“RIBASHKIMIN KOMBËTAR E KEMI TESTAMENT NGA HASAN PRISHTINA”

0
837

VËSHTRIM PËR LIBRIN MONOGRAFIK “HASAN PRISHTINA, STËRNIP I ABDULLAH VELIQIT” TË STUDIUESIT DIBRAN FYLLI

Shkruan prof. Zymer Mehani

Dibran Fylli, regjisor, shkrimtar, poet e publicist, autor i shumë librave, këto ditë, me kërkesë të lexuesve ribotoi librin monografik “Hasan Prishtina, stërnip i Abdullah Veliqit”. Kjo monografi, duke e pasur parasysh se është strukturuar dhe ndërtuar mbi fakte të pakontestueshme dhe burime nga më të ndryshmet për jetën dhe veprimtarinë e patriotit Hasan Prishtina, që studiuesi Dibran Fylli me shumë përkushtim ka arritur t’i shfrytëzojë dhe t’na i paraqesë në këtë libër, mendojmë se do të hyjë në radhën e atyre librave, që brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë pas nesh do t’u flasë gjithnjë për një figurë të rëndësishme kombëtare, për diplomatin, ideologun dhe luftëtarin Hasan Prishtina, dhe lirisht mund të themi se kjo monografi e z. Fyllit është momument kulturor, libër me faqe të arta në historinë e kombit shqiptar.

Dibran Fylli me ribotim të kësaj monografie për atdhetarin Hasan Prishtina, vërtet është duke zgjuar interesim të madh tek admiruesit e atdhetarit Hasan Prishtina, ngase po duket se shumë materiale në faqet e këtij libri deri dje nuk i kemi njohur sa duhet, apo s’i kemi njohur fare, dhe si rrjedhojë, mund të themi se është libri monografik për Hasan Prshtinën më i kompletuari, që është shkruar deri më sot.

Në këtë libër monografik, studiuesi Dibran Fylli i ka mbetur besnik kronologjisë. Pra, ai ka arritur që t’i pasqyrojë të gjitha etapat e jetës dhe të veprimtarisë së patriotit Hasan Prishtina, që nga lindja e tij, më 1873 e deri në vrasjen e tij, më 1933.

Me të drejtë studiuesi Ramiz Lushaj, në promovim të këtij libri monografik, në Shkodër, në Bliotekën “Marin Barleti”, më 24 shkurt 2018 do të thotë: “Të rrokësh jetën e veprimtarinë e Hasan Prishtinës (për ta ndriçuar, studiuar e shkruar për të -nënvizimi im) në 220 faqe monografi është e vështirë, jo vetëm për studiuesin drenicas Dibran Fylli, pasi Hasan Prishtina është një personalitet kombëtar politik si asnji tjetër, se iu përket mbi katër vilajeteve të kohës së Perandorisë Otomane, i përket gjithë kombit tonë në tërësinë e tij gjeopolitike.

Ai është berishas, i origjinës së moçme nga Kuçi i etnisë shqiptare në Malin e Zi. Ai u lind në Drenicë të Kosovës dardane. Ai ishte në krye të Kryengritjes Kombëtare Shqiptare të vitit 1912 deri në Shkupin e sotëm të Maqedonisë. Ai ishte tre herë ministër e një herë kryeministër i qeverive shqiptare në Shqipëri. Ai ka pasë shkollimin e mesëm, kullën e tij të madhe dhe një kohë të gjatë të jetës (e kaloi ) në Selanik (Greqinë e sotme), ku edhe u vra pabesisht e tragjikisht në vitin 1933”.

Ky ideolog, i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjeve të përgjithshme për Pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurinë dhe jetën e dha për të mirën e kombit. Me të drejtë konstaton edhe z Fylli se veprimtaria luftarake dhe diplomatike e Hasan Prishtinës gjatë muajve maj-gusht të vitit 1912 e përgatitën ngritjen e Flamurit në Vlorë dhe vetë shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Është me fat një popull që nga gjiri i tij nxjerr figura, siç ishte Hasan Prishtina. Ai ishte vigani e epokës, në të cilën jetoi. Fati e deshi që të ishte zëri i Kosovës në Parlamentin Osman (dy herë deputet nga Kosova), po ashtu u interesua edhe për fatin e zgjidhjes së çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit (1908), ku e përkrahu alfabetin latin, ngase vizioni i tij ishte se kombi shqiptar duhej të rreshtohej nga Perëndimi. Ky atdhetar i zoti në çdo pikëpamje, edhe në prag të punimeve për Kongresin e Manastirit, pati mbledhur donacione nëpër trevat e Kosovës për t’i ndihmuar delegatët, pjesëmarrës të Kongresit.

Se kishte admirim dhe dashuri për përparimin e kombit, Hasan Prishtina e dëshmon edhe me dërgimin e shumë djemve kosovarë, me shpenzimet e tij, në Normalen e Elbasanit, sepse e dinte fare mirë se veç pushkës për liri të kombit dhe të atdheut nevojitet edhe pena, ngase populli duhet të arsimohet për të hecur para dhe për ta zhdukur robërinë dhe skëterrën. Të gjitha këto akte dhe veprime të këtij atdhetari shumë mirë na i ndriçon studiuesi z. Dibran Fylli në monografinë e tij për Hasan Prishtinën- për këtë kolos të kombit shqiptar.

Historia jonë kombëtare na mëson se Kosova dardane, kjo tokë arbërore, Drenica shqipatre, me male dhe lugina mesatare, kjo Drenicë e papërkulur, siç e cilëson shkrimtari Hivzi Sulejmani, nuk ka dashur të dijë për asnjë pushtet, përveç pushtetit të vet. Kurrkujt pra nuk i është nënshtruar. E një gjë e tillë u dëshmua më së miri edhe më 5 mars 1998 në Prekazin heroik me Familjen Jasharaj, ku 54 anëtarë të kësaj familjeje emblematike për kombin shqiptar, i treguan armikut shekullor serbosllav se shqiptari për liri s’bën kompromis asnjëherë, duke ia shndritur kështu ballin atdheut dhe kombit.

Hasan Prishtina me vendosmëri dhe me guxim prej titaniku, para miqve dhe para armiqve shpesh do të thoshte: “Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit, do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im”.

Nga faqet e këtij libri monografik të studiuesit Dibran Fylli mësojmë se Hasan Prishtina nuk i takonte shtresës së varfër, por ai kishte qenë shumë i pasur, por pasurinë e tij ai e shkriu të tërën për çështjen kombëtare shqiptare. Madje shpeshherë ai pat mbledhur të holla për ta ndihmuar mbarëvajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit, e cila po përgatiste mësues, që me dijet e tyre pastaj do të rrezatonin në çdo cep të atdheut. Hasan Prishtina ishte njeri i formuar intelektualisht dhe i brumosur me atdhedashuri, por asnjëherë nuk u lajthit as nga lajkat që i bënin e as nga joshjet e të huajit. Ai me vetëdije të plotë kishte pranuar që më mirë të vdiste në malet e Kosovës, siç e cekin edhe studiuesit e tjerë, se sa ta pranonte kolltukun e turpit në një ministri në Stamboll.

PËRFUNDIME:

• Hasan Prishtina në historinë e popullit shqiptar është një nga personalitetet dhe figurat më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare.
• Mbiemri i vërtetë i Hasan Prishtinës ka qenë Berisha, (këtë veç Dibran Fyllit e thonë edhe studiues të tjerë).
• Me largimin e gjyshit të tij Haxhi Ali Berisha nga Polaci (Drenicë) në Vushtri, mbiemrin e ndryshoi nga Berisha në Polaci.
• Pa zgjedhjes së Hasanit deputet në Kuvendin Popullor Turk, mbiemri u kthye nga Polanca në Prishtina, pra u njoh si Hasan bej Prishtina.
• Hasan Prishtina në krye të deputetëve shqiptarë, anëtarë të Kuvendit Popullor Turk, si dhe në bashkëpunim me Barjam Currin dhe Isa Boletinin ndërmori një takim të fshehtë, ku u vendos për fillimin e Kryengritjes (1909-1912) në Kosovë. Kjo kryengritje do të kurorëzonte më 28 nëntor 1912 shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e sotëm politikë.
• Në vitin 1914, kur Vilhelm Vidi drejtonte Shqipërinë, Hasan Prishtina zgjidhet ministër i punëve botërore të qeverisë së Durrësit.
• Më 1918, Hasan Prishtina, Kadri Prishtia (Hoxhë Kadriu), Bajram Curri dhe shumë të tjerë formojnë Komitetin ’’Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’’ me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në shtetin mëmë Shqipëri.
• Më 7 dhjetor 1921 Hasan Prishtina u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar kryeministër dhe ministër i jashtëm, por më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Prishtina mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi.
• Me vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene (Mbretëria SKS), më 1922 Qeveria e Ahmet Zogut dhe e Xhafer Ypit ua hoqi të drejtën e deputetit në Kuvendin Popullor shqiptar, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadriut dhe shumë udhëheqëve të tjerë nga Kosova dhe filloi ndjekja për eleminimin e tyre. Kjo ishte marrëveshja që bëri kryeministri Ahmet Zogu me ministrin e jashtëm të mbretërisë Jugosllave z.Ninçiç më 1922.
• Në janar të vitit 1922, qeveria e Tiranës lidhi marrëveshjen që ushtria serbe ta ndiqte Hasan Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë edhe brenda territorit të shtetit shqiptar.
• Në fund të muajt shkurt 1923, Hasan Prishtina dhe Barjam Curri u ngritën kundër rregjimit serb në Kosovë. Kjo kryengritje u shtyp, sepse qeveria e Ahmet Zogut nuk i mbështeti. Mbas kësaj 3500 shqiptarë të Kosovës u përzunë nga trojet e tyre për në Turqi.
• Më 26 shtator 1924 krahas Fan Nolit, Luigj Gurakuqit ishin dhe Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani në Lidhjen e Pestë të Kombeve në Gjenevë.
• Përfaqësuesit e Kosovës Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Bedri Pejani kundërshtuan për genocidin që ndiqte Beogradi ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Mbas rrëzimit të qeverisë së Nolit më dhjetor 1924 dhe ardhjen e Zogut me ndihmën e serbëve Hasan Prishtina largohet
• Shumë dekada pas vrasjes së Hasan Prishtinës, eshtrat u sollën nga Selaniku për t’u rivarosur në një copë tokë në Kukës, pranë kufirit me Kosovën
• Hasan Prishtina është nderuar me titullin “Hero” në Shqipëri dhe në Kosovë.

Dhe krejt në fund, ne e admirojmë shumë studiuesin z. Dibran Fylli për këtë ndërmarrje kaq të rëndësishme, që shqiptarëve t’ua ofrojë në libër monografik për atdhetarin Hasan Prishtina, e që me ribotimin e tij (Prishtinë, 2018) ky studiues, në radhë të parë i bëri nder vetes, familjes së tij dhe mbarë kombit shqiptar, të cilit i përket. Në sajë të punës përkushtuese dhe dokumentacionit të bollëshëm që e gjejmë në këtë monografi, ne do të kemi mundësi që figurën e atdhetarit Hasan Prishtina ta shohim dhe njohim edhe më të kompletuar se asnjëherë më parë!

Librit i urojmë rrugëtim të mbarë për te lexuesit dhe autorit z Dibran Fylli i themi me dorë në zemër: Ju lumtë, o biri i Drenicës Shqiptare!