaq, rinumërimi i votave është produkt i vjedhjes së votave brenda subjekteve politike, gjegjësisht i vjedhjes së votave mes kandidatëve në të njëjtën listë zgjedhore.

Vjedhja e votës brenda partive është tregues se kandidatët për deputet nuk e kanë shumë hallin e këtij populli, sa e kanë hallin e tyre për t’u ulur në “ulësen” nga e cila mund të pasurohen e bëhen milionerë!

“Edhe pse i kam marrë votat e mjaftueshme për deputet, dyshoj në vjedhjen e votave të mia brenda partisë”, ishte rrëfimi i një kandidati për deputet!

Kësisoji, kandidatët për deputet po i shfrytëzojnë shkathtësistë e tyre për korruptimin e komisionerëve që t’ua regjistrojnë votat e kolegëve në llogaritë e tyre. Kjo është vjedhja më e turpshme dhe më skandaloze e votës brenda llojit me bekimin e KQZ-së.

Nga vjedhja brenda llojit, tek vjedhja ndërpartiake

Përtej vjedhjes brenda llojit (subjektit), është duke u manipuluar i tërë procesi zgedhor me tendencën për komplikimin e procesit të formimit të qeverisë së re.

Megjithatë, loja më kriminale e grupeve të interesit po bëhet në dy drejtime; e para, në pamundësimin e arritjes së koalicionit paszgjedhor LDK-LVV, dhe e dyta, në kalimin e pragut të koalicionit NISMA-AKR-PD.

Sikurse në rastin e parë, ashtu edhe në rastin e dytë, qëllimi është i njëjtë, sabotimi i qeverisë në ardhje LDK-LVV dhe faktorizimi i humbësve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kur dallimi në vota mes LVV-së dhe LDK-së është në nuanca shumë të vogla, kanë filluar edhe manipulimet me rezultate në KQZ, pas rinumërimit të votave në 314 vendvotime, do të vazhdojë rinumërimi edhe në 530 vendvotime. Kur kësaj i shtohen votat me kusht, votat e personave me aftësi të kufizuara dhe votat nga Diaspora, mundësia e përmbysjes së rezultatit zgjedhor rritet akoma më shumë shkaku i pazare të pista mes partnerëve të vjetër.

Përmbysja eventuale e rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja, do ta fusë vendin në një krizë të thellë politike, të ngjashme me atë të vitit 2014, të kohës së VLAN-it e cila e pati lënë Kosovën rreth 6 muaj pa qeveri dhe Kuvend, deri tek vendimi i arbitrit që ishte Gjykata Kushtetuese.

Ngrirja e njëanshme e negociatave nga LDK me VV-në, skenarë i PDK-së

Ngrirja e njëanshme e negociatave nga LDK me VV-në, mund të jetë një skenar i paramenduar nga PDK-ja she SHIK-u në pritje për ta kaluar eventualisht pragun edhe koalicioni NISMA -AKR-PD , dhe për ta mashtruar LDK-në me pozitën e kryeministrit, që të ndërtohet koalicioni i treshes LDK-PDK- Nisma dhe përsëri të tradhtohet Vetëvendosje duke mbetur në opozitë së bashku me AAK-në.

Zërat kundërshtues për koalicionin e mundshëm LVV-LDK, sikur është Agim Veliu nga dega e Podujevës e të tjerë, janë tregues që Vjosa Osmani, edhe pse më e votuara, është e fundit që vendos në LDK.

Heshtja e Vjoses përballë realitetit të krijuar mund t’i kushtojë asaj me humbje të imazhit dhe kredibilitetit të arritur nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Vjosa Osmani në rrugëtimin e saj politik drejt kreut të ekzekutivit duhet të dëshmohet që është produkt i vullnetit të elektoratit e jo produkt i matrapazëve politikë, në të kundërtën e ka të garantuar theqafjen politike bashkë me klanorët në majat e LDK-së.

Nëse e marrim si kriter mbështetjen e fuqishme të zonjes Vjosa Osmani nga elektorati i LDK-së, atëherë pavarësisht manipulimit të rezultatit zgjedhor, Vjosa Osamani duhet të merrë timonin e partisë.

Ngrirja e negociatave me Vetëvendosjen nga ana e LDK-së është tendencë e hapur për “djegien” e Vjoses, e cila, nëse nuk prodhon zgjedhje të jashtëzakonshme në LDK, mund të shkaktojë ndarjen e re të këtij subjekti politik.

Bazuar nga rezultatet preliminare, që e përcaktuan LVV-në fituese të zgjedhjeve dhe mundësisë së manipulimit të zgjedhjeve nga rinumërimi (vjedhja) e votave, LDK-ja duhet të tregohet e kujdesshme nga rrëshqitja në humnerë.

Për hirë të së vërtetës, sikurse PDK-ja, ashtu edhe LDK-ja e kanë të merituar ndëshkimin nga elektorati kosovarë për shkak të bashkëqeverisjes së gjatë në pushtetin qendror. Pra të dy partitë, PDK e LDK, për aq sa janë meritorë për ndërtimin e institucioneve shtetërore pas 17 shkurtit 2008-të, po aq janë meritorë edhe për instalimin e nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Binomi PDK-LDK, përkatësisht binomi Thaçi-Mustafa paraqet binjakëzimin SHIK-RIINVEST që gjunjëzoi shtetin dhe keqëpërdori paratë e qytetarëve (mërgimtarëve) të Kosovës.