Reforma në drejtësi, “Toka e Premtuar” e shqiptarëve?!…

0
401

Nga Av. Sergjio Mazreku

Megjithë vështirësitë e procesit, pengesat, hatërmbetjet dhe akuzat e ndërsjellta midis palëve kryesore politike, reforma në drejtësi tashmë ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme dhe ka nisur të prodhojë efektet e pritshme. Pritshmëritë e shqiptarëve në lidhje me këtë reformë, pritshmëritë e tyre për të “shkelur” “Tokën e Premtuar” të së drejtës së tyre për të pasur një drejtësi të drejtë,megjithë ngecjet e herë pas hershme dhe problematikat e rastit, që nuk janë aspak të vogla, po krijojnë një model shprese për qyetetarët e lodhur të këtij vendi. Vetingu, si sitë e imët ku po shkunden të gjitha “krundet” e korrupsionit në organet e drejtësi, i ka trembur deri në panik abuzuesit e “infiltruar” në këto organe, ndërkohë po çliron energji poztive tek të gjithë ata që kërkojnë një drejtësi të pavarur dhe në përputhje me modalitetet e shtetit të së drejtës.

Është fakt, se sot shoqëria shqiptare, edhe pse e lodhur disi nga ky tranzicion i tejzgjatur, i rënduar dhe me mjaft probleme, ka një shpresë, gati si atëhere kur njëzet e tetë vjet më parë, u çelën dyert e ferrit dhe brohorimat e lirisë pushtuan sheshet dhe rrugët e këtij vendi për liri e demokraci. Kjo shpresë është tek reforma në drejtësi, si kryereforma e kësaj epoke tranzitive, që synon t’i japë një dimension të ri, të panjohur më parë, të drejtës qytetare dhe vetë shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Reforma në drejtësi, që po aplikohet mes shumë pengesash dhe zvarritjesh sa të qëllimshme aq dhe për shkak të pamjaftueshmërisë së përvojës në këtë drejtim, është reforma më e thellë dhe më produktive që është ndërmarrë gjatë këtyre 27 viteve në Shqipëri. Ajo synon ta shkëpusë drejtësinë nga të gjitha format e devijimit dhe manipulimit, presionit dhe nënshtrimit, botës së interesave jashtëjuridike, që e kanë mbajtur atë peng dhe nuk e kanë lënë të jetë ajo që duhet të ishte për qytetarin e këtij vendi, pra një garante e lirive dhe të drejtave të tij.

Këto njëzet e shtatë vjet të tranzicionit postkomunist, prokuroria dhe gjykatat, kanë shfaqur një problematikë të rëndë, që me kohë është kthyer në një pengesë që e drejta të shkojë e plotë tek qytetari dhe kështu Shqipëria vazhdon të mbetet ende larg të qenit një shtet i së drejtës.
Është realitet që sot janë mbushur burgjet me të pafajshëm, të dënuar pa asnjë provë, me opinione si në kohën e Dikaturës, vetëm ngaqë organet e hetimit dhe të gjykimit janë të kapura, ashtu sikurse pandëshkueshmëria për të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj” është një realitet klithës.

Reforma në drejtësi, e inicuar dhe e mbështetur fuqishëm nga SHBA dhe Bashkimi Evropian është një reformë e pakthyeshme, që synon t’i japë fund një sistemi hetimi dhe atij gjyqësor të kapur nga politika dhe nga të gjitha mënyrat e kapjes, që vijnë nga jashtë dhe që deri më tani kanë prodhuar një krizë të plotë të këtij sistemi.

Në analizë të fundit, kjo reformë është një rrugë e vështirë por e mundur drejt një shteti të së drejtës, i cili gjer më tani ka qenë larg një pranie reale dhe e konturuar tepër dobët në Shqipëri.

Garantimi i lirive themelore të individit, mbrojtja e të drejtave njerëzore, zhvillimi i një procesi gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, do të mund të sigurohet më mirë pas një site nëpër të cilën do të kalojnë prokurorët, gjyqtarët dhe të gjitha organet e drejtësisë, për t’u cliruar nga të gjitha praktikat korruptive dhe abuzive, që rëndojnë në të kundërt të kandarit të së drejtës qytetare, e cila deri tani nuk është marrë e plotë dhe pa zigzake nga qytetarët e këtij vendi.

Në fakt ligjet dhe aktet nënligjore në Shqipëri janë në përmbajtje sipas standardeve më të mira ndërkombëtare. Por ajo që e ka kompromentuar sistemin është moszbatimi i tyre. Edhe pse ka mjaft gjyqtarë dhe prokurorë të mirë, të ndershëm e të përkushtuar,, zëri i tyre është mbytur në ligatën e korrupsionit dhe nepotizmit, që e ka kompromentuar rëndë sistemin e drejtësisë.

Ndarja e së keqes nga e mira do të ndodhë në mënyrë të sigurtë, por ky nuk është një proces selektiv individësh të ndershëm apo të korruptuar,,më shumë se është (më së paku duhet të jetë) një proces rregullash loje, që të mund të garantojnë në mëyrë ligjore shëndoshjen dhe përmirësimin e plotë të sistemit.

E vërteta është se, ndonëse ka ndryshime të mënyrës së zgjedhjes dhe vendimarrjes së KLGj, KLP e institucioneve të tjera të formatuara në Kushtetutë, të cilat e vështirësojnë dhe e çojnë në periferi mundësinë e politikës të ushtrojë diktat si deri më tani, ndryshimet e fundit kushtetuese në këtë pikë do të ndihen në mënyrë të menjëhershme. Këto ndryshime, ndonëse në përmbajtje kanë tek tuk dhe elementë që vijnë në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, sa i përket kufizimit të së drejtës, ndarja e të keqes nga e mira do të ndodhë në mënyrë të sigurtë dhe kjo pasi me kohë, sistemi do të vetëzhvishet nga artificet dhe rregullat e një funksionimi dinamik e të qëndrueshëm të organeve të drejtsisë do të jetë një realitet i prekshëm për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Procesi i rivlerësimit, i njohur ndryshe si procesi i vetingut, do të hetojë pasuritë, lidhjen me persona të krimit dhe aftësitë profesionale të punonjësve të organeve të drejtësisë. Të gjithë personat që nuk e kalojnë vlerësimin do të përjashtohen menjëherë nga sistemi.

Kundërshtitë reciproke kryesore mes shumicës dhe opozitës ka qenë pikërisht për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të këtyre dy institucioneve dhe vlerësimin e figurës së këtyre anëtarëve të vetingut, për të siguruar se ata që do vlerësojnë figurën e të tjerëve të jenë vetë të pastër.

Kjo reformë shndërruese në koncept, struktura dhe individë në sistemin e drejtësisë, e cila është kthyer në një “mollë sherri” për politikën shqiptare, është çelësi i zhvillimit të vendit tonë dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo, pasi një drejtësi e shëndetshme ofron një klimë të përshtatshme dhe të mbrojtur nga ndotjet abuzive për të gjithë sektorët e jetës, duke nisur nga politika, si vendimmarrëse kryesore e fatit të një vendi, duke vijuar tek biznesi, që është oksigjeni i vijueshmërisë së një vendi, rendi dhe siguria, që janë shtyllat ku mbështet e ardhmja e një shoqërie dhe në fund, drejtësia e shëndetshme është thelbësore për çdo qytetar, i cili ndërton jetën e tij në zbatim të ligjeve dhe rregullave të shoqërisë sonë

Drejtësia e drejtë dhe e shpejtë është motorr i zhvillimit të një vendi, pasi rrit besimin tek institucionet vendimmarrëse, rrit besimin tek policia, rrit investimet e huaja, që do të gjenin një klimë të besueshme, si sa i takon zbatimit të ligjeve, ashtu edhe sa i takon rendit dhe sigurisë. Në fund të këtij zinxhiri janë qytetarët e thjeshtë, të cilët do të jetonin një jetë më të qetë e më të mbrojtur dhe në sajë të investimeve të sigurta do të kishin më shumë “oksigjen” për të menduar për të ardhmen e tyre brenda vendit, e jo diku larg.

Sot duket se ka ikur koha kur gjykatësit dhe prokurorët mund të zvarritnin,siç kanë bërë gjithë këto kohë, me vite të tëra vendimet, duke I zvarritur hallexhinjtë rrugëve të një kalvari të pafund, shpesh duke dhënë vendime të padrejta dhe abuzive.

Shqiptarët, me të drejtë e shohin këtë reformë me një shpresë të madhe dhe kjo shpresë nuk mund të jetë një shpresë zhgënjimtare, pasi edhe nëse nuk do të dojë klasa politike ta bëjë reformën në drejtësi, ajo është një realitet tashmë i pakthyeshëm, pasi është investim moral, teknik dhe prinicipial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta bërë vendin e shqiponjave një model për gjithë pjesën tjetër të Gadishullit të vjetër ballkanik.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar

<>