RËNIA E MARKO BOÇARIT, NJË TRAGJEDI NDËRSHQIPTARE

0
652
Peter Von Hess - Rënia e Marko Boçarit

Peter Von Hess – Rënia e Marko Boçarit

Nga K. P. Traboini

Piktori gjerman Peter Von Hess (1792-1871) është i njohur për punimet e tij, ku pasqyrohen ngjarjet e luftës për pavarësinë e Greqisë. Vihen re se luftëtaret janë pothuaj të gjithë arvanitas, çfarë e përcakton veshja por edhe emrat e tyre si Marko Boçari, Andrea Miauli, Laskarina Bubulina e tjerë.

Vërehet se, ndryshe nga studiuesi tjetër gjerman Jakob Philipp Fallmerayer, që vinte në dukje kontributin shqiptar dhe vinte në dyshim lidhjet e grekëve të rij me ata të lashtë, ky piktor nuk shënon përkatësinë e luftëtarëve, por thjeshtë i konsideron grekë.

Mesa duket, pikturat e tij nuk kanë lidhje dhe aq shumë me realitetin e kësaj kryengritje. Në një pikturë ka venë shënimin “Palikarët grekë“, kur në të nuk ka asnjë grek e asnjë palikar tjetër veç shqiptarëve, veshur me fustanellat e tyre të bardha karakteristike.

Pra tjetër ishte realiteti e tjetër interpretimi. Dëshira për të lidhur grekët e rinj me të lashtit ishte një aventurë e iluministëve europianë dhe një grotesk i vërtetë, siç e cilësonte Fallmerayer. Mjafton të përqendrohemi në një prej punimeve të tij për të kuptuar se ai nuk kishte njohje të thella, për çfarë kishte ndodhur në luftën për pavarësinë e Greqisë dhe cilët ishin forca kryesore dominuese në ato luftëra.

Dihet se rënia në betejën në Karpenisi të Marko Boçarit është bërë subjekt i shumë punimeve të piktorëve europianë. Edhe Peter Von Hess ka një të tillë. Kuptohet se figura e Marko Boçarit është trajtuar realisht me veshjen e tij karakteristike shqiptare. Por ai që qëllon mbi Marko Boçarin nuk është i përcaktuar saktë. Mesa duket piktori gjerman më shumë është mbështetur në tregimet e të tjerëve apo në shkrime të asaj kohe, duke marrë prej tyre njoftime, që nuk përkonin dhe aq me realitetin apo ai i ka keqkuptuar ato.

Në pikturën që e bashkë shoqërojmë me këtë shkrim vihet re se ai që qëllon mbi Marko Boçarin është një luftëtar zezak. Kjo nuk është e vërteta historike. Dihet, dhe shkruhet gjithashtu, që Marko Boçarin e ka vrarë në betejë shqiptari Lleshi i Zi, luftëtar nga Mirëdita. Duket se të dhënat që ka marrë piktori Peter Von Hess kishin të bënin me një luftëtar të zi dhe jo me një luftëtar që kishte epitetin të tillë.

Nga ky keqkuptim ai ka realizuar në pikturë një luftëtar zezak, që qëllon mbi shqiptarin suljot Marko Boçari, çfarë nuk kishte të bënte me realitetin, as në pamje e as në veshje.

Duke mos e njohur historinë e vërtetë të kryengritjes, është e natyrshme që ta pasqyronte atë jo krejt saktë, prandaj nuk gjenden të shënuar në asnjë vepër të tij arvanitët-shqiptarët, për të cilët historianët seriozë me të drejtë thonë se, 95 për qind të heronjve të luftës për pavarësinë e Greqisë ishin shqiptarë.

Por mjerisht, një pjesë e shqiptarëve ishin të rreshtuar në anën tjetër të frontit, nën shërbimin e ushtrisë pushtuese turko-osmane. Ndaj në shumë luftëra vramë njeri-tjetrin, derdhëm gjakun tonë në beteja që shkonin në favor të shteteve të tjera ballkanike. Kjo ishte një tragjedi, të cilën e kemi vuajtur thellë si popull, por edhe e kemi paguar shumë shtrenjtë në histori.