(Në 550 vjetorin e vdekjes së luftëtarit të madh të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi)
Që nga Marin Barleti e deri në ditët tona Gjergj Kastrioti Skënderbeu është vlerësuar si një figurë e shenjtë kombëtare, me rëndësi të madhe për vlerat ,unitetin ,vizionin ,traditën dhe kulturën europiane të kombit tonë.
Në fakt Barleti si nismëtar me jetëshkrimin e tij për Gjergj Kastriotin Skënderbeun e ka hap botën e njohjes më mirë të kronologjisë së periudhës Skënderbegiane, pastaj botën e tij të heroizmit,atdhedashurisë dhe të një liridashësi të zjarrët të Arbërisë.
Dhe me të drejt Barleti në jetëshkrmin për Skënderbeun shihte figurën “që përfaqëson dhe mishëron,çdo gjë të lartë dhe të dashur të popullit të vet, vetit e tij më të ndritura, ëndërrat dhe dëshirat e tij, frymën dhe idealet e tij më të bukura,më të larta e më të plota.Prandaj pas vdekjes së tij,ai bëhet fuqia që mbanë gjallë mëmëdhenë” deri më sot.
I
Në anën tjetër Gjergj Kastrioti si figurë emblematike e kombit,u përshkrua edhe nga bashkëkohësi tjetër i tij Dhimitër Frangu, për Frangun Gjergj Kastrioti nuk është vetëm figurë që shpalos karakterin e një kryetrimi ,e një njeriu të urtë e të papërkulshëm ,por edhe të një arbërori që i del zot atdheut të tij në ditët më të rënda,si dhe të një vizionari e lideri që din se si ta udhëheq urtësisht jo vetëm luftën ,por edhe shtetin e Arbërit duke e bërë më të famshëm se Roma për kohën e tij.
Emri i tij dhe i shtetit të Arbërit ,më saktësisht i Arbërisë në atë kohë ishin shumë të popullarizuar,sepse nga viti i rikthimit të tij (nëntorin e vitit 1443) e deri në fund të jetës së tij ,emri i tij dhe i Arbërisë ishin ngritur si një yll që i orientonte popujt e kontinentit se si duhet ecur, se si duhet mbrojtur atdheu dhe ku duhet mbledhur forcat e unitetit të tyre.
Shembulli i Kuvendit të Lezhës i 2 Marsit të vitit 1444 ishte ftesa historike dhe domethënëse,ishte shembulli konkret me të cilën ai dërgonte mesazhin tek kombet tjera të Europës për t’u bashkuar në luftën kundër pushtuesit otoman i cili si një kancer shtrihej në trojet e Gadishullit Ilirik ,dhe në pjesët tjera të kontinentit Europian.
Gjergj Kastrioti e pa rrezikun e madhë,por veshët dhe sytë për shumë Princa e mbretër të kombeve europiane ishin të mbyllura.
Nga kjo nëse shohim përmes gjithë historisë arbërore, nuk gjejmë asnjë epokë aq të pasur në brendësinë e saj se sa epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.Kështu edhe Frang Bardhi i jep edhe më shumë dritë historisë së jetës dhe veprave të Gjergj Kastriotit duke e mbrojt madje edhe nga shtrembëruesit dhe përvetësuesit e figurës së tij.
Bardhi me dritën e dijes së tij rreth kësaj figure të pazëvendësueshme historike verboj armiqtë dhe përvetësuesit që donin ta bënin Gjergj Kastriotin Skënderbeun të tyre duke i mohuar origjinën e tij të pastër iliro-arbërore.
Për Frang Bradhin Gjergj Kastrioti është trimi i madh dhe i pathyeshëm i Arbërisë; është arbëror me rrënjë.
Mirëpo nuk është se vetëm në kohën e Frang Bardhit kishte tendenca të tilla,por edhe sot ka tendenca të përvetësimit,shtrembërimit dhe njollosjes së kësaj figure mbikohore të kombit tonë.
Dihet botërisht se Gjergj Kastrioti nuk është figurë e thjeshtë, nuk është një hero i zakonshëm, nuk është një personalitet që mund të hedh balt secili që t’i teket, sepse për arbërorët Gjergj Kastrioti Skënderbeu është i shenjtë, është hero i heronjëve, është vizionari dhe lideri i papërsëritshëm i kombit tonë.
Figura e Skënderbeut si një personalitet i shekullit XV-të pati një ndikim të madhë kombëtar,rajonal dhe Europian.
Ai edhe sa ishte gjallë ka shkëlqyer dhe ka qenë në gojët e bashkëkohësve si Princa dhe Mbretër të Europës të cilët emrin e tij të famshëm e kishin mësuar disa nga marrëdhëniet diplomatike që kishin tradicionalisht me shtetin e Arbërit e disa nga veprat e tij dhe urtësia e vizioni që ai kishte.
Ky hero dhe vizionar ishte bërë pikëreferanca e Europës ,Europa në atë kohë shpresat e saj i kishte në dy figura që qëndronin të pamposhtur përball Perandorisë otomane :Gjergj Kastriotin dhe Gjon Huniadin.
Gjergj Kastrioti është figurë e cila qëndron shenjtërisht në kodin e kombit tonë prej nga ai edhe ka dal,poashtu ai qëndron edhe në piedestal të cilin historia e botës e ka renditur vetë sipas veprave faktike dhe madhështore të tij. Ai është figura qendrore dhe orientuese e përjetshme për kombin tonë.
II
Nërkaq me jetën dhe veprën e Skënderbeut nuk janë marrë vetëm autor dhe studiues shqiptar,por edhe autor,studiues,kronist,historian e shkrimtar europian të cilët e kanë vendos figurën e këtij arbërori të madh, në mesin e figurave më me ndikim të historisë europiane dhe botërore.
Interesimi i vrullshëm europian e botëror për Arbërinë respektivisht Gjergj Kastriotin nis me përkthimin e veprës së Marin Barletit në gjuhë të ndryshme europiane dhe botërore. Ky interesim i madh tregon në fakt se popujt e Europës përveç se kishin dëgjuar për Gjergj Kastriotin ata donin t’ia ofronin popujve të tyre pasqyrën e Shqipërisë së asaj kohe,të heroizmit dhe të trimëriësë së Gjergj Kastriotit.
Kjo tregon se ai zë vend në Historinë europiane, duke i dhënë figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut vendin e merituar si një mbrojtës i paepur i civilizimit europian , i lirisë dhe pavarësisë së vendit të tij.
Dhe jo rastësisht historiani i njohur Çekë Josef Macůrek në vitin 1968 nënvizonte se:”Edhë përkundër distancës së madhe të tokave boheme nga Shqipëria, të dy vendet nuk ishin të panjohura në të kaluarën.
Të paktën që nga shekulli i 15-të kishte një lidhje direkte dhe indirekte mes tyre.Në tokat boheme, për shekuj me radhë, pati një interes të gjallë për Shqipërinë dhe luftërat e saj për liri dhe pavarësi gjatë shekullit 15-të nën udhëhqjen e Skënderbeut.Ashtu si në pjesët e tjera të Europës, edhe në Bohemi emri i Skënderbeut dhe i Shqipërisë janë zënë në gojë me respekt dhe entuziazëm me shekuj.
Emri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe lufta e tij për liri në shekullin e 15-të, si dhe shpresa për liri në tokat boheme në shekujt 15-17.ishin të lidhura ngushtë.”
Nga kjo shihet se emri i Gjergj Kastriotit ishte tepër i njohur në shumë vende të kombeve europiane,dhe ai shihej me admirim e respekt të madh nga vetë ata.
Por nuk janë vetëm bohemët që kishin lidhje direkte ose indirekte me Gjergj Kastriotin dhe Shqipërinë ,janë edhe hungarezët dhe gjermanët,sipas disa kronistëve europian Skënderbeu kishte në mesin e ushtarëve të tij edhe gjerman,hungarez,napolitan,raguzan etj, prandaj lidhjet e tij me popujt e europës ishin edhe në kohën sa ai jetonte e vepronte dhe udhëhiqte shtetin e suksesshëm të Arbërit.
„Në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë këtij populli i ra detyrë të jetë gardian i Europës kundër pushtimit turk,shkruante kështu në vitin 1932 publicisti i njohur Leo Freundlich.
Poashtu ai e sjell edhe më të freskët frymën Skënderbegiane ndër popullin austriak ku edhe pohonte tepër qartë në këtë mënyrë:“se sa shumë jeta e këtij heroi i frymëzoi bashkëkohësit europian dhe pasardhësit shihet nga fakti se Arkiduka Ferdinand II.i Tirolit në koleksionin e tij të mrekullueshëm dhe me famë botërore të mledhjes së armëve në Kështjellën Ambras ruante dhe mbante përkrenaren e Skënderbeut dhe shpatën e tij të fuqishme si një relike të çmuara të këtij heroi.“
Ndërsa për shumë historian,studiues dhe shkrimtar të ndryshëm europian Skënderbeu ishte:Mburoja, Gideoni, Athleta Christi, Shpëtimtari ,Makabeu etj.
Te figura e Skënderbeut shihej lideri i madh, shtylla e fortë solide e familjes arbërore pjesë e kontinentit europian, shquhej gjenerali që mbronte jo vetëm pragun e e atdheut të tij, por edhe tërë familjen e gjerë të kombeve europiane.
Jehona e trimërisë së tij ka mbërritur nëpër Europë, për t’u bërë subjekt i admirimit të trimërisë, mençurisë, artit ushtarak dhe liderit që adhurohej nga shumë kombe.
III
Megjithkëtë Gjergj Kastrioti është simboli dhe përfaqësues i përhershëm i imazhit dhe identitetit europian të kombit tonë.
Me anë të tij kombi ynë deri më sot e ka ruajtur në mënyrë të pandërprer europianitetin e tij dhe njëkohësisht si dje ashtu edhe sot si referenca e vetme për të qenë pjesë e familjes së Bashkimit Europian duhet mbështetur në figurën dhe vizionin e këtij europiani të madh.
Rrjedhimisht sot ne mund të hyjmë në gjirin e familjes europiane vetëm si shqiptar europian(si pasardhës të Gjergj Kastriotit) ndryshe jo.
Prandaj në kontekstin e mendimit modern kombëtar Skënderbeu është llamba që i bënë dritë kombit dhe imazhi ose simboli i identitetit tonë kombëtar europian.
Duhet theksuar se deri më sot janë shkruar libra të panumërta për Skënderbeun dhe sigurisht që do të shkruhen edhe në të ardhmen,sepse jeta dhe vepra e tij janë një burim i pashtërrshëm për studime, hulumtime dhe përshkrime faktike të kësaj epoke të artë të historisë së kombit tonë.
Më pakë fjalë,ashtu si më parë për rilindasit edhe tani për ne Gjergj Kastrioti Skënderbeu është frymëzimi dhe zjarri i atdhedashurisë,është udhërrëfyesi ynë dhe i të ardhmes së kombit tonë arbëror europian.
[Gjon KEKA, Kumtesa e mbajtur në Wiesbaden më datë 01.12.2018]