Nga Jahja LLuka
Ishin kohë të turbullta kur rezistenca paqësore ndaj një regjimi fashist filloi ndër minatorët.U bënë 28 vite që kur minatorët e Trepçës filluan grevën e urisë. Mbi 1300 minatorë, kishin hyrë në grevë urie për të mbrojtur autonominë e Kosovës, ky hap i guximshëm po fillonte zhbërjen e Jugosllavisë. Greva historike e minatorëve të Trepçës bëri bujë të madhe në vend duke kaluar në rezistencë gjithë popullore, kështu filluan t’iu dridhen themelet Serbisë dhe regjimit të saj, e cila si qëllim kishte zhbërjen e popullit shqiptarë në Kosovë. Po ashtu greva nuk kaloi pa bërë bujë në mediat dhe qarqet diplomatike ndërkombëtare të cilat po përcillnin me vëmendje fillimin e zhbërjes së një fuqie të madhe në atë kohë siç ishte Jugosllavia. Ky ishte vetëm fillimi i ngjarjeve të njëpasnishme të cilat pëfshinë një dekadë duke mbaruar më luftëra dhe shkëputje të shteteve të cilat nuk duronin politikat naciste serbe.
Pas 29 viteve kujtojmë vendosmërinë e vëllezërve shqiptarë të cilët më çdo çmim nuk hiqën dorë nga lufta për liri dhe demokraci sepse zëri i tyre u bë udhërrëfyes për një popull të vuajtur dhe të përndjekur ç’njerëzisht për një shekull. Dihet që Trepça ishte një gjigand i metalurgjisë dhe shtyllë kyçe në zhvillimin ekonomik të Jugosllavisë. Veç tjerash Trepça ishte fryma e Kosovës dhe krenaria e saj. Dhe, sot mbetet e tillë me gjithë pozitën e saj të vështirë në të cilën gjendet.
Rinormalizimi i Trepçës dhe vënia e saj tërësisht në funksion, do ta ringjallte ekonominë e brishtë të Kosovës, e cila po kalon në këtë faze të padëshirueshme tranzicioni. Nxitja e investimeve nga vendet perëndimore në Trepçë do ishte e mirëseardhur pasi deri më tani nga qeveritë tjera nuk ka pasur ndonjë program konkret që do ishte frytëdhënës. Sot, më duhet t’i përgëzoj të gjithë ata minatorë të cilët me gjithë kushtet e vështira kanë motiv për punë ,dhe e mbajnë gjallë këtë gjigand metalurgjik të rëndësishëm për Mitrovicën por dhe për gjithë Kosovën. Për nder të qendresës së pathyeshme të minatorëve të Trepçës propozoj që në Stantërg të ndërtohet një monument në shenjë falendërimi dhe përkujtimi për stoicizmin e tyre që tejkaloi kohët dhe u vulos me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Dërgoi për publikim, Skënder Mulliqi, gazetar