Republika e Re mbi gërmadhat e Republikës së Vjetër!

0
823
Enver Bytyçi

Enver Bytyçi

Një mjek i nderuar, profesor në Universitetin e Mjekësisë, megjithëse me bindje të majta, është njohur si kritik i spikatur i Rilindjes, veçmas për çeshtjet e shëndetësisë dhe skandalet e shumta të ministrit Beqja. Për këtë shkak ai meritoi respektin e shumë qytetarëve shqiptarë, u bë madje në disa raste simbol i rezistencës kundër korrupsionit dhe mashtrimit të rilindasve bashkëpartiakë të tij. Por ndodhi protesta e demokratëve dhe u rrit magjia e fuqia e Çadrës së Lirisë. Mjeku aktiv kundër padrejtësive të Rilindjes e lexoi këtë si “rrezik” për familjen e tij politike të majtë. Prandaj u tërhoq nga vetja dhe iu bashkua korit të Rilindjes kundër opozitës.

Kaq u desh që edhe të tjerë kritikë të Rilindjes të tërhiqen të strofën e ideologjisë, duke u rikthyer në vathën e vjetër të organizimit politik. E dija se “sado kritikë të jenë të majtët ndaj elitës së tyre politike, ata kur nuhasin rrezikun e kundërshtarit në opozitë dhe vjen era e ndryshimit i bashkohen radhëve të rezistencës së përhershme kundër të djathtës”. Por në rastin e Rilindjes mendoja se ka një diferencë të thellë midis saj dhe së majtës së përshkruar si moderne, midis oligarkisë dhe Partisë Socialiste. Besoja se logjika do t’i çonte drejt një rezistence morale së paku, e cila do t’i bënte këta kritikë më dinjitozë, më njerëzorë, më idealistë. Megjithatë nuk ndodhi kjo.

Shumë prej tyre u bënë pjesë e korit propagandistik të qeverisë së Rilindjes dhe sorosistëve në pushtet. Se ata udhëhiqen nga koncepti: “Më mirë përkrah kriminelëve të familjes time politike, sesa përkrahës i një modeli të ri që vjen nga kundërshtarët politikë”, i cili sot është emërtuar si “Republika e Re”. Kjo masë analistësh dhe kritikësh kanë marrë përsipër që të barasvlerësojnë qeverisjen e Rilindjes me atë të opozitës. Dhe në kushtet e trashjes së zullumit, Rilindja nuk shpreson më shumë se kaq. Asaj i mjafton ngulitja e nocionit “Të gjithë janë njësoj”, me qëllim që të barazojë rezultatin zgjedhor, të shtojë numrin e votuesve indiferentë, të cilët janë edhe kontigjenti e votimit me blerje. Republikën e Re na e paraqesin të nëjtë me Republikën e Vjetër.

Nuk shohin, as nuk duan të shohin se Republika e Re i ka rrënjët e saj në shumë aksione politike krejt të ndryshme me qeverisjen e Republikës së Vjetër. Nuk duan t’ia dijnë se Republika e Re është çlirimi nga krimi dhe kriminelët në politikë, në administratë, në sistemin gjyqësor, në media e në çdo institucion me ndikim në opinionin publik. Modeli i luftës kundër krimit dhe kriminelëve i Republikës së Re është ngjizur që me imponimin e ligjit për dekriminalizimin, një ligj që u inicua nga kryetari jo deputet i opozitës shqiptare. Pasojë e këtij ligji janë dëshmitë tronditëse që shfaqen çdo ditë për krimet e deputetëve dhe kryebashkiakëve socialistë. Unë nuk kam dëgjuar në asnjë rast që Lulzim Basha të ketë marrë në mbrojtje ndonjë peshk të vogël të krimit në PD, të ndëshkuar nga ligji i dekriminalizimit.

Por jam shokuar me dhjetra raste të alibive që ka shpik Edi Rama në mbrojtje të kriminelëve me damkë në radhët e deputetëve dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë të rrethit të tij. Eshtë e pashembullt që një kryeministër të shkarkojë de jure një kryebashkiak e ta lejojë atë de facto të ushtrojë detyrën e tij! Por kështu ka ndodhur e po ndodh me Elvis Roshin, mikun e ngushtë te kryeministrit tonë. Eshtë unik rasti kur kryeministri e përdor në fushatë elektorale një kriminel të dënuar me burgim të përjetshëm dhe një ditë para zgjedhjeve e përcjell jashtë sistemit Tims në kufi me Malin e Zi, që ai t’i shpëtonte drejtësisë! Janë unike në historinë e qeverisjes rastet kur një kryeministër, si ky yni, të dënuarit për krime të rënda si prostitucion, vrasje, trafik droge, grabitje, përdhunime, në fillim i bën deputetë e kryetar bashkie e më pas, kur sipas ligjit shkarkohen, i ngarkon si shefa të zonave elektorale në qarqet nga ata vijnë!

Nuk dua të përmend fakte të tjera, si kanabizimi, vjedhja e shit-blerja e votës, as varfërinë, diskriminimin përballë ligjit e në investime. Nuk po ndalem te rastet e pafund, kur të vobegtët arrestohen e dënohen me burg, ndërkohë që kriminelët e dënuar para Rilindjes dalin një nga një nga qelitë, pavarësisht se janë të dënuar përjetësisht! Nëse do të flisnim për këto, atëherë do të na duhej shumë, shumë kohë të lexonim për atë çfarë përfaqëson Republika e Vjetër. Por a i shohin së paku këto bëma të Republikës së Vjetër ata që deri sot ishin kritikë të Rilindjes?! Nëse jo, çfarë ka ndodhur me ta? Si u bë që me ngritjen e Çadrës së Lirisë të rikthehen te propaganda kundër Republikës së Re?!

E tmerrshme, çfarë mekanizmi perfid për të zhvleftësuar një kauzë të jashtëzakonshme, ndërtimin e një Republike tjetër, të ndryshme nga ajo e Rilindjes, madje të ndryshme edhe nga qeverisjet në kohë para Rilindjes prej vitit 1991 e këtej! Republika e Re i ka themelet te projektet e opozitës, disa prej të cilave janë imponuar të bëhen ligje. Fatkeqësisht ende këto ligje nuk zbatohen, sepse mungon vullneti politik i rilindasve. E pikërisht këta mohues të ligjit betohen për reformën në drejtësi!!! Republika e Re ka për qëllim rritjen e hapësirës së lirisë së individit dhe harmoninë midis dhunës shtetërore dhe humanizmit, gjithnjë në respekt të ligjit dhe të së drejtës! Republika e Re është dëshmuar tashmë si Republika e Antikrimit, Antikanabizimit, Antihumanizmit, Antioligarkisë!

Ndoshta është e para opozitë e një çerekshekulli, e cila nuk ka imponuar zgjidhje në tavolinë, por zgjidhje ligjore për krizat e shkaktuara të qeverisjes së Rilindjes! Tani i thonë se “kërkon pushtetin në tavolinë”!!! Ndërkaq këta ish-kritikët e Rilindjes i janë bashkuar korit të propagandës qeveritare dhe fillojnë e tjerrin se cilat na qenkan “krimet e qeverisjes se Partisë Demokratike”! Numërojnë Gërdecin, 21 Janarin e madje kthehen e shkojnë deri te vitit 1997! Përmendin edhe zgjedhjet e majit 1996! E ndërkohë ushtrojnë presion të bëjnë zgjedhje kundër vullnetit të opozitës ose pa opozitën. I thonë opozitës se bën bojkot, pse ajo kërkon zgjedhje të lira e të ndershme, por nuk etiketojnë si bojkot largimin e komisionerëve socialistë nga qendrat e votimit me urdhër të Gramoz Ruçit në mbrëmjën e 25 majit 1996!

Ndërkohë asnjë provë te re nuk kanë sjellë në katër vite, me të cilat të implikojnë në krim kabinetin e PD-së! Thjesht përdorin propagandën. Nuk po ndalem sesi Shqipëria u trondit nga Gërdeci, sepse aty ka shumë dritë-hije, më së pari duhet gjetur kush i vuri flakën barutit dhe pse ndodhi kjo tri javë para se NATO të jepte ftesën e pranimit në Paktin e Atlantikut! Duhet të analizojmë pse qëlloi mbi demonstruesit e 21 janarit njeriu i afërt i Lenka Çukos, nipi i saj?! Ka shumë pikëpyetje, të cilave duhej t’u jepte përgjigje vetë qeverisja e Partisë Demokratike. E pranoj se ajo ishte e paaftë të ndriçonte të vërtetën e këtyre e ngjarjeve, madje edhe të vrasjes së deputetit fierak, Xhindi, në fushatë elektorale, së paku më e paaftë se ideatori e skenaristi i atij krimi makabër!

Përdorimi politik i këtyre ngjarjeve, burimi real i të cilave është i dyshimtë dhe i diskutueshëm, së paku i pandriçuar dhe e paprovuar, edhe pse këta qeverisin prej katër vitesh, është dashakeq dhe propagandë e pastër kundër Republikës së Re! Ndërkaq PD e ka marrë përsipër përgjegjësinë politike të saj. Ish-lideri historik i saj dha dorëheqjen dhe kjo do ishte e mjaftueshme në çdo vend demokratik për të dëshmuar se Republika e Re nuk ka asgjë të përbashkët me Republikën e Vjetër të Rilindjes. Atëherë pse ish-kritikët e Rilindjes u rikthyen në pozicion kritik kundër Çadrës së Lirisë?!

A është kjo një metamorfozë që na ndjek si ogur i zi ne shqiptatëve, duke na shkatërruar në fillim shpirtërat e më pas qenien tonë si komb?! Sa kohë do të na duhet që së paku të krijojmë një elitë të dinjitetit, personalitetit dhe integritetit politik, shkencor, intelektual?! Të krahasosh Lulzim Bashën me Edi Ramën ose Republikën e Re të tij me Republikën e Vjetër të Edi Ramës është jo vetëm mëkat, por heqje dorë nga e vërteta, nga dinjiteti njeëzor, politik e intelektual, është ndjellje e pesimizmit dhe mbjellje e pashpresësisë te shqiptarët! Për çfarë? Se Rilindja dhe e majta funksionon si ideologji militare dhe dëshiron të mbijetojë përmes mashtrimit!