Recension për librin “Ylli pikturon ëndrrën” të Avdush Canajt

1
1651

Vëllim poetik me larushinë e vet të spikatur në tematikë

Canaj është një poet që e përkëdhel fjalën. Thotë nënë, por edhe nënush, thotë vajzat, por edhe vajzuket. Sipas gjedheve të njohura: nga “Babaushi” ndërton edhe fjalën “Nënushi”; nga “e mjera nënë” ndërton “e yllta nëna ime” etj. Gjen epitete të bukura me ngjyrime poetike (rimë të pranvertë; qafë e mjellmtë, lulet çelin ylberisht, faqe e mërzitur, këmishë e agimtë); ndërton vargje me humor (Mustaqet e tua rriten/ kur lëpin akullore); zemra vizatojnë me cicërimë; Prishtinë, moj Prishtinë/ ti je trendëlinë! etj. etj.

Astrit BISHQEMI

Avdush Çanaj është tashmë një poet i njohur në letërsinë shqipe për fëmijë. Ai madje ka veçantinë e vet, si për temën që rreh ashtu edhe për trajtimin e saj. Është poet me vlera të shquara estetike dhe ideotematike. Pikërisht këto vlera shpërfaqen edhe në vëllimin poetik që kemi në dorë. Ai ka larushinë e vet të spikatur në tematikë. Edhe në këtë përmbledhje zënë vend tema të tilla, si ajo e dashurisë ndaj atdheut, tema e luftës ndaj shovinistëve serbë, tema e familjes, dashurisë ndaj prindërve e pjesëtarëve të tjerë të saj, tema e shkollës, lojërat e çapkënllëqet e moshës, tema e natyrës, e bukurisë së saj dhe e bukurisë së jetës, por edhe tema e privacioneve të jetës…

Dhe të gjitha këto trajtohen me kënde të reja shikimi, me syrin e veçantë të poetit, pa përsëritur gjërat e thëna, po duke gjetur diçka të re, sado e rrahur që të jetë tema, mendimin e vesh me rrobë artistike e bukuri estetike.

Canaj është një poet që e përkëdhel fjalën. Thotë nënë, por edhe nënush, thotë vajzat, por edhe vajzuket. Sipas gjedheve të njohura: nga “Babaushi” ndërton edhe fjalën “Nënushi”; nga “e mjera nënë” ndërton “e yllta nëna ime” etj. Gjen epitete të bukura me ngjyrime poetike (rimë të pranvertë; qafë e mjellmtë, lulet çelin ylberisht, faqe e mërzitur, këmishë e agimtë); ndërton vargje me humor (Mustaqet e tua rriten/ kur lëpin akullore); zemra vizatojnë me cicërimë; Prishtinë, moj Prishtinë/ ti je trendëlinë! etj. etj. Ai herë-herë përdor gjetje grafike. Fjala bie, vjersha “Është një pemë” ka vërtet profilin e e një peme, ku fjala poezitë e shkruar vërtikalisht formon trungun e saj, vargjet e parë lart – kurorën gjelbëroshe, ndërsa tre vargjet e thyera poshtë – rrënjët e shkapërderdhura.

Krijimet kanë psikologji fëmijësh. Ja, te vjersha “Puqi-puqi në cellular” poeti përdor figurën artistike të ashtuquajturpretericion (figurë ku bëjmë të lëmë pa përmendur disa mendime, kurse në të vërtetë i përmendim): voglushi i thotë të atit se nuk do ta spiunojë të motrën, por nga ana tjetër, padashur, i tregon atij gjithçka për të, bisedat e ëmbla të saj me dikë në telefon…

Nga ana tjetër, poeti ka gjetje me figura të tilla, si: Kushtetuta e gjumit, parlamenti i shtëpisë, për një kërkesë të tyre fëmijët kërkojnë të bëhet votim etj. etj. Këto nuk ua heqin aspak poetikën krijimeve, por i bëjnë ato më bashkëkohore.

Fjalët plot dritë, të tilla si: puthje, lule, zog, buzëqeshje, pranverë, qerpik, diell, blerim, cicërima, zemër, flutur, ylber, yje, shqiponjë, gonxhe, rreze, sy, qeshet, këngë… kanë shpeshësi më të madhe në këtë vëllim. Madje edhe togfjalësha, të tillë si:puthje të trëndafilta, puthje liqenore, puthje diellore, buzëqeshje yjesh, vargje liqenore, këmishë hëne… Dhe kjo do të thotë shumë.

Botimi i këtij libri përbënë një sukses të ri për autorin dhe një ndihmesë në poetikën shqipe për fëmijë.

1 KOMENT

  1. Vëllimi poetik Ylli pikturon ëndrrën i poetit të talentuar, Avdush Canaj është një perlë në letërsinë tonë.

Komentet janë mbyllur.