Replika e Fatos Tarifes: “Për fshatarin e zbritur në Tiranë, Agron Tufa!”

1
2187

Pse një antifashist 92 vjeçar, si Sevo Tarifa, e mposht dikë, shumë më të ri në moshë, si Agron Tufa

Nga Fatos Tarifa, TemA, 16 prill 2019

Edhe një shkrim tjetër nga Fatos Tarifa, në gazetën Dita, 19 prill 2019:
Lufta antifashiste në optikën e një “publicisti” vari pafidhen

Im atë, Sevo Tarifa, është lindur fshatar. Në Mashkullorë të Gjirokastrës. Në vitin 1927. Në një kohë kur e gjithë Shqipëria ishte një fshat i madh. Dje, ai botoi në këtë gazetë një polemikë me z. Agron Tufa.

Agron Tufa duhet të ketë mbi supe gjysmën e moshës së tim eti. Qoftë edhe për këtë arsye, mund të mendohej se Tufa është më “modern” sesa im atë. Por, i lindur edhe ai fshatar, Tufa ka mbetur edhe sot e kësaj dite i tillë, pra, një fshatar. Fshatar në një Tiranë përherë e më kozmopolitane, por që, fatkeqësisht, grumbullimi i fshatarëve të llojit të tij në lagjet e kryeqytetit tonë dhe në institucionet qendrore të vendit, i kanë bërë mentalitetin rural dhe sjelljen servile fshatare thuajse sunduese.

Kjo nuk është një dukuri rastësore, ose tipike shqiptare, sepse një pjesë e madhe e shqiptarëve të sotëm, veçanërisht në radhët e moshave të reja, por edhe në moshën e z. Tufa, janë njerëz modernë, “fellow Europeans” në kuptimin më real të kësaj fjale, njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre në çdo vend të Europës.

Mentaliteti fshatar i llojit “Tufa” është, veç të tjerash, rrjedhojë e një strategjie maoiste, që e hartoi dhe e zbatoi në Shqipëri Sali Berisha — strategjia elektorale e rrethimit të Tiranës nga fshati. Që do të thotë, as më shumë e as më pak, strategjia e pushtimit të Tiranës dhe, bashkë me të, e pushtimit të institucioneve politike të këtij vendi nga fshatarësia dhe nga mentaliteti fshatar. Kjo ka qenë një strategji e “tufëzimit” të fshatarëve të llojit “Tufa” në kryeqytetin e vendit tonë.

Pasojat e një strategjie të tillë i shohim sot të gjithë: braktisja e zonave rurale dhe e zonave të thella malore dhe mbipopullimi i Tiranës, rrëmbimi i tokës pronarëve të ligjshëm të saj dhe krijimi i problemeve të pafundëm — të pazgjidhur e të pazgjidhshëm — që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore, kaosi urban, krijimi i zonave të deprivuara të tipit “shanty town” në pjesët periferike të kryeqytetit, rritja e papunësisë, shtimi i krimit të organizuar etj.

* * *

Im atë, i cili, kur ishte 16 vjeç — dhe djalë i vetëm — iu bashkua me armë në dorë Brigadës së 6-të sulmuese të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare në luftën për çlirimin e vendit, polemizoi dje me Agron Tufën, mohuesin më të madh të rëndësisë e të vlerave të asaj Lufte të Madhe. Në polemikën e tij me z. Tufa, im atë nuk ka nevojë që t’i vij në mbrojtje unë, djali i tij. Sevo Tarifa e ka mposhtur dhe e mposht Agron Tufën njëqind herë, njëmijë herë — çdo ditë të jetës së tij deri më sot dhe çdo ditë që ne, fëmijët e tij dhe shokët e tij, do të kemi fatin ta kemi në mes nesh.

Sevo Tarifa e ka mposhtur dhe e mposht Agron Tufën me idealet e tij, me veprën e tij, me shembullin e tij, me moralin e tij, me mendjen e tij, me penën e tij, me qytetarinë e tij.

Sevo Tarifa është bërë, rreth 70 vite më parë — dhe ka mbetur — një kryeqytetar i kësaj Tirane që sot, Tufa dhe të ngjashmit e tij po e ruralizojnë mendërisht e moralisht.

* * *

Qysh adoleshent, Sevo Tarifa ka pasur instinktin e drejtë, zgjuarsinë, guximin dhe trimërinë që të luftonte me armë në dorë për çlirimin e vendit të vet nga pushtuesit fashistë e nazistë, ndërsa Agron Tufës i mungojnë edhe sot zgjuarsia e guximi qoftë edhe për t’i njohur e pranuar vlerat e mëdha të antifashizmit dhe për t’i respektuar ata që kanë dhënë jetën e tyre në emër të këtyre vlerave.

Foto me partizanët

Sevo Tarifa ishte vërtetë një komsomolas kur ishte i ri, kur komunizmi sundonte në një pjesë të madhe të globit, por Agron Tufa ka mbetur një lloj komsomolasi edhe sot, kur komunizmi ka vdekur thuajse kudo. Ndoshta janë disfata e madhe e Fashizmit në Luftën e Dytë Botërore dhe disfata e madhe e Komunizmit në Luftën e Ftohtë ato që ushqejnë komplekset anti-antifashiste and anti-komuniste të z. Tufa dhe që e bëjnë këtë poet pastoral t’i shohë antifashizmin dhe komunizmin sikur të ishin e njëjta gjë. Një frikacaku edhe lepuri i duket ujk.

Nëse Agron Tufa do të kishte sado pak common sense (njerëzi), ai do të kuptonte të paktën kaq gjë, të cilën, nëse ai vërtet nuk e di, ia them unë, fare thjeshtë dhe fare shkoqur:

Nëse, për t’u treguar anti-komunist dhe për të zbuluar e raportuar krimet e komunizmit në Shqipëri ju, z. Tufa, paguheni nga taksat e qytetarëve të këtij vendi, mos i fusni hundët aty ku s’ju takon, në epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe mos e ndyeni edhe më tej moralin tuaj, duke i mohuar vlerat e asaj Lufte. Ju jeni shumë i vogël përpara asaj Lufte të Madhe dhe shumë mediokër, që të mund ta kuptoni këtë.

* * *

Sevo Tarifa dhe ata pak bashkëmoshatarë të tij, që sot janë ende gjallë dhe që përbëjnë brezin e fundit të partizanëve antifashistë shqiptarë, të kanë mposhtur ty, Agron Tufa, 75 vite me radhë. Ata do të të mposhtin ty dhe të ngjashmit e tu edhe kur të mos jenë më. Sepse ata ishin antifashistë. Dhe antifashizmi nuk mposhtet dot. As dje, as sot, as kurrë.

Kur shohim se ç’ndodh sot në Europë, kur shohim se në Shqipëri ka ende njerëz si ju, kuptojmë se fashizmi, edhe pse është mundur, është ende gjallë. Kjo do të thotë se antifashizmi është gjallë gjithashtu. Vigjilent. Dhe se ai gjithmonë do të triumfojë mbi fashizmin. Ju i përkisni një kohe të mbaruar. Antifashistët shqiptarë luftuan për një kohë të përjetshme. Është kaq e thjeshtë. Very, very simple, nëse dëshiron që ta kuptosh, pavarësisht nga çfarëdo që thoni ose shkruani ju.

* * *

Nëse edhe më tej do të keni kurajën të merreni me ata burra dhe gra të moshuara, që bënë Luftën e Madhe antifashiste në këtë vend, duhet t’i bëni llogaritë mirë. Përballë jush mund të mos keni vetëm tim atë dhe shokët e tij partizanë, veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe mua, djalin e partizanit antifashist Sevo Tarifa dhe dhjetëra mijëra të tjerë si unë, bij e bija të të gjithë antifashistëve shqiptarë. Ne jemi më shumë sesa ju, më kurajozë e më të qytetëruar sesa ju. Përherë kemi qenë e do të jemi më shumë, më kurajozë e më të qytetëruar sesa ju. Pasi, në marshimin e madh të Historisë, kemi qenë e jemi në kahun e drejtë të saj. Në një përballje morale me ne, ju s’mund të keni fat tjetër veç dështimit të turpshëm.

* * *

Dhe një këshillë të fundit për ju, z. Tufa, që ndoshta mund ta dëgjojnë edhe ata që hartojnë e miratojnë ligje “në emër të popullit”, si dhe ata që e qeverisin këtë vend “për të mirën e popullit”: Nëse deri më sot nuk keni ditur, ose nuk keni dashur e nuk kërkuat kurrë, që veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të vlerësohen e të trajtohen me respektin dhe me dinjitetin që meritojnë, si fitimtarë të luftës më të lavdishme në historinë e këtij kombi, lërini fitimtarët të prehen në paqe tani, që s’janë më dhe bëjuni nderimet që meritojnë dhe që ua keni mohuar atyre pak prej tyre, që janë ende gjallë.


Sevo Tarifa: Një Agron Tufa shpall kriminelë udhëheqësit e luftës Antifashiste, heronjtë e dëshmorët e saj

Unë ish-pionieri partizan i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, lexova me dhimbje e zemëratë një palo-listë të Institutit që drejton Agron Tufa dhe ku shpallen kriminelë udhëheqësit e lavdishëm të asaj lufte, si dhe heronjtë e dëshmorët e saj. Dhe nuk mund të qëndroja sehirxhi ndaj kësaj që po ndodh, kur jemi gjallë në ish-pjesëmarrësit e asaj lufte.

Ti vrave veten, o zoti Agron Tufa, se shigjetën blu e bëre të zezë! Një çast psikik, se mendja është “një kokërr gruri”. Në stanin e institutit tënd bëre një listë të zezë me njerëz të bardhë, që ti i quan “kriminelë”! Çfarë ke me çlirimtarët e “Manushaqes“ së Naimit, që janë heronj të vërtetë?! Kriminelin e gjen në rreshtat e “çlirimtarëve” të kotecit. Nuk është kurrë kriminel ai që ishte katër dimra maleve me armë në sy dhe kishte për “dyshek” tokën, për “jastëk” gurin, për “jorgan” qiellin, për “parfum” barutin. Dhe me barkun bosh. Me kokën në torbë për lirinë e mëmëdheut!

Nuk është “kriminel” ai që lufton për çlirimin e Atdheut, por ai që vihet në shërbim të pushtuesit. Nuk është kriminel dëshmori, që derdh gjak me okë për këtë tokë, gjak që s’ka lumë ta lajë, s’ka diell ta thajë. Kriminel është fashisti që e mohon këtë gjak. Kriminel është oficeri fashist, që vret patriotë shqiptarë dhe jo komandanti e komisari partizan, që luftuan si atdhetarë dhe mbetën në këngë! Sipas jush nuk është tradhtar diversanti që hidhet me parashutë, por ai që e vret në ajër apo e kap “si miun në çark”! Sipas jush, pesë vajzat heroina shqiptare (nga 6 në Europë) të cilat nazisto-fashisto-ballistët i varën në litar, na qenkan “kriminele”, se atdheun nuk e tradhtuan, e litarin e pranuan! E të tjera. Ti këto i di, por lista që lexuam në “Dita” tregon se je shpirtzi dhe i molepsur nga kolera fashiste…

Si i gjetët këta 265 “kriminelë”, në ç’vepra “kriminale” të tyre u bazuat? Mos donit më shumë kohë se 75 vjet për ta siguruar atë listën tënde të zezë, apo synoni të na i bënit “dhuratë” me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit! Kini të tjerë për të shtuar?! E them këtë se shoh që kini lënë dhe të tjerë pa vënë në majë të lapsit që di vetëm të njollosë. Shënuat kriminel për shembull edhe komandantin e batalionit tim, si dhe komisarin që është “Hero i Populli”!

Si ua nxë goja fjalën kriminel për atdhetarë trima e kryetrima, luftëtarë e kryeluftëtarë, lule e kryelule, duke filluar që nga Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH, legjendari i pavdekshëm, Enver Hoxha, për 10 nga të clët, që i kam njohur në llogoren e në zjarrin e luftës antifashiste, unë jam i nderuar që kam botuar portretet e tyre në mjaft libra. Tani, sipas jush, zoti Tufa dhe të ndonjë “tufe” tjetër fashistësh më duhet të shkruaj portrete të tjerë, të kundërt, që t’i nxij, t’u mohoj meritat, gjakun, sakrificat, t’i quaj kriminelë. Jo, këtë kurrë nuk do ta bëj as unë dhe as ndonjë tjetër normal! Nuk dola partizan 15 vjeçar dhe djalë i vetëm për t’i thënë të bardhës të zezë e të zezës të bardhë, siç bëni ju, se të bardhë kam zemrën, në thelbin e së cilës është Shqipëria jonë e dashur!

Na kini përbuzur të gjithëve, o fashist. Por dije që balta që po hedh po të përplaset ty në fytyrë. Përbuzja është si shigjetë, po doli nga buza të vret! Po gjithnjë njeriu në jetë e ka një kohë dhe moshë për t’u turpëruar, si puna juaj. Shekspiri i madh ka thënë: “O turp! Ku e ke skuqjen?!”

Urrejtje e thellë sa deti nga fashistë, kundër LANÇ!

Pika-pika bëhet vija. Kështu ndodh dhe me kundërshtarët tanë politikë. Shenjat fashiste të tyre janë dukur me kohë. Kam shkruar disa herë, ne fund shkrimin “Fashizmi e ka zemrën të zezë”. Tani u shfaq hapët një fashist me emrin “Agron Tufa”. E lexova në “Dita”, në “Kushtrim Brezash” etj. Dhe si të gjithë partizanët veteranë, protestoj që një fashist na bën kriminelë, në vazhdën e qëllimit për ta nënvlerësuar LANÇ! Por aq sa mund të rrëzohet një mal nga bubullimat, aq mud të hidhet poshtë edhe kjo luftë, me karakter kombëtar e ndërkombëtar…

E pyes këtë kalemxhi së prapthi: Kush është kriminel, ai që lufton për çlirimin e Atdheut, apo ai që vihet në shërbim të pushtuesit? Kush është dëshmor, ai që derdh gjak me okë për këtë tokë, të cilin s’ka lumë që e lan, s’ka diell që e than, apo ai e shkel, e baltos dhe e mohon këtë gjak? Ti i di këto, por në praktikë i rreshton në të kundërtat e tyre: ballistin e bën “çlirimtar të Atdheut”, kur në fakt ai është “çlirimtar i koteceve”, partizanin e bën “kriminel” Oficerin fashist që komandon dhe vret deri dhe të pafajshëm e quah “njerëzor”, komandantin e komisarin partizan, që lufton në këmbë dhe mbetet në këngë, e quan tradhtar! Diversantin që hidhet me parashutë e quan atdhetar, ndërsa patriotin që e lë në vend ose e zë si miun në çark, e quan tradhtar! Pesë vajzat partizane që nazisto-fashistët i varën në litar, kurse këto heroina që nuk u perkulën, atdheun s’e tradhtuan!

Nga këto mendime e qëndrime lindin edhe pyetje të tjera: si i gjete këta 265 “Kriminelë”, nga ç’vepra “kriminale” të tyre u nise? Mos donit më shumë kohë se 75 vjet për t’i gjetur këta, që kini në atë listë të zezë? Kini të tjerë për të shtuar? E bëj këtë pyetje të fundit, se shoh që kini lënë dhe të tjerë pa vënë në majë të lapsit: kini shënuar “kriminel” komandantin e batalionit tim, po kini lënë komisarin që është Hero i Popullit! etj.

Dhe pyetja e fundit personale: duke lexuar listën tuaj për këta “kriminelë”, që janë trima e kryetrima, luftëtarë e kryeluftetarë, lule e kryelule, për 10 nga ata, që i kam njohur në llogoren e në zjarrin e luftës antifashiste, kam botuar portret e tyre. Tani, sipas jush, zoti Tufa dhe të një “tufe” të tjerë fashistësh, duhet të shkruaj portrete të tjerë, të kundërt, që “t’i nxij”, t’u mohoj meritat, gjakun. Jo, këtë kurrë nuk do ta bëj! Nuk dola partizan 16 vjeçar dhe djalë i vetëm për t’i thënë të bardhës të zezë e të zezës të bardhë, se të bardhë kam dhe zemrën, në thelbin e së cilës është “Manushaqja” e Naimit, Shqipëria e dashur, jo të zezë si zemrat e fashistëve.

1 KOMENT

  1. Ne Shqiperi nuk ka pase lufte kunder fashizmit, por ka pase lufte kuislinge e komunisteve, qe kola oronin me hordhite barbare komuniste te Rusise dhe Serbise. Prandaj mos genje per lufte kunder fashizmit, por trego historine e kuislingeve komunist kolaboracionist me komunizmin, qe ishte dhe eshte 1 milion here me agresiv, me i dhunshem dhe me i poshter se fashizmi… Italian.

    Komunizmi ka keto viktima ne nivel boteror;
    Kina: 55 deri 60 milion te vrare gjate sundimit komunist
    BRSS : 28 milion viktima
    Cambodia : 3 milion nga 9 milion banoret e saj.
    RSFJ : 450 mije viktima
    Rumnaia: 120 mije
    Vietnami: 1,4 milion
    Shqiperia: 20 mije gjate luftes dhe 9 mije gjate fake news lirisë
    Cuba: 30 mije
    Koreja veriore: 750 mije viktima te komunizmit.
    Mongolia: 1.5 milion

    E ti po fol per fashizem, duke harruar qellimisht se komunizmi eshte 1 milion here me terrorist se Fashizmi.

Komentet janë mbyllur.