Dr. Gëzim Alpion, Universiteti i Birminghamit, 25 Qershor 2016
Referendumi i 23 qershorit nuk duhej të kishte ndodhur. Meqë ndodhi, ai duhej të ishte marrë më seriozisht si nga votuesit ashtu edhe nga politikanët. Dhe kjo për disa arsyje.
Në Mbretërinë e Bashkuar, me një parlament që në historinë e tij një mijë vjeçare, parësore mbetet mbrojtja e interesave të kombit, një vendim kaq i rëndësishëm si qëndrimi në apo dalja nga Bashkimi Evropian nuk duhej të lihej në duart e demos-it. Ky nuk është përçmim i elektoratit por një konkluzion që mund të nxirret lehtë nga konstatime gjatë dhe pas referendumit.
Vota është njëkohësisht një e drejtë dhe përgjegjësi demokratike. Në këtë referendum një pjesë e mirë e elektoratit britanik u tregua i papërgjegjshëm.
Dihet që një numër qytetarësh britanikë, veçanërisht në Angli, kanë iluzione se ky vend është akoma perandori. Nuk po ndalem këtu në aspekte të ndryshme të nacionalizmit britanik, veçanërisht atij anglez, pasi kjo është një çështje që e kam trajtuar në disa studime rreth ligjërimit populist të Enoch Powell, si dhe retorikën ‘neo-raciste’ që filloi në vitet 1980-të.
Për momentin, vlen të përmendim se ata që nuk shkëputen dot nga mendësia imperiale, nuk e kuptojnë që në një botë globale sovraniteti i plotë kombëtar është një ëndër utopike që rezulton në vetë-izolim. Kjo pjesë ‘nacionaliste’ e elektoratit u mashtrua nga politikanë të papërgjegjshëm si Michael Gove dhe Boris Johnson si dhe nga Nagel Farage, një sharlatan me mbiemër francez dhe bashkëshorte gjermane që nuk honeps dot të huajt.
Kjo nuk do të thotë se politikanët që lobuan për qëndrimin e Britanisë në BE u treguan më të përgjegjshëm. Aktualisht, figurat kryesore në politikën britanike, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, për fat të keq, janë personalitete pa karizëm dhe vizion.
Ndërsa kampi i Brexit-it qëllimisht keq-informoi publikun për ‘gjëmat’ që gjoja vijnë nga BE-ja, Kryeministri Konservator David Cameron dhe Kryetari Opozitës Laburiste Jeremy Corbyn nuk treguan kurrë bindshëm se përse t’i kthesh kurrizin një tregu gjysëm bilioni konsumatorësh në prag të shtëpisë, si BE-ja, përbën një travesti që bie ndesh me pragmatizmit karakteristik britanik. I vetmi rast që këta dy politikanë u ‘bashkuan’ gjatë fushatës se referendumit ishte kur bënë homazhe në vendin ku u vra parlamentarja Jo Cox, vdekja e së cilës përbën treguesin më shqetësues se çfarë shkoi tragjikisht keq këtë verë në politikën britanike.
Për mua referendumi i 23 qershorit është shqetësues edhe për sjelljen e klasës politike skoceze. Skocezët patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në lidhje me MB-në në referendumin e 2014-tës dhe ata zgjodhën të mos largohen. Të kërkosh një referendum të dytë tani është të sillesh si një fëmijë mistrec që pranon të marrësh pjesë në lojë me të vetmin kusht që të fitosh gjithmonë.
Skocezët dhanë një kontribut të madh në krijimin dhe konsolidimin e perandorisë britanike, veçanërisht përsa i përket sektorit bankar dhe arsimit. Po kaq e vërtetë është që në 300 vitet e fundit, si pjesë e Britanisë, Skocezët kanë përfituar nga unioni më shumë se populli i Ueillsit dhe irlandezët.
Unë do të dëshiroja që Skocia të vazhdojë të jetë pjesë e MB-së. Kjo nuk do të thotë që politikanët skocezë, që aktualisht votojnë si në Parlamentin Britanik në Londër ashtu edhe në Parlamentin e Skocisë në Edinburg, nuk duhen lejuar të vazhdojnë të mbajnë peng federatën britanike.
Po të perifrazojmë fjalët e Winston Churchill, demokracia nuk është gjithmonë forma më e efektshme e qeverisjes; ajo është më funksionalja. Referendumi i 23 qershorit tregoi se demokracia ka mekanizmat e saj jo perfekte dhe, në rastin konkret, me pasoja negative afatgjata.
Nga ky referendum më të humburit janë të rinjtë. Por kjo ka një anë pozitive; brezi i ri britanik tani ka mundësinë të bëhen qytetarë më të përgjegjshëm më shpejt.
Po kështu, jam i sigurtë se Britania, edhe pse aktualisht po përjeton një situatë jo të këndshme, do të dijë të afirmojë vitalitetin e saj. Megjithatë, gjërat do të përkeqësohen para se të fillojnë të përmirësohen.