RELIGJIONET NUK KANË NEVOJË AS PËR FLAMUJ AS PËR PATRIOTIZËM FETAR

0
507

Prend Buzhala

A kanë nevojë religjionet për flamuj e për patriotizëm fetar?

1.
Religjionet nuk kanë nevojë për flamuj, librat e shenjtë nuk shpallin flamuj. Kur’ani nuk e përmend askund fjalën Flamur. “Zoti është flamuri im“, thotë Moisiu në Bibël. Fiset dhe kombet, qëndrojnë “secili në vendin e tij, pranë flamurit të vet.” (Bibla, Numrat 2, 17).
Religjionet nuk kanë nevojë as për patriotizëm fetar për shkak të karakterit misionar e universal të feve. Madje, nuk ka as patriotizëm fetar.

Patriotizmi e ka përdorë fenë për qëllime kombëtare, për çlirim kombëtar, ndërkohë që feja e sunduesit përdoret për qëllime të mbrojtjes së interesave të pushtuesit a sunduesit: pushtues e sundues të ndryshëm, e keqpërdorin religjionin për ideologji imperialiste, a sunduese. Fenomenet e varrimit me flamuj fetarë, janë veprime edhe antifetare (meqë nuk parashohin varrime të tilla Librat e Shenjtë), madje të tillat ceremoniale shkojnë edhe kundër frymës kombëtare.

Prandaj, vetëm në botën moderne, të civilizuar, ku sundojnë LIRITË E TË DREJTAT NJERËZORE, feja është e lirë, për shkak të lirisë së besimit.

2.
Por gjermanët nuk ndiejnë nevojë që nga shqiptarët të prodhojnë patriotë gjermanë, apo nga turqit patriotë gjermanë. As Turqia nuk ka nevojë që të prodhojë patriotë turq nga shqiptarët. As shqiptarët nuk kanë nevojë të prodhojnë turq si patriotë shqiptarë. Secili patriotizëm shkëlqen brenda kombit të tij, me dashurinë e pafund për atdheun e tij, me besnikërinë, me vetëmohimin për t’i shërbyer e mbrojtur interesat e këtij kombi.

Kur instalohet gabimisht kuptimi i religjionit si patriotizëm fetar, atëherë nuk është çudi përse shfaqen fenomene të mohimit të kombit përkatës, në këtë rast, ndër ne, për shkak të dashurisë ndaj disa vendeve të Lindjes (me besim të njëjtë), ti mohon kombin tënd, historinë tënde dhe u shërben interesave të huaja, e jo i interesave kombëtare, sepse ashtu e kërkon interesi kombëtar i atyre shteteve të[ Lindjes, i mbuluar me interesa fetare!

Së këndejmi, religjionet kanë nevojë për besimtarë, e jo për patriotë. Madje ata që shesin kombin e tyre në emër të fesë, nuk i duhen as fesë. Shpirt-shitja nuk është virtyt fetar, por shkelje e besës, tradhti ndaj atdheut.

Por, në Botën e Civilizuar, në Evropën perëndimore e në SHBA, askush nuk të kërkon ta ndërrosh as fenë e as kombin, por t’i përqafosh vlerat civilizuese të respektit ndaj Tjetrit, ndaj Njeriut e vlerave universale përgjithësisht. Kësisoj, as kombi e as feja nuk rrezikohen, por fitojnë vlerë të re historike.