Mr. Fatmir HALIMI
VËSHTRIM
Shkrimtari, publicisti e poeti ynë Atdhe Geci, i përket familjes së arsimuar atdhetare, Geci, nga Rogana e Dardanisë (Kosovës). Atdhe Geci (ish gazetar) i RTP-së, aktualisht jeton e krijon në Dortmund të Gjermanisë. Atdhe Geci, bir i Roganës Dardane, është Shpallësi i Republikës së Çamërisë, në 30 tetor 2016, autor i Himnit të Çamërisë, pjesëmarrës në dorëzimin e Dosjes Çame më 11 shkurt të vitit 2016, në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës kundër gjenocidit grek ndaj të Çamërisë. Atdhe Geci është shkrimtar i vlerësuar me dy çmime kombëtare e ndërkombëtare. Atdhe Geci në librin e tij publicistik “Rilindja e Shtetit të Çamërisë’, i cili është libri i tij i 17-të me radhë, që po e promovojmë sot Vlorë trajton problematika dhe tema që lidhen me çështjen e Çame.
Ndër to është edhe shkrimi Rilindja e shtetit të Çamërisë, në të cilin autori Geci na jep një historik të thukët dhe shumë interesant për shtrirjen gjeografike të Çamërisë, e cila është e okupuar për më se 200 vite nga shteti shovinist grek, si dhe na jep një historik të popullit shqiptar të Çamërisë nga koha e lashtë pellazgo-ilire-shqiptare. Geci ndër të tjera në këtë shkrim për Çamërinë thotë se Shqipëria e poshtme në Greqi, Çamëria ka 17mijë e 500 km katror, sipërfaqe tokë dhe 6 mijë kilometra katror sipërfaqe ujera dhe dete, dhe mbi 4 milion banorë çamë dhe arvanit. Në Rilindjen e shtetit të Çamërisë kontributi i patriotit Festim Lato është i veçantë dhe i jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare. Atdhe Geci në këtë shkrim na informon se Festim Lato me vetëfinancim ka organizuar mbi dy mijë protesta dhe veprimtari të tjera për pavarësinë dhe shpalljen e shtetit të Çamërisë.
Temë tjetër që e trajton në këtë libër publicistik është edhe shkrimi tjetër Shpallja e pavarësisë së Çamërisë, e cila ndodhi më 30.10.2016 në Hagë të Holandës, ku ndër të tjera citohet edhe deklarata e presidentit të Republikës së Çamërisë, Z. Festim Lato: ‘Ne përfaqësuesit e popullit shqiptar çamë dhe arvanit, të trevave shqiptare të aneksuara nga Greqia pasi analizuam gjendjen në të cilën ndodhemi mbi një shekull, të përndjekur nga vendi ynë, përkatësisht të asimiluar dhe të diskriminuar në aspektin human, gjuhësor, kulturor e politik, vendosëm që të mblidhemi në Kuvendin Gjithëpërfshirës çamë dhe arvanit, me çëllim të organizimit të institucioneve, parlamentit, qeverisë, dhe ministrive përkatëse, për udhëheqjen e procesit politik dhe ushtarak, për realizimin e pavarësisë së Çamërisë dhe krijimin e shtetit të Çamërisë’.
Atdhe Geci te “Rilindja e Shtetit të Çamërisë’ tema të tjera që trajton janë edhe krijimi i Himnit të Çamërisë, në përkrahje të Çamërisë, bërthama e pavarësisë së Çamërisë, kongresi i parë i Republikës së Çamërisë, e shumë e shumë tema dhe motive të tjera që lidhen me çështjen çamë. Ndër to vlen të theksohet edhe artikulli Historia e Çamërisë nga profesoresha Elena Kocaqi, e cila na jep një gjenezë të thuktë të prejardhjes së çamëve, që ndër të tjera ajo thotë se kjo popullsi ka qenë pjesë e Epirit pellazg dhe pikërisht e Thesprotëve që banonin rreth lumit Thiamis, nga e cila e ka marrë edhe emrin. Kocaqi këtu na jep një informacion të saktë për jetën kulturën dhe zhvillimin e çamëve të Epirit shqiptarë që nga mbreti i tyre i parë Pirroja e deri te shek. 20, ku Greqia e sotme zhvilloi një gjenocid të paparë mbi ta.
Atdhe Geci me çështjen çamë dhe problematikën e saj është marrë me vite në vazhdimësi, ku ndër të tjera vlen të theksohet edhe libri monumental për Çamërinë ‘ Trokitje Çame ‘, i cili është një ep i madh me mbi njëmijë faqe dhe me mbi 30 mijë vargje, i cili ngjason me epin e Homerit, ‘Iliada e Odiseu’, apo me epin kombëtar të shqiptarëve ‘Lahuta e Malcisë’ të Gjergj Fishtës, por me një stil dhe me një ndërtim më ndryshe dhe që mund ta cilësoj si një ep modern të kohës sonë. Te ‘Trokitje Çame’ poeti Geci derdhi tërë dijen, mundin, dashurinë, idetë dhe motivet deri në përsosmëri për popullin çam. Dashuria e tij e madhe për Çamërinë, preokupimi i tij i vazhdueshëm për zgjidhjen e çështjes së Çamërisë, për çlirimin e çamëve nga okupimi grek dhe bashkimi i tyre me shtetin amë të Shqipërisë më së miri shprehet te artikulli i tij i fundit në këtë libër publicistik ‘Identiteti Shqiptarë i Çamërisë’.
Këtu Geci paraqet një dashuri dhe një lidhje gjaku e ndjenje të fuqishme me popullin çamë, i cili ndër të tjera edhe thotë se mua lidhja me Çamërinë më vjen nga zemra, nga shpirti, nga varri i gjyshërve e stërgjyshërve, nga brigjet me det, me kopshte dhe male, nga i tërë Epiri. Geci thotë se unë Çamërinë e dua edhe kur më dhunon, edhe kur më vret, edhe kur më poshtëron, sepse un jam çamë dhe jam bimë e gjakut të tyre.
Dhe si për fund shkrimtari, poeti, publicisti Atdhe Geci në këtë libër thotë se për Çamërinë do të luftoj një shekull, dy shekuj e më shumë, deri në çlirimin e saj.
Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, poet, gazetar