FASLLI HALITI
ME BABANË NË MOSHËN SA JAM UNË SOT
BABAI
Vdiq babai,
Bota s’i uli flamurët,
Vetëm ne bijtë dhe nëna kokat ulëm,
Fqinjët fikën radiot deri vonë,
Fëmijët e lagjes s’erdhën atë ditë
Të luanin në oborrin tonë.
Vdiq babai,
Bota s’i uli flamurët.
Dhe qejfi
Ne s’na mbeti,
Nuk kishte përse,
Bota të ulte flamurët për të.
Keq ne s’na erdhi aspak
Që bota babanë
S’e qau.
Por mirë na erdhi sa s’ka
Që bota babanë tonë s’e shau.
1968
NDARJA
U nda
Babai
Nga jeta,
U bashkua me vdekjen.
Jeta mbeti vejushë…
2006
SI TI, BABA
Edhe unë si ti, baba,
Kam filluar
T’i heq këmbët zvarrë
Siç i hiqje dhe ti
Dikur,
Atëherë
Kur ti, baba, ishe kaq sa çjam sot unë.
Edhe mua, baba,
Kanë filluar
Të më dridhen duart
Siç të dridheshin ty dikur,
Atëherë
Kur ti, baba, ishe kaq sa çjam sot unë.
Edhe mua, baba,
Ka filluar
Të më derdhet filxhani i kafesë,
Siç të derdhej ty baba dikur
Sapo e vije në buzë,
Atëherë
Kur ti, baba, ishe kaq sa jam sot unë…
Edhe unë
Si ti,
Baba,
Urinoj shpesh,
Siç dhe ti dikur,
Atëherë
Kur ti, baba ishe kaq sa jam sot unë.
Ti po qan,
Baba ?
Si,
S’do
Që unë të vij në Had tek ti,
Të të tregoj për jetën dhe peripecitë
Këtu mbi tokë,
Mbi dheun
E zi
Dhe të pimë nga një kafe atë e bir ?
Unë do të të tregoj sinqerisht, baba
Është këtu mbi tokë, apo në Hades më mirë…?
2007
NËNË
T’u bënë njëzet e katër vjet, nënë,
Atje në Hades.
Me babanë
Ç’bëni
Si shkoni të dy
Pi babai
Zihet
Grindet me ty?
Jeni në Parajsë,
Në Parajsë s’ka grindje zënka, mëri ?
Më gëzove moj nënë që paskeni harmoni!
2006
PYETJE
Na la babai
Pse ?
Iku
Me vdekjen?!
( Po vdekja s’ka zemër)
Ku shkoi me të?
Në Had?
Po ne ku na la,
Në ferr apo parajsë ?
2006