Xhemal Ahmeti, 16. Juli 2017 – marrë nga Uebfaqja e Xhemal Ahmetit
Gjithandej fé. Gishta kërcënues, minare si raketa, nga dhjetë, njëzetepesë, më shumë se shtylla elektrikë, se si ashtu s’ka rrymë. Gra me ferexhe, burra të veshur si beduinë, demonstrata për babën sulltan, shitore, kafene pa birra dhe kur e pi një raki të mallkojnë mijëra sy: saherë revoltohet sekulari i thonë, diversiteti, diversiteti njeri, edhe feja donë liri. Mediat, avokatë, sociologë me honorar e pagë bëhen edhe më demokrat se bërësit e demokracisë, kur është fjala për fe, e për të mbrojtur tjerët s’kanë ngé. Pakurrizorë në shërbim të kastave që de facto s’kanë asnjë fe.
1.
Nëse ka vdekur sekulari, duhet të çohet lugat.
Kryeimami i njërës nga bashkësitë fetare kërcënon shtetin. Ky i fundit heshtë si pulë. Qyteteve të shumta të hartës kulturore shqiptare demonstrojnë grupe njerëzish në përkrahje të një puçi të huaj – atij turk. Ambasadat turke i lëshojnë urdhërat. Ato janë bërë qeveria e njëmendtë e shteteve shqiptare. Në emër të fesë natyrisht. Nëpër shkolla ndërpritet mësimi dhe të miturit shtrojnë nga një leckë drejt një kryeqyteti arab dhe luten në një gjuhë që s’e kuptojnë.
Policët, ushtarët lënë punën mu në pikë të drekës dhe shkojnë në „xhamitë“ e tyre të improvizuara brenda kazermave dhe thirrin eZanin. Partitë bëjnë gara se kush i dashuron më shumë fetarët; kush do ta ndërtojë xhaminë më të madhe. Mediave, 70% të teksteve janë me tema mbi babën, aktorët, filmat dhe djemtë e tij, nëpërmjet të të cilit mediat nuk kërkojnë atë 1% turq në hapësirat shqiptare por myslimanin, besnikun e diktatorit bosforik, shqiptarin me fes në zemër.
Në aeroport ka më shumë hapësira faljeje, qoshe me çaj rusi se sa vend për kalimtarë, udhëtarë. Taksmarrësi i energjisë flet turqisht. Çdo i dyti vend-ndërtim kufizohet me shenja turqisht. Nuk ka supermarkete ku gjen birrë apo mish pa vulën Hallall të stërskaduar njëmijë herë. Gjitha këto për fé, për Turqi, për atë botë.
II.
Ç’bën shqiptari sekular në këto shoqëri. Sheh ëndrra se si me dinamit çon në erë xhamitë, varrin e sulltanit dhe Namazgjatë? Se ia vë zjarrin aeroportit dhe qytetit të tij, ku asnjë birrë nuk e pinë dot pa e mallkuar një mijë sy? Sa hidhërohet që nateditë në gjuhën e tij nuk flitet për gjë tjetër medieve përpos për kishë, xhami, Turqi, shamia shkollave dhe se Rilindja shqiptare me shkrim e lexim, e deri në të fundit njeri me arsim ishin kopilë marksist pa din e iman?
Ja edhe Skënderbeu nuk qenka shqiptar, një analist që nga 100 fjalë 99 i ka turqishte me vetëm ben-sen, dy veta e me gramatikë të shkuar haxhi për përjetësi. Ministritë e kulturës shpallin sulltanët vrasës dëshmorë, aeroportet varin protretet e sheikëve në vendet e tyre të njohur si tiranë, që përdhunojnë edhe fëmijë beduinë – gjithçka se na lidhë një gjë, ajo e shkreta fe.
Ç’ka thotë sekulari shqiptar që festat e shumta; Bajram pas bajrami, ramazan pas ramadani, kadër, çadër, janë festat më të shpeshta që atij ia bllokojnë sheshet, e s’ka ku të dalë? Ka edhe festa kulturore, valle, shënime ditësh universale, asish kulturore tradicionale, për gra, fëmijë, për liri? Sa janë 1 në 5 vjet e bajrame nga 2 për çdo vjet me dy muaj gati para e trashamane për „adalet“ të Zotit?
Hiperbolizojmë shumë?
Jo. Aspak.
Islamoradikalët minojnë demokracinë nga brenda. Në emër të lirisë për fe, vrasin lirinë për tjerë. Këtë tashmë e dinë çdokush. Heshtin të gjithë se o janë pakurrizorë, o të korruptuar me para (si plotë media), ose kanë sharruar rëndë proerdoganit (qeveritë), saqë nuk e hapin gojën dot.
III.
Shtetet shqiptare janë shndërruar në vilajete neo-omsane polito-islame në institucione, në mendësi, në manifestim publik, në gjithçka. Shqiptarët kanë marrë një drejtim – jo drejt atyhit ku janë, por drejt Turqisë së Erdoganit, me urë si fenë, se kjo ua mundëson këtë demagogji. Ç’të bëj sekulari shqiptari aty, përveç se të ikë?
A do të çohet sekulari shqiptar lugat? Ai që don të shkojë drejtë Europës e din: këndej kisha dhe xhami s’ka në politikë e në shtet më hiç. Kjo s’do të kthehet kurrë. Këta nuk i hoqën kishat e tyre për t’i zëvendësuar me xhamitë e emigrantëve lypsarë, që i marrin nga mëshira e iu shndërrohen miq ziliqarë.
Me religjionet si vlera nuk shkohet në Evropë, se këndej ato janë shubladizuar në sferën e privatësisë së grupeve të interesit dhe dokumentet iluministe të të drejtave të njeriut (jo vetëm për fetare), shteti ligjor, barazia sociale e në gjini (që janë komplet në kundërshtim me doktrinat fetare) janë vlerat që të lënë apo jo këndej të hysh! Jo religjionet janë vlerat universale sot, por e drejta universale që mund ta përdorësh jashtë e brenda shtetit sekular, por jo ta diktosh apo subversionosh atë siç bëhet në shtetet shqiptare, në të gjitha format, që nga mediat e deri tek sekti i gulgulëve.
Ç’ka të bëjë i shkreti sekular shqiptar? Kush ia garanton atij lirinë nga këta robëruesit, që kanë gëlltit çdo hapësirë. Shtete shqiptare janë Turqi! Në praktikë s’janë laikë. Nuk ecin drejt Europës por për në Turqinë erdoganeske – atje ku e kanë edhe vendin ndoshta, Erdogani i trajton njëjtë, si birin e tij kriminel!
Tua fus dinamitin tempujve, që ia ngushtojnë lirinë, t’ia presë gishtin myftiut që ia kërcënon shtetin dhe qenien në demokraci? Jo. Sekulari shqiptar nuk i bën këto se ka kulturë, po ç’ka dreqin bën atëherë?
E din dikush? Unë nuk e di!
Xhemal Ahmeti
http://xhemal-ahmeti.com
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme, për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore, që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniasht, shqip dhe frëngjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.
Komentet janë mbyllur.