RËNDËSIA E VLERAVE MORALE, SIPAS MARTIN LUTHER KING-ut

0
401

2 Nëntor, 1983, Presidenti Ronald Reagan nënshkruan ligjin që cakton Ditëlindjen e Martin Luther King-ut si festë kombëtare në kujtim të aktivistit amerikan të të drejtave civile.
(Foto nga Arkiva Kombëtare)

Frank ShkreliNga Frank Shkreli

Këtu në Shtetet e Bashkuara 20 Janari shënon ditën kushtuar Martin Luther King-ut, priftit protestan, aktivistit të drejtave të njeriut dhe udhëheqësit të lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, nga viti 1954 e deri më 1968. Kjo ditë është festë federale, ditë pushimi për shumicën e amerikanëve, që shënohet çdo vit anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, të hënën e tretë të Janarit, ç’prej vitit 1983.

Martin Luther King-u njihet për rolin e tij paqësor në avancimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut, duke i promovuar ato me taktika dhe mjete paqësore, përfshir mosbindjen civile. Dita kushtuar Dr. Martin Luther King-ut është ditë pushimi ashtu siç janë edhe festat e tjera federale kushtuar presidentëve të Amerikës ose datave kyçe të historisë amerikane, siç është 4 Korriku, Dita e Pavarësisë

Në kujtim Martin Luther King, në këtë ditë, media të ndryshme amerikane, i sjellin publikut, fjalime dhe citime frymëzuese të këtij personaliteti të madh të historisë së Shteteve të Bashkuara. Citimet dhe fjalimet e tija, megjithëse shqiptuar gjysmë shekulli më parë, tingëllojnë edhe sot e kësaj dite gjithnjë aktuale, profetike — për të mos thënë biblike — jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror të Shteteve të Bashkuara, por janë reflektuese dhe të përshtatëshme edhe për rrethana të popujve kudo në botë, pasi ai fliste për vlera dhe të drejta universale të përbashkëta të njerëzimit, pa marrë parasysh, racën, fenë ose origjinën etnike.

Në një fjalim mbajtur në një kishë protestane të Detroit-it në vitin 1954, Martin Luther King ka bërë thirrje për të ri-zbuluar vlerat e humbura në një shoqëri siç ishte ajo e viteve 50 e 60 në Shtetet e Bashkuara. Në atë predikim, ai deklaroi se, “Problemi i madh me të cilin përballet njeriu modern, është se mjetet dhe pasuritë materiale me të cilat dhe për të cilat jetojmë, i kanë tejkaluar objektivat shpirtërore për realizimin e të cilave duhet të jetojmë. Por nëqoftse dëshirojmë të shkojmë përpara, nëqoftëse duam që ta bëjmë më të mirë jetën në botën në të cilën jetojmë, ne duhet të shikojmë pas. Ne duhet të ri-zbulojmë vlerat e shtrenjta që kemi lënë pas”.

Martin Luther King, në fjalimin e bëri thirrje të pranishëmve që të ri-zbulojnë dhe ri-vlerësojnë ligjet morale të universitit, me qëllim, “Për të qenë të nderëshëm, të dashur dhe të drejtë me gjithë njeërzimin”.

Njëri prej fjalimeve me rëndësi, por që ndoshta nuk tërheq aq shumë vëmendjen si fjalimet e tjera historike të njohura të tija — jo vetëm për nga përmbajtja por edhe për nga oratoria e udhëheqësit të të drejtave civile — ishte fjalimi i Martin Luther King-ut mbajtur në Katedralen Kombëtare në Uashington në mars të vitit 1968, para se të vritej në prill të vitit 1968.

Duke folur për atë që e ka quajtur si “revolucioni i madh teknologjik”, si edhe për “revolucionin në fushën e të drejtave të njeriut”, si rrjedhim i shpërthimit të lirisë në botë, ai ka thënë se, “Kurdoherë që diçka e re ndodh në histori, sjell me vete sfida dhe mundësi të reja. Për t’u përballur me këto sfida, ne duhet të kemi një perspektivë më të gjërë botërore. Asnjë person nuk mund të jetojë i vetëm, asnjë komb nuk mund të ekzistojë i izoluar. Bota në të cilën jetojmë është, gjeografikisht, një botë, e pandarë. Sfida, pra me të cilën përballemi të gjithë është që ta bëjmë botën një, në kuptimin e “vëllazërimit” dhe të “bashkëpunimit” me njëri tjetrin, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ka thënë Dr. King-u në fjalimin e mbajtur në Katedralen Kombëtare në Uashington në vitin 1968.

“Nëpërmjet gjeniut tonë shkencor e teknologjik kemi krijuar një botë të afërt, një botë të një fqinjësie të mirë me njëri tjetrit, por fatkeqësisht, nuk kemi treguar angazhimin tonë të duhur ndaj vlerave etike dhe morale, ashtu që nga kjo fqinjësi e mirë të krijojmë edhe një “vëllazërim” sa më të mirë me njëri tjetrin. Por duam, a s’duam, jemi të detyruar të bëjmë një gjë të tillë, ashtu që të krijojmë një vëllazërim dhe bashkëpunim me njëri tjetrin — për të mirën e përbashkët — për realizimin e vlerave të përbashkëta, të lëna pas, e të harruara, ka thënë ai. Duhet të mësojmë të jetojmë me njëri tjetrin si vëllezër ose për ndryshe do të vdesim të gjithë si budallenj”, është shprehur Martin luther King, sepse “të gjithë jemi të lidhur me njëri tjetrin, kemi të njëjtin fat të përbashkët”, ndërsa ka shtuar se, “Çdo gjë që afekton njërin prej nesh, drejt për së drejti —ose indirekt, na prek të gjithëve.”

Martin Luther King kishte paralajmëruar kundër atyre personave të cilët kur flisnin për problemet shoqërore, thonin se me kohë të gjitha punët do të rregullohesin, se duhej kohë për të zgjidhur të gjitha problemet me të cilat përballej shoqëria. Ai është shprehur se ky lloj justifikimi është përdorur mjeshtërisht nga ato që ai i ka quajtur “forca të errëta” të shqoërisë, të cilat e kanë përdorur “kohën” për qëllimet e veta shkatërruese dhe jo për realizimin e vlerave morale dhe ndërtuese për mbarë shoqërinë.

“Forcat e errëta”, ka theksuar ai, e kanë përdorur më me efekt se forcat e vullnetit të mire, justifikimin se koha do i shërojë të gjitha problemet, të metat dhe pabarazitë. Por, ai ka paralajmëruar se koha do ta tregojë, se “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për dëmet që forcat e errëta dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre, por edhe për heshtjen e tmerëshme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë ndaj këtyre forcave, të cilët rrinë duarkryq” përballë problemeve me të cilat ballafaqohet një shoqëri, duke thënë se, “Prit, se koha do t’i zgjidhë”, të gjitha sfidat e problemet shoqërore, me të cilat përballej Amerika e viteve 50- e 60 të shekullit të kaluar.

Në fjalimin e tij në Uashington në mars të vitit 1968, King-u ka thënë se asgjë në histori nuk ndodhë vet-vetiu. “Por, ngjarjet ndodhin si përfundim i përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës së palodhshme të individëve të dedikuar ndaj kauzave të drejta… Pa punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme, koha, në vet-vete, bëhet aleate e ngushtë e forcave të errëta e primitive të stagnimit shoqëror, eknomik dhe politik”, është shprehur ai. “Koha për të vepruar është, gjithmonë, tani, jo nesër, jo pasnesër, por sot. “Kështu që duhet të jemi bashkëpunëtorë të kohës, duke qenë të vetëdijshëm se koha është gjithmonë e përshtatshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë”,gjithmonë për të mirën e përbashkët, pa dallim ndaj askujt.

Ekspertë të jetës dhe veprës së Martin Luther King, thonë se filozofia fetare dhe politike e Dr. King-ut bashkon vlerat etike, morale dhe shpirtërore në një sistem politik që i përshtatej, atëherë dhe sot, jo vetëm shoqërisë amerikane, por edhe cilitdo vend që seriozisht dëshiron një demokraci të vërtetë dhe gjithëpërfshirse.

Mesazhi i Martin Luther King-ut para pak më shumë se një gjysëm shekulli, është ri-zbulimi i vlerave universale, “vëllazërimi” dhe “bashkëpunimi” me njëri tjetrin për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta në përputhje me vlerat universale të njerëzimit – në bashkpunim midis forcave vullnet mira në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – vlera siç janë respekti për jetën e njeriut, liria dhe drejtësia e barabartë për të gjithë, pa dallim, dhe lufta kundër urrejtjes kudo qoftë në botë. “Urrejtja është imorale! Urrejtja gjithmonë ka qenë dhe është imorale. Ajo është imorale në Amerikë, është imorale në Gjermani, është immorale në Rusi dhe është imorale në Kinë. Dhe urrejtja ka qenë imorale 2000 vjetë pra Krishtit…”, dhe ashtu është edhe sot, është shprehur Martin Luther King në një fjalim në Washington në vitin 1968

Të drejtat universale të njeriut,liria dhe demokracia, barazia pa dallim race, feje ai enticiteti, të dallohet e mira nga e keqja dhe të mbrohet ndershmëria dhe drejtësia për të gjithë, janë vlera bazë universale që ka predikuar Martin Luther King para më shumë se një gjysëm shekulli më parë, vlera të cilat nevojiten të ri-zbulohen edhe në vitin 2020, jo vetëm në Amerikë por anë e mbanë botës, shkruan sot analisti amerikan Colbert I. King për gazetën Washinton Post.