RESPEKTIM LIGJI

0
789

AV. XHABIR ZEJNUNI

Ditët e fundit, po diskutohet në Itali rasti i një praktikanteje avokate marokene e quajtur Asmae Belfakir, së cilës gjatë një seance gjyqësore ku po merrte pjesë, ju kërkua nga gjykatësi të hiqte mbulesën (apo velin) që ajo e mbante në kokë. Ajo nuk pranoi të hiqte mbulesën dhe doli jashtë nga salla shumë e revoltuar! Kjo ngjarje, po bën “jehonë” në Itali, por edhe jashtë Italisë. Si në Shqipëri për shembull. Kodi i Procedures Civile të Italisë, tek neni 129, disponon se “Kush ndërhyn ose asiston në një seancë (gjyqi), nuk duhet të sjellë armë apo shkopinj dhe duhet të rrijë me KOKË ZBULUAR dhe në qetësi (…)”.

Norma ligjore më lart, i referohet kujtdo dhe jo vetëm një kategorije të veçantë personash. Nëse një person mban kapele (apo cilindër!) në kokë, është i detyruar ta heqë atë kur merr pjesë në një seancë gjyqësore. Kjo normë ligjore, i drejtohet edhe asistentes avokate, e cila duhet të besohet se e ka lexuar dhe studjuar atë normë. Aq më shumë, pasi ajo është akoma e “freskët” në lidhje me studimet universitare të sapo kryera. Si rrjedhojë, edhe ajo duhet të respektojë ligjin përkatës. Por, duhet pohuar edhe fakti se ndonjë gjykatës kërkon respektimin e kësaj norme dhe ndonjë gjykatës tjetër jo.

Por, kjo varet edhe nga orientimi politik i tyre! Po ashtu, asistentja avokate nxjerr si argument justifikues faktin se gjykatësi i paska thënë asaj se “Bëhej fjalë për respektimin e kulturës dhe traditave tona” dhe “nuk i ka folur për respektimin e ligjit”. E pastaj?! Edhe nëse gjykatësi nuk i ka folur asaj për respektimin e ligjit, mos vallë ajo nuk duhej të kishte parasysh respektimin e ligjit në rastin konkret? Por, edhe nëse merret për bazë thënia e gjykatësit se “Bëhej fjalë për respektimin e kulturës dhe traditave tona”, nuk i duhet vënë aspak faj asistentes avokate për pështjellimin e krijuar në mendjen e saj.


Loading…


Arsyeja është se asistentja avokate i jep ngjyrim vetëm fetar mbulesës, duke menduar se mbulesa është atribut vetëm i besimit islam dhe se kjo mbulesë e ka fillesën vetëm tek Kur’Ani. Por, nëse asistentja avokate do interesohej më shumë për origjinën e mbulesës, atëherë ajo do mësonte se kjo mbulesë e ka origjinën në Mesopotami që para 3 mijë vitesh. Gjatë kësaj periudhe historike, kjo mbulesë ka pasur një funksion social-kulturor, deri me ardhjen e Kur’Anit, kur mbulesës (purdah në persisht dhe hijab në arabisht) ju atribua një funksion fetar. Ja vlen të theksohet se mbulesën e trajton edhe Bibla, por duke i dhënë asaj vetëm funksion social-kulturor. Prandaj, edhe arsyetimi i gjykatësit ka qenë shumë i drejtë, edhe pa e vënë ligjin në mes.

Është interesant edhe fakti tjetër se asistentja avokate, për Tezën Finale të Diplomës së saj, ka pasur si temë “Integriteti i trupit të grave dhe ligji islamik: autonomia dhe parashikimet” (……)! Asistentja avokate, nuk mund të pretendojë patjetër që të marrë pjesë në seancat gjyqësore në Itali me kokë të mbuluar. Nga ana tjetër, askush nuk mund t’ja ndalojë asaj që të mbajë kokën mbuluar nëse merr pjesë në ndonjë seancë gjyqësore në Marok. Të kërkosh që të imponosh rregullat e vendit të origjinës në një vend tjetër, është e paarsyeshme, e papranueshme dhe e patolerueshme.

Jo vetëm për gjykatësit, por edhe për opinionin publik. Nëse ndodh për shembull që funksionaret femra kur vizitojnë Arabinë Saudite, Iranin, etj., mbulojnë kokën me shami në respekt të kulturës dhe traditës vendase, po ashtu edhe në vendet perëndimore duhet të respektohet ajo kulturë dhe traditë, e cila kërkon apo imponon mbajtjen e kokës të zbuluar. Asistentja avokate, ka deklaruar se do denoncojë gjykatësin në fjalë, duke kërkuar masë disiplinore ndaj tij. Në fakt, duhej të ishte gjykatësi i pari, i cili pas refuzimit të asistentes avokate për të zbuluar kokën, të denonconte atë për ofendim ndaj trupit gjykues.

Do lejohej vallë një (praktikante) avokate italiane që të paraqitej në një gjykatë marokene me kokë ZBULUAR (…..)?!?!

Shënim: Si duhet t’i imponohen këta shtetit ligjor? Me imponimin e shamisë islame etj. /AÇ