Elegji për një mbret të çiftelisë Dibrane
Shoqëruar me një kujtim të bukur fotografik fiksuar në Tuz të Malit të Zi më 22 gusht 2009
Kur për të fundit herë i takova
Si Katër Mbretër…
Jo thjesht në sytë e mi,
në pamjet që fiksova…
Mbretër me mbretëri në Dibër,
me emër në Shqipëri…
Shaban Xhajku, Mbret i kurorëzuar i valles Dibrane…
Rifat Roka, Mbret i melodive mbi telat e çiftelisë…
Xhaferr Shini, Mbret mbi dallgët e magjive të fyellit…
Besmir Aga, Mbret i kurorëzuar i valles tipologjike shqiptare…
Njeri më i madh se tjetri…
Njeri më virtuoz se tjetri…
Mbi melodi që mblidhnin dallgët e Drinit…
Mbi hedhje që Korabin kapnin…
I pari, iku Shaban Xhajku…
Unë shkrova me lot në sy:
“Shaban Xhajku iku si MBRET i Valles Dibrane,
si mik i ISOS labe…”
Në vargje përcolla ndjenjat e bukura…
Të atij takimi të paharruar…
…Tuz, Mali i Zi, 22 gusht 2009…
“Na bashkoi isoja dhe çiftelia”…
RIFAT ROKA IKU…
Kështu më shkruan,
plot hidhërim,
plot mall e dashuri…
Një shok, një mik…
Një tel çiftelie u këput…
Rifat Roka,
artist i madh Dibran,
Nuk këndon…
Nuk qesh,
nuk na gëzon…
Një yll ra…
ra si bien yjet mbi planet
Si BURRË Dibre,
Si njeri i madh,
si Mbret…
Mbretër të mëdhenj ka përcjellë Dibra…
Këto dy vjet…
Të këngës,
të muzikës,
të valles,
të telave mbi çifteli…
Shabanin…
Përparimin…
Qerimin…
Mbretëri mbretërish,
në qiellin e paanë,
Rifat Rokën
pranë e pranë,
e kanë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 23 prill 2021