Nue Oroshi
Pas ripushtimit të Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare nga komunistët serbo-jugosllav dhe veglat e verbëra me emra dhe mbiemra shqiptar që ishin në shërbim të Beogradit, atdhetarët shqiptar asnjëherë nuk e ndalën veprimtarinë kombëtare në shërbim të shqiptarisë. Prej vitit 1945 kur u ripushtua Kosova e deri në vitin 1999 kur u çlirua në mënyra të ndryshme u rezistua kombtarisht. Rezistenca ishte zhvilluarë karrshi rrethanave dhe fuqisë politike që kishin atdhetarët shqiptar.
Pas viteve 1945-1946, pas shuarjes së rezistencës së organizuar të armatosur në Kosovë, ku nacionalistët mbetën në grupe të vogla duke rezistuar prapë dhe deri në vitin 1960 një rol të rëndësishem në organizimin kombëtar në Kosovë e ka luajtur Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare. Veprimtarët e kësaj lëvizje ishin vazhduesit direkt të Lidhjes së dytë të Prizrenit, si dhe të Besës Kombëtare që e udhëheqi profesor Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Marie Shllaku dhe shumë atdhetar të tjerë shqiptar.
Këto grupe politike që burgoseshin dhe denoheshin njëri pas tjetrit kishin një platformë kombëtare e demokratike në programet e tyre dhe kishin një orientim pro evropian si dhe qëllimi përfundimtar i tyre ishte bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të përbashket në Shqiperinë Etnike. Lëvizja Nacional Demokratike shqiptare shtrihej gati në të gjitha pjesët e Kosovës, e kjo nuk mund të mbetët anash as shtrirja e LNDSH-së në Gjakovë. Në këtë studim do të përqendrohem konkretisht në veprimtarinë e grupit të Tomë Domgjonit grup të cilin deri në kalimin në Shqipëri e ka udhëhequr Mark Tuqi, ku më pas në krye të këtij grupi vendoset Tomë Domgjoni pas kalimit të Mark Tuqit në Shqipëri. Ky grup vepronte në programet kombëtare të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare dhe veprimtarinë e ti atdhetare e shtrinte në dy pjesë:
1. Organizonte strehimin si dhe ushqimin, e nacionalistëve dhe Luftëtarve të Shqiperisë Etnike siç ishte rasti me Ndue Përlleshin, Nrecë Lleshin dhe shumë atdhetar të tjerë të cilët më pas u vranë në rezistencë të armatosur kundër komunisteve pansllaviste. Ku më, 19 Mars të vitit 1946 qeta e Ndrecë Lleshit dhe e Zef Smajlit sulmohen nga forca të shumta partizane-ushtarake të regjimit te atëhershem okupues i instaluar pas mbarimit të luftës së dytë botërore. Luftë e cila zgjati një kohë të gjatë. Ushtarët e Besës Kombëtare shfrytzuan shpellën që ishte shumë afër fshatit dhe duke pasur pozicione të pershtatshme në luftime ushtarake bënë qëndresë të suksesshme.
Në këtë betejë u vranë Ndrecë Lleshi, udhëheqës i grupit, Prenkë Shyti dhe Pren Palushi kurse Zef Smajli dhe Gjon Marku u plagosën dhe u zunë rob nga ana e armikut. Zef Smajli dënohet me grupin e Marie Shllakut dhe Kolë Parubit në Gjykatën e Qarkut në Prizren. Gjyqi ushtarak e dënon me vdekje Zef Smajl Arifin, egzekutohet në Prishtinë dhe që atëherë nuk dihet gjë për varrin e ti. (Dr. Bedri Muhadri, Ma. Luan Tetaj-Beteja e Kusarit në vitin 1946. E Djathta Shqiptare në Mbrojtje te Shqiperisë Etnike 12 Prizren 2015 faqe 255).
2. Punonte në zgjerimin e anëtarsisë në mënyrë që LNDSH të shtrihet me anëtar në gjithë komunën e Gjakovës në mënyrë që të rritej rezistenca antikomuniste në të gjitha viset shqiptare. Ky grup politik qëndren e kishte në Kushavec por vepronte në shumë fshatra të Komunës së Gjakovës. Kushaveci shtrihet në trevën e Hasit rreth 7 kilometra në juglindje te Gjakovës. Është vendbanim kodrinor i tipit të shperndarë. Lagjet e Kushavecit të poshtem janë: Kërhanaj, Kajtazët, Kuqet kurse lagjët në Kushavecin e epërm janë: Domgjonët, Topallët, Kërhanajt dhe Korroshi (Kaqinari, Dushi, Prendrekaj).
Fshati përbëhet prej dy lagjeve kryesore Korroshi dhe Kushaveci. Në Korrosh ka egzistuar një kishë e vjetër e quajtur Kisha e Shën Gjergjit, ku edhe sot janë disa gjurmë të kësaj kishe. Me emrin Kush është e regjistruar në një hartë Austriake të vitit 1689 që sipas pozicionit ka të bëjë me këtë vendbanim. Në dokumentet kishtare të kishës së Zymit të cilat ruhen që nga viti 1842 ky vendbanim është i regjistruar po me këtë emër.
Si vendbanim i veçantë është i regjistruar edhe lagjja e sotme Domgjoni. (Dr. Jusuf Osmani Vendbanimet e Kosovës – Gjakova, 14 Prishtinë 2005 faqe 185-186.). Pikërisht nga ky fshat vinin drejtuesit e LNDSH-së siç ishin Tomë Domgjoni, Franë Topalli dhe shumë të tjerë. Veprimtaria aktive e grupit të LNDSH, bëri që ky grup të burgosen dhe në gjygjin e gjykatës së Qarkut në Pejë P-nr 181/54 me 13 dhjetor 1954 të marrin dënimet si vijon: Tomë Domgjoni 10 vjet, Franë Topalli 8 vjet, Pren Prenrecaj 7 vjet, Mark Prenqi 4 vjet, Tunë Markaj 3 vjet, Prenk Tuqi 2 vjet dhe Gjokë Prenrecaj 1 vjet.
Ky grup i LNDSH prej 7 anëtarësh më 13 dhjetor 1954 nga Gjykata Komuniste e Pejës dënohen me gjithsejt 35 vjet burg të rend, si dhe të humbjeve te së drejtave qytetare pas daljes nga burgu, që ishte një formë e presionit për ti dorëzuar nacionalistët shqiptar. Meqenëse këto gjykata ishin gjykata të një shteti pushtues në Kosovë atëherë nuk ishin gjykata të popullit por ishin gjykata komuniste. Këtë e vërteton edhe fakti se çdo ankesë që bëhej ajo refuzohej në të gjitha instancat njësoj sepse vendimet mirreshin nëpër komitetet komuniste kurse gjykatat vëtem se i vërtetonin ato vendime.
Për këtë tregon edhe ky rast së si vepronin në bashkëpunim të plotë ne mes vete këto gjykata komuniste në rastin e shtatë atdhetarëve shqiptar: ku po e japim të plotë se si ju refuzoheshin komplet kërkesat e grupit për të mos i liruar ”Gjykata supreme e Republikës popullore të Serbisë trupi në përberje prej Kadelburga Dr. Lavoslava, si kryetar i trupit, Miljkoviç Dragomir, Qisiç Filip, Vujçiç Dushan anëtar të trupit gjykues dhe Jevtiç Radmille si procesmbajtese në lënden penale kundër të akuzuarit Tomë Domgjoni nga Kuqevci (Kushaveci) etj., për më shumë vepra penale duke vendosur sipas ankesave të avokateve të gjithë të akuzuarve të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë P-nr 181/54 të t.13 dhjetor 1954 pas marrjes në pyetje të autorizuarit të prokurorit te RP të Serbisë Milenoviç Stanko në seancën e mbajtur më 15 prill 1955 le këtë vendim: Refuzohen si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve të akuzuarit Tomë Domgjoni, Franë Topalli, Pren Prenrecaj, Gjokë Prenrecaj, Prenkë Tuqi, Tunë Markaj dhe Mark Prenqi, kurse aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Pejë p-nr. 181/54 të dt. 13 dhjetor 1954, në tërë pjesën gjykuese vërtetohet.”
Veprimtaria atdhetare e shtatë anëtarëve të LNDSH
Komplet grupi prej 7 të dënuarish Tomë Domgjoni, Franë Topalli, Pren Prenrecaj, Mark Prenqi, Tunë Markaj, Prenk Tuqi dhe Gjokë Prenrecaj kanë zhvilluar një veprimtari të thukët atdhetare. Këtë grup të LNDSH e kishte themeluar Mark Tuqi nga Ujzi, ku pas rrezikimit që të burgoset Marku grupi kishte organizuar arratisjen e ti për në Shqipëri ku e kishte grumbulluar një sasi të konsiderushme të mjeteve dhe e kishte dërguar në Shqipëri.
Tomë Domgjoni prej vitit 1945 e deri në vitin 1947 kishte punuar shumë ngushtë me kundershtarët e regjimit komunist ku në bashkëpunim me Franë Topallin i kishte strehuar në shtëpinë e Franë Topallit: Ndue Përlleshin, Riza Gjinin, Nrecë Gjinin, Nrecë Lleshin, Nrecë Kangjin si dhe dy luftetarë të tjerë ku përveç strehimit atyre i kishin sjellur edhe ushqime.
Edhe në vjeshtën e vitit 1945 Tomë Domgjoni dhe Franë Topalli i kishin strehuar Isa Gjinin dhe Eliza Gjinin nga Gjakova në shtëpinë e Franë Topallit. Po ashtu Tomë Domgjoni në dimrin e vitit 1945 i pranon në shtëpinë e ti atdhetarët Nrecë Lleshin dhe Nrecë Kangjin dhe të nesërmen i dërgon në pyll. Kurse në vitin 1947 Tomë Domgjoni në shtëpinë e Zef Franit nga Kushaveci është takuar me atdhetarin Ndue Përlleshin ku e merr me vete dhe i mundëson strehim tek Mhill Binaku nga Doli. Vlenë të thëksohet fakti se Tomë Domgjoni kishte qenë urë lidhëse më nacionalistët shqiptar dhe shpeshherë strehimin e kishte kryer në shtëpinë e Franë Topallit.
Edhe pesë të dënuarit e tjerë Pren Prenrecaj, Mark Prenqi, Tunë Markaj, Prenk Tuqi dhe Gjokë Prenrecaj ishin akuzuar për faktin se në vitin 1949 ishin bërë anëtar të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare për kontaktet dhe bashkëpunimin me Mark Tuqin nga Ujzi, si dhe për grumbullimin e antarësisë për nevojat e organizatës. Pren Prenrecaj kishte qenë arkatar i këtij grupi të LNDSH, ku përveç faktit që tubonte anëtarsinë Preni edhe nga fondi i ti familjar i jep Mark Tuqit një sasi të konsiderushme të hollash prej 2000 dinarve për të kaluar në Shqipëri që i bie dikund një e treta e shumës së përgjithëshme që i kishte tubuar grupi i LNDSH për kryetarin e tyre Mark Tuqin për ta dërguar në Shqipëri.
Edhe të dënuarit tjerë në këtë grup Mark Prenqi, Tunë Markaj, Prenk Tuqi dhe Gjokë Prenrecaj ishin veprimtar të LNDSH dhe kanë zhvilluar aktivitete të shumta qoftë në zgjerimin e antarsisë dhe të platformes së organizatës por edhe me ndihma të ndryshme financiare për nevojat e LNDSH. Ky grup bashkarisht ishte dënuar me një kohëzgjatje prej gjithsejt 35 vite burgim të rënd. Burgun e kishin kryer në Nish në Mitrovicë të Sremit, por pjesën me të madhe të burgut e kishin kryer në Goli Otok në burgun me të tmerrshem dhe me fatkeq.Në këtë burg dërgoheshin të burgosurit për të përjetuar torturat më të mëdha që dinin ti kryenin vetëm gjelatet komunist.
Rrëfimi rrenqethes i Zef Domgjonit për sakrificat e familjes Domgjoni
Një rrëfim mjaft rrenqethes dhe shumë të qartë që tregon edhe veprimtarinë atdhetare të grupit të LNDSH, por edhe antarëve të tjerë, është rrefimi i Zef Domgjonit, i cili jep rrëfimin autentik se si i kishte treguar babai i ti Franë Domgjoni të cilit në moshë shumë të re i mbesin obligimet familjare mbi kokë për faktin se babain dhe dy xhaxhallarët i kishte të burgosur. Rrëfimin po e japim komplet pa ndryshuar në shenjë respekti të vuajtjeve dhe sakrificave të kësaj familje atdhetare, ku Zefi rrëfen: ”Tomë Domgjoni ishte aktivist në Lëvizjen Nacionale Demokratike Shqiptare ( L.N.D.SH ).
Tomë Domgjoni ishte i martuar me Halen dhe kishte 5 fëmijë vajzat ishin: Palina, Vitorja dhe Vera kurse djemtë ishin :Lorenci dhe Marjani. Kryetari i L.N.D.SH ishte Mark Tuqi. Komiteti, udhëheqësia ishin: 1. Tomë Domgjoni ( Kushavec ) bashkë aktivista 2. Pren Pernrecaj Bistazhin 3. Franë Kërhani Kushavec 4. Nue Kërhani Kushavec 5. Pren Markaj ( Fshaj ) 6. Kolë Tuqi Fshaj 7. Mhill Bezhi Dol 8. Franë Topalli Kushavec.
Toma kishte filluar qysh herët veprimtarinë atdhetare.Këto fjalë do të mundohem, ti shkruj ashtu si mi ka shpjegue Zef Llesh Domgjoni (babi im).Me fillimin e aktiviteteve, Tomë Domgjoni kishte shumë e shumë takime me përsona te ndryshëm. Në atë kohë ishte shumë e shumë rrezik te punosh dhe të veprosh kundra regjimit jugosllav, edhe pse Toma me shumë shokë kishte veshtirësira, ata nuk ndalen. Të gjitha takimet dhe punët që i krynin, zakonisht ndodheshin në kohën e natës. Tomë Domgjoni kishte edhe takime me përsona të Besës Kombëtare, ku në kryë të tyre ishte Ndue Përlleshi. Besa Kombëtare kishte të njejtat qëllime me LNDSH.
Ndue Përlleshi ishte kumar i shtëpisë Domgjoni nga Kushaveci, ishte kumara i kunores se Llesh dhe Dila Domgjonit. Aty ishte edhe një forcë e dyfishtë për Tomë Domgjonin, për ta përkrahur Ndue Përlleshin. Mirpo shërbimi sekret Jugosllav bjen në dijeni, se kush janë këta persona. Të martën e Pashkëve në vitin 1954 Tomë Domgjoni arrestohet nga regjimi i atëhershëm jugosllav. Regjimi jugosllav në atë kohë e munduan aq mizorisht, që e leshuan në 37 kilogram peshë.
Toma nuk e qet as ni shok qe kishte punuar dhe veprue me ta. Kur Prend Perndrecaj nga Bistazhini ju thotë shokve dhe bashkëvepruseve të tyre, nëse Tomë Domgjoni asht arrestue mos keni frigë ai para e pranon vdekjën se i tregon shokët. Dhe ashtu edhe ndodhi. Familja e Tomë Domgjonit nga Kushaveci, ku ishte Llesh Domgjoni Zoti i shtëpisë. Prej vitit 1954 e deri në vitin 1956 u përjashtua nga shteti komunist Jugosllav. Çka do të thotë përjashtim në atë kohë!
Përjashtimi ishte me keq se një burg shtëpiak:
• Nuk ki guxue me i përshendet askend;
• Nuk ka guxue me të pershendet askush;
• Nuk ka guxue me te ardhë kush në shtepi dhe
• Nuk ke guxue mej shkue kujt në shtepi.
LLesh Domgjoni si Zot i shtëpisë shkoj në Gjakovë të hanën, se ishte ditë pazari.Në atë ditë askush nuk e përshendeti, te gjithë ata përsona se i njifke i përshendeti por ata nuk i dhanë përgjegje. Kur fillon LLesh Domgjoni te del nga Gjakova i takon dy miq te vjetër. Ata ishin Hil Shala dhe Ndue Qeta dhe te dytë e përshendesin. Shofin shumë të deshprum edhe i thojnë: ”O Llesh Domgjoni qo kryt e mos u brengos. Ti duhesh te jesh krenar dhe faqebardhë, kur ki mashki qe punojnë për çështje kombëtare”. Lleshi i përshendeti dhe nuk foli shumë, kishte frikë se po i damtonte miqtë e vjetër. Mirpo në atë kohë nuk ishte veq Toma në burg. Ishte edhe vëllau i Lleshit në burg, ishte Mark Domgjoni.
Ku ishte dënuar një vit e gjysë. Zefi thotë: ”Baba kishte shumë halle të tjera! Lleshi ju afrue djalit të ti Franes. I dashuri djalë këmbet e mija nuk do ta shkelin ma qytetin dhe nuk do të jam ma Zot Shtëpije!. Merre kuleten, ti do te jesh tash e mas Zot i shtëpisë. ( Franë Domgjoni ishte në moshë të re, i kishte vetëm 21 vjet ). Pushteti i asaj kohe nuk e la me aq. Por filloj torturat me Lleshin policia serbosllave vishin kohë pas kohe te familja Domgjoni në Kushavec. Në kohë jo të përshtatshme sipas Zefit koha ishte nga 00:00 deri në 3:00 Ora të natës. Ku gjithë familja u detyroshin të zgjohen dhe të ndahen, burrat, gratë dhe fëmija të gjithë veç e veç te dilshin jashta.
Atëherë fillojke bastisja, dhomat e gjumit dhe oda e burrave u deshtën te livrojshn me lopata( ku ishte podi i dhomave krejtë në dhe). Kërkojshin armë dhe kontrollojshin mos po takojnë ndonjë person si i quajshin ata Ballista. Kjo ka ndodh 2 vjet me radhë pa nderpre. ( Në kohën e përjashtimit ) policia serbosllave e sollën Tomën te shpija i lidhur në pranga. Ata e arrestojnë edhe LLeshin dhe i thojnë, ku i ke armet edhe bumet qe i ke meshefur. Lleshi nuk pranon kurgja, mirpo Toma i thotë fol LLesh ku i ke lanë bumet trego, se shpijuni të ka pa.
Bumet i kishte mshef Lleshi ( te Dardha e Madhe ) Lleshi mori tarrakopin dhe donte te ju binte bumevë, ku te gjithë te gjuhën në ajer. Mirpo policia me shpejtësi e lidhen edhe Lleshin. (Llesh Domgjoni dënohet me 1.5 Vjet burg ). Torturat tek familja Domgjoni vazhdojnë edhe me tutje. Policia serbosllave e qesin vllaun e Lleshit, Nue Domgjonin të livron vreshtin se aty i keni mshefur armët. Mirpo aty nuk patën sukses policia.
Tomë Domgjoni dënohet 10 vjet burg. Për Franë Domgjonin ishte shumë e zorshme jeta, ku 2 migjet dhe baben i kishte në burg. Familja ishte e madhe prej 40 personave, varfëria ishte në maksimum. Kur del Marki dhe Lleshi prej burgut, ata nuk kishin jetë te gjatë, sepse ishin maltretu shumë rëndë në burg. Ku mrena një viti vdiqen Llesh Domgjoni, Mark Domgjoni dhe Nue Domgjoni 3 vëllezërit. Edhe Tomë Domgjoni ishte denu dhjetë vite në burg. Frana ishte i vetmi ma i vjetri në familjen Domgjoni në Kushavec, ku hallet, vorfnija dhe problemet e tjera vazhdojnë, përfundon tregimin rrenqethes Zef Domgjoni i cili po e kalon pleqërinë e thellë në mes te fshatit të lindjes Kushavecit, si dhe qytetit të Hamburgut ku kaloi shumë vite duke punuar si mërgimtar.
Veprimtaria kombëtare e këtij grupi të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, që u dënuan më, 13 dhjetor të vitit 1954 me dënim të rënd ku i morën gjithsejt 35 vjet burg Tomë Domgjoni 10 vjet, Franë Topalli 8 vjet, Pren Prenrecaj 7 vjet, Mark Prenqi 4 vjet, Tunë Markaj 3 vjet, Prenk Tuqi 2 vjet dhe Gjokë Prenrecaj 1 vjet si dhe veprimtarët e tjerë të LNDSH-së që shpëtuan pa u burgosur në saje të qëndresës se Tomë Domgjonit dhe pjestarëve të tjerë për të mos dhënë emrat e veprimtarëve, anëtar të LNDSH që i përmend Zef Domgjoni në rrëfimin e ti prekës, siç ishin Franë Kërhani (Kushavec), Nue Kërhani (Kushavec), Pren Markaj (Fshaj ), Kolë Tuqi( Fshaj) dhe Mhill Bezhi (Dol) tregon qartë se këto fshatra të komunës së Gjakovës ishin të mobilizuar dhe kundershtar të rreptë të pushtuesve komunist.
Me këtë ky grup dhe shumë grupe të tjera te atdhetarëve nacionalistë në Gjakovë e rrethinë treguan qartë se Gjakova nuk ishte e përbërë vëtem nga komunistët që ishin vegël e verbër e Beogradit por kishte dhe ka edhe atdhetar nacionalistë që punuan dhe u sakrifikuan me tërë familje për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët si dhe për orientimin e shqiptarëve drejt botës perëndimore me atë moton e vjetër dielli lind në perëndim.