Shkruan: Lekë Mrijaj
Mons.dr. Zef Oroshi, ishte një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik e atdhetar i shquar i kulturës dhe i shqiptarizmit. Njëkohësisht ishte edhe themeluesi i parë i kishës katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës”, 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, 10530, gjë që në atë kohë edhe vetë gazeta prestigjioze “New York Times”, mons. dr. Zef Oroshin e konsideronin si një ndër pionierët e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje. Pikërisht është shkrimtari ynë nga New Yorku, z. Tomë Mrijaj, hulumtues dhe studiues i mirënjohur, i cili, sapo ka hedhur në libraritë shqiptare botimin me radhë të tij të sponsorizuar financiarisht i cili është një botim me një zhanër tjetër të veçantë (shkrime të përmbledhura e të përzgjedhura që janë shkrime të karakterit historik, gjuhësor e kulturor) e që titullohet: “LOG KUVENDI NË TRINOMIN FE-ATDHE-PERPARIM” në autorësi të të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshi-(New York, 2019). Libri në fjalë u botua në Jubileun e 50-vjetorit të meshës së parë në SHBA të mons. dr. Zef Oroshit (1969-2019). U shtyp në shtypshkronjën “Volaj” Shkodër.
Andaj ju studiues e lexues të dashur të librit, nëse po mendonit për një alternativë që do ju begatonte shpirtin tuaj të mrekullueshme dhe të tjerat pas saj, në dorë tashmë e keni librin përzgjedhës e përmbledhor të shkrimtarit e studiuesit Mrijaj, i cili është një libër dedikuar mikut e kumbarës së familjës së tij shumdekadëshe, prelatit për Fe, Atdhe e Përparim, mons. dr. Zef Oroshit, i cili ishte një kryemisionar i kishës apostolike të diasporës shqiptare nё Nju Jork tё SHBA-sё. Ai, në fund të viteve ’70-ta për herë të parë e përktheu të Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve në dialektin gegë. Një një formë të përmbledhur e me shënimet dhe materialet më të rëndësishme jetësore të tij është ravijëzuar profili jetësor, misionarik dhe letrar i mons. dr. Zef Oroshit , që me emrin e tij po i bën nder jo vetëm kishës apostolike por edhe letërsisë sonë shqipe dhe kombit tonë përgjithësisht.
Ky libër me autor mons dr. Zef Oroshi, prej 370 faqesh, që në hyrje të librit, (faqe 9-10) dy fjalë për të i flet – shkruan edhe biografi i tij, studiuesi e sponsorizuesi finaciar i librit nga Nju Jorku, z. Tomë Mrijaj, i cili veç fjalës së mons. dr. Zef Oroshit të thënë në predikimin e Krishtlindjes të 24 dhjetorit 1969 në Nju Jork, u shpreh: “Mirëse u ka prue Zoti në shtepinë tuej. Kjo sot asht nji shkëndi e vogël, por që do bahet nji flakë e madhe nji ditë në Atdhe.
Sot të dashtun bashkatdhetarë, falenderja e mirënjohja mâ e thella u siellet të gjith bashkatdhetarëvet shqiptarë padallim, jo prej njajë, dy, tri a pesë krahinash të Shqipnisë, por prej “Tivarit në Monastir – Prej Preveze në Kaçanik”, prej të gjitha vendevet ku flitet gjuha e ambël shqipe, që aq vllaznisht na kanë dhanë zemër, ndihmue e përkrahë, dhe kam shpresë e deri diku jam i sigurtë se kanë me vijue me na ndihmue dhe në t’ardhëshmen, pse rruga e flijimevet asht ende e gjatë per ne per ta përmbyllë këte nisme me randësi kombtare. Gëzonju prá, o vllazen e motra shqiptare, pse çerdhen tonë me i sherbye Zotit e në të njajten kohë Atdheut të dashtun e të largët, e kemi krijue me flijime tona të shkelqyeshme.
Ai Zot që na ka krijue, nuk na ka harrue, e u thaft e djathta e jonë, në qoftë se në jeten tonë, Atë osè Atdheun që na lindi do ta harrojmë.” Z. Mrijaj, në vazhdim të fjalës së tij thotë se botës shqiptare ky libër i vjen, me rastin 50-vjetorit të meshës së parë në SHBA (1969-2019) të mons. Zef Oroshit, meshë e cila ishte mbajt natën e Kërshëndellave, pikërisht me 24 dhjetor 1969 që do të thotë se ky libër në tërësi botohët si përkujtim i veprës madhore të këtij prelati gjithëperfshirës me vlera shumdimensionale i cili që nga vitet 1958-1978 bëri shumë analiza studimore të fushave të ndryshme të figurave të shquara kombëtare duke filluar nga mesjeta si: Gjergj Kastriotin, imz. Fan S. Noli, don Ndre Mjedën, patër Gjergj Fishtën, prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, si dhe edhe Nënë Terezën e shumë e shumë portrete të tjera të natyrës fetare, kombëtare e kulturore.
Njëkohësisht me një fjalë tjetër hyrëse është prezantuar edhe nga dom Pjetër Popaj, meshtar i kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York, ai i cili veç tjerash potencon duke thënë: “ Po shkruaj në mënyrë modeste disa rreshta kujtimesh për mons. Zef Oroshin gjë që në këtë parathënie është e pamundur t’i përfshij të gjitha e nuk mund t’i konceptoj të tëra aktivitetet e tija të bujshme sepse kjo figurë madhore fetare e kombëtare, kishte njohuri filozofike shkencore, gjë qe vlen të thuhet se në fillimviti 1970, ka perkthyer librat e Shënjt Biblik-Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve libra të perkthyera prej gjuhëve të huaja, duke filluar prej greqishtes së vjetër për dialektin gegë. Madje dom Pjetri, në në vazhdim të parathënies së këtij librit thotë se: Vet ai-personalisht ishte seminarist e student për meshtar i mons. Zefit, i cili edhe ka qenë veshari kryesor gjatë shugurimit të tij meshtarak…
Ndërsa Don Anton Kçira, figura më e pastër e ndërlidhjes sonë fetare e kombëtare, ishte ai i cili dha një mendim-vlerësim të spikatur pozitiv për vëllaun e tij misionar, e kombëtar, mons. Dr. Zef Oroshin, duke thënë se ai personalisht qysh si një meshtari i ri ka pasë fatin ta njoh edhe për së afermi dhe se vertetë ruan kujtime shumë të mira për mons. Zefin, i cili siq thotë dom Antoni, ai ishte një personalitet mendjemprehtë dhe që mbetet i paharruar si një ndër figurat më të çmuara të krenarisë sonë kombëtare e mërgatë. Dom Antoni veprimtarinë e mons. Dr. Zefit e përshkruan në disa etapa: Vitet e para në seminar, studimet meshtarake teologjike e filozofike, meshtar i ri në vreshtën e Zotit, braktisja e famullisë, rezistenca antikomuniste dhe dalja e mons. dr. Zefit në mal, vitet e vështira të mërgatës dhe historia e tij e lavdishme e meshtarit patriot në vendet e ndryshme të botës dhe SHBA.
Madje dom Antoni i përshkruan fjalët e mons. Zefit, për të cilin thotë se gjatë arratisjes së tij nga Shqipëria dhe ardhjes së tij në Kosovë nga ana e ipeshkvit Shkup-Prizren, imz. Çekada, i kishte ofruar mons. Zefit të shërbej si meshtar në famullinë e Zllakuqanit të Klinës , por për shkak të rrethanave që ishin përndjekjës dhe pasigurisë së tij, ai nuk e kishte pranuar propozimin e imz. Çekadës, sepse mendjen e kishte të migroj dhe të veproj lirshëm në rrafshin fetar, kombëtar, njerëzor e kulturor në botën e lirë perëndimore, i cili përmes Kosovës migroj në Itali dhe tutje në SHBA., duke zhvilluar një veprimtari të pastërt gjithëpërfshirëse kombëtare… Kumtesën e plotë të dom Antonit mund ta gjeni në faqen 19-23, të librit: “LOG KUVENDI NË TRINOMIN FE-ATDHE-PERPARIM“.
Para hyrjes në kapitullin e parë vazhdon edhe një shkrim tjetër i shkruar nga mons dr. Zef Oroshi, “Si e njofta Fan Nolin?” (faqe 31-36), që janë kujtime të përjetuara, për bashkëkohësin dhe mikun e tij të ngushtë karizmatik i cili siç shkruan në vepër: “…ishte takimi i tij shumë i përzemërt me imz. Nolin, takim i cili ngjau, vetëm në shtatorin e vitit 1961.” Ai vazhdon duke thënë: “Kur erdha së parit n’Amerikë, ndejta rreth tetë muaj në Boston, Mass., nën drejtimin e Kardinalit Richard Cushing, Arqipeshkvi i atij qyteti, që njihej edhe si kryeqyteti i Shqiptarvet t’Amerikës.
Gjatë kësaj kohe bana disa hapa fillestarë për t’organizue diçka fetarisht për katholikë shqiptarë, që kishin ardhë ma të vonit në këte vend dhe nuk e kishin kurrkund nji çerdhe të vetën.” mons. dr. Oroshi, pohonte me mburrje se Imzot Dr. Fan Stilian Noli, ishte një patriot i vërtetë shqiptar. Gjatë takimeve të shpeshta ekumenike dy prelatët bashkatdhetarë kishin shfaqur idenë e afrimit të Kishës Shqiptare Ortodokse me Kishës Katolike Shqiptare. Asokohe, kardinali i Boston-it Mass., i ndjeri Richard Cushing, e kishte pritur mirë këtë ide dhe kishte marrë përsipër ndërmjetësimin për ribashkimin e kishave tona etj…
Në librin “LOG KUVENDI NË TRINOMIN FE-ATDHE-PERPARIM” në autorësi të të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshi, jeta dhe aktiviteti I tij misionarik, letrar e kombëtar shtjellohen në tre kapitujt si më poshtë:
• Kreu i parë: Artikujt e mons.dr. Zef Oroshit në Shëjzat 1957-1974, dhe plejada 1978 (tetë prezentime nga faqe 38-87),
• Kreu i dytë: Artikuj të shkruara në revistën “Jeta Katholike Shqiptare të mons. dr. Zef Oroshit dhe të tjerët rreth aktivitetit të tij dhe kishës katolike gjatë vitëve 1966-1978, (Shtatdhjetë prezentime nga faqe 92-311),
• Kreu i tretë: Përfshijnë artikujt e studiuesve e analistëve të mirënjohur shqiptar si dhe ilustrime të fotografive të ndryshme (tetë prezentime nga studiues të ndryshëm nga faqe 322-365).
Të tre kapitujt janë të konceptuar mjeshtërisht me një stil të shkëlqyer me titujt përkatës të këtyre ndarjeve, përjashto kapitullin e tretë, ku përveç kumtesave të tjera të studiuesve dedikuar mons. dr. Zef Oroshit, është i ilustruar edhe një album fotografik me mons. Zef Oroshin dhe miqtë e tij shumë të çmuar. Për t’i dhënë të pranishmëve një pasqyrë kronologjike të shtjellimit e kumtesave e hulumtimeve në këtë libër studimor po jap një përmbajtje të shkurtër të temave të cilat përzgjedhësi i shkrimeve të librit të mons. dr. Zef Oroshit, i ka parashtruar nëpër kapitujt e përmendur.
Në kapitullin e tretë dhe të fundit gjejmë artikujt të studiuesve e analistëve të mirënjohur shqiptar si dhe ilustrime të fotografive të ndryshme ku z. Mrijaj si perzgjedhës i materialeve shkrimore ka shfrytëzuar edhe burime të shumta të tjera alternative faktike hulumtuese e studimore, të cilat janë pasqyruar shumë bukur në faqet e këtij libri, duke i renditur mrekullikisht shkrimet e referuesve të mirënjohur me renome shkencore e kombëtare si të z. Mergim Korçës, znj/sha Leonora Laçit, z. Frank Shkrelit, z. Tonin Mirakajt, z. Klajd Kapinovës, prof. dr. Stefan Capalikut, z. Mark Shkrelit si dhe shkrimin në faqe 334-335, “Si u internua familja e mons. Zef Oroshit pas arratisjes së tij” (shkrim i shkëputur nga libri:”Saga e Dhimbjës” Fatbardha Mulleti-Saraçi) si dhe një fotoalbum përmbledhës fotografik.
Dhe fare në fund, po e potencoj se libri: “LOG KUVENDI NË TRINOMIN FE-ATDHE-PERPARIM” në autorësi të të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshi do të ishte e pamundur që të botohej, po mos të ishte shpirtmirësia dhe vullneti i mirë gjithëpërfshirës i studiuesit Mrijaj, si dhe bashkëpunimi i tij miqësor e korrekt që pati miqtë e tij të kishës apostolike në Amerikë si dhe me bashkolegët e tij të tjerë intelektual, studiues mbarshqiptarë.
E kemi thënë edhe me sipër se libri në fjalë, i drejtohet një rrethi shumë të gjerë lexuesish, studiuesish, hulumtuesish klerikëve të kishës apostolike dhe klerikëve të komuniteteve tjera (islame dhe ortodokëse shqiptare) si dhe shekullarëve me (dhe pa) përgatitje të veçantë intelektuale, shkencore, gjuhësore. Atje ata do ta gjëjnë dhe njohin jo vetëm jetën dhe veprimtarinë e këtij personaliteti karizmatik siq është mons. dr. Zef Oroshi, por edhe rrjedhën tjetër të eruditëve shqiptar. Ndaj ky portret do të mbetet model ideal perjetësije për të ndjekur nga brezat e rinj të shkencëtarëve tanë të natyrave të ndryshme, të cilët do të mësojnë rrjedhimisht biografin jetësore dhe aktivitetin e gjithmbarshëm mons. dr. Zef Oroshit.