Skender Jashari
Ushtarakët dhe juristët, e dinin mirë që në fillim, që kërkesa me anë të ndryshimeve kushtetuese të realizohet formimi i Ushtrisë së Kosovës, ishte politike, e aspak juridike. Politike ishte për faktin, e përfshirjes edhe të minoritetit serbë! Pasi u pa që minoriteti serb, i instrumentalizuar nga Serbia, nuk ka gjasë të pranojë asnjë marrëveshje për ndryshim kushtetues në lidhje me formimin e Ushtrisë së Kosovës, atëherë Aleati Kryesor Strategjik (SHBA), lejoi formimin edhe përmes Ligjit.
SHBA, të kujtojmë që vazhdimisht është udhëheqëse dhe drejtuese e Besuar për Shqipëtarët. Duke mos shkuar më larg në të kaluarën, kujtojmë Vendimin e Presidentit Amerikan Bill Clinton, që ishte vendimtari në bombardimin e Serbisë( Jugosllavisë). Pastaj Deklaratën e Pavarësisë së Presidentit Xhorxh Bush, në Tiranë( pas së cilës Republika e Kosovës u shpall e pavarur). Edhe tani në lidhje me formimin e Ushtrisë së Kosovës, ishte SHBA që kërkonte ndryshimet Kushtetuese! Aleatët tonë, nga Europa, në secilin nga këto raste ndjekin rrugën( dëgjesën) ndaj SHBA-së! Ditët e fundit, disa nga vendet e NATO-s, kanë reformuar vendimet e tyre, tani disa prej tyre janë në përkrahje të formimit të Ushtrisë së Kosovës, përmes ndryshimeve ligjore, e që disa ende janë “kundër”, por që mjafton Qëndrimi i SHBA-së, për t’ia ndryshu rrënjësisht edhe për çaste orësh vendimet edhe këtyre vendeve!
Çështja e emrtimit të Ushtrisë së Kosovës, a do quhet Ushtri, Armatë, Forcë, Trupa mbrojtëse, a emërtim tjetër, është plotësisht jorelevant. Jugonostalgjikët dhe oponentët psikopat politik në luftën mes vete, përdorin edhe këtë “ fakt”, për të sulmu kundërshtarët politik dhe Kauzën shtetërore dhe Kombëtare të Shqipëtarëve të Kosovës, për të patur Ushtri. Ushtria e Kosovës, nuk është duke u formuar nga x politikani, por nga SHBA. Termi Ushtri, nuk dallon asgjë, sepse ka shumë ushtri në botë që nuk emërtohen Ushtri, por me emërtime të tjera!
P.sh: Forcat e armatosura Afgane; Forcat e Armatosura të Republikë së Shqipërisë (ndërsa ndërkombëtarisht njihen si Forcat e Armatosura Shqipëtare e jo të Shqipërisë); Forcat e Armatosura nacional popullore Algjeriane; Forcat mbrojtëse Australiane; Forcat e Armatosura Mbretërore të Bruneit; Armata Çlirimtare e Popullit Kinez-Chinese People’s Liberation Army (PLA); Forca publike e Kosta Rikës; Forcat e Armatosura Revolucionare të Kubës; Garda Kombëtare Qipriote; Mbrojtja Daneze; Forcat Mbrojtëse të Estonisë; Forcat Mbrojtëse Kombëtare të Etiopisë; Forcat Mbrojtëse të Finlandës; Mbrojtja Federale( Bundesëehr); Forcat e Armatosura Helene( të Greqisë); Forcat Mbrojtëse Hungareze; Forcat Mbrojtëse ( të Irlandës); Forcat Mbrojtëse për Izraelin; Forcat Vetë-Mbrojtëse të Japonisë; Armata popullore Koreane; etj.
Shumica e vendeve të Ballkanit, të dalura nga ish-jugosllavia e kanë emërtimin e ngjajshëm: Forcat e armatosura të Bonje dhe Hercegovinës, Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë etj.
Tendenca moderne në mbarë botën, është emërtimi “Forcat e Armatosura”, mes tyre emërtim të tillë kanë edhe Ushtritë e vendeve Aleate Shqipëtare, përfshirë Forcat e Armatosura të SHBA-ve, Britanisë, Suedisë etj!
Ne Shqipëtarët duhet t’i trajtojmë seriozisht çështjet: Ushtria e Përbashkët Shqipëtare; profesionalizmi, armatosja modern dhe buxhet meritor, e jo emërtimet e Ushtrisë.
Çdo Shqipëtar, është për Një Ushtri Shqipëtare, pra për Bashkimin e Shqipëtarëve. Benefitet e të paturit një Ushtri Shqipëtare( Shqipëri-Kosovë), madje edhe një NATO-Ballkanike( Ilirike), ku do përfshiheshin Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i zi dhe Kroacia, kanë shumë më shumë përaprësi jo vetëm në aspektin ushtarak, gjeostrategjik edhe për NATO-n. Ndërsa në anën tjetër edhe 5 a më shumë ushtri mund t’i kemi ne Shqipëtarët, me çfardo emërtimi( Ushtri, Forca Mbrojtëse, Forca të Armatosura etj), s’do ishin meritore për Kombin Shqipëtar, duke patur mangësi: joprofesionalizëm; armatim jomodern; buxhet minimal.
Për fat të keq, shohim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, që ushtarët dhe ushtarakët Shqipëtar, kryesisht të angazhuar, janë shkaku i preferencave politike (partitë politike me përqindjen e fituar në zgjedhjet e fundit, me atë përqindje përfitojnë vende punësimi të partizanëve të tyre në Ushtri, Polici, Agjensi Inteligjence etj), i lidhjeve familjare, korrupsionit etj. Qëllimi i tyre personal është fitimi i një page! Profesionalizmi i tyre është i tipit të kaubojëve, gangsterëve dhe kriminelëve profesionist( kujtoni sesa polic, ushtar janë përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale). Mercenarizmi( punësimi në ushtri, polici), sa për të marrë një pagë, e tregoi më së miri edhe rasti i Gjeorgjisë, më 2008, kur agresioni i Rus e deklasoi ushtrinë dhe forcat speciale gjergjiane!
Qëllimi i formimit të ushtirsë është “mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit”, në situata qoftë të agresionit të jashtëm, trazirave të brendshme, katastrofave natyrore etj! Andaj Atdheun nuk e mbrojnë ata që kanë qëllim pagën, e jo Vullnetin për t’i Shërby Vendit( edhe pse vazhdimisht i dëgjojnë në medie propagandues gjoja janë në Shërbim të Vendit!).
Armatosja me armë modërne për Forcat e Armatosura, të profesionalizuara mirë dhe që vazhdimisht të testuara për profesionalizmin e tyre, edhe përkundër çmimit shumë më të lartë, krahasuar me armët e vjetra duhet të jenë prioritet! Fillimisht çdo Ushtri vazhdimisht synon modernizimin sidomos të armatimit. Sa më moderne një Ushtri, fillimisht do duket që ka kosto më të lartë buxhetore e financiare, por më pas do kuptohet që kjo kosto do jenë më e ultë, krahasuar me ushtritë që janë me paisje më të amortizuara, më jomoderne, më numër më të madh personeli në përdorim të armatimit etj.
P.sh: një Raket anti-tank FGM-148 Javelin, ka kosto më të ultë sesa një tank, përdoret nga një ushtar, kurse një tank përdoret nga një ekuipazh, ka saktësi tepër më të lartë të goditjes sesa një predhe tanku pa dirigjim! Tanku do kërkojë më shumë buxhet për mirëmbajtje, sesa raketa në fjalë! Nga aspektet tjera ushtarake, raketa më efikase do jenë si për t’u lëvizur( mobiliteti); mos hetimi nga armiku etj.
Buxhet meritor për ushtrinë e Kosovës, ashtu edhe për Shqipërinë, do duhej të ishte shumë më i lartë sesa ekzistues dhe sesa ai buxhet që mendohet për vitet e ardhshme. Rreth 55 milon euro në vit, Republika e Kosovës, shfrytëzon vetëm për paga të FSK-së. Ndërsa mendohet që ky buxhet me rastin e transformimit të saj, të shkojë në 100 milion euro në vit! Derisa disa dhjetra milion, i bëhen barrë buxhetit të Republikës së Kosovës, 66.000 veteran, paga stratosferike për politikan e zyrtarët qeveritar, e mos të flasim më për korrupsion, krim të organizuar etj etj, derisa për çështjen më kruciale të ekzistencës së Atdheut, nuk gjendet as disa qindra milion euro në vit!
Më shqetësues është fakti, që viteve të fundit, të gjitha vendet, kanë ngritur buxhetet ushtarake, për dallim nga shtetet tona, që si zakonisht, si në Luftën e I dhe II Botërore dhe njejtë edhe tani bëjnë. Ende tek ne dëgjojmë përrallat, që “ ka mbaru koha e luftërave”,” nuk ka më luftëra” apo edhe më perfide përrallat që gjoja “NATO e ka mandat për ta mbrojtur Kosovën!”etj. Këso përrallash do na thojnë pacifistët psikopat, e deri edhe agjenturat armike, që t’na lënë të papërgatitur për t’a mbrojtur Atdheun!
Sa investojmë në Mbrojtje, aq edhe do kemi Shtet-Liri!
Poashtu, sa më e fuqishme Ushtria Shqipëtare( e Shqipërisë, Kosovës), aq më të Sigurtë edhe Shqipëtarët që ende janë nën robëri, sidomos në Luginë të Preshevës etj.
Më: 07.12.2018
Skender Jashari i burgosur politik nga EULEX, për rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e marrur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik!
Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.