REQUIEM PËR MJEDËN DHE MENTORIN

0
573

Leonora Laçi Leonora Laçi

Nuk është hera e parë që shkruaj për një nga studiuesit më në zë të hapësirës shqiptare dhe qytetit të tij, Shkodrës që krenohet më të. Ai ishte një studiues model, ai dhe Mjeda ishin në simbioz, shkriheshin tek njëri- tjetri, plotësonin njëri-tjetrin.

Mentor Quku (1939-2014) hynë në atë kategori studiuesish që nuk rrahin gjoksin për ta demonstruar medoemos autorësinë e hulumtimeve të tyre, ndonëse ka bërë një punë kolosale të një jetë të tërë, sërisht ai fshihej pas dom Ndre Mjedës, duke na lënë të kuptohet se vemendja duhet të ishte tek dom Ndre Mjeda dhe jo ai vetë. Atij i interesonte vetëm të vendoste Mjedën në vendin ku i takonte, përfytyronte që Kukeli të bëhej një vend pelegrinazhi dhe biblioteka e Mjedës të sillte studiues nga vende të ndryshme, ai në parim ngriti një institut shkencor, na mësoi se si duhet punuar për të merituar emrin e hulumtuesit.

Nuk më hiqet nga mendja shprehja e tij që më ka shoqëruar dhe udhëzuar përgjatë viteve:- “Sot ti punon për emrin tënd, dhe nesër emri yt do punoj për ty”.

Në maj të vitit 2018 kisha bërë një artikull të shkurtër me titull “Mjedologu dhe pengu i mbetur zvarrë”, të cilin po e risjelli shkurtimisht:- “Në ecejaket me bashkëudhëtarët e pandashëm çanten dhe biçikleten e shihje mendueshëm në rrugët e qytetit, tretur në mendime të thella, ashtu si puna hulumtuese që bënte.

Do të shkruaj për njeriun e studiuesin, do të shkruaj për pengun e mbetur zvarrë e për veprën, do të shkruaj për karakterin e fortë, do të shkruaj për thjeshtësinë e tij dhe jo gradat shkencore që ia dhanë në prag të vdekjes, kur ndërkohë ai i meritoi dhe i mori edhe pa ia dhënë zyrtarisht e ceremonialisht, do të shkruaj për stoicizmin e tij dhe jo baltën që i hodhën, do të shkruaj për shkrirjen e një jetë të njeriut për njeriun, për përkushtimin e pashembullt, për vendin në tryezë të tij, të Mjedës, do të shkruaj për nderimin dhe lartësimin që meriton sepse fal tij iu hoq pluhuri i harresës dom Ndre Mjeda dhe fal tij u bë i njohur studiuesi Mentor Quku. Na u krijua përshtypja që do ia dilte mbanë, edhe vetë ai e besonte këtë.

Më thirri në telefon disa herë për ta ndihmuar me ca materiale në kompjuter dhe nuk hezitova, ishin ditët më të vështira të tij pasi sëmundja e kishte palosur në shtrat. Gjatë atyre ditëve më tregoi disa blloqe të vegjël që ishin ditare të jetë së tij, ku më kërkoi t’i shkruaja për së dyti e t’i mbaja si dokumentime, pata shansin e artë për t’i bërë një biografi të gjerë, por vazhdimisht ndjehej i lodhur dhe më tha:- “që ta vazhdonim të nesërmen punën.” I kërkova ditarët t’i merrja me vete, nuk pranoi, i konsideroi si relike të shenjta, në fakt ashtu ishin, se kundërshtova dhe ika duke pritur telefonatën që nuk erdhi asnjëherë….

Sa u trishtova ! E bashkë me trishtimin mora si mësim pengun që se di a do të realizohet ndonjëherë.

U ndjeva në faj që nuk insistova për t’i marrë me vete ato ditare edhe sot më kanë ngelë peng për t’ia realizuar të plotë profilin intelektual megjithëse për te flet vepra, ai fliste përmes punës shkencore, ishte mishiruar me Mjedën. Profesor Mentori thoshte shpesh – “në këtë punë shkencore gjysma tjetër e imja më dha ndihmesën më çmuar”. Pa harruar dhe tre vajzat me familjet e tyre. Zonja e tij Ixhlali ishte një grua dinjitoze që rridhte nga një familje me tradita shkodrane – Çausholli.

Të gjithë jemi kalimtarë të kësaj bote dhe si të tillë duhet të lëmë veprat që të bëhemi të pavdekshëm. Ai u bë, me veprat e tij, me humanizmin, me shpirtin luftarak, me veprimtarinë, me qëndrimet e palëkundura tek e drejta e vet. Si studiues i fortë që punoi e veproi më shumë se profesorët që ngrohin karriget e Instituteve, pasi ai ngrohte karriget e bibliotekave e arkivave, duke e bërë mision “Mjedën” dhe marrë emrin Mjedolog.

Tek Mentor Quku gjeje buzëqeshjen, vullnetin, palodhshmërinë, freskinë si një rilindje të dytë, largpamësinë. Për aq kohë sa e njoha mjaftoi për të kuptuar që luftoi e mbajti jetën me dhëmbë deri në fundin e pashmangshëm. Ishte udhëzues, ndihmues, mik e shok pa i paragjykuar njerëzit.

Studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipe letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione tekstesh të krijimtarisë së tij letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për një paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi të ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.

Puna shkencore e Mentor Qukut u realizua paralelisht me këmbënguljen e udhëzuesit shpirtëror që i dha jetë Kishës dhe Qelës në Kukel. Studiuesi dr.dom Nikë Ukgjini prifti jezuit që është sa hulumtues aq dhe fetar ishte dëshmitari i të gjitha vështirësive nëpër të cilat kaloi realizimi i ringritjes së kishës dhe qelës, që pa vullnetin e këtij të fundit vështirë se do të mund të realizoheshin. Duhet theksuar që dom Nika nuk përtonte ta mprehte lapsin sa herë që Ministria e Kulturës vinte gurë nën rrota, gazetat pritshin me padurim kritikat e dom Nikës.

Pra pa dom Nikën, Kukeli nuk do të kishte as vazhdimësinë pas ikjes në amshim të mjedologut. Studiuesi dom Nikë Ukgjini e kuptoi si duhet rëndësinë e dom Ndre Mjedës dhe Kukelit duke e çuar përpara paralelisht veprën studimore të studiuesit Quku me autoritetin e tij të famullitarit. Dom Nikë Ukgjini që nga 3 tetori i vitit 2006 është famullitar në Kishën e Kukelit Njesia administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës, kontributi i tij fetar dhe intelektual ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në transformimin e Kishës dhe Qelës së Mjedës, në vende për tu vizituar si muze pa lënë menjëanë bibliotekën e pasur, tavolinën ku ka punuar Mjeda.

Mjedologu Quku vuante vetëm për kohën, që ndoshta s’do të mund t’i mjaftonte për të arritur që ta përfundojë si duhet kolanën e Mjedës. Koha po i fashitej përpara syve me shpejtësi, e ndjeu këtë gjë. Të kapësh kohën ishte e vështirë, prandaj ai gjithmonë ishte në vrap e sipër, deri sa një ditë nuk mundi më të rendte bibliotekave por bëri vrapin e fundit drejt mëshiruesit…

Mjeda dhe Mentori u takuan… Mentori tashmë qetësisht me kohën ndalur merr përgjigjet që s’mundi t’i marr në botën e vdekshme, zgjidh enigmat që në jetën joreale nuk i zgjidhi dot pasi i duhej përjetësia për t’i dhënë zgjidhje, i duhej Mjeda. Mjeda duke i qenë mirënjohës që e përjetësoi dhe fitoi pavdekësinë, e anasjelltas përmes Mjedës këtë status e fitoi dhe Mentori, e ne morëm leksionin sesi duhet hulumtuar e shkrirë të gjitha energjitë për qellime të larta, për të marrë statusin e studiuesit.

Profesor Mentor Quku u përcoll për në banesën e fundit më 1 qershor 2014 me respektin e një qyteti të tërë, mes miqsh e dashamirësish, intelektualësh, e njerëzish të thjeshtë.”

Shqipëria sot ka më pak shkrimtarë, studiues, poetë, por këto që kanë ngelur le të frymëzohen nga realiteti i mjedologut, historia e tij, që sadopak të lënë gjurmë në botën kalimtare, të ecin në shtigje të reja, të guxojnë për të mos mbetur kalimthi kalimtarë.