Nga Akademik Abdulla Mehmeti, Revista Drini – 16 Dhjetor 2019
UDB-ja jugosllave, hije vrastare edhe mbi shqiptarët në SHBA
Të shkruhet dhe shpaloset e vërteta e plotë për një pjesë të dhimbshme, të trishtueshme e të përgjakshme të një populli të ndaluar dhe të përndjekur, siç kanë qenë shqiptarët nën ish regjimin komunist jugosllav, as pas disa dekadave nuk është punë e lehtë, pa sigurimin e dëshmive dhe fakteve të dokumentuara, i cili është një proces tepër i vështirë pa hapjen e dosjeve nga arkivat e shërbimeve sekrete, sidomos të UDB-së dhe KOS-it të ish Jugosllavisë.
Meqë ky është një mision gati i pamundur në kushtet dhe rrethanat tona, shpalosja e dëshmive në lidhje me veprimtarinë e këtyre shërbimeve sekrete jugosllave kundër shqiptarëve dhe interesave të tyre kombëtare, përmes aktorëve të lidhur drejtpërdrejt me këto ngjarje, siç ka qenë autori i këtij libri, punonjës operativ i shkathtë në një periudhë të caktuar kohore, sigurisht që përbën kontribut të madh në ndriçimin e kësaj periudhe dhe veprimtarisë subversive e kriminale të shërbimeve sekrete jugosllave mbi shqiptarët, në këtë rast mbi shqiptarët përtej brigjeve të Atlantikut, atje ku i kishin përplasur dallgët e jetës, nga dhuna, represioni, torturat dhe masakrat sllave mbi ata dhe familjet e shumicës së tyre, që kishin marrë botën në sy vetëm për t’i shpëtuar burgosjeve, torturave, vrasjeve pa gjyq, si individë apo familje, grupe të organizuara politike e atdhetare, që kishin guxuar ta ngrenë zërin, ta kundërshtojnë atë regjim gjakatar kominternist jugosllav, i cili kishte arritur ta vendosë pushtetin e tij në trojet shqiptare të mbetura nën ish Jugosllavinë komuniste, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Sanxhakun e Pazarit të Ri, Luginën e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare, nga viti 1913 dhe sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.
Me qindra e mijëra shqiptarë, që shekuj me radhë kishin emigruar në SHBA, por që nuk e kishin harruar vendlindjen e tyre dhe atdheun, vuajtjet nën regjimet antikombëtare në shtetin e tyre dhe në regjimet e huaja në viset e mbetura nën okupimin dhe sundimin e shteteve fqinje, gjithashtu do të shndërrohen kësaj radhe në viktima potenciale dhe reale, si nga regjimi komunist i shtetit amë të tyre, edhe nga shërbimet sekrete jugosllave, të cilat shpeshherë edhe me veprime të koordinuara kanë organizuar kurthe e komplote, kanë zhvilluar propagandë dhe kanë kryer vrasje me motive politike dhe krime të tjera të gjithfarëlloj mbi shqiptarët, sidomos ndaj atyre atdhetarëve me bindje nacionaliste që nuk i janë nënshtruar kurrë propagandës dhe ideologjive të huaja, sidomos asaj komuniste.
Nafi Çegrani
Libri i fundit me dëshmi, të cilin e sjell para lexuesve dhe opinionit autori Nafi Çegrani, nuk është libër si gjithë të tjerët e këtij lloji, por një histori e trishtueshme për shqiptarët në SHBA, në një periudhë të caktuar, e cila sa vjen e qartësohet, pasurohet me dëshmi të reja, të cilat i sjell ky autor, por edhe autorë të tjerë, të nxitur nga dëshmitë që sillen këtu, thjesht për ta sqaruar në mënyrë më të plotë, për të maskat e kamufluara të akteve të turpit apo krimeve , apo për të hapur tema e çështje të tjera lidhur me veprimtarinë kriminale të shërbimeve sekrete jugosllav mbi shqiptarët në SHBA dhe gjetiu.
Ndarja e individëve të caktuar në këtë libër nuk duhet të shikohet bardhë e zi, si në librat kriminalistikë apo romanet fantastikë shkencorë, në njerëz të mirë e të ligë, në karaktere pozitive dhe negative, por si një tërësi nga e cila në çdo moment mund të shkelet syri apo këmba, dikujt t’i zihet bishti përmes dëshmive që sillen këtu, jo për t’u rrëzuar dikush dhe për t’u ngritur ndonjë tjetër, përmes skenave të përgjakshme të ndërtuara me mjeshtri nga merimanga gjakpirëse e shërbimeve sekrete jugosllave, por për ta shpalosur dhe qartësuar të vërtetën, e cila aq shumë u ka munguar shqiptarëve deri më sot, sidomos për veprimtarinë e UBD-së jugosllave ndër shqiptarët në SHBA, ku në mënyrë të denjë, reale e njerëzore vepron edhe autori Nafi Çegrani në saje të eksperiencës së tij profesionale.
Në një distancë kohore prej afër gjysmë shekulli, disa ngjarjeve u ka kaluar aktualiteti dhe disa njerëz kanë vdekur, ndërkohë janë thurur shumë histori të vërteta e rrejshme lidhur me ato, janë publikuar dëshmi, dokumente dhe të vërteta, që mund të mos përkojnë fare me të vërtetën, por që kanë vërshuar në opinion dhe kanë krijuar bindje ndryshe dhe të vërteta të tjera, të kundërta me këto që i ofron autori i këtij libri.
Sidoqoftë, në këtë libër, edhe kur kursehen disa individë të përfshirë në veprimtarinë e shërbimit sekret jugosllav (UDB), sigurisht kjo është bërë me qëllim të caktuar nga autori, për arsye të sedrës njerëzore, për shkak të miqësive dhe interesave të gërshetuara, duke dashur që plaga e hapur dikur mes shqiptarëve, vëllezër të një gjaku e një gjuhe, të mos kullojë edhe më tej gjak, të mos sjell turpe e fatkeqësi të reja ndër të afërmit e pafajshëm të familjeve të disa agjentëve të fshehur shqiptarë në shërbim të agjenturave jugosllave dhe shërbimeve të tjera sekrete të lidhura ngushtë me veprimtarinë e UDB jugosllave, por që nuk i shterojnë, fshehin e zhdukin burimet e informacioneve, nuk i amnistojnë kriminelët, as bëjnë thirrje për falje, por kjo lihet si punë profesionale për institucionet e specializuara të shtetit tonë, që do t’u shërbejnë edhe specialistëve të kësaj fushe për krijimin e mekanizmave mbrojtës për sigurinë kombëtare të shqiptarëve në të ardhmen.
Nga ky libër, për aq sa shkruhet e thuhet, sa ofrohen dëshmi për njerëz dhe ngjarje, për veprimtarinë kriminale të UDB-së, mund të nxirren shumë përfundime, të kapet fija edhe aty ku është këputur dikur për të mos u zbuluar kurrë, as porositësit, lidhjet, ndihmësit dhe kryerësit e këtyre veprave kriminale, të cilat i ka kryer UDB-ja jugosllave mbi shqiptarët në SHBA, por edhe për lidhjet e fuqishme mes njerëzve përmes interesave të ndryshme, mes klaneve, grupeve dhe rrjetit të kësaj agjenture, e cila ka vepruar në një plan tejet të gjerë, propagandistik, subversiv dhe kriminal, përmes shumë individëve, në disa vende dhe shumë ngjarje, për në një periudhë të gjatë kohore.
Veprimtari e UDB-së dhe e shërbimeve të tjera sekrete sllave kundër shqiptarëve ka pasur një gamë të gjerë veprimesh dhe interesash, jo vetëm shtetërore apo ideologjike, por të një rrjeti apokaliptik përmes të cilit janë përndjekur, shantazhuar, kërcënuar, komprometuar e hasmëruar, dënuar e likuiduar, dezorientuar dhe dobësuar shqiptarët në vazhdimësi, që kurrë të mos dalin nga ky ferr i përgatitur vetëm për ata; që shqiptarët të mos zgjohen, forcohen dhe vazhdojnë rrugën në kërkim të lirisë së humbur, për liri dhe bashkim kombëtar. Kështu, për t’ua shpërlarë trurin, duke ua fshirë kujtesën historike, shtrembëruar të vërtetën dhe falsifikuar historinë, për mbajtjen pafund nën sundim nga shtetet fqinje të tyre, të cilat padrejtësisht i kanë okupuar mbi 2/3 e trojeve etnike shqiptare, sidomos gjatë dy shekujve të fundit. Për realizimin e këtyre qëllimeve strategjike, sigurisht që pushtuesit e huaj kanë ngritur rrjete agjenturash, shërbime të specializuara dhe qendra propagande, grupe kriminale dhe vrasës me pagesë, por të cilat asnjëherë nuk do të kishin qenë të suksesshme pa ndihmën e renegatëve shqiptarë, të tillë siç mund t’i identifikoni përmes shumë dëshmive në këtë libër.
Tetovë, 16.12.2019