REXHEP HOXHA, KLASIKU I LETËRSISË

0
726
Rexhep Hoxha - shkrimtar

(“Në 40 veprat e mia, – shprehej shkrimtari Rexhep Hoxha, sa ishte gjallë, – unë jam vetë natyra, shpirti dhe gjaku im. I patundur si vetë gjithësia, jam shkrimtar me rrënjë në tokë dhe lis me trung e degë në hapësirë”. “Shkrimtari është ndërgjegja e kombit, – shprehet poeti Rexhep Hoxha. – Ai për asgjë as nuk shitet e as nuk blihet. Unë edhe në moshën të pleqërisë, bëj punën e shkrimtarit”. Rexhep Hoxha në librin e tij, “Moral pa moral”, shkruan; s´mund të heshtë, sa herë rinia jonë, e ardhmja e kombit, lulja e kombit, keqpërdoret deri në mjerim, deri në poshtërim, me lavde, mashtrime e premtime boshe. Nuk është e paqëllimshme, që rubrikat e kulturës te ne sakatosen me promovime librash gjithfare”. “Në Kosovë,- shprehet Rexhep Hoxha, -ka protesta qesharake dhe patriotizëm mashtrues. Mirëpo, Kosova herët a vonë do ta marrë veten dhe do të ngritet guximshëm kundër të gjitha llojeve të poshtërimit dhe të tragjizmit që i bëhen. E ardhmja është e pandalshme. Atë s’mund ta ndalin as rëniet historike dhe as rëniet shoqërore”, -shprehet klasiku i letërsisë sonë, Rexhep Hoxha).

Në një vend të vogël, si Kosova, ku natyra sajoi një bukuri dhe pasuri të veçantë, në Gjakovën e Dardanisë së lashtë, u lind poeti, kritiku dhe eseisti, Rexhep Hoxha, autor i 40 veprave letrare. Biri i Gjakovës dhe i Kosovës dardane, shkrimtari Rexhep Hoxha, edhe në moshën e tij tani 90- vjeçare, nuk tërhiqet nga betejat për një shoqëri të lirë, për një art të lirë, për një Kosovë me punë dhe të lumtur. “Nuk jam johistorik. Jam i mbrojtur me idealet më të përzemërta të Rilindjes Kombëtare. Mesazhi i Rilindjes sonë Kombëtare ndriçon në gjithë shpirtin dhe qenien time. “Rrustë, jam një çik Promethe dhe jam pak sa biblik. Me këtë dua të them se jam autor i dy veprave të para letrare në Letërsinë Shqipe në Kosovë, të shekullit njëzet. Jam autor i librit të parë me poezi, “Gjethet e reja”, botuar në vitin 1953 dhe autor i romanit të parë në Letërsinë Shqipe në Kosovë, për fëmijë, “Lugjet e Verdha”, botuar në vitin 1959”.

Rexhep Hoxha u lind në vitin 1929, në Gjakovë. Shkollën fillore dhe Normalen i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Beograd. Rexhep Hoxha është shkrimtari dhe poeti më idhnak, më i guximshëm dhe me kulturë të theksuar për ta çliruar prototipin e ndërgjegjes së zënë në letërsi. Ky krijues i 40 veprave letrare, për asnjë çast të jetës së tij, nuk është më pak se Naim, më pak se De Radë, më pak se Kosovë. E them këtë se Rexhep Hoxha ishte prijësi i një populli të tërë, në poezi, kritikë dhe në fjalën e tij kryengritëse. Ai mban guximshëm fanarin për një krijimtari ndryshe, jo të përvajshme e moralisht të ndotur dhe të rënë. Në mesin e shumë poezive të Rexhep Hoxhës, është edhe poezia e tij, “Gjuha shqipe” e botuar dhe e ribotuar me dhjetëra herë, në librat e leximit, në të gjitha shkollat e ciklit të ulët dhe të mesëm, në Kosovë e më gjerë.

Gjuha shqipe
Kodrisha brigje,
Prroje,burime,
Dinë gjuhën shqipe
Të nënës sime.
Rrypira, gryka
Suka, rrënime
E flasin gjuhën
E nënës sime.
Prroje,burime,
Dinë gjuhën shqipe
Të nënës sime.
Rrypira , gryka
Suka, rrënime
E flasin gjuhën
E nënës sime.
Në pyje zabele
Shullane, rripe,
Ligjëron bilbili
Në gjuhën shqipe.
Çdo gur i vendit,
Çdo lule e bime
Din gjuhën shqipe
Të nënës sime.

Rexhep Hoxha në jetën e tij ( 90- vjeçare ) është në betejë me disa detyra me veten e tij; 1. të mos heshtë para grupeve dhe klaneve, që sakatosin letërsinë; 2. të ballafaqohet dhëmbë për dhëmbë me heshtakët dhe të patalentët; 3. gjuha dhe fjala të mbeten të parat. “Pa këtë vizion, pa këtë forcë,- shprehet shkrimtari Rexhep Hoxha, -nuk do t’i japim formë të ardhmes sonë”. Ky trefishhero i guximshëm i Rexhep Hoxhës, nuk është i panjohur dhe i papranuar në Kosovë e më gjerë. Kritika e sinqertë dhe heroike e shkrimtarit Rexhep Hoxha, është për t´u vlerësuar.

Në librin “Fjala e lirë”, ai kërkon moralin te krijuesi, për procesin e arritjes në kulturë dhe angazhimin për një kulturim poetik. Shumë shkrimtarë të Kosovës, karshi Rexhep Hoxhës, këtij burri të përkushtuar të artit dhe të fjalës, dukeshin si femra në faj, që nuk dinë çka të bëjnë me veten e tyre të nënshtruar. Rexhep Hoxha, ky shkrimtar rebel kundër shkrimtarëve udbashë dhe të pamoralshëm, e meriton shembëlltyrën e heroit të mirëfilltë të penës. Ai nuk pranoi çmimin “Azem Shkreli”, pasi q e njihte mirë Azem Shkrelin, (ish- nxënësin e tij). Rexhep Hoxha shprehet: “Shpirti, nderi dhe karakteri im nuk e pranojnë çmimin me emrin e tij. Ore, me shkrimtarin merr frymë kombi. Ai për asgjë nuk shitet e as blihet”. Fytyra burrërore e Rexhep Hoxhës, i ngjan Qabratit, Pashtrikut, Karadakut dhe Lybotenit. Ky shpirt poliedrik i kulturës sonë, është Molibdeni pellazgo-iliro-shqiptar, rrezet e të cilit janë dritë, ajër, gjithësi. Shkrimtari Rexhep Hoxha, përfaqëson yndyrën e dheut dhe të tokës pranverore të Kosovës. Në librin, “Me sy kah Parnasi”, Rexhep Hoxha shkruan:

As vetë s´e dij pse kot rrugëvet po sillem
Pa kurrfarë qëllimi – pa drejtim askund!
Nër rrugë t´qytetit m´duket se po hidhem
Sikurse Kolombi n´oqean t´pafund
Andërr apo zgjandërr jam? – e pyes vetvetin
Hap pas hapi e ha rrugën time të kotë;
Nëpër sfera të nalta mendimet më tretin
Edhe m´duket sikur jam n´një tjetër botë
Nësa do gjethe po luejshin valle në trotuar
Ofshe! Një djalosh u gjuejt nën limuzinë
Me turr vrapuen njerëzit t´shikojnë sa më parë
Se si puthet njeriu n´tokë me tragjedinë.

Rexhep Hoxha, ky njeri zëplotë i fjalës së shkruar, autor i 40 veprave letrare, brenda ka një Kosovë dhe Shqipëri epiko-lirike. Çdo varg në poezinë e Rexhep Hoxhës, është gjak prej shpirti. Nuk ka një të parë në Kosovë, që është përfaqësuar në librat e leximit dhe në literaturë për edukimin e brezit të ri në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, sa shkrimtari, Rexhep Hoxha. Harrimi është i rëndë për çaste të parëndësishme, e lëre më, të harrohet historia, gjuha, shkrimi. “Harrimi është vdekje e dijes”,- thotë një fjalë e urtë shqipe. Prandaj, krijimi, është lëvizja përpara, borxhi ndaj jetës që po jetojmë dhe ndaj të ardhmes.

Në të gjitha betejat për artin, kulturën, dhe letërsinë, Rexhep Hoxha nuk ishte vetëm. Me vete ai kishte rininë dhe të vetët e tij “rebelë”. Librat e tij: “Shqipori”, “Fjala e lirë”, “Me sy kah Parnasi”, “Vargu idhnak”, “Urithi i verbër i Ezopit”, “Moral pa moral”, “Në krahët e këngës”, “Shpata e Aliut dhe gjuha e Sadiut” dhe me dhjetëra vepra të tjera letrare, shkrimtarin Rexhep Hoxha, për asnjë çast nuk e lënë të kotet. “Fjala e lirë në kohën time, -rrëfen shkrimtari, -ishte e plagosur rëndë nga cenzura dhe cenzorët.

Në shtyp, në mjetet e informimit dhe në disa intitucione kulture, cenzorë ishin shqiptarët, mjerisht, disa ishin edhe shkrimtarë. Fjala shqipe ishte pak shqipe, sepse, ishte e cenzuruar aq shumë nga serbishtja dhe botimet nga ajo gjuhë, delnin si përkthime”. Në një vakansë timen, unë isha në vizitë në shtëpinë e Rexhep Hoxhës, në Prishtinë. Ishte mbrëmje. Mbrëmje vere. Djali i tij, prof. Shpend Hoxha, na pret ngrohtësisht. “Është çast i bukur që jeni në shtëpinë tonë”, -na thotë Shpendi. Pasi ia dhuroj librin tim “Heroika”, tema e letërsisës është e pashmangshme.

“Unë jam,- thotë Rexhepi, -ende në natyrën time të gjallë. Karakteri im nuk i do gënjeshtrat, as mashtrimet. Unë e kam thënë edhe te libri, “Fjala e lirë”, edhe te libri “Shqipri”, edhe te libri, “Shpata e Aliut dhe Gjuha e Sadiut”, edhe te librat e tjerë, se letërsia hapësirën e ka më të gjerë, më të thellë dhe më të përtejme. Shkrimtari është libri, dhe libri është letërsia”. Vepra e klasikut të letësisë sonë, Rexhep Hoxha është e gjerë dhe ajo do një studim më të përkushtuar. Eseja vazhdon!…

Atdhe Geci