RETROSPEKTIVË NË KUJTIM TË BABAIT KRIJUES DHE TË PAEPUR – DESTAN BAJRAKTARI

0
730
Naxhije Doçi

Naxhije DoçiPrishtinë – Prill – 2020

17. 04. 2020

EDHE NË KËTË KOHË PANDEMIE NGA KORONA VIRUSI – COVID-19, NË KOSOVË E NË BOTË, NGA KARANTINA NË KËTË PRANVERË (MARS-PRILL)-2020:
– URIME PËRVJETORI SHKFMU “DESTAN BAJRAKTARI”
SUHAREKË (THERANDË) – 17 PRILL – 2020

E kalofshim me lehtësi dhe pa pasoja të shumta këtë sëmundje të rëndë botërore, të quajtur Korona Virus, por edhe CUVID-19, e edhe PANDEMI! Ardhëshin ditë të mira dhe të shëndetshme për Kosovën tonë të bekuar, për Shqiptarinë tonë, si edhe për mbarë njerëzimin në krejt Planetin Tokë! – ZOT I MADH, na ndihmo!

– Kurrë mos përjetofshim më sëmundje të tillë të fshehtë dhe tinzare e vrastare!
Duhet cekur se SHKFMU “Destan Bajraktari”, në Suharekë, më 17 prill 2020 e ka ditëlindjen e dhjetë të emërtimit. Sipas të dhënave të publikuara nga vetë institucioni në fjalë, brenda këtij dhjetëvjetëshi të emërtimit, por edhe dy vjet më heret si shkollë në themelim, SHKFMU “Destan Bajraktari” ka arritur suksese shumë të dalluara në procesin mësimor, në aktivitete të lira kulturore e sportive, si edhe në garime të ndryshme diturie në nivel komune e më gjerë.

Nga sukseset e arritura, edhe urimi për këtë ditë të shënuar të shkollës e ka vendin e vet të merituar, qoftë edhe në rrethana të rënda, si kjo pranverë 2020, me sëmundjes globale nga Korona Virusi, CUVID-19, i quajtur edhe Pandemi: Urime dita e SHKFMU “Destan Bajraktari”, në Suharekë (Therandë) udhëheqësi e shkollës, personel i përkushtuar arsimor, nxënës të dashur, si edhe ju prindër të nderuar! Gjithëmonë paqit suksese dhe mirësi të pandalura në vazhdim!

DISA THËNIE POPULLORE NGA LIBRI “FJALË TË URTA DHE THËNIE
POPULLORE SHQIPE” – DESTAN BAJRAKTARI” – Prishtinë – 1994:

1. Anmiqtë kanë mujt me na nal shkrimin, por s’kanë mujtë me na nalë knimin, f. 28
2. Ata qi s’don me ta ba dikush, mos ia ban edhe ti tjetërkuj, f. 35
3. Librin e mirë, aq kohë duhet me e shfletue, sa ka zgjatë deri sa asht shkrue, f. 258
4. Punët e mira t’naltsojnë, e punt e kqija t’poshtnojnë, f. 454
5. Punt tua nreqi vetë, se n’pritsh me t’i nreq tjert, t’jesin shkret, f. 454
6. Shqiptari shqiptarit duhet me i dalë shqiptar, e jo shqiptari shqiptarit me i dalë kundërshtar, e edhe tradhtar, f. 510

Libra për të rritur (sonete) të poetit Destan Bajraktarit

Libra për fëmijë të poetit Destan Bajraktari

MIRËNJOHJET E NIVELIT QËNDROR E LOKAL PËR DESTAN BAJRAKTARIN

Prishtinë – 17 prill – 2020


RETROSPEKTIVË NË KUJTIM TË BABAIT KRIJUES DHE TË PAEPUR – DESTAN BAJRAKTARI

Një fjalë e urtë popullore thotë: Lum ai që ka kënd e kujton dhe që ka çka i kujton! Unë, vajza e Destan Bajraktarit, Naxhije Doçi, do të përpiqem që ta bëj një retrospektivë të shkurtër për ta kujtuar babain tim ashtu siç ishte real, i dashur dhe sakrifikues për ne fëmijët dhe për të gjithë. Destan Bajraktari ishte me plotë vullnet për jetën dhe me energji të pamposhtura për të lënë gjurmë krenarie ndër brezat që do të vijnë. Në këtë shkrim do të mundohem që ndjeshmëritë t’i flakë nga shtjellimi, se dua që kujtimi për të të jetë i denjë dhe meritor. As babai nuk do të dëshironte që ta kujtonim ndryshe. Ishte shumë i sinqertë në jetë Destan Bajraktari dhe e vlerësonte shumë edhe sinqeritetin e të tjerëve.

Si fëmijë, por edhe në moshën rinore kujtoj se kemi pasur nevojë për një prani më të madhe të babait në mesin tonë familjar. Në vitet e rinisë babai ishte më shumë larg familjes, duke u shkolluar në Prizren e në Gjakovë, si edhe duke studiuar larg Kosovës. Mungesa e tij në familje ishte ndier shumë sidomos gjatë kryerjes së ushtrisë, si edhe kur vuante nëpër burgjet tmerruese serbe, si në Rahavec, në Prizren e dhe nëpër Serbi. Shumë kemi qajtur ne fëmijët e tij, herë në heshtje dhe herë edhe më zë, që nuk e kishim babain pranë, si fëmijët të tjerë. Jo pse nuk kishim përkujdesje dhe dashuri nga të tjerët anëtarë të familjes, që kujtoj se ishte një dashuri shumë e madhe e edhe shumë privilegjuese ndaj nesh, por se nuk e kishim babain që t’i afroheshim lirshëm dhe pa u ndrojtur. Edhe nënën time, Bardhën, shumë herë e kam vërejtur duke qajtur tinëz prej ne fëmijëve dhe të gjyshës, se sigurisht nuk e kishte pasur të lehtë, ndër të tjera, edhe që të kujdesej për rritën dhe edukimin tonë si fëmijë!

Gjyshja ime, Sofije Bajraktari, ishte grua shumë e qëndrueshme në dukje dhe nuk i pëlqenin asnjëherë dobësitë para ballafaqimeve me vështirësitë e jetës. Ajo i tejkalonte travajet e shumta jetësore me krenarinë për trimërinë dhe atdhetarizmin e madh të burrit të saj, Sejdi Bajraktarit, dhe të djemëve. Për babain mburrej që atdhetarizmin e trashëguar e kurorëzonte edhe me dije të shkolluar. Përkundër kësaj, në natën e heshtur, kur binim në gjumë, Nënmadhja ime (Gjyshja), sikur dështonte nga stoicizmi dhe krenaria gjatë ditës para të tjerëve. Pasi unë fleja gjithëherë në një dhomë me të, se nën përkujdesjen e saj edhe isha rritur, ia dëgjoja ofshamën e thellë dhe lutjet e saja para Zotit të Madh, që t’i shpëtojnë djemtë nga të këqijat që nuk iu ndaleshin kurrë. Të nesërmen rëndimi i natës së pagjum për hallet dhe për problemet që e mundonin, vërehej në fytyrën e saj të zbehur si limoni dhe në rrudhat në ballë, që mua më dukej se i shtoheshin shumë dhe shpejt.

Koha më e mirë e mbamendjes sime si fëmijë në kujtim të babait ishin sidomos vitet 1953-1959, kur ai punonte si mësues në Therandë. Gjatë kësaj kohe ne fëmijët e tij të paktën e shihnim kur vinte në mbrëmje, se ai ishte shumë i angazhuar në terren, për përfshirje të sa më shumë fëmijëve shqiptarë të komunës së vet në shkollë. Kur kthehej nga terreni babai, mbaj mend, që dukej shumë i gëzuar për mirëkuptimin që e haste me bashkëvendasit e vet për dërgimin e fëmijëve të tyre, vajza e djemë në shkollë. Dhe atëherë, duke më ulur pranë veti më pyeste edhe mua, se çfarë do të dëshiroja që të bëhesha unë kur të rritem. Nuk ka të përshkruar sa e gëzueshme isha në momente të tilla, sa mendoja që isha fëmija më i lumtur në botë. Momentet e tilla nuk përsëriteshin shpesh, prandaj edhe gëzimi im i përtejmasave mendoj se e kishte mbulesën e vet të arsyeshmërisë.

Gjithëherë i thoja babait, se do të bëhem mjeke, që t’i shëroj njerëzit kur të sëmurën nga tifoja. Këtë ia thoja, nga se më kishte mbetur ende i pashlyer kujtimi për përjetimet trishtuese, kur ne si familje e tërësishme Bajraktari e Therandës qemë sëmurë nga tifoja e zorrëve, se në kopshtin tonë të madh ishte vendosur një kamp veror i ushtrisë jugosllave. Kishte me qindëra ushtarë, që veruan aso kohe në kopshtin tonë për një kohë të gjatë, diku më shumë se një muaj dhe neve na infektuan pusin (bunarin), se ushtarët merrnin ujë në të. Kishte dy-tri gurra (kroje) me ujë të pijshëm përreth shtëpive tona, ku ata mund të merrnin ujë për të pirë, por kishin zgjedhur pikërisht pusin, ku merrnim ujë edhe ne familja.

Ne nuk e dinim se në mesin e asaj morie ushtarësh që vinin për të marrë ujë te pusi, si edhe për t’u kontrolluar si të sëmurë në kamp-ambulancën e tyre, që ishte shumë afër shtëpive tona, kishte edhe të atillë, që ishin të sëmurë nga tifoja. Të tillët sigurisht që i largonin pa i diktuar ne në qendrat prej nga kishin ardhur, se kishte shpesh lëvizje të shkuarje-ardhjes së kamionëve të tyre. Thjeshtë ne si familje nuk kishim se kah të shkonim prej oborrit tonë dhe prej shtëpive tona, edhe pse ata dëshirë dhe plan e kishin pikërisht që të na shpërngulnin nga trojet tona, si edhe të na infektonin e helmonin!

VIZITË BABAIT TË BURGOSUR NË BURGUN FAMËKEQ TË RAHAVECIT

Një kujtim i vaçantë për babain tim, që më ka mbetur si një storje e pashlyer për tërë jetën, është kur në fillim të vitit 1960 shkuam bashkë me gjyshën që ta vizitonim babain në burgun e Rahavecit. Gjyshja ishte e përhershme në vizita babait nëpër burgje, ndërsa unë, sidomos sa ishte babai në paraburgim në Prizren dhe në Rahavec, rrallë herë që nuk isha bashkë me të. Meshkujt e familjes sonë (Ata që ishin të paburgosur) nuk ishin të lirë të dilnin sa herë të donin, se ne ishim të përjashtuar nga pushtuesi serb si familje.

Atë ditë që u nisëm unë dhe gjyshja për në Rahavec bënte një të ftohtë i madh, se ishte dimër dhe ne udhëtuam me karrocën tonë, që ne i thonim çejze dhe që tërhiqej nga një kalë. I morëm edhe ushqimet dhe ndërresat për babain, që sikur kishim të drejtë që t’ia dërgonim për çdo muaj. Mezi që mbërrimë në Rahavec nga bora e madhe me fërfëllizë dhe kur mbërrim nuk na lanë as që t’i afroheshim burgut, që ishte një ndërtesë e çuditshme dhe që mua gjithëherë më shkaktonte frikë me tmerre. Nuk na lanë që ta vizitonim babain dhe as nuk i morën ushqimet dhe rrobet që i kishim sjellë për të. Gjyshja gati sa nuk u çmend prej mërzisë së madhe, se mendonte mos nga rrahjet dhe torturimet e shumta e kanë mbytur krejt babain. Ishte ulur në një gur, jashtë dyerëve të hekurta të burgut, që kërcisnin me një zhurmë të tmerrshme sa herë çileshin dhe mbylleshin, dhe i shtrëngonte duart. Nuk fliste asgjë dhe as nuk qante, se gjyshja ime, Sofije Bajraktari, e kishte rregull në jetë, të mos qajë kurrë për të gjallin, që të mos i ndjellë kob.

E lemeritur nga pamja e gjyshës sime, por edhe e përmalluar për babain, mbaj mend kur u afrova te dyert e hekurta të burgut, që ta lusja njërin prej rojeve, duke i thënë: O milic, a bën bre, që ta sjellësh babain tim veç deri të dera që ta shoh nga larg, se më ka marrë malli shumë! Edhe motrat e mia i ka marrë shumë malli, ndërsa vëllai im, Luli, që i ka vetëm tri vjet, po e kërkon gjithkah nëpër shtëpi babain, por nuk po e gjen. Çka të ju them për babain, kur të kthehem në shtëpi, nësë nuk e shoh tash?! Polici bënte me dorë që të largohesha, se si duket nuk kuptonte, apo se nuk donte t’i kuptonte lutjet e mia, që ia bëja në shqip dhe hynte në “kolibën” e vet, që të ngrohej, se bënte të ftohtë i madh atë ditë! Unë me duart e enjtura nga të ftohtit prapë kapesha për dyert e hekurta të burgut dhe vazhdoja ta lusja policin, që të kishte të paktën pak mëshirësi për mua, që isha, megjithatë, fëmijë!

Bora binte me fërfëllizë dhe ne nuk kishim as ku të hynim, që të ngroheshim pak. Pak më larg nesh kali tërfëllonte, se sigurisht edhe ai kishte të ftohtë të madh. Në shtëpi u kthyem pa e parë babain dhe mbaj mend që gjatë gjithë rrugës pata qajtur me dënesje. Nuk e di si kemi shpëtuar të gjalla prej të ftoftit të madh dhe prej mërzisë, që u kthyem pa e parë babain. Gjyshja se si më dukej sikur ishte pak më e qetë kah ktheheshim! I kishin thënë familja e Vehbi Kabashit (shok i burgosur bashkë me babain), që e kishin realizuar vizitën atë ditë, se Destani është mirë me shëndet, por këtë herë ka marrë një dënim, pse i ka thënë policit serb me nofkën “Shimpanza”, se ishte kriminel.

  • Veç le të jetë gjallë Destani, bija jeme, se për me e pa e shohim herën tjetër-mundohej ta qetësonte vetveten dhe mua, gjyshja ime.

– Fragment i shkurtër nga libri: ”Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar
Naxhije Doçi – Prishtinë – 2009