Dilaver Goxhaj*, “Dita”, 23 korrik 2018
Kam lexuar me vëmendje të gjitha shkrimet e kohëve të fundit në DITA ku bëhet analiza e Qeverisë Rama në pesë vitet e deritanishme të saj. Asnjë fjalë për ushtrinë. E të mendojmë se ushtria jonë e ka pësuar më keq nga të gjithë sektorët e tjerë pas vitit 1990.
Rama në vitin 2013 premtoi Rilindjen. Domethënë ringritjen e Shqipërisë pas atij rrënimi katastrofik që i kishte bërë qeverisja e Sali Berishës. Po sa e ka mbajtur premtimin pas këtyre viteve në qeverisje kur bëhet fjalë për Ushtrinë?
Këtë do të përpiqem të analizoj në këtë shkrim, duke u mbështetur në shifra dhe tregues konkretë, në fakte dhe dëshmi të pakontestueshme, për të dalë në konkluzioni pse është domosdoshmëri rikrijimi i forcave tona të armatosura.
Sot Republika e Shqipërisë, për fat të keq të saj, nuk ka asnjë lloj force të armatosur; ato ekzistojnë vetëm në fjalimet e politikanëve. Kemi disa qindra forca speciale, që rekrutohen nga deputetët. Po ç’ushtri është kjo! Në shikimet rreshtore, për syrin e një pedanti, ato janë të shkëlqyera. Por, nuk mund të themi që 100 apo 300 veta përbëjnë ushtrinë kombëtare ngaqë shkojnë në Afganistan a gjetkë; nuk është një ushtri kombëtare, është thjesht një trupë ceremoniale.
Kur ushtrinë e mori në dorë Sali Berisha, në vitin 1992, porsa patëm dalë nga Lufta e Ftohtë dhe atë ushtri ua besoi kuadrove më të paafta, duke i graduar brenda një nate gjeneralë! 26 të tillë! Dhe këta “gjeneralë” me porosi të Berishës, e dobësuan gradualisht përgatitjen luftarake të saj dhe përgatitën kushtet për shkatërrimin e saj.
Pas masakrës që i bënë ushtrisë gjeneralët e Berishës dhe vetë ai, shtetit n9 97, ushtrinë e mori në dorë Partia Socialiste, e cila, në vend që t’i nxirrte para përgjegjësisë pothuaj të gjithë drejtuesit kryesorë të reparteve dhe njësive taktie e operative, i la shumicën e tyre në ato detyra, madje shumë prej tyre edhe i ngriti në funksione, si dhe ndoqi politikë nepotiste në kthimin e disa kuadrove në ushtri, si dhe duke emëruar në shumicën e rasteve militantët profanë dhe jo të përkushtuarit. Në këtë mënyrë e zhgënjeu korpusin e kuadrove të ushtrisë. E njëjta politikë kuadri si dhe PD-ja.
Kur Ministrinë e Mbrojtjes ia besoi Pandeli Majkos, ky u tregua mjeshtër për shitjen e gjithë armatimit dhe teknikës luftarake si skrap, dhe me atë fodullëkun e tij prej adoleshenti, gjithë politikën e kuadrit ia besoi adjutantit të tij. Si rrjedhojë, ishte edhe vota e ushtarakëve aktivë, në lirim e pension që e rrëzoi Nanon nga pushteti në vitin 2005.
A do ta marrim vesh ndonjëherë se çfarë ka ndodhur realisht me ushtrinë shqiptare. A do të dalë ndokush të na tregojë se ku shkoi dhe në cilët xhepa ka hyrë kjo pasuri kolosale që kap miliarda dollarë?
E rimori përsëri Sali Berisha pushtetin. Boll të themi se çfarë bëri ky me Mediun në Gërdec (si simbol i këtij rrënimi total), merret vesh se si e trajtoi ushtrinë, duke e turpëruar e gjakosur atë dhe popullin, duke turpëruar shtetin.
Dhe në vitin 2013 e rimori në dorë përsëri PS-ja, me në krye Edi Ramën, i cili vuri në krye të ushtrisë një femër, Mimi Kodhelin, e cila dukej sikur ndjente lumturi që e bëri të pamundur hyrjen në institucionet kërkimore të studiuesve ushtarakë, (vijon edhe sot), duke kujtuar se kështu bëri një ushtri moderne; vetë Ali e vetë Kadi në politikën e kuadrit.
Madje, ajo edhe teknikën elektronike të zbulimit ajror e detar të ushtrisë, në vend që ta vinte në funksion të paprekshmërisë së kufijve detarë e ajrorë, e heshti, ndoshta për t’u krijuar kushte optimale tregtarëve të mëdhenj të hashashit; shiti edhe avionët që kishin mbetur pa shitur nga paraardhësit; të gjitha institucionet historike të Ushtrisë Shqiptare i zhvendosi, duke e fshirë atë pjesë të historisë së ushtrisë shqiptare; të gjitha shtëpitë e ushtarakëve që nuk kishte arritur t’i privatizonte Berisha, në të gjithë qytetet i privatizoi dhe sot ish-kuadrot e ushtrisë nuk kanë asnjë vend ku të zhvillojnë ndonjë aktivitet për hitorinë e ushtrisë shqiptare.
Dy shtëpitë kryesore të ushtarakëve që ishin në Tiranë, njërën ia fali PD-së, tjetrën e ka bërë qendër drejtorish civile. Disa nga qëndrat e komandimit të ushtrisë në rast lufte u denigruan përmes projektit “Bunkerart”, si dhe u sfidua koncepti i fortifikimit përmes bunkerit në qendër të Tiranës që të kujton librin propagandistik të Dretorisë Politike të Ushtrisë Jugosllave, botuar në vitin 1982, në Beograd “Bunkerizimi i Shqipërisë”, i cili në kopertinë ka këtë tip bunkeri (oficerëve shqiptarë të ushrisë jugosllave ua jepnin me detyrim ta mbanin në çantën e oficerit)
Pas katër vjetësh, tashti Ushtrinë ia ka besuar një çupëline tjetër, Olta, e cila as nuk di se për çfarë i duhet shtetit ushtria, duke i vënë vetes detyrë kryesore, shndërrimin e ish kazermave të brigadës së artilerisë dhe asaj të këmbësorisë së Korpusit të Gjirokastrës, në Tepelenë, në një shëmbëlltyrë të kampeve naziste të përqëndrimit! Tallje totale me ushtrinë. Olta më bën të qesh dhe më kujton Kadri Roshin te filmi “Ballë për ballë” kur thoshte se me një zë si prej mize që më vjen nga telefoni unë nuk hidhem në sulm! Në fakt, (mos)reformimi i ushtrisë në këtë pesë vjetor të Qeverisjes Rama duhet analizuar shumë seriozisht.
Çfarë ushtrie kishim derisa ajo ra në duart e PD-së dhe të PS-së?
Shifrat e plota të armatimit dhe teknikës luftarake që kishte Shqipëria, për t’i ditur i gjithë populli, pasi këto shifra qeveritë shqiptare pas vitit 1990 i kanë mbajtur fshehur, që populli të mos e merrte vesh se sa pasuri i është vjedhur, mund t’i lexoni duke klikuar KËTU.
Po ku shkoi gjithë ajo pasuri ushtarake? Shkriu si kripa në ujë, dhe askujt nuk i hyri gjemb në këmbë. Gjatë këtyre tre dekadave të fundit kemi lexuar e dëgjuar shumë sharlatanë poltikë e analistë të ndryshëm që shprehen se Shqipëria e ka pas kot atë armatim e atë ushtri. Këto fjalime “bombastike” nëpër televizorë e media të tjera, madje edhe nga foltorja e Parlamentit, janë bërë dhe bëhen ose nga injoranca ose nga qëllime të këqija antikombëtare, sepse as nuk e dinë dhe as nuk duan ta dinë se objektivi kryesor i atyre Forcave të Armatosura ishte të fitohej lufta pa bërë luftë, që do të thotë ta detyrosh kundërshtarin të heqë dorë nga synimet e tij grabitqare.
U kujtoj këtyre teoricinëve profanë, se gjatë Luftës II Botërore të gjitha palët ndërluftuese i kishin lëndët helmuese luftarake, por asnjëra palë nuk guxoi t’I përdorte; edhe në kohën e Luftës së Ftohtë flitej për sulme atomike, por bomba atomike nuk u përdor; flitej për luftë e luftë nuk u bë, dhe kjo si rezultat i regullave dhe marrëveshjeve midis dy krahëve, gjë që bëri të mundur ekzistencën e një regulli shembullor në Evropë.
Me mbarimin e Luftës së Ftohtë u krijua ideja e një paqeje globale, por më shumë në Evropë. Si rrjedhojë, të gjitha qeveritë shqiptare të mëpasme e shkallmuan totalisht gjithë arsenalin e Forcave tona të Armatosua dhe nuk ka asnjë lloj inventari se nga kush, si, kur dhe ku shkoi gjithë ajo pasuri ushtarake; madje nuk doli para përgjegjësisë asnjë ushtarak komandues i të gjitha niveleve, të cilët i braktisën repartet ushtarake dhe depot e armatimeve e të të gjithë rezervave të Forcave të Armatosura dhe rezervave të shtetit; madje kur PD-ja dhe aleatët e saj rierdhi në pushtet nëvitin 2005 i shpërbleu gjeneralët për eleminimin total të Forcave të Armatosura!
Por as PS-ja dhe aleatët e saj të majtë nuk i nxorrën kurrë para drejtësisë shkaktarët e shkatërimit të të gjithë Forcave të Armatosura dhe të gjithë strukturës së shtetit shqiptar, edhe pse kemi të bëjmë me një shkatërrim të pashembullt në historinë botërore të shtetit dhe të Focave të Armatosura nga vetë shteti.
Të gjithë ata i braktisën repartet dhe institucionet në panik, duke u lëshuar turmave gjithçka. Nëse në Shqipëri drejtësia nuk do të varej nga politika, kam bindjen se ndëshkimi më elementar i gjithë ushtarakëve, të të gjitha niveleve me përgjegjësi komanduese e drejtuese të të gjithë Forcave të Armatosura, përfshi edhe policinë dhe Shërbimin Inteligjent, si dhe gjithë kabineti qeveritar i asaj kohe dhe gjithë deputetë që shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe rizgjodhën Berishën President, nuk duhej t’u njihej e drejta e pensionimit nga shteti.
Sot nuk janë më ato rregulla dhe ato marrëveshje marrëveshje ndërkombëtare të Luftës së ftohtë dhe, duke pasur parasysh nivelin kulturor që ekziston sot në rajon e më gjerë, nuk mund dhe nuk duhet që Shqipëria të heqi dorë nga ekzistenca e Forcave të Armatosua, pavarësishtë se nuk i duam, por ja që jemi të detyrar t’i kemi.
Kjo “botë e trazuar me konflikte asimetrike e sulme kibernetike”, na bën të dalim në përfundimin se: veprimtaria e gjithë qeverive të Shqipërisë prej vitit 1992 e në vijim, për eleminmin e ushtrisë shqiptare dhe shkrirjen e gjithë rezervave ushtarake e shtetërore dhe shitjen e gjithë potencialit të saj tekniko- ushtarak, e themi me plot gojën: përbën një tradhëti kombëtare.
Përse duhen Forcat e Armatosura?
Derisa edhe fqinjët tanë, si ata që janë anëtarë të NATO-s edhe të tjerët, i mbajnë dhe i forcojnë çdo ditë Forcat e tyre të Armatosuar, për luftë mbrojtëse e mësymse; si rrjedhojë, edhe ne duhet t’i kemi FA, por me një ndryshim: për luftë mbrojtëse. Për çfarë u duhen FA fqinjve rreth nesh? A duhet të kemi frikë?
Ruajtja e paqes është një qëllim realist, por jo gjithmonë i lehtë për t’u arritur. Shumë nga forcat që shtyjnë një shoqëri drejt luftës janë shumë të vendosur.
Nuk mund të mos jemi të shqetësuar kur Presidenti Tramp paraqitet sikur ka më shmë besim te Rusia se sa te vetë miqtë tradicionalë. Shqetësimin më të madh duhet ta kemi veçanërisht ne ndër gjithë vendet Ballkanike, jo vetëm nga ripushtimi fqinjve, por kryesisht nga braktisja amerikne. Kush na siguron se nesër Presidenti Tramp, në ujdi me Putinin, nuk do ta braktisë Shqipërinë, por edhe Kosovën? Mos kujtoi kush se Evropa do të rezikojë interest e saj falë Shqipërisë, nëse tërhiqen amerikanët. Evropa, nëse nuk do të ekzistoi udhëheqja amerikane, do të bëjë sehir.
Dhe, para se të vijoj më tej, më lejoni t’iu kujtoj se çfarë ka deklaruar në 12 janar 2017, kancelarja e Gjermanisë, zonja Merkel, gjatë një ceremonie në Bruksel, ku u nderua me titull nderi nga tre universitete belge: “Le të mos gënjejmë veten. Nga këndvështrimi i disa prej partnerëve tanë tradicionalë, e po përfshij këtu edhe marrëdhëniet ndërpaqësore, nuk ka garanci të përjetshme për bashkëpunim të ngushtë me ne europianët”18).
Pse e citova zonjën Merkel? Se asnjë konjukturë politike nuk është e përjetshme, dhe atë që Shqipëria e kish vënë në jetë qysh në vitet ’60 të shekullit që lamë pas, “mbrojtjen e vendit me forcat e veta”, po i kthehet sot Evropa, në shekullin e 21, ngaqë tash po e shohin se po u shkri NATO-ja, u vihet në pikëpyetje pavarësia dhe liria, si rrjedhojë “e dashamirësisë së Donald Trumpit për Putinin, si dhe deklaratave të tij për të mos respektuar klauzolën për mbrojtje të përbashkët nëse një shtet i NATO-s do të sulmohej”18), sikundër vijon zonja Merkel. Ndërsa Presidenti i Eurogrupit Dijsselbloem deklaroi në Bruksel, përpara një takimi të Eurogrupit, organ jo formal, i përbërë nga 19 ministrat e Financave të eurozonës: “Kam arritur në përfundimin se do të jemi krejt të vetëm përgjatë viteve në vazhdim, që mund të jetë një mundësi e mirë”19).
Si ta kuptojmë që Greqia këtë vit miratoi një marrëvehje me SHBA për modernizmimin e më shumë se gjysmës së flotës së saj ajrore, për një shumë pej 1,2 miliard Eurosh?20).
A ishte drejuesi më i lartë i NATO-s, Stoltenberg, cili para disa ditësh në samitin e Londrës deklaroi se NATO ështëpërballë rrezikut më të madh të ekzistencës, duke e thënë këtë gjë në mënyrë aspak diplomatike?21)
Përderisa ne nuk kemi asnjë lloj force të armatosur, gjë që askush nuk mund të kërcënohet nga ne, pse atëherë fqinjët armatosen e forcihen çdo ditë, ndërsa ne shqiptarët çarmatosemi çdo ditë?! Të jetë e paqëllimshme kjo gjë? Nuk ma merr mendja. Ja pra që Forcat e Armatosura na duhen për të ruajtur unitetin e tërësisë tokësore të Republikës së Shqipërisë. Të paktën ta ruajmë nga tendencat e brendëshme separatiste, (sikundër ndodhi, për shembull, në Spanjë kohët e fundit, për shkëputje rajonesh ose pjesë territori. Dhe menjëherë Spanja dërgoi Forcat e Armatosura që stabilizoi situatën).
Por nuk është e tepërt t’u kujtoj qeveritarëve, politikanëve dhe lexuesit se tendenca separatiste u shfaqën edhe tek ne në Shqipëri gjatë viteve ‘90-të, si në Veri edhe në Jug, të nxitura edhe nga fqinjët tanë. Dhe këto tendenca nuk janë eleminuar ende.
A mund të ndodhin përsëri kërkesa separatiste territoriale në vendin tonë? Po, mund të ndodhin. Madje, probabiliteti sot është edhe më i madh se në 1997-ën, pasi ndikimi i të huajve për të realizuar këtë qëllim është më i madh sot, pasi jemi një vend i hapur, e me popullsi shumë të varfër.
Si do të ringrihemi?
Ku dhe si do të mund ta ngrejmë këtë forcë ushtarake për t’i dalëzot vendit në raste trubullirash? Së pari, duhet të pranojmë se shteti ynë aktual nuk është në atë gjendje ekonomike të siguroi armatim e teknikë luftarake cilësore si të NATO-s, pasi nuk i blejmë dotë. Por edhe trupa speciale cilësore si të NATO-s as nuk I mbajmë dot e as nuk i stërvisim dot, pasi kërkojnë kosto të lartë financiare. Së dyti, mos pyesni se ku do t’I gjejmë armët dhe teknikën luftarake. Ato i gjejnë ish-ushtarakët. Ato armë e atë teknikë luftarake që na duhen për kushtet e sotme i kemi. Janë ato që na kanë mbetur nga shitjet pa kriter, vjedhjet, shkatërrimet e qëllimshme e të paqëllmshme, dhe shpërdorimet. Na kanë mbetur armë këmbsorie, tanke, avjonë, artleri tokësore e kundërajrore e teknikë luftarake.
Është e vërtetë që ai armatim dhe ajo teknikë luftarake që kemi ende, është “ e vjetër”, por të vrasin dhe të vrasin shpejt e saktë, janë shumë të efekshme, shumë preçize, shumë praktike, shumë lehtë për t’u mësuar dhe përdorur; kërkon shumë pak mund për t’u mirëmbajtur, kostua e mirëmbajtjes dhe riparimeve dhe e pjesëve të këmbimit është shumë e ulët, për mos të thënë se ende nëpër depot e ushtrisë ka ende pjesë këmbimi të tyre. Dhe ajo që është kryesoria, i kemi ende gjallë e të aftë për punë spcialistët e të gjithë atij armatimi e teknike luftarake.
I gjithë ky kontigjent ushtarakësh e civilë ,që kanë përdorur, mirëmbajtur e riparuar këtë armatim e teknikë, jam më se i sigurtë se po të jenë të interesuara qeveritë tona për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Republikës së Shqipërisë, do të punojnë natë e ditë, ndoshta edhe pa pagesë, pasi ai kontigjent idealistësh, edhe pse është hedhur në rrugë nga të gjitha forcat politk pa dallim, ndjenjën patriotike e ka mijëra herë më të lartë se cilido politikan shqiptar e ministër a ministre mbrojtje çupëlina të këtyre tre dekadave të fundit, për të cilët koha ka tregar se edhe planet më të menduar janë bërë lodra të përshtypjeve subjective, të rastësive e të tekave të tyre.
Por mund të lindë pyetja: Pse na duhen armët kundërajrore? Duke filluar qysh në vitin 2001 lufta kryesore në botë sot është lufta dhe mbrojtja nga terrorizmi. Terroristët janë sot në gendje të sigurojnë armatim dhe teknikë sulmuese të të gjitha llojeve, përfshi edhe avjonë, madje dhe municione atomike. A duhen mbrojtur nga ajri institucionet kryesore të shtëtit? Po digat e hidrocentraleve? Po portet etj?
Por edhe Politika jonë e Jashtme, nëse rikrijojmë Forcat e Armatosura do të marrë vlera të mëdha në të gjitha kohrat. Diplomacia ka sukses kur ke në dorë një forcë të konsiderueshme. A e shihni se çpo na ndodh me kufijtë detarë me Greqinë, por edhe me kufijtë në Kosovë? Sot, duke qenë një vend i varfër dhe pa asnjë lloj force të armatosur, (ato kompani që kemi nuk përbëjnë Forcë të Armatosur, mos ta gënjëjmë veten), prandaj as që na dëgjohet zëri, madje jemi kthyer në lipsarë e servilë. Prandaj, pse jemi vend i vogël duhet të krijjmë forcat e armatosura që, si miqtë tanë edhe të tjerët të sillen me ne si barabartë.
E di Greqia që ne nuk kemi asnjë lloj arme, përveç armët e krahut të disa kompanive “special” me thënë, prandaj organizon parade ushtarake me këngë, duke thënë: zorrët e shqiptarëve do t’i përdorim për lidhëse këpucësh.
E di Mali i Zi se ne nuk kemi forca që të mbrojmë kufirin, prandaj ka vendosur ta thurri kufirin me tel me gjëmba për të mos kaluar kush nga Shqipëria në Mal të Zi.
E di Maqedonia që jemi kthyer në shtet mere-mere, prandaj populli shqiptar I atjeshëm vazhdon të margjinalizohet, edhe pse ndryshoi Qeveria në Maqedoni me ndihmën e shqiptarëve. Maqedonia vijon të armatoset gjithnjë e më shumë, ndërsa ne këtej jemi të armatosur vetëm me pistoleta, pranda sillet turfanda me shqiptarët, duke mos zbaton asnjë lloj marrëveshje.
Ju kujtoj se Polonia po organizon herë pas here, me program të rregullt, stërvitje luftarake, jo vetëm me rezervstë, por edhe me shkollat e mesme dhe universitetet, edhe pse nga dita në ditë po shkojnë dhe vendosen atje forca të NATO-s. Mos e kanë vallë nga qejfi? Jo, por jetojnë me situatat.
Evropës nuk i vjen mirë dhe nuk e duron dot arrogancën e Presidentit Tramp, por është forca ushtarake e Amerikës që i rrinë lepe-peqe. Jo më kot populli ynë ka shprehjen e famshme: Frika i ruan vreshtat. Dhe frikën e krijon ekzistenca e forcës së armatosur.
Kush do ta përdori këtë armatim e teknikë?
Për këtë Shqipëria duhet të kaloi në shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe atë rezervist, si dhe në ringritjen e shkollave ushtarake. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe ai rezervë jo vetëm që është shumë më pak i kushtueshëm se sa mbajtja e forcave speciale cilësore të mjaftueshme për mbrojtjen e unitetit territorial tokësot të vendit, por rritet në popull ndjenja e patriotizmit, që sot është për faqe të zezë; rritet ndjenja e kolektivitetit, ndërkohë që individualizmi dhe indeferentizmi në popull ka arritur kulmet më të mëdha, ku as fqinji përballë nuk i thot mirëmëngjesi fqinjit; aktivizimi i shërbimit të detyrueshëm dhe ai rezervist do të bëjnë që populli të kuptoi se cili është roli dhe rëndësia e mbajtjes së një ushtrie dinjitoze, por do kuptohet se çdo të thotë siguri kombëtare. Nëse nuk krijojmë Forcat e Armatosura, atëherë duhet përcaktuar një strategji të tillë, duke ua bërë të qartë vendeve që kanë synime territorial ndaj Republikës së Shqipërisë: po kini ndërmend të vinë, amani mos na vrisni, pa bëni çfarë të doni.
Nëse Parlamenti një ditë do të vendosi të kalohet në ringritjen e Forcave të Armatosura, atëherë do të lind nevoja e rishikimit të sasisë dhe llojshmërisë të atyre forcave.
—–
*Botuar sot si kopertinë e DITA. Autori, kolonel Dilaver Goxhaj, ishte Zv/Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së